Athinë, Ekzekutohen dy anëtarë të ‘Agimit të Artë’, një i tretë në gjendje të rëndë në spital

24

D79F9228FFEDCC679B7C55136E91CB7FNjë ngjarje e rëndë ka tronditur në mbrëmje Athinën. Dy persona me një motor dhe me kaska  në kokë kanë shtënë me armë zjarri, përpara zyrave të Agimit të Artë, në momentin që po zhvillohej një miting. Mësohet, se dy persona kanë  gjetur vdekjen menjëherë në vend nga plagët e marra nga armët e zjarrit, ndërkohë që mësohet se një person i tretë është çuar me urgjencë në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë. Të dy viktimat janë të rinj, njeri i moshës 22 vjeç dhe tjetri 26 vjeç. Identiteti i tyre nuk është bërë ende i ditur.

Deputeti i Agimit të Artë Ilias Kasidiaris, ka deklaruar menjëherë pas ngjarjes se, dy shtetasit që kanë gjetur vdekjen janë anëtarë të Agimit të Artë.

Forca të mëdha policore kanë bllokuar zonën, ndërkohë që vetëm disa metra me tutje ndodhet rajoni i policisë.

Në vendngjarje mësohet të ketë shkuar menjëherë pas ngjarjes edhe vajza e Kryetarit të Agimit të Artë, i cili ndodhet i arrestuar, Urania Mihaloiaku.

Agimi i Artë është një forcë politike e ekstremit të djathtë, që ka hyrë në parlament në zgjedhjet e fundit legjislative. Organizata e cila ka qenë aktive përgjatë viteve ’80 u shndërrua në një parti politike në vitet 2000. Partia ka një strukturë ushtarake të ngjashme me partitë naziste.  Ajo ëshë akuzuar kohët e fundit nga prokuroria greke për krijim organizate kriminale, vrasje dhe rrahje të emigrantëve,etj. Kryetari i saj si edhe 15 anëtarë të tjerë gjenden të arrestuar dhe disa prej tyre, po hetohen në gjendje të lirë.