Milo: Ish-ambasadorët grekë nuk njohin historinë shqiptare

19

Paskal-MiloIsh-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, ka komentuar letrën e 23 ish- ambasadorëve të Greqisë  dërguar Kryeministrit Samaras, ku i kërkojnë të mbajë qëndrime më të ashpra ndaj Shqipërisë. Deklarata Milo i ka bërë në emisionin e Aleksandër Furxhi  “PRIZËM” te ‘AS tv’.

Deklarata e Milos

Ajo letër meriton një vëmendje më të madhe. Unë po ju them se i njoh 2-3 prej atyre ambasadorëve, me të cilët kam punuar kur kam qenë ministër. Por si fillim flas si historian. Në atë letër ka gabime të rënda historike, ka një keqinterpretim të historisë së Shqipërisë. Që nga momenti që ata thonë aty që Shqipëria është krijesë e fuqive të mëdha e vitit 1913. Ky është bastardizim, dhe më vjen keq që njerëz të tillë nuk njohin A,B,C e historisë shqiptare, dhe kjo është tendencioze. Që këtu unë i zhvlerësoj ata për mendimet që shprehin sepse më vjen keq që nuk flasin me realizëm për shtetin shqiptar, që kur u krijua dhe mbi ç’rrethana u krijua. Në letër ka një frymë revanshizmi që nuk i bën mirë Greqisë në këto momente, dhe unë besoj se kryeministri Samaras, të cilit i drejtohet kjo letër, apo edhe ministrit të jashtëm Venizellos, nuk do të marrin në konsideratë emocione të vjetra të një klase politike greke që vazhdon të jetë skllave e disa sjelljeve, të cilat nuk e nderojnë sot Greqinë, anëtar i NATO-s dhe BE. Klasa politike greke duhet të çlirohet, nëse do vërtet të përfaqësojë Evropën në rajonin tonë, nga shumë mentalitete dhe koncepte arkaike, të cilave u ka ikur koha. Nëse pretendon dhe jep mesazhe evropine dhe rrezaton kulturë evropiane, nuk ka pse të mohojë në mënyrë kategorike çështje të tilla si problemi çam. Po të hapësh dhe shfletosh dokumente, paraardhësit e tyre politikë që nga Venizellos-i dhe deri tek Pangalos, por edhe deri tek diktatori Metaksas, i kanë njohur.  Akoma më keq, nuk mund të mbash një qëndrim të tillë që është mbajtur për të dënuar kolektivisht një popull të tërë, siç janë populli shqiptar çam, të cilët cilësohen të gjithë si kriminelë, fëmijë, burra, gra e pleq. Që ka pasur njerëz që kanë bashkëpunuar me fashizmin midis shqiptarëve të Çamërisë, ka patur. Këtë e di edhe vetë populli çam, që ka patur disa krerë që u vunë në shërbim të pushtuesve fashistë italianë, gjermanë por nuk mund të akuzosh një popull të tërë. Nga kjo pikëpamje ata e kanë gabim dhe duhet të çlirohen nga mentaliteti i vjetër që karakterizon sot politikën greke.