Presidenti i Greqisë, Papoulias nesër viziton Shqipërinë

papouliasPresidenti i Greqisë, Karolos Papoulias, pritet që të vizitojë vendin tonë ditën e nesërme. Lajmi është bërë i ditur nga zyra e informacionit të Presidencë, ku thuhet se “me ftesë të Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, më 3-5 nëntor 2013, do të vizitojë zyrtarisht vendin tonë Presidenti i Greqisë, Karolos Papoulias”.

Presidenti Papoulias do të mbërrijë nesër në vendin tonë që nga aeroporti ndërkombëtar i Rinasit “Nënë Tereza”. Presidenti Nishani do të presë Presidentin Papoulias me një ceremoni zyrtare mirëseardhjeje në Institucionin e Presidentit të Republikës, ditën e hënë, 4 nëntor 2013. Pas ceremonisë, Presidentët Nishani dhe Papoulias do të zhvillojnë një takim së bashku, i cili do të vijojë me bisedimet dypalëshe, ku do të marrin pjesë delegacionet përkatëse të kryesuar prej tyre. Në përfundim të takimeve, Presidenti Nishani dhe Presidenti Papoulias do të japin një konferencë të përbashkët shtypi. Presidenti Nishani dhe Presidenti Papoulias do të jenë të pranishëm si dhe do të përshëndesin tryezën e rrumbullakët mbi ekonominë dhe energjetikën greko-shqiptare, që do të zhvillohet, në 4 nëntor 2013.

Janë gjallë apo kanë vdekur?

michael jNë 25 qershor 2009 vdiq Michael Jackson. Apo jo: ka nga ata që thonë se e kanë parë tek zbriste nga autoambulanca me këmbët e tij (që teorikisht po e çonte kufomën e tij për të bërë autopsinë), hapte një derë dhe largohej. Filmimi ka bërë menjëherë xhiron e internetit dhe ka gjeneruar hipotezat që Mbreti i Popit, ashtu si edhe yje të tjerë përpara tij, ka aderuar në atë që quhet “Programi”. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej vitesh flitet se operon një organizatë e specializuar në plane shpëtimi për yjet e spektaklit dhe muzikës që “janë në prag të një krize nervore”. Ja se si funksionon sipas kësaj teorie: sapo pikaset një yll që ka probleme alkooli, droge apo depresioni, organizata gjen mënyrën për t’iu afruar atij në fshehtësi dhe për t’i propozuar shërbimet që ofrojnë. Më pas simulohet një vdekje aksidentale, trupi i një sozie zëvendëson atë të yllit dhe një zarf i mbushur me para bën të mundur që mjekë ligjorë dhe agjentë policie të mos tregohen shumë të rreptë në ekzaminime dhe hetime. Kështu, ylli në fjalë mund të nisë një jetë të re, larg kamerave dhe prozhektorëve.

Të parët

Për të gjetur yllin e parë të spektaklit që ka pranuar Programin duhet të kthehemi pas në kohë deri në 15 dhjetor 1944, kur Glenn Miller, muzikant i shquar i epokës së suingut u zhduk duke përshkuar Kanalin anglez me avionin e tij, tek po shkonte për në Paris, apo, si thotë shumëkush, në 1 janar 1953 kur vdiq në moshën 29-vjeçare Hank Uilliams, legjendë e muzikës country. Uilliams, trupi i të cilit thuhet se u gjet nga një shofer 17-vjeçar ishte alkoolist dhe Programi i kishte ofruar mundësinë të disintoksikohej i qetë. Që atëherë, lista e të “shpëtuarve” është bërë shumë e gjatë: Xhejms Din, Merilin Monro, Xhim Morrison, Xhimi Hendriks, Elvis Presli, Xhon Belushi, Kërt Kobein, Heth Lexhër. Dhe po kaq e madhe është lista e shfaqjeve të tyre në një qoshe tjetër të botës.

Xhim Morrison

Për shembull, ka nga ata që betohen se kanë parë Xhim Morrisonin në një kafene në Paris. Lideri Legjendar i “The Doors” u gjet i pajetë në 3 korrik 1971 nga shoqja e tij, Pamela Kurson, i zhytur në vaskën e banjës në apartamentin e tyre në kryeqytetin francez. Pas katër vitesh karrierë të jashtëzakonshme dhe plot me eksese deri në limitet e asaj që njeriu mund të durojë, mes abuzimeve me alkoolin dhe drogën, Morrison, i shëndoshur dhe në depresion ishte larguar nga Shtetet e Bashkuara në kërkim të qetësisë. Mjeku ligjor kish thënë se këngëtari kish vdekur për “shkaqe natyrore”, por njoftimi zyrtar u dha vetëm gjashtë ditë pas ngjarjes, atëherë kur trupi i tij ishte varrosur tashmë në varrezën pariziene të Père-Lachaise. Pra, në arkivol askush nuk mundi ta shohë, përveç Pamelës.

E gjithë kjo mjaftoi për të ndezur shkëndijën që ushqen që prej asaj kohe perpleksitetin që ka shoqëruar ikjen e tij. Ndonëse prokuroria nuk ka menduar asnjëherë që dyshimet mbi vdekjen e tij ishin kaq të forta sa të kërkonin zhvarrosjen. Njeriu që rrëfeu për takime të përsëritura me mbretin hardhucë (siç e quanin) ishte Zhak Rokard, që në vitet ’80 botoi madje edhe një libër, “Xhim Morrison. I gjallë!” Në takimet e tyre, këngëtari, sipas tij, i pati rrëfyer se kishte inskenuar vdekjen për t’iu larguar presioneve të jetës publike. Ai shkruan se Morrison i kishte dhënë edhe poezitë e tij të reja, që Rokard i kishte përfshirë në libër. Por, sipas ekspertëve, ato janë vetëm imitime të shëmtuara të vargjeve të Morrisonit, me të cilët autori ka arritur t’i bëjë reklamë librit.

elvis presleyMbreti i fundit

Më i “kërkuari” është Elvis Presli, vdekur në 15 gusht 1977. Atëherë, Mbreti i Rrokut nuk ishte më i njëjti dhe kishte filluar një rënie të pakthyeshme. Ishte shëndoshur dhe lodhej shumë shpejt, ndoshta për shkak të stresit dhe ilaçeve që ishte “i detyruar” të pinte, siç thoshte ai vetë. Spektaklet e tij në Las Vegas ishin gjithnjë e më të dhimbshme.

Pas vdekjes, konfuzioni i fillimit mbi rezultatet e autopsisë, fakti që familjarët dhe miqtë e Elvisit pastruan menjëherë dhomën ku këngëtari vdiq duke zhdukur çdo gjurmë ilaçesh, si dhe historitë kontradiktore të rrëfyera nga ata që ishin pranë tij kontribuan për të ushqyer legjendën mbi fundin e vërtetë të Elvisit, duke filluar nga ajo, sipas së cilës Elvis Presli kishte ndërruar identitet për t’iu larguar tensioneve të biznesit të spektaklit. Shkrimtarja amerikane Geil Bruer Xhorxhio botoi disa libra, në të cilat rrëfente që vdekja e Elvisit kish qenë e simuluar. Ajo fliste për një kasetë me regjistrimin e një telefonate fatale të bërë nga vetë Elvisi, ku rrëfente si ishte larguar dhe se sa e vështirë ishte që të fshihej. Një analizë e zërit e kryer nga FBI siguroi që zëri nuk ishte i Elvisit, por i një imituesi, Dejvid Darlok, një detaj ky që nuk e ndaloi Xhiorxhion, që të shiste më shumë se 3 milionë kopje të librave të vet.

Bill Bini, një 80-vjeçar nga Misuri ka hapur madje një muze që quhet “Elvisi është gjallë”. “Sa herë që dilnin dëshmi për takime me Elvisin bëhesha gjithnjë e më kurioz dhe kështu fillova një hetim timin personal”, thotë Bini. Sipas tij, Elvisi punonte në fshehtësi për DEA-n, reparti antidrogë i FBI dhe ishte i angazhuar në një operacion kundër mafias: megjithatë, u detyrua që të “zhdukej” për t’i shpëtuar hakmarrjes së pushtetit të krimit. Provat? Një dhomë e madhe e mbushur me fotografi, relike, dokumente, ekzaminime enigmatike të ADN-së dhe transkriptime telefonatash, në të cilat Elvisi diskutonte për punët e tij, pas datës së vdekjes.

Gjumë të ëmbël

Përse sot, edhe Majkëll Xhekson do të vendoste që të dilte nga skena në këtë mënyrë? Në korrik ai duhej të niste në Londër një turne me 50 koncerte, një mënyrë për të siguruar miliona dollarët që i duheshin për të mbuluar borxhet e akumuluar në vite. Por ishte shumë i dobët për t’ia dalë mbanë dhe kështu kishte preferuar të bënte gjoja sikur vdiq. “Ndryshe nga Elvisi, Majkëll zgjodhi të tërhiqet përpara se fama ta shkatërronte krejt”, thotë Uilliam Stern, studiues i Preslit dhe i Xheksonit. “Pasi të ketë pushuar dhe rimarrë veten, do të organizojë turneun më të jashtëzakonshëm që ka parë historia e rrokut”. Sipas “burimeve të informuara”, Xheksoni mendohet që po e rifiton formën në një kështjellë mesjetare në Hungari. Ai është duke i bërë një shaka shumë të hidhur mjekut të tij personal, Konrad Murrei, i cili është aktualisht nën hetim për shkak të dozës së anestetikut që u gjend në trupin e Majkëllit.

Legjendare

Edhe Italia ka “të vdekurën e gjallë” të saj. Bëhet fjalë për pornostaren Moana Poci, që vdiq krejt papritur në moshën 33-vjeçare në Hotel de Dieu në Lion, Francë në 15 shtator 1994: shkaku zyrtar ishte një tumor në mëlçi. Por, qoftë sepse mungonte çertifikata e vdekjes, qoftë sepse nuk ishte e mundur të shihej kufoma që më pas u dogj, filluan të përhapen menjëherë zërat për një simulim, deri në atë pikë që, në vitin 2004, Prokuroria e Romës hapi një dosje për të zbuluar nëse Moana ishte gjallë apo kishte vdekur. Vetëm rigjetja e çertifikatës së vdekjes, deklaratat e dhimbshme të familjarëve dhe rrëfimi i bashkëshortit të aktores, Antonio Di Cesko, i cili zbuloi se kishte ndihmuar Moanën që të vdiste për t’u dhënë fund vuajtjeve, i dhanë fund një herë e mirë fjalëve për këtë legjendë.

Komplot

Po përse kaq shumë njerëz janë të gatshëm të besojnë se njerëzit e famshëm simulojnë vdekjen e tyre? Dhe përse shumë janë të prirur të mendojnë që vdekja e personazheve si Merilin Monro, Presidenti i SHBA-së Xhon Kenedi, Gevara apo ish-këngëtari i Bitëlls, Xhon Lenon nuk kanë qenë aksidentale, por rezultate të një komploti?

Sigurisht që ka një komponent spekulativ, i ushqyer nga ata që kanë zbuluar se teoritë e komplotit janë një minierë ari. Megjithatë, pa motivimet psikologjike kjo industri as nuk do të ekzistonte. Refuzimi nga ana e fansave për të pranuar që heroi më i dashur mund të vdesë është një konstante psikologjike që motivon autorët e teorive të komplotit. Por ka edhe arsye më të thella. “Më duket se me kalimin e kohës është rritur ajo që mund ta quajmë psikozë e komplotit”, thotë historiani amerikan Henri Stil Komager. “Domethënë, ideja që ngjarjet e mëdha nuk mund të kenë shpjegime normale. Në fakt, mentaliteti konspirativ nuk pranon fakte të zakonshme. Pra, ka një farë nevoje psikologjike që detyron të refuzohet thjeshtësia dhe e zakonshmja, për të gjetur strehim tek e jashtëzakonshmja”.

Shkrimtari Pier Paolo Pasolini, i vrarë në vitin 1975 (rrethanat mbetën misterioze) kishte kuptuar se cila ishte kjo nevojë: “Komploti na bën të delirojmë, sepse na çliron nga pesha për t’u përballur të vetëm me të vërtetën”, shkruante ai. Po ky diskutim mund të vlejë për të gjithë njerëzit e famshëm, vdekja e të cilëve nuk pranohej nga fansat më të zjarrtë. Nga njëra anë, njerëz të famshëm, të rinj dhe shumë të dashur, nga ana tjetër një fund shpesh herë i papritur dhe pak “heorik”. Përse nuk dua ta pranojmë? Ndoshta sepse do të nënkuptonte pranimin e një fakti shumë më të parehatshëm: vetë vdekjen tonë. Tërësisht e ndryshme është legjenda që rrethon Pol Mekartnin. Të gjithë e besonin të gjallë, por në fakt ish-këngëtari i Bitëlls mendohet të ketë vdekur në një aksident me makinë në 1966 dhe të jetë zëvendësuar nga një sozi. Zërat nisën të qarkullojnë në 1969, kur disa fansa nisën të besojnë se në disa këngë të Bitëlls kishte të dhëna për vdekjen e tij.

Funerali

Në kopertinën e albumit të nxjerrë atë vit, “Abbey Road”, Bitëllsat kalonin rrugën, por vetëm Poli është me këmbë zbathur (një shenjë vdekjeje në disa shtete) dhe nuk është në një hap me të tjerët. Madje, duket si një procesion funebër, ku Xhon Lenon (me të bardha) është mbajtësi i meshës, Ringo Star (me të zeza) drejtuesi i funeralit, Xhorxh Harrison (me xhinse) i ngarkuari për varrosjen dhe Pol, natyrisht, i vdekuri. Në foto ka edhe një makinë të parkuar me targë 28 IF: 28 NESE (28 vjeç, nëse Pol do të ishte gjallë)”. Ka edhe lexime mes rreshtave. Po të dëgjosh këngët e tyre gjen dhe të tjera. Një zë tek kënga “I am the walrus” thotë: “mos ka vdekur ndoshta?”, ndërkohë që në fundin e “Strawberry Fields Forever” Xhon duket sikur pëshpërin: “Kam varrosur Polin”. I vënë përpara këtyre provave dhe të tjerave si këto, komenti i Mekartnit ka qenë: “Vdekur? Kam vdekur? Përse jam gjithmonë i fundit që i marr vesh gjërat?”

 

Bleona: E dua truprojën tim

bleona qerretiBleona Qereti ka treguar dashurinë e madhe që ka për truprojën e saj në rrjetet sociale.

Bleona Qereti duke e pasur gjatë gjithë kohës lëvizje dhe udhëtime, ajo shoqërohet nga badigardët.

Këngëtarja seksi ka deklaruar në “Facebook”, se e do shumë atë, truprojën e saj. “Love my security! Dedicated to protect! (E dua truprojën tim! I përkushtuar për të mbrojtur!)”, ka shkruar bukuroshja, duke publikuar edhe foto, ku shfaqet e shoqëruar nga badigardët.

Momentalisht këngëtarja ndodhet në Amerikë, duke punuar që të afirmohet në tregun botëror.

Ofrohen 150 vende pune, nisin konkurset

drejtoria e pergjitheshme e tatimeveDrejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka shpallur 150 vende të lira në po këtë drejtori, si dhe në drejtoritë e rretheve. Në faqen online të kësaj Drejtorie, listohen 150 pozicionet e punës, për të cilët do të kandidojnë personat e interesuar, që plotësojnë dhe kriteret në varësi të postit, dhe më pas do të testohen. Në bazë të ligjit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka hapur zyrtarisht konkursin për emërimet e reja, duke specifikuar kriteret që duhet të përmbushin kandidatët. Ndër kriteret kryesore janë përfundimi i shkollës së lartë në varësi të pozicionit të punës, eksperienca në administratën tatimore jo më pak se dy vjet, si dhe njohja e gjuhëve të huaja. Në njoftimin zyrtar thuhet se dokumentet duhet të dorëzohen pranë drejtorisë Tatimore dhe “çdo mungesë e dokumenteve, e s’kualifikon automatikisht kandidatin nga e drejta për konkurrim. Konkurrimi është i hapur për nëpunësit civil brenda dhe jashtë administratës tatimore, sipas procedurave të konkurrimit të Shërbimit Civil. Pas verifikimit paraprak, brenda 5 (pesë) ditëve nga përfundimi i afatit të dorëzimit të dokumenteve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve bëhet shpallja e listës së konkurrentëve që do të vazhdojnë më tej konkurrimin, si dhe data e vendi se ku do të bëhet konkurrimi”.

Akademikët shqiptarë letër kryeministrit grek

samaras1Anëtarët e Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave i janë drejtuar me një letër të hapur kryeministrit grek, Antonis Samaras si një reagim kundër letrës së 23 ish-Ambasadorëve grekë. Ata shprehen thellësisht të indinjuar nga përmbajtja e letrës së 23 ish-ambasadoreve greke dhe e cilësojnë denigruese këtë letër.

“Duke tërhequr vëmendjen e qeverisë greke që kriza financiare të mos çojë në mohimin rolit primar të interesave kombëtare të Greqisë, autorët e letrës në fjalë gabojnë rëndë kur sugjerojnë se Shqipëria është një vend “i krijuar nga Fuqitë e Mëdha më 1913 dhe se, deri më sot, ky vend nuk ka mbajtur një qëndrim miqësor ndaj Athinës, duke u bërë, qysh nga formimi i tij, një vend problematik për Greqinë”.- thuhet ne kundërpërgjigjen e akademikëve shqiptarë.

“Për ne kjo gjuhë është shqetësuese dhe jokorrekte. Asnjëri prej pretendimeve të tyre nuk është i vërtetë. Po kështu, nuk është e vërtetë as që “pas zhvillimeve pozitive për Tiranën përsa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me Kosovën dhe Shkupin, rivaliteti i Tiranës ndaj Athinës po vjen duke u rritur”. Këta ish-diplomatë shprehin keqardhje për mbështetjen që Greqia ka dhënë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ata pretendojnë se Shqipëria ka marrë “mjaft përfitime politike nga Athina, pa i dhënë kësaj të fundit asgjë në shkëmbim” dhe i sugjerojnë qeverisë tuaj, Z. Samaras, që t’i “ndreqë gabimet e së kaluarës dhe të jetë më e kujdesshme përsa i përket synimit të Tiranës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian”- thuhet në letër.

Në këtë kuadër, akademikët vlerësojnë se një politikë e jashtme më realiste e Republikës Helenike, e cila kërkohet të pushojë së pretenduari territore shqiptare në atë rajon që ende quhet prej saj “Epiri i Veriut”, është shpresa më e mirë për zgjidhjen përfundimtare të disa prej problemeve më të vështira në Ballkan.

“Të tilla janë anulimi i gjendjes së luftës mes Greqisë dhe Shqipërisë; njohja zyrtare nga ana e qeverisë greke e kufijve shtetërorë të Shqipërisë të përcaktuar nga Konferenca e Londrës më 1913; të drejtat pronësore të popullsisë çame, të cilën ish-ambasadorët grekë në mënyrë të shëmtuar dhe aspak diplomatike e konsiderojnë një “popullsi myslimane që do të duhej të ishte dëbuar në Turqi”; njohja zyrtare nga ana e Republikës Helenike e Republikës së Kosovës, si një shtet i pavarur dhe sovran; zgjidhja e mosmarrëveshjeve lidhur me emrin zyrtar të Republikës së Maqedonisë etj. Të gjithë duhet të përpiqemi që t’i mposhtim mbeturinat e nacionalizmit ekstrem në Ballkan, kudo që ai shfaqet, dhe të fokusohemi në mundësitë që ofron e ardhmja për të gjithë ne. Progresi i bërë gjatë këtyre viteve në të gjitha ish-vendet komuniste të Ballkanit provon në mënyrë bindëse se kaluara mund dhe duhet të tejkalohet në emër-dhe për hir të-një të ardhmeje më të mirë. Si një vend fqinj dhe miqësor, Greqia duhet ta dijë se ne të gjithë jemi pjesë e një të ardhmeje europiane të përbashkët,dhe prandaj s’duhet të dëgjojmë këshillat cinike të disa ish-ambasadorëve grekë që e nxisin Athinën të jetë “më e kujdesshme” në mbështetjen që ajo i jep çështjes së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian” theksojnë ata.

Për akademikët shqiptarët, problemet në Ballkan as janë të reja, as mund të zgjidhen shpejt. Por faktet tregojnë se progresi i bërë është real, i konsiderueshëm dhe inkurajues, dhe ne besojmë se Greqisë, si djepi i demokracisë antike dhe si e para demokraci moderne në Ballkan, i takon të luajë një rol të rëndësishëm konstruktiv, thonë ata.

“Ne shpresojmë që drejtuesit e vendeve të Ballkanit më në fund kanë kuptuar se ata nuk mund të vazhdojnë ta mbajnë të ardhmen e popujve të tyre peng të fantazmave mesjetare, ose të një të kaluare të sajuar, duke u përpjekur të lajnë hesape të vjetra në një mënyrë që dëmton të sotmen dhe të ardhmen tonë. Mençuria e qytetarëve të vendeve tona si edhe ajo e qeverive të vendeve tona do të matet me atë se sa efektivisht ato do të jenë në gjendje të tejkalojnë të kaluarën problematike dhe të forcojnë themelet e një të ardhmeje më të mirë e më të të begatë. Vështirësitë dhe pasiguritë në këtë rrugë nuk mund të nënvleftësohen. Në Ballkan ka ende pengesa dhe sfida, por ky rajon nuk është më “qendra e stuhisë” apo një “fuçi baruti” në zemër të Europës. Problemet në Ballkan as janë të reja, as mund të zgjidhen shpejt. Por faktet tregojnë se progresi i bërë është real, i konsiderueshëm dhe inkurajues, dhe ne besojmë se Greqisë, si djepi i demokracisë antike dhe si e para demokraci moderne në Ballkan, i takon të luajë një rol të rëndësishëm konstruktiv. Në gjykimin tonë, Greqia, si fqinji ynë jugor, që merr presidencën e radhës të Bashkimit Europian në janar 2014, nuk duhet ta heqë nga priotitetet e presidencës së saj çështjen e zgjerimit të BE-së. Përkundrazi, në frymën e “Samitit BE-Ballkani Perëndimor” të Selanikut (2003), Greqisë i përket të drejtojë përpjekjet në mbështetje të kandidaturës së Shqipërisë. Për ne është e vështirë ta mendojmë se Athina mund t’i krijojë probleme serioze kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, se ajo mund ta frustrojë këtë proces ose ta kundërshtojë atë. Në vend që t’u vërë veshin retorikës nacionaliste ose demagogjisë politike të një numri diplomatësh në pension, ne presim që Athina ta mbështesë pa rezerva integrimin e Shqipërisë në BE, pasi ky është i vetmi opsion i arsyeshëm, si për Shqipërinë, ashtu edhe për Greqinë”.

“Si pjesë e elitës kulturore dhe akademike shqiptare, të mbështetur edhe nga shumë intelektualë të shquar në mbarë botën, ne besojmë sinqerisht se barra historike e së kaluarës nuk është më e rëndë se shpresat e së ardhmes. Po kështu, sfidat me të cilat ndeshen popujt e Ballkanit sot nuk janë pengesa, por oportunitete. Për popujt e rajonit tonë, koha e sotme përbën një nga ato mundësi të rralla, të cilat Hegeli i quante “momente unike” të historisë. Dhe e veçanta më e madhe e këtij momenti për popujt e Ballkanit është se ky mund të jetë fundi i luftërave gjakderdhëse, i fantazmave dhe i historisë së tyre armiqësore. Përpara popujve tanë qëndron një e ardhme e shkëlqyer dhe ne s’duhet ta komprometojmë atë”përfundon letra e anëtarëve të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave.

Athinë, Ekzekutohen dy anëtarë të ‘Agimit të Artë’, një i tretë në gjendje të rëndë në spital

D79F9228FFEDCC679B7C55136E91CB7FNjë ngjarje e rëndë ka tronditur në mbrëmje Athinën. Dy persona me një motor dhe me kaska  në kokë kanë shtënë me armë zjarri, përpara zyrave të Agimit të Artë, në momentin që po zhvillohej një miting. Mësohet, se dy persona kanë  gjetur vdekjen menjëherë në vend nga plagët e marra nga armët e zjarrit, ndërkohë që mësohet se një person i tretë është çuar me urgjencë në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë. Të dy viktimat janë të rinj, njeri i moshës 22 vjeç dhe tjetri 26 vjeç. Identiteti i tyre nuk është bërë ende i ditur.

Deputeti i Agimit të Artë Ilias Kasidiaris, ka deklaruar menjëherë pas ngjarjes se, dy shtetasit që kanë gjetur vdekjen janë anëtarë të Agimit të Artë.

Forca të mëdha policore kanë bllokuar zonën, ndërkohë që vetëm disa metra me tutje ndodhet rajoni i policisë.

Në vendngjarje mësohet të ketë shkuar menjëherë pas ngjarjes edhe vajza e Kryetarit të Agimit të Artë, i cili ndodhet i arrestuar, Urania Mihaloiaku.

Agimi i Artë është një forcë politike e ekstremit të djathtë, që ka hyrë në parlament në zgjedhjet e fundit legjislative. Organizata e cila ka qenë aktive përgjatë viteve ’80 u shndërrua në një parti politike në vitet 2000. Partia ka një strukturë ushtarake të ngjashme me partitë naziste.  Ajo ëshë akuzuar kohët e fundit nga prokuroria greke për krijim organizate kriminale, vrasje dhe rrahje të emigrantëve,etj. Kryetari i saj si edhe 15 anëtarë të tjerë gjenden të arrestuar dhe disa prej tyre, po hetohen në gjendje të lirë.

 

 

 

 

Gjermania njeh gjininë asnjanëse të bebeve

bebèGjermania bëhet vendi i parë në Europë që njeh përcaktimin e“gjinisë asnjanëse” për foshnjën që lindin me karakteristikat e të dyja gjinive, si mashkull ashtu dhe femër.

Prindërve tashmë u njihet e drejta për ta lënë pa plotësuar sektorin e gjinisë në certifikatat e lindjes. Sipas vendimit, ky hap krijon automatikisht një kategori të re në certifikatat e lindjes kategorinë X, e “gjinisë së papërcaktuar”.

Vendimi synon që të heqë presionet ndaj prindërve për të përcaktuar gjininë e fëmijëve në certifikatën e lindjes, menjëherë pas lindjes.

Të paktën 1 në 2 mijë të sapolindur në Gjermani ka karakteristikat e të dyja gjinive. Kjo kategoria njihet ndryshe edhe si “interseks” për shkak se të lindurit kanë një miksim kromozomesh femërore dhe mashkullore njëkohësisht.

Vështirësia më e madhe qëndron te prindërit, të cilët duhet të përcaktojnë me patjetër gjininë e fëmijës së tyre për t’u regjistruar tek autoritetet. Por zgjedhjet shpesh kanë rezultuar të gabuara. Shpesh të lindur të kësaj kategoria që janë regjistruar në certifikatën e lindjes si meshkuj apo femra, gjatë kalimit të viteve u janë nënshtruar operacioneve për të kaluar në anën tjetër, duke shkaktuar pështjellim në dokumentet identifikuese.

Në disa raste të lindurit e kësaj kategorie, me mirëkuptimin e prindërve u nënshtrohen operacioneve të mjekëve për t’u përcaktuar përfundimisht ose mashkull ose femër. Por jo gjithmonë këto operacione janë të suksesshme.

Dëshmia e një të linduri shumë vite më parë më të tillë “anomali” se ai/ajo nuk ishte as mashkull dhe as femër, por një “krijesë e ndërmjetme, falë operacionit të mjekëve” ngjalli protesta dhe vuri në lëvizje autoritetet për korrigjimin e dokumentacionit.

Certifikatës tradicionale të lindjes në Gjermani në pjesën e përcaktimit të gjinisë M për meshkujt dhe F për femrat, do t’i shtohet edhe X që nënkupton kategorinë e ndërmjetme, gjininë e papërcaktuar apo asnjanëse.

Krujë, prishen 109 furra të gëlqeres

policia...Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit ka ndërmarrë një aksion për prishjen e furrave gëlqere në Krujë.

Ditën e sotme janë prishur 109 furra të gëlqeres në Krujë dhe aksioni është shoqëruar me kundërshtimin e pronarëve, dhe madje ka pasur edhe  shoqërimin në polici të disa prej tyre.

Ndërhyrja dhe prishja e furrave të gëlqeres u krye në zbatim të urdhrit të ministrit të Mjedisit Lefter Koka, i cili kishte lënë afat për mbylljen e tyre më datën 31 tetor. Kjo masë e ministrisë së Mjedisit u mor pas shqetësimeve të shumta të banorëve por edhe konstatimeve të agjencisë rajonale të mjedisit në Durrës.

Pronarët kanë kundërshtuar këtë masë penalizmi, pasi sipas deklaratave të tyre kjo është e vetmja mundësi ku mund të nxjerrin të ardhura.

Inspektorati i mjedisit kishte lënë një muaj kohë pronarëve për mbylljen e furrave, por kjo nuk ndodhi, çka detyroi forcat e policisë që në mbështetje të inspektoratit mjedisor dhe INUK të ndërhynin forcërisht.

PD për zgjedhjet në Korçë: FRD patericë e PS-së

silvibardhiPartia Demokratike nëpërmjet një deklarate për shtyp ka komentuar sot zgjedhjet që po zhvillohen në Korçë. PD ka akuzuar PS për bashkëpunim zgjedhor me frymën e Re Demokratike duke e konsideruar atë si frikë përballë qytetarisë korçare e cila do të votojë kandidatin demokrat.

“Dje, e frikësuar nga mbështetja e fuqishme e qytetarisë korçare për kandidatin e Partisë Demokratike dhe opozitës, zotin Sotiraq Stratobërdha, Partia Socialiste hodhi në lojë aleancën me ish-presidentin Bamir Topi, të cilin e kishte mbajtur rezervë dhe të pashpallur publikisht deri dje. Në shkëmbim, siç njoftohet gjerësisht në mediat e sotme, kryeministri Rama po bën gati thërrimet dhe kockat e mbetura nga gostia e klaneve dhe kioskave socialiste për të shpërblyer shërbimet e paskrupullta”, deklaroi Bardhi.

PD i ka rikujtuar kreyt të FRD-së Topi se i ngjiti majat e shtetit falë saj dhe sot po përdoret si patericë lokale për PS-në.

“Partia Demokratike shpreh sërish keqardhjen e saj për katandisjen në këtë shkallë të ish – Presidentit të Republikës, i cili u ngjit në postin më të lartë të shtetit me votat e kësaj partie, dhe sot e ka bërë veten të përdoret si patericë lokale e Partisë Socialiste. FRD u krijua si opozitë e qeverisë së Partisë Demokratike, por nuk rezistoi asnjë ditë në opozitë me Partinë Socialiste. Ky është një moment qartësie për çdo zgjedhës që mund të ketë patur ndonjë iluzion apo të jetë mashtruar nga pseudo-djathtizmi i saj”, tha Bardhi.

Ministria: Niveli i sprioksaminës te kastravecët, poshtë normave

sallatoreMinistria e Bujqësisë publikoi sot rezultatet e analizave për kastravecët e serave shqiptare, të cilët u bllokuan nga autoritetet e Malit të Zi, me pretendimin se kishin patur nivel të lartë spiroksamine.

Sipas analizave të grupit të punës së ministrisë, kastravecët e kishin nivelin e spiroksaminës nën 0.05 për miligram, nivel ky poshtë normës së lejuar nga BE-ja.

“Kanë përfunduar në kohë rekord analizat për praninë e pesticidit spiroksaminë mbi mostrat e kastravecëve të marra direkt nga vendi i origjinës, pra në serat e kompanisë së cilës i është ndaluar sasia e produktit në pikën kufitare të Hani të Hotit (Mali i Zi).

Analizat u kryen nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, (institucion në varësi nga Ministria e Bujqësisë), si e vetmja qendër reference në vend, e certifikuar dhe akredituar ndërkombëtarisht për disa analiza laboratorike. Nga analizat rezulton se në kastravecët e kompanisë në fjalë ka gjurmë spiroksaminë në nivele të pranueshme.

Rezulton se spiroksamina e gjendur është poshtë nivelit maksimal të lejuar nga BE, që do të thotë poshtë nivelit 0.05 miligram për kg, që është norma e gjurmimit me standardet e BE dhe më poshtë se kjo shifër, nuk regjistron aparatura”, thotë Ministria e Bujqësisë .