Tre moratoriume për ndërtimet

keshilli i ministraveQeveria do të përcaktojë rregulla të reja për ndërtimet në gjithë territorin e vendit. Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit nis konsultimin për të gjitha ndryshimet që do të bëhen në legjislacionin për territorin. Brenda dhjetorit Qeveria do të përfundojë konsultimet me gjithë faktorët për të përcaktuar piketat kryesore ku do të përqendrohen ndryshimet.

 “Nga konstatimet e deritanishme ky ligj nuk është zbatuar dhe për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe për shkak të mosnjohjes nga njësitë e qeverisjes vendore”- deklaroi dje ministrja Gjermeni lidhur me ligjin “Për planifikimin e territorit”. Sipas saj, është bërë e domosdoshme ndërhyrja në ligj duke rishikuar në detaj çdo problem të hasur deri tani i cili ka çuar në krijimin e një kaosi të vërtetë me ndërtimet.

Moszbatueshmëria është shkaku i parë i ndërhyrjeve që ne parashikojmë si dhe konsistenca brenda ligjit për shkak të ndërhyrjeve që janë realizuar. Ndërhyrja jonë synon që ligji të bëhet më i zbatueshëm dhe të njihet nga të gjithë faktorët që merren me planifikimin territorit në Shqipëri. I gjithë procesi i rishikimit dhe i hartimit të draftit është brenda muajit dhjetor”, – deklaroi dje ministrja e ministrja Gjermeni.

Ajo shtoi se ky proces bëhet në përputhje me prioritetet dhe si pjesë integrale e programit të Qeverisë Shqiptare për zhvillimin e qëndrueshëm urban dhe kontrollin e territorit, por si edhe në përgjigje të nevojave të autoriteteve të planifikimit, zhvilluesve dhe qytetarëve për qartësimin e bazës ligjore të planifikimit. Plani i qeverisë së re për territorin parashikon në radhë të parë 3 moratoriume të rëndësishme për ndalimin e aktivitetit ndërtimor në Bregdet, në burime pyjore dhe sipërfaqe ujore e në të gjitha zonat me rëndësi për Turizmin. Gjithashtu do të krijohet baza e integruar e të dhënave për territorin.

 Gjatë fazës së parë të procesit gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes do të ketë takime, diskutime dhe sugjerime ndërmjet aktorëve të përfshirë, do të qartësohen çështjet ligjore për të cilat kërkohet ndërhyrje dhe do të merren komentet përkatëse. Ndërsa në fazën e dytë, e cila parashikohet të zgjasë deri në qershor të vitit 2014, do të realizohet hartimi i ndryshimeve ligjore, në ligj dhe aktet nënligjore, si edhe do të miratohen ndryshimet e nevojshme për të pasur një kuadër të plotë dhe të zbatueshëm ligjor për planifikimin e territorit.

Në takimin e djeshëm ishin përfaqësues nga ministritë e linjës dhe nga Autoritetet Kombëtare të Planifikimit, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT), Adelina Greca, si edhe përfaqësues të USAID-it, duke qenë se ky proces do të realizohet me mbështetjen e projektit për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore në Shqipëri. Takimet konsultuese parashikohet të vijojnë me Autoritetet Vendore të Planifikimit dhe me grupet e interesit, si zhvillues, profesionistë, pronarë, shoqëri civile, etj.

Pas viteve ‘90, ndryshimet politikoekonomike dhe sociale në vendin tonë u shoqëruan edhe në zhvillime të pakontrolluara të territorit dhe urbanizimit, si në zënien e hapësirave publike deri në ndërtime informale në periferi të qyteteve kryesore. Gjithashtu, dhënia e lejeve të ndërtimit pa kriter dhe studime urbanistike bëri që zhvillimi i territorit të ishte spontan, pasoja të cilat po ndjehen në shumë fusha të tjera.

Milo: Ish-ambasadorët grekë nuk njohin historinë shqiptare

Paskal-MiloIsh-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, ka komentuar letrën e 23 ish- ambasadorëve të Greqisë  dërguar Kryeministrit Samaras, ku i kërkojnë të mbajë qëndrime më të ashpra ndaj Shqipërisë. Deklarata Milo i ka bërë në emisionin e Aleksandër Furxhi  “PRIZËM” te ‘AS tv’.

Deklarata e Milos

Ajo letër meriton një vëmendje më të madhe. Unë po ju them se i njoh 2-3 prej atyre ambasadorëve, me të cilët kam punuar kur kam qenë ministër. Por si fillim flas si historian. Në atë letër ka gabime të rënda historike, ka një keqinterpretim të historisë së Shqipërisë. Që nga momenti që ata thonë aty që Shqipëria është krijesë e fuqive të mëdha e vitit 1913. Ky është bastardizim, dhe më vjen keq që njerëz të tillë nuk njohin A,B,C e historisë shqiptare, dhe kjo është tendencioze. Që këtu unë i zhvlerësoj ata për mendimet që shprehin sepse më vjen keq që nuk flasin me realizëm për shtetin shqiptar, që kur u krijua dhe mbi ç’rrethana u krijua. Në letër ka një frymë revanshizmi që nuk i bën mirë Greqisë në këto momente, dhe unë besoj se kryeministri Samaras, të cilit i drejtohet kjo letër, apo edhe ministrit të jashtëm Venizellos, nuk do të marrin në konsideratë emocione të vjetra të një klase politike greke që vazhdon të jetë skllave e disa sjelljeve, të cilat nuk e nderojnë sot Greqinë, anëtar i NATO-s dhe BE. Klasa politike greke duhet të çlirohet, nëse do vërtet të përfaqësojë Evropën në rajonin tonë, nga shumë mentalitete dhe koncepte arkaike, të cilave u ka ikur koha. Nëse pretendon dhe jep mesazhe evropine dhe rrezaton kulturë evropiane, nuk ka pse të mohojë në mënyrë kategorike çështje të tilla si problemi çam. Po të hapësh dhe shfletosh dokumente, paraardhësit e tyre politikë që nga Venizellos-i dhe deri tek Pangalos, por edhe deri tek diktatori Metaksas, i kanë njohur.  Akoma më keq, nuk mund të mbash një qëndrim të tillë që është mbajtur për të dënuar kolektivisht një popull të tërë, siç janë populli shqiptar çam, të cilët cilësohen të gjithë si kriminelë, fëmijë, burra, gra e pleq. Që ka pasur njerëz që kanë bashkëpunuar me fashizmin midis shqiptarëve të Çamërisë, ka patur. Këtë e di edhe vetë populli çam, që ka patur disa krerë që u vunë në shërbim të pushtuesve fashistë italianë, gjermanë por nuk mund të akuzosh një popull të tërë. Nga kjo pikëpamje ata e kanë gabim dhe duhet të çlirohen nga mentaliteti i vjetër që karakterizon sot politikën greke.

Gruaja gjen në një çantë kokën e ish-futbollistit brazilian

futbollistiIsh-futbollisti brazilian, Rodrigo Joao Silva Santos, është masakruar në mënyrë barbare, duke ja prerë kokën dhe duke ja futur në çantën e tij të shpinës. Policia braziliane bën me dije se ka qenë gruaja, ajo e cila herët në mëngjes e ka gjetur kokën e burrit të saj në një çantë shpine të vendosur prapa derës së shtëpisë. Sipas deklaratave të bëra në polici, gruaja e Santosit tha se në mëngjes kishte dëgjuar zhurma jashtë derës së shtëpisë. Ajo menjëherë kishte dalë jashtë dhe kishte parë çantën e Santosit të pragu i derës. Kur ajo kishte hapur çantën, pa se brenda ishte koka e burrit të saj.

Policia e Rio de Zhanero dyshon se krimi makabër është kryer nga trafikantët lokalë të drogës.

Policia bën të ditur se futbollisti 35-vjeçar, i është prerë koka, gjuha dhe ia kishin nxjerrë edhe sytë.

Santos ishte shkëputur nga futbolli para 2 vitesh dhe më herët ai ka pasur një karrierë të suksesshme, duke luajtur për disa ekipe në Rio de Zhanero, si dhe për klubet në Suedi dhe Honduras. Ai pasi u shkëput nga futbolli hapi një dyqan ushqimoresh dhe punonte atje. Policia tha se Santos, mund të jetë rrëmbyer pasi ka mbyllur dyqanin mbrëmjen e djeshme. Gruaja tha se krimi ka të bëjë me ndihmesën që Santos i ka dhënë policisë për të goditur bandat e Rios, aksion ky i ndërmarrë në kuadër të Kupës së Botës 2014 që do të zhvillohet në Brazil.

Ministri grek i Mbrojtjes i dorëzon shpatën oficeres shqiptare

betimNë ceremoninë e betimit në shkollën e oficerëve të Selanikut  ka qenë e pranishme edhe oficerja shqiptare Armela Karoli.

Ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Dhimitris Avramopulos, u dorëzoi shpatat oficerëve të rinj të diplomuar, të cilët u betuan në shkollën e oficerëve të Selanikut.

Midis oficerëve të rinj ishte dhe Armela Karoli, mjeke e sektorit shëndetësor të ushtrisë, me gradën Nëntogere. Ministri i Mbrojtjes, Dhimitris Avramopulos, i dorëzoi shpatën edhe vajzës shqiptare. Pas ceremonisë së betimit Ministri pati një bisedë të shkurtër me oficeren shqiptare ku i pranishëm ishte dhe Komandanti i shkollës.

Ruletë ruse me shokët, shqiptari përfundon në koma

carabinieriI ka drejtuar armën në fillim shokut dhe ka tërhequr këmbëzën. Ka shkuar bosh. I ka drejtuar armën vetes e ka tërhequr sërish këmbëzën. Këtë radhë arma ka qëlluar, duke e plagosur rëndë.

Sipas karabinierëve që po hetojnë kjo ka ngjarë pak a shumë me Amarildo Mehmetin, 20 vjeç, mëngjesin e djeshëm kur ka lozur me “ruletë ruse” me një mik të tij, në sy edhe të dy vajzave, që të gjithë shqiptarë.

Karabinierët e kanë gjetur që dergjej përdhe në sallon të një apartamenti në rrugën Alfani në qendrën historike të Firences. Pranë tij, pistoleta kalibër 38 me të cilën ishte plagosur në tëmth. Mehmeti është çuar fillimisht në spitalin Santa Maria Nuova e më pas në Careggi ku mbahet në koma farmakologjike e po lufton mes jetës e vdekjes. Ka një plagë të thellë në kokë, ku me anë të TAC-ut mjekët kanë dalluar se ka disa pjesë të vogla të gëzhojës.

Karabinierët kanë mbërritur në apartament pas alarmit të dhënë nga shitësit në zonë që kanë ndier të shtënën. Nga hetimet e para është zbuluar se Mehmeti ka qenë në shtëpi me tre shqiptarë të tjerë, dy vajza, që kërkohen akoma dhe një burrë, disa vjet më i madh, që është ndaluar brenda pak orësh. Ai ka konfirmuar se ishte i pranishëm në apartament kur Mehmeti ka qëlluar veten. Sipas dëshmisë së tij, Mehmeti fillimisht ia ka drejtuar pistoletën shokut e më pas vetes, sipas lojës të ruletës ruse. Hetuesit mendojnë se të rinjtë kanë qenë të dehur kur kanë nisur “lojën”, hipotezë e mbështetur edhe nga disa të njohur të tyre që u kanë treguar forcave të rendit se 20-vjeçari Mehmeti kishte kaluar natën në lokale, bashkë me tre miqtë e tij.

Nga kontrollet ka rezultuar se revolveri i përdorur për “lojën” është vjedhur në një banesë në dhjetor 2011, për këtë arsye, Mehmeti edhe pse në spital duhet konsideruar i arrestuar për mbajtje pa leje të një arme të vjedhur.

“Topi i Artë”, zbulohen kandidatët

topi i arteLionel Mesi, Kristiano Ronaldo, Frank Riberi dhe Zlatan Ibrahimoviç janë vetëm katër nga futbollistët që tashmë zyrtarisht mund të cilësohen kandidatë për të fituar “Topin e Artë 2013”. FIFA dhe revista “France Football” kanë publikuar dje listën me 23 emra të lojtarëve që pretendojnë triumfin në këtë edicion, ku votimi nga trajnerët e kombëtareve, kapitenët e tyre dhe gazetarë nga të gjitha vendet e botës, do të përcaktojnë nëse do të vazhdojë hegjemonia e Lionel Mesit, apo nëse këtë radhë do të jetë një futbollist tjetër që do të cilësohet më i miri.

Lista prej 23 emrash është ndërtuar nga ekspertë të Komitetit të Futbollit të FIFA-s, përkrah një grupi ekspertësh të “France Football”, revistës prestigjioze që ideoi këtë trofe që u kthye në çmimin më të rëndësishëm individual për futbollistët në botë. Pas votimit të parë, FIFA do të publikojë emrat e 3 finalistëve në fillimin e dhjetorit, ndërsa më 13 janar 2014 do të mësohet edhe fituesi i këtij edicioni, në mbrëmjen gala që do të organizohet në Zyrih.

Ashtu siç pritej, lista është dominuar nga futbollistët e Bajern Mynihut, të cilët mbyllën sezonin 2012-2013 duke fituar Bundesligën, Kupën e Gjermanisë dhe Ligën e Kampioneve. Jo rastësisht, mes tyre është edhe një prej favoritëve kryesorë për të fituar trofeun, francezi Frank Riberi, i cili ka mbështetje të fuqishme nga federatat europiane pas iniciativës së vetë presidentit të UEFA-s, Mishel Platini. Ky i fundit, prej dy muajsh po bën thuajse një fushatë të mirëfilltë publicitare për të bindur të gjithë të votojnë për Riberi, në mënyrë që trofeu t’i shkojë francezit, ashtu siç ndodhi me çmimin “Lojtari i Vitit UEFA”.

Kuptohet që rivalët e tij më të mëdhenj do të jenë dyshja Mesi-Ronaldo, ndërsa këtë radhë mendohet se votat do të ndahen mes shumë futbollistëve, duke pasur parasysh numrin e madh të lojtarëve të jashtëzakonshëm që gjenden në listë dhe formës që kanë treguar.

Sipas ndarjes statistikore, kampionati gjerman i futbollit është më i përfaqësuari në këtë listë, me 7 lojtarë, i ndjekur nga kampionati spanjoll me 6, kampionati anglez me 5, kampionati francez me 4 dhe ai italian me vetëm 1 përfaqësues. Gjermania është shteti më i përfaqësuar në listë, pasi janë 5 futbollistë gjermanë mes 23 kandidatëve, ndërsa shtetet e tjera kanë 1 apo 2 lojtarë.

Paralelisht me listën e lojtarëve, FIFA ka publikuar edhe listën me 10 kandidatët për çmimin e “Trajnerit më të mirë 2013. Lista është e mbushur me emra të njohur: Ferguson, Venger, Benitez, Del Boske, Ançeloti, Heinkes, Konte, Klop, Murinjo dhe Skolari. Por të gjithë janë të bindur se trofeu do t’i shkojë gjermanit Jup Heinkes, i cili ndërtoi dhe udhëhoqi Bajernin e sezonit të kaluar duke thyer shumë prej rekordeve të futbollit gjerman.

Mashtrimi i radhës i Dr.Boçit

per letren30Dr. Matt Hito

Pa hyrë në komente po japim prova dhe fakte që vërtetojnë se Dr. Besim Boçi (zv.Drejtor) i QSUT “Nënë Tereza” në Tiranë me paramendim dhe qëllim “mashtroi” publikun në një emision televiziv, përballë meje dhe publikut. Dihet se emisioni kishte për qëllim (objekt) zbardhjen edhe një herë të së vërtetës për vdekjen e femijës Denis Almadhi në sallën e operacionit në spitalin francez.

Dihet se fëmija hyri në sallën e operacionit për një ndërhyrje në kapakun (qepallën) e syve, operacion që sot kryhet brenda 20-25 minutave  me anestezi lokale. Fëmija qëndroi në sallën e operacionit plot 9-10 orë dhe doli i vdekur, pas shpërthimit të Hypertermisë Maligne (pasojë e ardhur nga lënda narkotike që iu dha fëmijës).  Dr. Boçi deklaroi se: “Mjekët irlandezë kanë ardhur në Shqipëri mbi bazën e një marrëveshjeje me Ministrinë e Shëndetësisë (theksojmë se e njëjta deklaratë është bërë publike dhe nga ish-ministri i Shëndetësisë Vangjel Tavo dhe nga ish-drejtori i Politikave të Shëndetësisë Pëllumb Pipero).

Fakti që në këtë ekip mjekësor ka bërë pjesë dhe mjek që në atë kohë ka qenë në pension, të bind se të gjitha këto “figura” të mjekësisë shqiptare, si dhe deputetë të parlamentit shqiptar, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën e Shqipërisë. Është fakt që mjeku Jack Mc.Cain, duke qenë mjek në pension, ligjërisht nuk ka ushtruar profesionin  e tij si kirurg maxilofacial në Irlandë. Është fakt se mjeku Jack Mçain është mjek dentist dhe si i tillë nuk lejohet ligjërisht të kryejë ndërhyrje plastike në sy.

Dr. Boçi nuk dha asnjë shpjegim pse fëmijës nuk iu bë absolutisht asnjë ekzaminim genetik (absolutisht i domosdoshëm në rastin e fëmijës për të përcaktuar nëse lënda narkotike do të sillte pasoja vdekjeprurëse për fëmijën, po të ishte bërë ky test do të vërtetohej se:  Fëmija absolutisht nuk duhej operuar me narkozë të përgjithshme. Ky ekzaminim nuk u bë, vdekja vërtetoi se mjekët neglizhuan dhe neglizhenca e tyre e çoi fëmijën në vdekje. Dr. Boçi tha se “dentroleni nuk mund të sillej nga mjekët irlandezë, sepse do të quhej kontrabandë!” Pyesim z. Boçi: “Si ka mundësi që në një marrëveshie midis Ministrisë së Shëndetësisë (ministrit) dhe këtyre profesorëve të nderuar ,”Dentroleni ” të sillet kontrabandë!”  Dr.Boçi nuk na thotë kur filloi narkoza, sa zgjati narkoza, në çfarë rruge u dha narkoza? Kur filloi pasoja e parë e hypertermisë maligne? Sa zgjati narkoza pas fillimit të hypertermise maligne? Pra në kartelën e fëmijës nuk kemi asnjë të dhënë “thuhet vetëm fëmija vdiq në orën 19:30”.

*Përfaqësues ligjor i familjes së Denis Almadhit

Gazeta “Shekulli”

Gjinushi, akuza ish qeverisë për grabitje

gjinushiKryetari i PSD, Skënder Gjinushi gjatë një konference për shtyp ka sqaruar se situata e djeshme ishte një tentativë e pastër për t’i grabitur selinë PSD-së, me urdhër të ish Ministrit të Brendshëm Flamur Noka.

“Kjo është inertësia e qeverisë që humbi zgjedhjet dhe strukturat e saj në mënyrë të organizuar krahas vjedhjes së vendit kishin programuar edhe grabitjen e selisë. Ish-ministri i Brendshëm tentoi të na largonte pa gjyq. Ka vetëm një gjyq mes nesh dhe pretenduesit dhe këtë e vërtetoni në Gjykatën e Lartë, është në rekurs nga ana e atij që ka humbur. Vendim i formës së prerë ku i rrëzohet kërkesa për largimin tonë me gjyq nga selia. Kur flet gjykata, hajdutët heshtin”,- tha ai.

Sipas Gjinushit, Policia e Shtetit ka mbrojtur dje vendimin e formës ë prerë të gjykatës, duke akuzuar ish qeveritarët si hajdutë me letra.

“Policia e Shtetit ka mbrojtur dje vendimin e formës së prerë të gjykatës, ku ne jemi palë me pretenduesit, ka mbrojtur pronën e shtetit sepse 2/3 janë shtet me vërtetime nga shteti. Ky nuk është pronari, ky është blerësi i blerësve dhe pronari nuk e ka të gjithë godinën, ka vetëm 1/3. Banditët vijnë në emër të drejtorit apo të përmbaruesve. Hajdut me letra, kurrë nuk keni parë, ja ku i keni”.
 

Naço: Shërbimi i provës do të shtrihet në gjithë Shqipërinë

naco dhe sequiMinistri i Drejtësisë Nasip Naço, gjatë aktivitetit “Shërbimi i provës në Shqipëri”,  ka deklaruar se ky shërbim do të shtrihet në të gjitha rrethet gjyqësore, si dhe do të përmirësohet trajtimi i të dënuarve.

“Aktualisht janë 8784 persona nën mbikëqyrjen e shërbimit të provës dhe se mbikëqyrja elektronike do të shtrihet në të gjithë vendin”,-deklaroi Naço.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, i cili u shpreh se, ka raste kur të miturit janë mbajtur në komisariate pa dijeninë e prindërve, madje edhe janë keqtrajtuar, duke sugjeruar që të mbahen parasysh dënimet alternative për të miturit.

Ambasadori Sequi deklaroi gjithashtu se reformimi i sistemit të burgjeve është një detyrë e rëndësishme, pasi edhe rezultatet e mira burojnë nga angazhimi për reformat. Sequi deklaroi dhe shumën e akorduar nga sistemi IPA që prekin nivelin e 40 milionë euro vetëm për sistemin e burgjeve në Shqipëri.

Emërimet, Ilir Kerni Drejtori i ri i TOB dhe Artan Shabani i GAK. Rama: Reformë rrënjësore në art

rama raiJanë prezantuar sot në Kryeministri, Drejtori i ri i Teatrit të Operës dhe Baletit Ilir Kerni dhe ai i Galerisë së Arteve Artan Shabani.

Gjatë fjalës së tij Kryeministri i vendit Edi Rama, u shpreh pro mbështetjes së reformës tërësore të sistemit të kulturës dhe artit.

“Ju siguroj për angazhim tim të plotë me zemër dhe mendje për të mbështetur idetë projektet dhe planet tuaja dhe të dy institucioneve tona të mëdha. Jam po aq plotësisht i angazhuar për të mbështetur një reformë tërësore të sistemimit tonë të kulturës dhe të artit, ku sot preken gjurmët e një rrënimi. Po të mos ishit ju, njerëzit e talentuar politikat rrënuese kulturore të gjithë këtyre viteve do të kishin shkretuar gjithë kulturën dhe artin tonë”,- tha Rama.

Rama drejtoi një falënderim të posaçëm ndaj Ministres së Kulturës, Kumbaro duke theksuar vullnetin dhe vizionin e saj të fortë mbi piketat e reformës rrënjësore.

“Unë kam besim se nën drejtimin e Ministres Kumbaro, me bashkëpunimin tuaj dhe përmes dialogut ne do të hapim faqe të re të qeverisjes sonë të kulturës, për rritjen e cilësisë së produkteve kulturore dhe artistike. Sot dua ta falënderoj Ministren për vizionin, për vullnetin e fortë dhe punën mbresëlënëse, që ka nisur duke hedhur piketat e një reforme rrënjësore”,- tha Rama.