Ministria: Niveli i sprioksaminës te kastravecët, poshtë normave

21

sallatoreMinistria e Bujqësisë publikoi sot rezultatet e analizave për kastravecët e serave shqiptare, të cilët u bllokuan nga autoritetet e Malit të Zi, me pretendimin se kishin patur nivel të lartë spiroksamine.

Sipas analizave të grupit të punës së ministrisë, kastravecët e kishin nivelin e spiroksaminës nën 0.05 për miligram, nivel ky poshtë normës së lejuar nga BE-ja.

“Kanë përfunduar në kohë rekord analizat për praninë e pesticidit spiroksaminë mbi mostrat e kastravecëve të marra direkt nga vendi i origjinës, pra në serat e kompanisë së cilës i është ndaluar sasia e produktit në pikën kufitare të Hani të Hotit (Mali i Zi).

Analizat u kryen nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, (institucion në varësi nga Ministria e Bujqësisë), si e vetmja qendër reference në vend, e certifikuar dhe akredituar ndërkombëtarisht për disa analiza laboratorike. Nga analizat rezulton se në kastravecët e kompanisë në fjalë ka gjurmë spiroksaminë në nivele të pranueshme.

Rezulton se spiroksamina e gjendur është poshtë nivelit maksimal të lejuar nga BE, që do të thotë poshtë nivelit 0.05 miligram për kg, që është norma e gjurmimit me standardet e BE dhe më poshtë se kjo shifër, nuk regjistron aparatura”, thotë Ministria e Bujqësisë .