Stuhia godet veriun e Evropës, raportohen 13 viktima

stuhia 7Një stuhi e fuqishme në veriperëndim të Evropës ka shkaktuar të paktën 13 viktima deri më tani, gjashtë prej të cilave janë nga Gjermania, raporton BBC.

Në Gjermani dy persona mbetën të vdekur, si pasojë e goditjes së makinës së tyre nga pemët e rrëzuara prej stuhisë, ndërsa dy fëmijët që ndodheshin brenda makinës mbetën të plagosur.

Në Gjermani një peshkatar dhe një marinar mbetën të vdekur në det.

Në veri të Francës raportohen 42 mijë shtëpi të mbetura pa energji elektrike si dhe një grua e mbytur. Ndërsa në Amsterdam një tjetër grua u godit për vdekje nga një pemë.

Si pasojë e erës së furishme, e cila shkaktoi disa viktima, u anuluan disa trena në Londër dhe në veriperëndim të Gjermanisë.

Nënoficeri i kthyer nga Afganistani tenton të vrasë veten

policia...Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në kryeqytet, ku një nënoficer 35-vjeçar ka tentuar të vrasë veten. Mësohet se ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 20:20 në zonën e Shkozës në kryeqytet, ku nënoficeri ka mbetur i plagosur. Policia bën me dije se M. Barma kishte vetëm katër ditë që ishte kthyer nga misioni në Afganistan.

Dyshohet se 35- vjeçari ka tentuar të vrasë veten në kushte të rënda psikologjike. Nënoficeri është nisur drejt Spitalit Ushtarak, prej ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.

Didi: Ende një mision i pamundur hyrja në Lazarat

artan didiDrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, ka inspektuar sot pikën kufitare të Kakavijës në Gjirokastër, ku është shprehur se ndërmarrja e një aksioni për të hyrë në Lazarat, tani për tani nuk është i mundur.

Didi tha se Lazarati mbetet një njollë e zezë, por ende mbetet një mision i pamundur. Ai ka shprehur nevojën e shqyrtimit të situatës dhe sigurimin e ndihmës së nevojshme nga partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që misioni të rezultojë i suksesshëm.

“Për Lazaratin duhet të bashkëpunojnë të gjitha institucionet. Duhet ndihmë edhe nga jashtë për të ndërhyrë në Lazarat. Policia do të spastrohet nga të gjithë njerëzit e korruptuar. Do të rishqyrtohen efektivët që janë në detyrë. Ata që punuan me ndershmëri, do jenë pasuria e policisë”, theksoi Didi.

Basha: Rama kreu një krim ekonomik

basha2-1024x694Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka akuzuar sot qeverinë Rama se po e çon vendin drejt një krize ekonomike dhe se është hera e parë në histori që ndodh një gjë e tillë.

Këto deklarata, Basha i bëri gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, ku dhe i përgëzoi kolegët e tij për qëndrimin që ata mbajtën në parlament mbi “Aktin Normativ”.

Në lidhje me miratimin e buxhetit, Basha tha: “Falë qëndrimeve të  Partisë Demokratike dhe grupit të saj parlamentar, shqiptarët  kuptuan mirë se qeveria e tyre vendosi të merrte borxh me një dorë, çfarë planifikoi të humbte nga  mbledhja e taksave me dorën tjetër. Qeveria vendosi kështu  t’i fuste dyfish në debit financat e shtetit. Kjo nuk ka ndodhur kurrë, askund. Asnjë kryeministër në histori nuk ka guxuar ta bëjë këtë”.

Më tej kreu i PD-së shtoi: “Ky është në thelb një krim ekonomik i kryer me gjakftohtësi dhe, më  keq akoma, i votuar me verbëri në tempullin e ligjit. Është  hera e parë që një qeveri heq dorë në këtë shkallë, pa asnjë arsye të përligjur, nga mbledhja e taksave dhe tatimeve. Është hera e parë që një  qeveri planifikon  një dështim të këtij lloji dhe të këtyre përmasave. Kjo është rruga e rrokullisjes drejt recesionit, drejt krizës “Rama”.

Në lidhje me samitin e Partive Popullore që u mbajt javën e kaluar në Bruksel, Basha u shpreh se kryetarët  e partive simotra evropiane  dhe drejtuesit më të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian, i shprehën gadishmërinë për të mbështetur Shqipërinë në rrugën drejt integrimit evropian.

Izraeli i jep fund bojkotit ndaj Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut

OKBMinistria e Jashtme e Izraelit bën të ditur se përfaqësuesit e saj do të marrin pjesë në punimet e Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, të cilat mbahen në Gjenevë. Gjermania kishte paralajmëruar se Izraeli do të përballej “me dëme serioze diplomatike” nëse nuk do të merrte pjesë në takimin e së martes.

Në janar, Izraeli u bë vendi i vetëm në botë që e bojkotoi procesin e analizimit të të drejtave të njeriut nga ana e OKB-së.

Në mars, ky vend shkëputi të gjitha marrdhëniet me Këshillin për të Drejtat e Njeriut, kur zyrtarë nga ky këshill bënë të ditur se do të mund të vërtetonin se si shteti izraelit po shkelte të drejtat e palestinezëve.

Izraeli është deklaruar zyrtarisht se beson që OKB-ja është paragjykuese në raport me të.

Kujtuan se ishte pedofil, e dogjën në mes të rrugës

bijanNjë burrë në Britani u dogj i gjallë nga komshinjtë e tij, të cilët e ngatërruan si një pedofil.

44-vjeçari, Bijan Ebrahimi, fotografoi disa të rinj teksa i vidhin vazot e luleve në kopshtin e tij dhe u nis t’ia çonte fotot policisë, si një provë për fajësimin e të rinjve.

Një komshi e pa Ebrahimin dhe njoftoi policinë se ai ishte një pedofil. Pas verifikimit, policia konfirmoi se ishte një ngatërresë dhe e la të lirë Ebrahimin.

Edhe pse u konfirmuar nga policia që Bijan Ebrahimi nuk ishte pedofil, komshinjtë vazhduan ta quanin të tillë dhe e akuzonin se abuzonte me fëmijët.

Vetëm dy ditë pasi policia e la të lirë, dy komshinjtë i tij, Lee James dhe Stephen Norley, e goditën Ebrahimin në befasi dhe më pas i vunë zjarrin në mes të rrugës, ku dhe mbeti i vdekur.

Shkodër, sherri mes nxënësve përfundon me të shtëna armësh

NXENES_12Një sherr mes disa adoleshentëve në Shkollën e Mesme të Bashkuar, në Vaun e Dejës, Shkodër, për pak sa nuk ka përfunduar në tragjedi.

17-vjeçari, Gjovalin Doda, pas një sherri me shokët e klasës, është larguar për në shtëpi dhe ka marrë armën.

Doda është kthyer me armën në dorë dhe ka filluar të qëllojë në drejtim të moshatarëve, në oborrin e shkollës, por fatmirësisht  nga të shtënat nuk është lënduar asnjë person.

Policia e Shkodrës njofton se ka arrestuar 17-vjeçarin Doda dhe se po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

“Gjika”, Rama: Drejtësia të thotë fjalën e saj

rama-ne-vloreKryeministri, Edi Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste ka reaguar lidhur me vendimin e Prokurorisë për marrjen në hetim të kreut të Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika.

Rama u shpreh se, pret që akuza të mos qëndrojë, por nga ana tjetër i bëri thirrje drejtësisë që të mos ndikohet dhe të thotë fjalën e saj të fundit.

“Akuza e prokurorisë është shumë e rëndë dhe faktet e pretenduara nga Prokuroria janë tejet të rëndë. Ne të gjithë ndihemi keq nga artikulimi i tyre dhe të gjitha duam dhe shpresojmë që akuza për një abuzim kaq skandaloz me detyrën nuk qëndron”, ka deklaruar Rama para deputetëve të PS-së.

“Por ne ndihemi po ashtu të detyruar nga 1 milion shqiptarë, të cilët na zgjodhën edhe për të luftuar korrupsionin në çdo nivel pa dallime partiake, dhe sot ndihemi të detyruar të kërkojmë nga drejtësia të bëjë punën e saj deri në fund pa asnjë pengesë politike.”

Kryeministri ka shprehur vlerësim për Gjikën, por theksoi se para ligjit të gjithë do të jenë të barabartë. “Dëshira jonë është ta shohim Shpëtim Gjikën të çliruar nga akuza e rëndë dhe të shpresojmë që kryebashkiaku socialist i Vlorës do të provojë pafajësinë e tij me argumentet dhe fakte të besueshëm, tha Rama.

“Por nga ana tjetër duhet të jetë e qartë për të gjithë se ne nuk do të bëhemi mburoja politike e asnjë të akuzuari nga prokuroria për korrupsion dhe abuzim me detyrën shtetërore. As sot, as kurrë! Ne duam një Shqipërisë të drejtë dhe të barabartë me këdo dhe për këdo në raport me ligjet e këtij vendi. Dhe kjo vlen jo vetëm kur akuzohen kundërshtarët, por në rrallë të parë kur akuza drejtohet nga ne drejt njërit nga nesh.”

“Prandaj si socialist dhe mik i Shpëtim Gjikës, unë ndihem keq për të dhe në çfarëdo situate unë do të jem njerëzisht pranë tij dhe familjes së tij edhe sikur ai të ketë gabuar aq rëndë siç pretendon Prokuroria. Por si kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryeministër i këtij vendi unë mundem vetëm ta inkurajoj drejtësinë të bëjë punën deri në fund dhe ne mundet të presim që drejtësia dhe jo politika, të thotë fjalën e fundit.”

Kryebashkiaku i Vlorës dhe vartësja e tij akuzohen se falsifikuan lejet për dy shumëkatësha. Vetë Gjika është shprehur se, “çdokush është i lirë të dyshojë, por dyshimi nuk kthehet në provë me thashetheme para dhe pas zgjedhore”.

 

Rama për Gjikën: Ne nuk do të bëhemi mburoja politike e asnjë të akuzuari as sot, as kurrë

gjika-dhe-ramaKryeministri i vendit Edi Rama, e ka nisur sot mbledhjen e qeverisë me një reagim ndaj akuzave të fundit të prokurorisë ndaj Bashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika. Rama deklaroi se, si kryetar i PS dhe i qeverisë e inkurajoj prokurorinë të hetojë deri në fund. Rama tha gjithashtu se ne, nuk do të bëhemi mburoja politike e asnjë të akuzuari, as sot dhe as kurrë.

“Si socialist dhe mik i Shpëtim Gjikës, ndihem keq dhe në çfarëdo situate jam pranë tij, edhe sikur të ketë gabuar aq rëndë sa pretendon prokuroria. Por si kryetar i PS dhe qeverisë e inkurajoj prokurorinë të hetojë deri në fund”,- tha Rama.

“Ndihemi të detyruar ndaj 1 milion shqiptarëve, që na zgjodhën për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet, se sot kërkojmë nga drejtësia të kryejë detyrën pa asnjë lloj pengese. Ne duam ta shohim Shpëtim Gjikën të çliruar dhe të provojë se s’ka të bëjë me akuzat. Por ne nuk do bëhemi mburoja politike e asnjë të akuzuari as sot, as kurrë. Duam Shqipëri të drejtë dhe të barabartë për këdo dhe me këdo. Dhe në radhë të parë kur akuza drejtohet ndaj nesh dhe për ndonjërin nga ne”, -deklaroi Rama.

 

Fyle: MSA me Kosovën, fryt i reformave dhe normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë

StefanFuleStefan Fyle, Komisioneri për zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë, në një Memo të publikuar nga Komisioni Europian, është shprehur në lidhje me fillimin e negociatave të MSA-së me Kosovën.

Fyle ka deklaruar, se fillimi i këtyre negociatave është hapja e një faqe të re në marrëdhënien BE-Kosovë dhe se, kjo i dedikohet arritjeve konkrete të Kosovës në reformat kyçe, si edhe në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

”Me fillimin e negociatave të MSA-së, ne hapim një faqe të re në marrëdhënien tonë. Është një njohje e qartë e progresit të bërë nga Kosova në reformat kyçe dhe në përpjekjet substanciale të arritura në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Komisioni synon të përfundojë këto negociata në pranverë 2014, për të inicuar draft-marrëveshjen në verë dhe pastaj për të depozituar propozimin për Këshillin dhe Parlamentin Europian për të përmbyllur Marrëveshjen”,- deklaroi Fyle.

Fyle nënvizoi gjithashtu, se kjo Marrëveshje do të sjellë përfitime për tërë qytetarët e Kosovës dhe se Kosova duhet të vazhdojë më tej me angazhimet e saj në këtë drejtim, sidomos në tetë fushat kryesore të evidentuara nga Studimi i Fizibilitetit për implementimin e mëtejshëm të MSA-së.

“Marrëveshja do të sjellë përfitime të ndjeshme për të gjithë qytetarët e Kosovës. Kosova tashmë nevojitet të vazhdojë të fokusohet në negociata dhe përtej tyre. Kosova nevojitet të konfirmojë dhe të shpjegojë pozicionin e saj negociues. Ajo ka nevojë të vazhdojë të punojë dhe në tetë fusha prioriteti të tjera të identifikuara në studimin tone të fizibilitetit në mënyrë që të jetë e aftë të implementojë MSA-në dhe të plotësojë detyrimet, që dalin prej saj. Kam besim, se Kosova do të plotësojë me sukses këtë sfidë të re simuluese”,- deklaron Fyle.

Sot fillojnë negociatat e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Kosovën, (MSA) ndërmjet Bashkimit Europian dhe Kosovës. MSA do të përfaqësojë marrëveshjen e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së dhe një ngjarje të rëndësishme në procesin e integrimit europian të Kosovës. Pasi Komisioni konsideroi prillin e kaluar, se Kosova ka plotësuar gjithë prioritetet afatshkurtra të identifikuara në Studimin e Fizibilitetit 2012 ( në fushën e sundimit të ligjit, në administratën publike, mbrojtjen e minoriteteve dhe tregtinë) Këshilli vendosi më qershor 2013 të autorizojë hapjen e negociatave të MSA-së./i.t/