Janë gjallë apo kanë vdekur?

74

michael jNë 25 qershor 2009 vdiq Michael Jackson. Apo jo: ka nga ata që thonë se e kanë parë tek zbriste nga autoambulanca me këmbët e tij (që teorikisht po e çonte kufomën e tij për të bërë autopsinë), hapte një derë dhe largohej. Filmimi ka bërë menjëherë xhiron e internetit dhe ka gjeneruar hipotezat që Mbreti i Popit, ashtu si edhe yje të tjerë përpara tij, ka aderuar në atë që quhet “Programi”. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej vitesh flitet se operon një organizatë e specializuar në plane shpëtimi për yjet e spektaklit dhe muzikës që “janë në prag të një krize nervore”. Ja se si funksionon sipas kësaj teorie: sapo pikaset një yll që ka probleme alkooli, droge apo depresioni, organizata gjen mënyrën për t’iu afruar atij në fshehtësi dhe për t’i propozuar shërbimet që ofrojnë. Më pas simulohet një vdekje aksidentale, trupi i një sozie zëvendëson atë të yllit dhe një zarf i mbushur me para bën të mundur që mjekë ligjorë dhe agjentë policie të mos tregohen shumë të rreptë në ekzaminime dhe hetime. Kështu, ylli në fjalë mund të nisë një jetë të re, larg kamerave dhe prozhektorëve.

Të parët

Për të gjetur yllin e parë të spektaklit që ka pranuar Programin duhet të kthehemi pas në kohë deri në 15 dhjetor 1944, kur Glenn Miller, muzikant i shquar i epokës së suingut u zhduk duke përshkuar Kanalin anglez me avionin e tij, tek po shkonte për në Paris, apo, si thotë shumëkush, në 1 janar 1953 kur vdiq në moshën 29-vjeçare Hank Uilliams, legjendë e muzikës country. Uilliams, trupi i të cilit thuhet se u gjet nga një shofer 17-vjeçar ishte alkoolist dhe Programi i kishte ofruar mundësinë të disintoksikohej i qetë. Që atëherë, lista e të “shpëtuarve” është bërë shumë e gjatë: Xhejms Din, Merilin Monro, Xhim Morrison, Xhimi Hendriks, Elvis Presli, Xhon Belushi, Kërt Kobein, Heth Lexhër. Dhe po kaq e madhe është lista e shfaqjeve të tyre në një qoshe tjetër të botës.

Xhim Morrison

Për shembull, ka nga ata që betohen se kanë parë Xhim Morrisonin në një kafene në Paris. Lideri Legjendar i “The Doors” u gjet i pajetë në 3 korrik 1971 nga shoqja e tij, Pamela Kurson, i zhytur në vaskën e banjës në apartamentin e tyre në kryeqytetin francez. Pas katër vitesh karrierë të jashtëzakonshme dhe plot me eksese deri në limitet e asaj që njeriu mund të durojë, mes abuzimeve me alkoolin dhe drogën, Morrison, i shëndoshur dhe në depresion ishte larguar nga Shtetet e Bashkuara në kërkim të qetësisë. Mjeku ligjor kish thënë se këngëtari kish vdekur për “shkaqe natyrore”, por njoftimi zyrtar u dha vetëm gjashtë ditë pas ngjarjes, atëherë kur trupi i tij ishte varrosur tashmë në varrezën pariziene të Père-Lachaise. Pra, në arkivol askush nuk mundi ta shohë, përveç Pamelës.

E gjithë kjo mjaftoi për të ndezur shkëndijën që ushqen që prej asaj kohe perpleksitetin që ka shoqëruar ikjen e tij. Ndonëse prokuroria nuk ka menduar asnjëherë që dyshimet mbi vdekjen e tij ishin kaq të forta sa të kërkonin zhvarrosjen. Njeriu që rrëfeu për takime të përsëritura me mbretin hardhucë (siç e quanin) ishte Zhak Rokard, që në vitet ’80 botoi madje edhe një libër, “Xhim Morrison. I gjallë!” Në takimet e tyre, këngëtari, sipas tij, i pati rrëfyer se kishte inskenuar vdekjen për t’iu larguar presioneve të jetës publike. Ai shkruan se Morrison i kishte dhënë edhe poezitë e tij të reja, që Rokard i kishte përfshirë në libër. Por, sipas ekspertëve, ato janë vetëm imitime të shëmtuara të vargjeve të Morrisonit, me të cilët autori ka arritur t’i bëjë reklamë librit.

elvis presleyMbreti i fundit

Më i “kërkuari” është Elvis Presli, vdekur në 15 gusht 1977. Atëherë, Mbreti i Rrokut nuk ishte më i njëjti dhe kishte filluar një rënie të pakthyeshme. Ishte shëndoshur dhe lodhej shumë shpejt, ndoshta për shkak të stresit dhe ilaçeve që ishte “i detyruar” të pinte, siç thoshte ai vetë. Spektaklet e tij në Las Vegas ishin gjithnjë e më të dhimbshme.

Pas vdekjes, konfuzioni i fillimit mbi rezultatet e autopsisë, fakti që familjarët dhe miqtë e Elvisit pastruan menjëherë dhomën ku këngëtari vdiq duke zhdukur çdo gjurmë ilaçesh, si dhe historitë kontradiktore të rrëfyera nga ata që ishin pranë tij kontribuan për të ushqyer legjendën mbi fundin e vërtetë të Elvisit, duke filluar nga ajo, sipas së cilës Elvis Presli kishte ndërruar identitet për t’iu larguar tensioneve të biznesit të spektaklit. Shkrimtarja amerikane Geil Bruer Xhorxhio botoi disa libra, në të cilat rrëfente që vdekja e Elvisit kish qenë e simuluar. Ajo fliste për një kasetë me regjistrimin e një telefonate fatale të bërë nga vetë Elvisi, ku rrëfente si ishte larguar dhe se sa e vështirë ishte që të fshihej. Një analizë e zërit e kryer nga FBI siguroi që zëri nuk ishte i Elvisit, por i një imituesi, Dejvid Darlok, një detaj ky që nuk e ndaloi Xhiorxhion, që të shiste më shumë se 3 milionë kopje të librave të vet.

Bill Bini, një 80-vjeçar nga Misuri ka hapur madje një muze që quhet “Elvisi është gjallë”. “Sa herë që dilnin dëshmi për takime me Elvisin bëhesha gjithnjë e më kurioz dhe kështu fillova një hetim timin personal”, thotë Bini. Sipas tij, Elvisi punonte në fshehtësi për DEA-n, reparti antidrogë i FBI dhe ishte i angazhuar në një operacion kundër mafias: megjithatë, u detyrua që të “zhdukej” për t’i shpëtuar hakmarrjes së pushtetit të krimit. Provat? Një dhomë e madhe e mbushur me fotografi, relike, dokumente, ekzaminime enigmatike të ADN-së dhe transkriptime telefonatash, në të cilat Elvisi diskutonte për punët e tij, pas datës së vdekjes.

Gjumë të ëmbël

Përse sot, edhe Majkëll Xhekson do të vendoste që të dilte nga skena në këtë mënyrë? Në korrik ai duhej të niste në Londër një turne me 50 koncerte, një mënyrë për të siguruar miliona dollarët që i duheshin për të mbuluar borxhet e akumuluar në vite. Por ishte shumë i dobët për t’ia dalë mbanë dhe kështu kishte preferuar të bënte gjoja sikur vdiq. “Ndryshe nga Elvisi, Majkëll zgjodhi të tërhiqet përpara se fama ta shkatërronte krejt”, thotë Uilliam Stern, studiues i Preslit dhe i Xheksonit. “Pasi të ketë pushuar dhe rimarrë veten, do të organizojë turneun më të jashtëzakonshëm që ka parë historia e rrokut”. Sipas “burimeve të informuara”, Xheksoni mendohet që po e rifiton formën në një kështjellë mesjetare në Hungari. Ai është duke i bërë një shaka shumë të hidhur mjekut të tij personal, Konrad Murrei, i cili është aktualisht nën hetim për shkak të dozës së anestetikut që u gjend në trupin e Majkëllit.

Legjendare

Edhe Italia ka “të vdekurën e gjallë” të saj. Bëhet fjalë për pornostaren Moana Poci, që vdiq krejt papritur në moshën 33-vjeçare në Hotel de Dieu në Lion, Francë në 15 shtator 1994: shkaku zyrtar ishte një tumor në mëlçi. Por, qoftë sepse mungonte çertifikata e vdekjes, qoftë sepse nuk ishte e mundur të shihej kufoma që më pas u dogj, filluan të përhapen menjëherë zërat për një simulim, deri në atë pikë që, në vitin 2004, Prokuroria e Romës hapi një dosje për të zbuluar nëse Moana ishte gjallë apo kishte vdekur. Vetëm rigjetja e çertifikatës së vdekjes, deklaratat e dhimbshme të familjarëve dhe rrëfimi i bashkëshortit të aktores, Antonio Di Cesko, i cili zbuloi se kishte ndihmuar Moanën që të vdiste për t’u dhënë fund vuajtjeve, i dhanë fund një herë e mirë fjalëve për këtë legjendë.

Komplot

Po përse kaq shumë njerëz janë të gatshëm të besojnë se njerëzit e famshëm simulojnë vdekjen e tyre? Dhe përse shumë janë të prirur të mendojnë që vdekja e personazheve si Merilin Monro, Presidenti i SHBA-së Xhon Kenedi, Gevara apo ish-këngëtari i Bitëlls, Xhon Lenon nuk kanë qenë aksidentale, por rezultate të një komploti?

Sigurisht që ka një komponent spekulativ, i ushqyer nga ata që kanë zbuluar se teoritë e komplotit janë një minierë ari. Megjithatë, pa motivimet psikologjike kjo industri as nuk do të ekzistonte. Refuzimi nga ana e fansave për të pranuar që heroi më i dashur mund të vdesë është një konstante psikologjike që motivon autorët e teorive të komplotit. Por ka edhe arsye më të thella. “Më duket se me kalimin e kohës është rritur ajo që mund ta quajmë psikozë e komplotit”, thotë historiani amerikan Henri Stil Komager. “Domethënë, ideja që ngjarjet e mëdha nuk mund të kenë shpjegime normale. Në fakt, mentaliteti konspirativ nuk pranon fakte të zakonshme. Pra, ka një farë nevoje psikologjike që detyron të refuzohet thjeshtësia dhe e zakonshmja, për të gjetur strehim tek e jashtëzakonshmja”.

Shkrimtari Pier Paolo Pasolini, i vrarë në vitin 1975 (rrethanat mbetën misterioze) kishte kuptuar se cila ishte kjo nevojë: “Komploti na bën të delirojmë, sepse na çliron nga pesha për t’u përballur të vetëm me të vërtetën”, shkruante ai. Po ky diskutim mund të vlejë për të gjithë njerëzit e famshëm, vdekja e të cilëve nuk pranohej nga fansat më të zjarrtë. Nga njëra anë, njerëz të famshëm, të rinj dhe shumë të dashur, nga ana tjetër një fund shpesh herë i papritur dhe pak “heorik”. Përse nuk dua ta pranojmë? Ndoshta sepse do të nënkuptonte pranimin e një fakti shumë më të parehatshëm: vetë vdekjen tonë. Tërësisht e ndryshme është legjenda që rrethon Pol Mekartnin. Të gjithë e besonin të gjallë, por në fakt ish-këngëtari i Bitëlls mendohet të ketë vdekur në një aksident me makinë në 1966 dhe të jetë zëvendësuar nga një sozi. Zërat nisën të qarkullojnë në 1969, kur disa fansa nisën të besojnë se në disa këngë të Bitëlls kishte të dhëna për vdekjen e tij.

Funerali

Në kopertinën e albumit të nxjerrë atë vit, “Abbey Road”, Bitëllsat kalonin rrugën, por vetëm Poli është me këmbë zbathur (një shenjë vdekjeje në disa shtete) dhe nuk është në një hap me të tjerët. Madje, duket si një procesion funebër, ku Xhon Lenon (me të bardha) është mbajtësi i meshës, Ringo Star (me të zeza) drejtuesi i funeralit, Xhorxh Harrison (me xhinse) i ngarkuari për varrosjen dhe Pol, natyrisht, i vdekuri. Në foto ka edhe një makinë të parkuar me targë 28 IF: 28 NESE (28 vjeç, nëse Pol do të ishte gjallë)”. Ka edhe lexime mes rreshtave. Po të dëgjosh këngët e tyre gjen dhe të tjera. Një zë tek kënga “I am the walrus” thotë: “mos ka vdekur ndoshta?”, ndërkohë që në fundin e “Strawberry Fields Forever” Xhon duket sikur pëshpërin: “Kam varrosur Polin”. I vënë përpara këtyre provave dhe të tjerave si këto, komenti i Mekartnit ka qenë: “Vdekur? Kam vdekur? Përse jam gjithmonë i fundit që i marr vesh gjërat?”