Dritëro Agolli: Kryeministri Rama do bëjë më shumë se të tjerët

40

rama agolliShkrimtari dhe patriarku i socialistëve, Dritëro Agolli vlerëson ditët e para të punës së Qeverisë së re duke u shprehur optimist për suksesin e saj. Sipas tij, Kryeministri Edi Rama edhe pse shpesh është kritikuar, ka treguar se di të jetë drejtues i mirë. Madje sipas Agollit, Rama mund të bëjë hapa para më shumë se paraardhësit e tij.

I informuar dhe për debatet e fundit politike lidhur me administratën publike, apo akuzat e opozitës për largime të padrejta nga puna, Agolli pohon në një intervistë për Top News, se ky është një zakon i vjetër që zbatohet nga çdo qeveri. Nëse do të hiqej dorë nga ky zakon, vendi do të bënte shumë më tepër hapa përpara. Por, shkrimtari Agolli nuk kursen as këshillat duke i sugjeruar Qeverisë të të hedhë hapat njëri pas tjetrit dhe jo të marrë përsipër shumë gjëra njëherësh.

Këshillat e Agollit

Në 82-vjetorin e lindjes ndërsa priste urimet nga miq e të afërm të shumtë, Agolli ka pranuar të komentojë dhe zhvillimet e fundit politike pas ardhjes në pushtet të Aleancës për Shqipërinë Evropiane. I pyetur mbi debatin më të fundit mes mazhorancës së re dhe opozitës për ligjin “Për nëpunësin civil” në një kohë që opozita është fokusuar në akuzat për largime të padrejta nga administrata, Agolli pohon se kjo është një praktikë e vjetër tashmë, e ndjekur nga çdo qeveri.

“Po kjo praktikë mendoj që është kthyer në një zakon edhe nuk duam ta prishim zakonin sepse le të thotë kush të dojë që ka qenë mirë në këtë periudhë, ka qenë keq në tjetrën, nuk është ashtu. Gjithnjë administrata, sa ka ardhur një forcë politike tjetër, është ndryshuar”, – pohon ai ndërsa nuk kursen dhe sugjerimet për mënyrën e zgjidhjes së kësaj praktike të vjetër përplasjesh mes palëve.

 

“Po hoqe dorë nga kjo, ke arritur një përparim të madh që të vijnë njerëzit pa dallime politike, vetëm të jenë të zotë, specialistë të zotë. Që të ecë Shqipëria përpara duhet të zhduket ky mentalitet”, – shprehet Agolli. Shkrimtari sugjeron gjithashtu që Qeveria mos marrë përsipër shumë gjëra njëherësh. “Në përgjithësi unë them që mirë e kanë filluar, vetëm se do të thosha që disa gjëra duhet të mos bëhen përnjëherësh të gjitha. Për shembull, kur hamë bukë në fillim hamë sallatë, pastaj supën, pastaj vjen gjella tjetër.

Pastaj, vjen bakllavaja, pemët e të gjitha. Pra, nuk duhet t’i hamë të gjitha përnjëherësh”, – shton ai. I pyetur nëse mund të ishte bërë më shumë në këto tetë vite kur vendi u drejtua nga – ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, Agolli shmanget dhe lëshon një përfundim të hidhur. Ai thekson se në drejtimin e vendit në këto 23 vjet pluralizëm nuk ka pasur drejtues që mund të veçohen për ndryshime madhore në vend. Por, kjo vjen dhe për shkak të një mentaliteti të një shoqërie e cila ende ka si problem gjakmarrjen. Pavarësisht këtij mentaliteti, Agolli shpreh bindjen se Rama mund të jetë drejtuesi që mund të bëjë dallimin dhe mund të hedhë më shumë hapa përpara se të tjerët.

Ai shton se shpesh kreu i Qeverisë është kritikuar, madje dhe nga kolegët e tij, për veprime të pakonsultuara, por deri tani nuk është vënë re një gjë e tillë. “Mund të jetë sepse si drejtues ai është i zoti. Ndonjëri mund ta quajë se nuk pyet shumë njerëzit, kolegët e tij, por unë deri tani nuk vë re ndonjë gjë të tillë. Unë mendoj se si drejtues, si kryetar qeverie mund të bëjë hapa përpara më shumë nga të tjerët. Sepse dhe Tirana që drejtonte ai është si një qeveri e vogël, është gjysma e Shqipërisë gati dhe bëri punë shumë të mira, e ndryshoi faqen e Tiranës”, – arsyeton Agolli.