Konflikte për boçet e pishës, zbardhet krimi

66

policia...Shpallen në kërkim katër persona të akuzuar për ngjarjen e rëndë e ndodhur mbrëmjen e së premten tek Gjiri i Lalzit, ku humbi jetën 25-vjeçari Altin Bushi. Nga ana e policisë bëhet me dije se janë duke vijuar kërkimet për autorin e vrasjes, i cili mund të jetë fshehur në zonën e krimit. Ndërsa kanë vijuar me intensitet kërkimet në fshatrat Bize e Drac të Ishmit si dhe në Hamall e Shkafanë. Sipas efektivëve të policisë terreni është mjaft i vështirë dhe ka shumë zona qorre, duke ngadalësuar kapjen e autorit. Kjo zonë ka sipërfaqe pyjore të dendur dhe mjaft banesa të shkatërruara, të cilët janë të pozicionuar në thellësi, ndërsa ka dyshime se autori Bledar Bushi mund të jetë duke qëndruar i fshehur. Dëshmitarët okularë kanë zbardhur skenarin e ngjarjes si dhe momentin e ekzekutimit të Altin Bushit. Sipas dëshmitarëve konflikti ka nisur për ndarjen e territorit të mbledhjes së boçeve të pishës. Në dallim ndarja e territori i është lënë në dorë vetë fshatarëve dhe kjo ka qenë zanafilla e ngjarjes së rëndë me një të vrarë dhe katër të plagosur. “Kur ne u mblodhëm thamë që të mos bënin punë pa e diskutuar si fis. Po kjo bëri që të niste një sherr i madh, fillimisht me shqelma e grushte e më pas me hunj. Përleshja ka ndodhur në territorin e pishave. Qëllohej kushdo qe të dilte përpara, edhe të tjerët që ishin më të shumtë në numër janë rrahur me ta. Me të shara e me kërcënime askush nuk largohej nga e tija. Më në fund Bledar Bushi nuk ka duruar më, por ka nxjerrë armën e ka qëlluar. Për tu plagosur me hunj janë plagosur dhe janë rrahur të gjithë me njëri-tjetrin”, ka rrëfyer një prej dëshmitarëve okularë. Lufta për territorin e mbledhjes së boçeve degjeneroi në një konflikt të armatosur ku mbeti i varrë Altin Bushi, të plagosur vëllai i tij Florenc Bushi, nëna Vjollca, babai dhe vëllai i vogël.

Ngjarja

Autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë të shpallur në kërkim nga policia janë Bledar Bushi, vëllai i tij Agustin Bushi dhe dy kushërinjtë Gjok dhe Luigj Bushi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 15:35 minuta. Përdorimi armës së zjarrit tip pistoletë TT mod 54 nga i dyshuari Bledar Bushi ka bërë që të gjakosen 4 vetë. Nëna 50 -vjeçare V, me fëmijët Albert Bushi 25 vjeç, i cili humbi jetën në spitalin ushtarak të Tiranës dhe 2 vëllezërit e tjerë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mes shumë personash të të njëjtit fis dhe policia pasi ka shkuar në vendngjarje ka bërë menjëherë shoqërimin e shumë prej tyre duke përfshirë edhe arrestimin e 2 vëllezërve të autorit të dyshuar Bledar Bushi. Policia ka bërë me dije se “Gjatë gjithë ditës të dyja familjet kanë prerë degë pishe dhe i kanë lënë grumbull, që më pas të mblidhnin boçet e tyre. Në një grumbull të prerë në anë të rrugës për t`i marrë e kanë pretenduar të dy familjet”.