Ministria e Brendshme, detajet e aksidentit ku humbi jetën Sokol Olldashi

makina-e-olldashitMinistria e Brendshme ka dhënë detaje mbi aksidentin, ku humbi jetën deputeti Sokol Olldashi. Sipas Ministrisë, pritet akt-ekspertimi për të përcaktuar dinamikën e aksidentit si dhe shkaqet e ndodhjes së tij.

“Në datë 20.11.2013 në rrugën interurbane dytësore, Tiranë – Elbasan, në Fshatin Krrabë, pranë vendit të quajtur “Lapidari i Krrabës”, ka ndodhur një aksident rrugor me pasojë vdekjen e shtetasit Sokol OLLDASHI, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë. Mjeti autoveturë i markës “Benz Mercedez”, me targa AA 003 NH i drejtuar nga deputeti Sokol Olldashi ka qënë duke udhëtuar në drejtimin e lëvizjes Elbasan – Tiranë.  Policia është njoftuar për këtë aksident rreth 21:20 të ditës së djeshme. Pranë Sallës së Komandimit të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë ka ardhur njoftimi se në dalje të tunelit të Krrabës në drejtimin e lëvizjes Elbasan – Tiranë  një mjet kishte dale nga rruga. Në ora 21:28 në vendin e ngjarjes kanëmbërritur shërbimet Policisë Rrugore që mbulonin këtë aks rrugor dhe pak minuta më pas edhe shërbimet e tjera të Drejtorisë së Policisësë Qarkut Tiranë si dhe grupi hetimor. Të gjitha veprimet proceduriale u drejtuan nga Prokurori i Rrethit i Prokurisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Nga organi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë është caktuar grupi i ekspertëve autoteknikë, të cilët do të realizojnë aktin e ekspertimit për të përcaktuar dinamikën e aksidentit si dhe shkaqet e ndodhjes së tij”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.

Dhembja që na bën bashkë

ilir-meta22Nga Ilir Meta

Vdekja nuk njeh rradhë. Vdekja thonë se zgjedh. Kësaj here zgjodhi Sokol Olldashin, babain e fëmijëve, bashkëshortin e një gruaje dhe birin e një nëne.

Gazetar dhe politikan, mik e kundërshtar, polemist i lindur, Sokol Olldashi hyri tashmë në heshtjen e tij. Për të tani flet dhembja e atyre që e kanë njohur. E atyre që e kanë parë. E atyre që kanë qenë dëshmitarë të jetës së tij të stuhishme në politikë, dëshmitarë të rrugës së jetës së tij që u ndërpre brutalisht në një natë me shi.

Krejt papritur!

Krejt befasisht!

Me vdekjen që e priste në takim në kthesën e fundme të jetës së tij.

E priste me ngut. Sepse e priste që copën tjetër të rrugës ta bënin bashkë!

Eshtë një humbje e padrejtë.

Eshtë një dhembje e pamerituar!

Sokoli nxitoi të mos jetë vonë.

Dhe iku, iku shumë shpejt!

Në këtë ditë të zymtë, jam me shpirt e me lutjet e mia dhe të familjes sime pranë familjes së mikut e kolegut tim, pranë dy fëmijëve të tij të mrekullueshëm, Glaukut dhe Kleitit, bashkëshortes së urtë Enkelejda e nënës së shumëvuajtur Kozeta. Jam me të gjithë miqtë e dashamirësit e tij të panumërt që sot Sokoli i bashkoi të gjithë në zinë për të.

Sot, në këtë ditë të trishtë, ka dhembje pa kufi për Sokolin, një dhembje që ka kaluar dhe kufinjtë e Shqipërisë e që ka trishtuar edhe në Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi e gjetkë, kudo ku jetojnë e punojnë bashkëkombasit tanë.

Bashkoj dhe unë dhembjen me kolegët e tij në Partinë Demokratike dhe gjithë klasën politike, e cila tek Sokoli gjeti përfaqësuesin e një brezi politikëbërës që lindi në dhjetorin e stuhishëm të vitit 90’. E një brezi plot vrull, me shumë dëshira e shpresa për ndryshim, që duke ndryshuar vendin, ndryshoi dhe vetveten!

Politika ishte pasioni dhe talenti i tij i madh. Politika ishte rruga të cilës ju dha me pasionin që kishte për poezinë. Me pasionin për ta kthyer politikën në mjetin normal që do të sillte ndryshim; për ta bërë edhe vetë Shqipërinë një vend normal.

Student i shkëlqyer, Sokoli  hyri në vitet 90’ me peshën e vuajtjes së persekutimit të egër e të padrejtë.

Opozitar i lindur, u bë pjesë e opozitës së dikurshme atëherë kur ky ishte vendimi më i vështirë për t’u marrë dhe aktor domethënës i qeverisjes së djeshme dhe sërish faktor plot peshë i opozitës së sotme.

Sokol Olldashi nga heshtja e tij na fton të reflektojmë në heshtje. Shqipëria sot, si Ballkani dje, prodhon më shumë ankth, tension dhe nervozizëm sesa mund të konsumojë. Duhet të jetë kështu? Natyrisht që jo! Ky nuk është fatalitet. Nuk është as e shkruar që të jetë kështu. Me ikjen e tij, Sokoli na jep edhe një shans tjetër për të menduar qetësisht mungesën tonë të qetësisë, shqetësimin tonë të vazhdueshëm për të përkohshmen që na bën të harrojmë të pandryshueshmen: jemi qenie njerëzore përpara se të ndahemi për politikë.

Ne shqiptarët, si gjithë ballkanasit, jemi nervozë në dasma dhe jemi seriozë e të menduar në funerale. Sepse dhembja na ndihmon të dëshmojmë pjesën tonë më të mirë. Sokoli iku që ta kujtojmë gjithmonë si një mik të mirë! Iku që të kujtojmë sërish se vetë dhembja na bën të gjithëve më të mirë!

Telefonata e fundit e Olldashit me Carën: “Bëra aksident”

olldashi makinaDeputeti Igli Cara ka qenë personi i fundit me të cilin ka kontaktuar para aksidentit Sokol Olldashi. Cara deklaron se, ishte duke folur me Olldashin për një takim në zyrën e Olldashit dhe po fiksonin orën, kur befas u dëgjua një zhurmë dhe një fjali e Olldashit: “Bëra aksident”. Pas kësaj ngjarje, telefoni i deputetit Olldashi, nuk përgjigjej më.

Cara ka lajmëruar menjëherë sallën operative dhe është nisur urgjent në vendngjarje.

Deputeti Olldashi humbi jetën, si pasojë e plagëve të marra. Policia e konfirmoi zyrtarisht humbjen e jetës së ish-ministrit Olldashi ,vetëm rreth mesnatës, ndërsa lajmi u njoftua edhe nga vetë deputetët e PD-së.

Diplomacia spanjolle për Kosovën: BE me dy standarde

ish shefi diplomaci spanjolleIsh shefi i diplomacisë spanjolle  Migel Angel Moratinos, siç njofton gazeta Novosti e Beogradit, ka deklaruar se qasja e BE në dialogun e Beogradit me Prishtinën “nuk është as e drejtë e as objektive”. Ai ka shtuar se, BE është më shumë në anën e Prishtinës

“Beogradi është absolutisht në anën e të drejtës kur pohon se BE, bashkësia ndërkombëtare, kanë dy standarde. Kjo është e meta kryesore e sistemit ndërkombëtar. Njerëz, kombe, vende duhet të luftojnë kundër kësaj”, ka thënë Moratinos.

Moratinos ka theksuar se si shef diplomacie i Spanjës ka pasur presione të mëdha që vendi i tij ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Nuk mund ta merrni me mend se, sa. Por një gjë me të cilën mburrem është se nuk iu jam nënshtruar presioneve, që Spanja të njohë Kosovën. Tani mund të fle qetë”, ka thënë  Moratinos dhe ka shtuar se mendon që Spanja nuk do ta ndryshojë qëndrimin pasi që pozita dhe opozita kanë qëndrim të njëjtë”.

Në pyetjen nëse Serbia do të detyrohet ta njohë Kosovën për t’u bërë anëtare e BE-së, Moratinos është përgjigjur se për zgjidhjen përfundimtare duhet të merren vesh Beogradi e Prishtina./kohanet/

Arrestohet personi që terrorizoi Parisin, Abdelhakim Dekhar

paris shtena me armeËshtë arrestuar pas disa ditë gjurmimi personi, që vuri në alarm Parisin, pas tre sulmeve të nëpasnjëshme. Abdelhakim Dekhar është kapur dje në një gjendje gjysëm të pandërgjegjshme, pasi kishte konsumuar një sasi të konsiderueshëm ilaçesh. Dekhar u gjet në një veturë të parkuar në një parkim nëntokë në periferi të Parisit, pasi kishte marrë një dozë ilaçesh.

Për kapjen e tij, ndihmoi informata e një personi, i cili e strehonte herë pas here.

Ministri i Brendshëm francez Manuel Valls deklaroi se, me sa duket personi ka tentuar të vetëvritet por nuk ia ka arritur dot, çka do të na ndihmojë për të zbardhur faktet, të vërtetën e motivit të sulmeve të kanalit BFM, të gazetës Libération dhe Bankës Société Générale.

ADN tregoi qartë që Abdelhakim Dekhar ka qenë personi që ka shkaktuar të tre ngjarjet. Ai figuron i dënuar në çështjen Florence Rey-Maupin, pasi kishte pajisur me armë dy të rinj, që më pas kishin vrarë 5 persona ku tre prej tyre ishin punonjës policie, më tetor 1994 në Paris.

 

Shqetësimi i Olldashit mbi aksidentet rrugore, në FB

olldashi makinaDuke qenë prezent në mënyrë të vazhdueshme me komunikimet e tij në rrjetin social FB, deputeti Olldashi kishte komentuar për herë të fundit situatën problematike me aksidentet rrugore. Ja çfarë ka shkruar për herë të fundit në statusin e tij, deputeti Olldashi:

“Pashë pak lajmet. Makina përplas dy fëmijë në Tiranë, Makina del nga rruga në Shkodër, etj.etj. Personalisht nuk jam i prirur të fajësoj qeverinë për çdo aksident, por duke u rikthyer vetëm pak jave prapa në kujtesë, mendoj se qeveria e sotme na detyrohet një ndjesë. Nuk kishte ditë të mos dilte Saimir Tahiri të fajësonte qeverinë dhe Ministrinë e Brendshme për çdo aksident që ndodhte. Ku është tani?! A e mendon njësoj se fajtore për çdo aksident është qeveria???!!!”.”

Kuvendi homazhe në nder të deputetit Olldashi

sokol-olldashiKuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë paraditen e sotme homazhet për nder të deputeti Sokal Olldashi, ish Ministrit të Transporteve.

Ndërsa arkivoli me trupin e pajetë të tij ka dalë nga banesa në orën 11:37, shoqëruar me duartokritje nga të pranishëm të shumtë që ishin mbledhur, për ta shoqeruar më pas në sallën e Kuvendit.

Përcjellja për në banesën e fundit ku do të prehet dhe trupi i tij, do të zhvillohet në orën 14:00.

Olldashi humbi jetën si pasojë e një aksidenti rrugor në aksin Tiranë-Elbasan, kur rreshjet e dendura dhe shpejtësia e automjetit kanë bërë që automjeti të dalë nga rruga, duke humbur krejtësisht kontrollin dhe duke përfunduar në greminë.

In Memoriam!

olldashiNga Sali Berisha

I dashur Sokol, lajmi i zi per aksidentin tragjik permbyti me dhimbje, pikellim dhe zi te madhe, zemrat, shpirtrat, e bashkeshortes, djemeve, prinderve, miqve, te afermve tuaj por dhe te demokrateve dhe demokratëve dhe mbare shqiptareve. I rritur ne kampet e punes te rregjimit barbar, si enfant prodige i vuajtjes, sakrifices, kurajos dhe qendreses njerezore, Sokol Olldashi me guximin, mençurine, shpirtin e tij te pamposhtur, do te hynte ne levizjen demokratike te viteve 90 dhe do te shkelqente si njeri prej yjeve me te shendriteshme te saj. Bashkeshortja, djemte, prinderit, miqte, te afermit e tu humben mbreme njeriun e tyre me te dashur, Partia Demokratike, demokratet dhe mbare shqiptaret humben njerin prej drejtuesve, personaliteteve me te vendosur dhe me te shquar te ketyre dy dekadave, humben njerin prej politikanëve me te talentuar, qeveritareve tane me te afte . Parlamenti shqiptar humbi oratorin me llogjike te kristalte, ligjberesin e zote, avokatin e zjarrte te qytetareve dhe interesit te tyre. Publicistika, studiot, arenat e debateve nuk do te kene me yllin e tyre te paperseritshem. Kurse une nuk do te kem më jo vetem nje mik te çmuar por dhe njerin prej bashkepunetoreve me te afert, me te afte, me te guximeshem te jetes sime politike.

I dashur Sokol, sot dhimbja ne zemrat tona eshte me rende se guri, zija me e zeze se nata, me e zeze se ajo kthesa qe te zuri prite dhe vitin e dyte te rinise se burrit te çoi tinezisht miku yne i dashur ne banesen e perjetesise. Ora qe une po shkruaj keto pak fjale ka kaluar kater e mengjesit dhe te them te verteten syte ne ndonje cast dhe me njomen dhe lëpehen dhe ne ndonje fjale germat edhe me zbehen, por une te siguroj se keto jane vetem çaste. Ne nuk mund vajtojme dhe kurre nuk do te vajtojme per ty. Ti je dhe do mbetesh perjete i gjalle midis nesh. Ti jeton ne krenarine,ne frymezimin, vizionin, guximin tone. Ti jeton ne zemrat e te rijnjve qe ngrije peshe, ne shkrimet e tua perla te publicistekes sone, ne fjalimet, debatet, batutat e tua te paperseriteshme, jeton ne vepra qe kane ndryshuar kete vend pergjithmone.

Miku une, ne me kitaren tende, tingujt e saj melodioze gjithnje do kendojme dhe festojme se bashku ty, vepren tuaj te pavdekshme, vepren tone. Po Koli, prehu i qete ,me deshiren e Zotit ne paqen e merituar. Lamtumire mik i dashur, lamtumire Sokol, ti perjet je midis nesh. I lehte qofte mbi ty, dheu i tokes sone!! sb

Qeveria: Zi kombëtare flamujt në gjysëm shtizë

olldashiQeveria me një vendim të posaçëm ka shpallur ditën e enjte, ditë zie kombëtare në nderim të deputetit Sokol Olldashi. Nga të gjitha institucionet publike flamuri do të ulet në gjysëm shtizë dhe shpenzimet e ceremonisë merren përsipër nga institucioni organizator i ceremonialeve.

VENDIM I KËSHILLIT MINISTRAVE

SHPALLET  DITË ZIE KOMBËTARE NË DERIM TË TË NDJERIT, SOKOL OLLDASHI, DEPUTET DHE POLITIKAN I SHQUAR 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, dhe të  pikë s 8, të kreut VII, të ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë, të miratuar me vendimin nr.229, datë 23.4.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I: 

1.     Shpalljen ditë zie kombëtare, ditën e enjte, datë 21.11.2013, në nderim të të ndjerit, Sokol Olldashi, deputet dhe politikan i shquar.

2.     Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtize.

3.     Ceremonia e homazheve organizohet ditën e enjte, datë 21.11.2013, nga ora 11.00 deri në orën 14.00, në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

4.     Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga institucioni organizator i ceremonialit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Humb jetën në aksident Sokol Olldashi

olldashiDeputeti i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi ka humbur jetën në një aksident rrugor në aksin Tiranë-Elbasan. Ministria e Brendshme ka konfirmuar se është trupi i Olldashit ai i cili është gjetur në makinë. Mësohet se fytyra e deputeti të ndjerë është e shpërfytyruar, por identifikimi është bërë nga mjetet e identifikimit të gjetura në makinë.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 21:20, tek vendi i quajtur lapidari i Krrabës”. Automjeti me të cilin po udhëtonte ish-ministrit të Transportit ka dalë nga rruga dhe për pasojë 40-vjeçari, i cili ishte në timon ka humbur jetën.

Në vendngjarje kanë shkuar bashkëshortja e zotit Olldashi, ish-kryeministri Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deputeti Taulant Balla si dhe një sërë deputetë të tjerë.

SOKOL OLLDASHI
Sokol Olldashi ka lindur më 17 dhjetor 1972 në Durrës. Deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë dhe ish Ministër i Punëve Publike dhe Transportit në qeverinë shqiptare. Shkollimin e mesëm e ka kryer në vendlindje ndërsa studimet e larta për drejtësi i kreu më 1995 dhe në vitin 2004 në Kolegjin e Mbrojtjes, pranë Komandës së Doktrinave.

Që nga koha e studimeve fillon të punojë si gazetar në Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe bëhet kryeredaktor i televizionit ATN pastaj zgjidhet në krye të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, dhe në vitin 2001, zgjidhet deputet në Parlament.]Në vitin 2007, mer postin e Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit në qeverinë e Shqipërisë.  I martuar dhe ka dy fëmijë.

Veprimtaria profesionale

Nëntor 1999 – Qershor 2001 Kryeredaktor në televizionin ATN1

Tetor 1995 – Nëntor 1999 Zëvendëskryeredaktor për politikën në gazetën “Albania”

Tetor 1994 – Janar 1996 Reporter pranë Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH)

Veprimtaria politike

Anëtar i Partisë Demokratike, dega Durrës, që në dhjetor 1990

Anëtar i mbledhjes themeluese të FRPD-së

Maj 2002 – Shtator 2007, Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD)

Maj 2005 – Maj 2009 Kryetar i Partisë Demokratike të Tiranës

Anëtar i Kryesisë së PD-së që nga viti 2002

Qershor 2001 – Maj 2005, Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, (lista shumëemërore)

2005 – 2007 Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, zgjedhur në zonën elektorale 26, Durrës

2009 – 2013 Deputet i Qarkut Fier

2013 Deputet i Qarkut Fier