Mimi Kodheli: Ka korrupsion në Shërbimin Informativ dhe Ushtri

53

mimi-kodheliMinistrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli deklaron se strukturat e ushtrisë janë të korruptuara dhe se ato do të duhet t’i nënshtrohen një ristrukturimi të thellë. Në një intervistë për emisionin “Bugajski Hour” në televizionin “AS”, ministrja Kodheli theksoi se në gjirin e Forcave të Armatosura dhe të Ministrisë së Mbrojtjes ka patur shumë trysni nga politika për zgjedhje si dhe shumë korrupsion. Sipas Kodhelit, korrupsioni në ushtri nuk shtrihet vetëm mbi pronat, tenderat apo ankandet, por edhe për karrierën e ushtarakëve. Për ministrjen e Mbrojtjes, Shërbimi Informativ brenda Ministrisë së Mbrojtjes duhet të ristrukturohet dhe riorganizohet sipas standarteve të NATO-s për t’i dhënë fund fenomenit të korrupsionit.

Më lejoni t’ju pyes gjegjësisht mbi Rishikimin e Mbrojtjes Strategjike që u përmbyll vitin e kaluar. Dhe hapi tjetër është Plani për Zbatimin nga Ministria e Mbrojtjes. Cili është plani juaj dhe, ç’është më e rëndësishmja, si do të preket ai nga buxheti i mbrojtjes?

Ne kemi gjetur një nga skenaret më të këqinj, ku Shqipëria ka qenë gjatë dy dekadave të fundit. Më e keqja ishte në vitin 1997, me skemat piramidale, dhe tjetra është e tashmja. Kam parë të dhënat, dhe në fund të vitit ne kemi për të patur gjithnjë e më pak të ardhura. Nga 25.3% e GDP-së, të ardhurat do të shkojnë në 23.8%, dhe kjo është një shumë e madhe parash. Kjo do të thotë se ne do të kemi shkurtime në të gjithë sektorët, dhe kjo natyrisht do të prekë edhe Ministrinë e Mbrojtjes. Por ne gjithsesi do të përmbushim obligimet tona ndaj NATO-s dhe më e rëndësishmja është të kemi përpjestime të mira kur hartojmë buxhetin. Detyrimet ndaj stafit në paga.

Më lejoni t’ju bëj një pyetje mbi korrupsionin, më saktë mbi politizimin. A do të thonit se ushtria shqiptare në tërësi është plotësisht e depolitizuar sipas standarteve të NATO-s?

 Aspak! Përkundrazi! Në gjirin e Forcave të Armatosura dhe të Ministrisë së Mbrojtjes ka patur shumë trysni lidhur me faktin se ai që s’voton për PD-në, nuk është pjesë e jona. S’mund të jetë kurrsesi kështu. Ne do t’i vëmë fre kësaj gjëje njëherë e mirë. Ushtria është ushtri. Ajo ekziston që të mbrojë integritetin e Shqipërisë, që të mbrojë demokracinë e Shqipërisë, që të mbrojë pronat e qytetarëve, që të mbrojë gjithçka në të mirën e të ardhmes sonë. Pra, ushtria s’ekziston për të treguar nëse ushtarakët kanë votuar për PD-në apo PS-në, apo për parti të tjera. E dyta, ka shumë korrupsion, jo vetëm kur diskutojmë mbi pronat apo mbi tenderat apo ankandet apo mbi çdo aktivitet ekonomik që Ministria e Mbrojtjes ka në kornizën e saj, por gjithashtu edhe kur flasim për karrierën, e cila është një temë tjetër që ne do ta ballafaqojmë dhe me të cilën unë ballafaqohem që tani. Po them vetëm një gjë. Paraardhësi im kishte vendosur disa yje në spaletat e disa gjeneralëve apo kolonelëve të Forcave të Armatosura në muajin maj, një muaj para zgjedhjeve. Dhe me ligj, procesi duhet të përfundonte në shtator. –Shtatorin e kaluar! –Jo, këtë shtator! Pra, ata nxituan që të vendosnin disa yje shtesë në karrierën e dikujt vetëm për të patur disa vota më tepër, sepse unë s’shoh asnjë arsye tjetër. Diçka që duhet ta përmend medoemos është fakti se korrupsioni ka prekur edhe Shërbimin Informativ, dhe madje tejet negativisht. Ka raporte konfidenciale ndërmjet shërbimeve të inteligjencës të anëtarëve të NATO- s, dhe nëse dikush nga jashtë mëson se ka korrupsion, atëherë ky mund të jetë një problem tejet i rrezikshëm dhe i madh. Pra, agjensia që po merret me shërbimin informativ brenda Ministrisë së Mbrojtjes duhet të ristrukturohet dhe riorganizohet sipas standarteve të NATO-s, dhe lufta kundër korrupsionit ka për ta bërë atë një shërbim më të mirë e më efikas.

Besoj se Shqipëria mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO, sapo vendi të përmbushë kushtet?

Po. Ne do ta mbështesim Kosovën. Eshtë krejt normale.

Atëherë, besoj se do mbështesni edhe anëtarësimin e Serbisë në NATO?

Po, sigurisht. Kështu duhet të ndodhë, ndonëse Serbia është partnere e NATO-s, por nuk merr pjesë në misionet e drejtuara nga NATO-ja.

*Shekulli