Naço: Komisioni i Venecias asistencë për reformat në drejtësi

Nasip-NacoMinistri i Drejtësisë, Nasip Naço gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, mësohet të ketë zhvilluar një takim me Presidentin e Komisionit të Venecias, Buquicchio. Gjatë këtij takimi Ministri Naço ka kërkuar asistencën e Komisionit të Venecias për reformën në Drejtësi.

Presidenti i Komisionit të Venecias është treguar i gatshëm ndaj kërkesës për asistencë, duke deklaruar se ftesa  është e mirëpritur dhe se Komisioni i Vencecias është i gatshëm të ofrojë ndihmë.

Ministrja e Integrimit Evropian Klajda Gjosha, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe Ministri i Drejtësisë Nasip Naço janë nisur drejt Brukselit dje, për një vizitë tepër të rëndësishme zyrtare në funksion të përpjekjeve të Shqipërisë për integrimin e vendit në BE.

 

Ja harta e rrugëve të vdekjes

harta e rrugeve te vdekjesAksi ku humbi jetën në aksident automoblisitik deputeti Sokol Olldashi është i identifikuar nga autoritetet si një ndër zonat me rrezik të lartë ose thënë ndryshe si një ndër vendet ku ndodhin më shpesh aksidente, ashtu siç edhe në qindra njolla të tjera ku humbasin jetën në aksidente shtetasit shqiptare.

Por kjo është vetëm një nga njollat e zeza sic quhen në gjuhën teknike, dhe që kështu emërtohet cdo pikë ku ndodhin të paktën tre aksidente në vit.

Harta e rrjetit rrugor në të cilat ndodhin më shpesh aksidente me pasojë vdekjen apo dëmtimin e rëndë të përdoruesve të rrugës prej vitesh vijon të zgjerohet me njollat e zeza ku automjetet përplasen me shpesh duke shkaktuar viktima, kryesisht përgjatë akseve nacionale e më pak ato rurale.

Njollat e kuqe në hartë janë pikat tradicionale ku vijohet të ketë jetë të humbura, ndërkohë që njollat blu dhe jeshile janë krahasimi me vendburimet e aksidenteve në vite.

Shkaqet e këtyre aksidenteve janë nga më të ndryshmet, që nga tejkalimi i shpejtësisë, rrugët në ndertim, mungesa e sinjalistikës, pakujdesia njerëzore që shoqërohet me problematikën e rrugëve.

Në ditët në vijim Top Channel do të sjellë për cdo aks problematikën e tij të shoqëruar me pikat më të nxehta të aksidenteve dhe me shkaqet se përse ndodhin shumica e këtyre aksidenteve.

Një ndër vendet më problematikë është Autostrada Tiranë-Durrës ka 39 njolla të zeza ose thënë ndryshme të rrezikshme për shkak se në secilën prej tyre brenda një viti kanë ndodhur të paktën tre aksidente.

Të tilla janë Mbikalimi Flakës, Mbikalimi i Sukthit,  Koxhas, Mbikalimi i Kasharit, Mbikalimi i Kashar-Bërxullit, Vora dhe segmenti rrugor përballë QTU njihen si akse të rrezikshme për shkak të aksidenteve të shumta. E po ashtu segmentet e rrugës Fushe-Krujë – Thumanë, Lezhë – Shkodër, aksi Lezhë – Milot në kryeqëzimin e Milotit, superstrada Lezhë – Shkodër në Dajç dhe Kryebushat dhe Harku i Bërdicës.

Në Kukës,  aksi Kukës-Morinë dhe segmenti i Rrugës së Kombit Kalimash-Kukës ku në aksin e ri rrugor janë evidentuar një numër aksidentesh me pasoja të rënda për shkak të dëmtimit të elementeve mbrojtës të trafikndarësit dhe dëmtimit të sinjalistikës vezulluese për natën.

Në segmentin Durrës-Rrogozhinë njihen si të rrezikshme njolla në Vorrozinë, kryqëzimi Ballutaj. Në segmentin Lushnje-Rrogozhinë në vendin e quajtur Zhame. Gjithashtu si njollë më e re është futur së fundmi edhe aksi Elbasan-Peqin në vendin e quajtur “Ura e Madhe” e ku vetëm tre ditë më parë humbën jetën katër persona.

Në Fier janë më të rrezikshme tre kryqezime në nivel, ai në Savër, Pushimi i Shoferit dhe në Rrapës ku janë regjistruar një numër i lartë viktimash.

Nga Fieri drejt Vlorës shënohet si i rrezikshëm segmenti Fier-Levan e po ashtu kryqezimet në aksin e ri Levan-Poçem-Tepelenë. Në jug-lindje të vendit kemi njolla të rrezikshme në Dishnicë-Devoll si dhe aksi Korçë-Ersekë./TCH/

SHBA, përkujtohet Presidenti Kenedi flamujt në gjysëm shtizë

kenediPresidenti Barak Obama ka dhënë urdhër që flamujt në të gjithë Amerikën të ngrihen sot në gjysmë shtizë në nderim të Presidentit John Kennedy të vrarë 50 vjet më parë.
Obama e cilësoi pararendësin e tij një shembull i jashtëzakonshëm i “udhëheqësit në shërbim të publikut”, i cili gëzonte vizion të gjerë dhe idealizëm të peshuar.
Obama vuri një kurorë në varrin e Presidentit Kennedy, i cili prehet në Varrezat Kombëtare pranë Uashingtonit.
Këmbanat e kishave do të bien në Dallas të Teksasit, ku Presidenti Kennedy u qëllua për vdekje. Po ashtu do të mbahen momente heshtjeje dhe historiani i njohur David McCullough do të lexojë pasazhe nga fjalimet e zotit Kennedy. Presidenti kishte afro 1000 ditë në Shtëpinë e Bardhë dhe ishte 46-vjeç kur u qëllua për vdekje gjatë udhëtimit me një makinë të hapur përmes Dallasit, gjatë një vizite për fushatë në prag të konkurrimit për mandatin e dytë./zëri i amerikës/

“Armët”, analistët amerikanë: Refuzimi, një shans i humbur. SHBA, shpresa të forta tek Shqipëria

analistet amerikanePas vorbullës së ngjarjeve të javës së kaluar që u mbyll me refuzimin e Shqipërisë për të lejuar territorin dhe burimet e saj të përdoreshin për çmontimin e armëve kimike siriane, një nga pyetjet që u shtrua ishte nëse kjo do të ndikonte tek marrëdhëniet dypalëshe me Shtetet e Bashkuara. Por më pak u fol se ç’do të thoshte për Shqipërinë që të kishte mundësinë të bashkëpunonte për zgjidhjen e një problemi të mprehtë kombëtar. Ish-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Kurt Volker dhe ish-zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ian Brzezinski analizojnë mënyrën se si u menaxhua procesi, dhe a do ta kishin tejkaluar përfitimet e një përgjigjeje pozitive, vlerën e vendimit kundër – shkruan Zeri i Amerikes.

Dy ish-zyrtarët e lartë amerikanë, nuk e mohojnë se hezitimi i publikut ishte i kuptueshëm duke pasur parasysh se bëhej fjalë për armë kimike, se edhe vende të tjera refuzuan, si edhe kujtimet e ngjarjeve të tilla si ajo e shpërthimit të Gërdecit. Megjithatë, thotë Kurt Volker, aktualisht Drejtor Ekzekutiv i Institutit McCain, kjo ishte një mundësi për Shqipërinë…

“…Për të dhënë kontribut për zgjidhjen e një problemi shumë serioz ndërkombëtar siç është pyetja se ç’duhet bërë me këto armë kimike ekzistuese dhe që Siria ka shprehur vullnetin që t’i dorëzojë. Me një ndihmë ndërkombëtare, Shqipëria mund të kishte dhënë një kontribut serioz për çmontimin e tyre”, thotë zoti Volker.

Kurse Ian Brzezinski, ekspert i sigurisë në Këshilllin e Atlantikut, mendon se për Shqipërinë refuzimi ishte një shans i humbur

“Është një shans i humbur sepse një vend si Shqipëria nuk e ka çdo ditë rastin që të thellojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj në mënyrë të konsiderueshme me një vend si Shtetet e Bashkuara. Nëse do që të gëzosh më shumë fryte nga një marrëdhenie, duhet të kontribuosh më shumë”, thotë ai

Volker thotë se Uashingtoni do të kishte punuar hap pas hapi me Shqipërinë në një proces të mundshëm.“Shtetet e Bashkuara ishin të gatshme të ndërmerrnin disa hapa për të mbështetur Shqipërinë në procesin e menaxhimit dhe shkatërrimit të këtyre armëve, përfshirë një element financiar, një përpjekje për ta ndihmuar Shqipërinë me çështje të tjera spastrimesh lëndësh të mbetura nga periudha e komunizmit”, thotë zoti Volker.

Për zotin Brzezinski, djalli është gjithmonë tek detajet.

“Por po të vija vetem në pozitën e Tiranës, unë mund të kisha thënë: Ne jemi të prirur ta bëjmë një gjë të tillë, por do ta bënim me kushtin që të kemi siguri se këto materiale do të menaxhohen në mënyrë të sigurt dhe pa rrezik, që të ketë masa të fuqishme dhe të shprehura qartë sigurie dhe së dyti do të ishim të interesuar që të dinim: nëse ne e bëjmë këtë për Shtetet e Bashkuara dhe komunitetin ndërkombëtar, çfarë tjetër mund të bëhet për të thelluar marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë?”

Ideja e tij është se Shqipëria duhet ta kishte përdorur një proces të tillë për të forcuar pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare dhe në axhendën e hartuesve të politikane në qarqet më të larta në Uashington. Kjo për arsyen se siç e tregoi edhe intensiteti i kontakteve të Uashingtonit me kryeministrin e Shqipërisë, përfshirë tre telefonatat nga Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, çështja e shkatërrimit të këtyre armëve është përparësi për administratën e Presidentit Obama.

Duke u nisur edhe nga përvoja e tij në Departamentin e Shtetit, zoti  Volker nënvizon se Sekretari Kerry nuk mund të telefonojë çdo ministër të jashtëm apo kryeministër për çdo çështje të caktuar.
“Kur Sekretari i Shtetit merr përsipër të angazhohet personalisht me një çështje që ai mendon se duhet zgjidhur – në këtë rast eliminimin e armëve kimike – atëherë ai do të bëjnë gjithçka që mendon se duhet bërë në përpjekje për ta çuar përpara një proces të tillë”.

Për zotin Volker, fakti që kryeministri Edi Rama nuk foli më parë me publikun për këtë çështje mund të ketë të bëjë me faktin se jo që në fillim ishte e sigurt se Shqipërisë do t’i kërkohej ky bashkëpunim dhe diskutimi u bë më urgjent pasi disa vende të tjera refuzuan. Ai thotë se i takonte qeverisë, kryeministrit të përcaktonte se çfarë mendonte ai që Shqipëria do të arrinte dhe se çfarë do të mbështeste. Po ashtu ai mendon se edhe qeveria amerikane duhet të kishte qenë më e kujdesshme.

Për zotin Brzezinki problemi qëndron diku tjetër. “Mendoj se si qeveria amerikane, ashtu edhe qeveria shqiptare mund ta kishin menaxhuar më mirë këtë çështje. Është e qartë se bërja e njohur për publikun e kësaj çështjeje nuk u bë në mënyrën më të mirë”.

Të dy ekspertët thonë se gjithmonë ekziston një rrezik nga menaxhimi i armëve dhe lëndëve kimike, por zoti Brzezinski sqaron se eiliminimi i tyre është bërë në shumë raste më parë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shqiptarët duhet ta kishin dëgjuar një gjë të tillë.

Arvizu: Trishtim për ikjen nga kjo jetë të Olldashit

aleksander-arvizuAmbasadori i SHBA-ve në Tiranë Aleksandër Arvizu nëpërmjet një deklarate shpreh trishtimin e tij, për ikjen nga kjo jetë të deputetit Sokol Olldashi dhe i shpreh gjithashtu ngushëllimet familjes, miqve dhe mbështetësve të tij.

Mesazhi i Ambasadorit Arvizu:

“U trishtova shumë kur mora vesh se Sokoli ndërroi jetë.  Kam qenë me fat që pata mundësinë ta njihja gjatë kohës sime në Shqipëri, dhe do ta kujtoj gjithnjë si dikë që e donte shumë Shqipërinë dhe dëshironte që ta bënte vendin e tij një vend më të mirë, për të gjithë.

Kur e takova për drekë disa javë më parë, më tregoi sa shumë e shijonte mundësinë për të kaluar më shumë kohë me familjen e tij.  Më tregoi për planet që kishte për të vizituar Shtetet e Bashkuara në pranverë dhe unë i thashë se do e prisja me kënaqësi takimin me të në anën tjetër të Atlantikut. Mendimet dhe lutjet e mia më të ndjera dhe të kolegëve të mi të Ambasadës Amerikane janë me familjen, miqtë dhe mbështetësit e tij në këtë kohë të vështirë.”

Jahjaga takim me zv. ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Hoyt Yee

jahjaga dhe zv sek shtetit amerikanPresidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, është takuar sot me zv. ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Hoyt Yee. Jahjaga dhe Yee biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë, procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, atë të integrimeve evropiane për gjithë rajonin e Ballkanit dhe konsolidimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Jahjaga, duke i uruar mirëseardhje zëvendës ndihmës sekretarit të ri të shtetit të SHBA-së, vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera me SHBA-në në të gjitha fushat dhe theksoi rëndësinë e përkrahjes së SHBA-së për zhvillimet demokratike në Kosovë. Ajo tha se vazhdimi i pranisë së SHBA-së në Kosovë dhe në rajon është e një rëndësie të veçantë për të ardhmen e vendit dhe për paqen e stabilitetin në gjithë rajonin e Evropës Juglindore.

Duke vlerësuar intensitetin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të rajonit të Evropës Juglindore në vitet e fundit, presidentja Jahjaga tha se hapa të rëndësishëm në këtë rrafsh janë bërë posaçërisht me dialogun e zhvilluar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që është lehtësuar nga BE-ja, njofton kumtesa nga Presidenca.

Presidentja Jahjaga theksoi se prania e SHBA-së në procesin e dialogut, përkrah lehtësuesit të tij në këtë rast BE-së, si dhe në të gjitha proceset e tjera për Kosovën është e domosdoshme.

Zëvendës ndihmës sekretari i shtetit i SHBA-së, Hoyt Yee, ndërkaq vlerësoi të arriturat e Kosovës dhe tha se SHBA-ja do të vazhdojë ta ndihmojë atë në proceset nëpër të cilat po kalon, dhe vlerësoi se Kosova duhet të vazhdojë të punojë në demokratizimin e vendit dhe të thellojë reformat e saj të brendshme. Ai tha se SHBA do që të shoh Kosovën dhe gjithë rajonin e Ballkanit pjesë të BE-së.

Shpiket karta speciale SIM për muslimanët

sim card islamicVendet me dendësinë më të madhe të popullsisë muslimane gjenden në Afrikë dhe Azi. Në këto kontinente po rritet shpejt edhe tregu i telefonisë mobile. Sipas raportit të fundit të zhvillimit të Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU), më shumë se gjysma e kontratave të telefonit celular në botë janë në Azi. Por shumica e celularëve që përdoren në Azi dhe Afrikë nuk janë të smartphone moderne, por modele të lira të brezit të vjetër të telefonave celularë.

“Islamic SIM” e inixhinierit grek Yiannis Hatzopoulos nga Selaniku u vjen në ndihmë atyre që pratikojnë besimin mysliman për kryerjen e detyrave të tyre fetare – pavarësisht nëse kanë një smartphone ose një telefon model i vjetër.

0,,17223723_403,00Yiannis Hatzopoulos

“Përdoruesit mund të përcaktojnë me anë të telefonit se nga është drejtimi i Mekës për t’u falur. Po ashtu përmes melodive të caktuara atyre u tërqihet vëmendja pesë herë në ditë që ka ardhur koha e faljes dhe për kohën e faljes celulari kalon automatikisht në heshtje”, numëron inxhinieri grek tiparet më të rëndësishme të SIM-kartës së re. Yiannis Hatzopoulos punon me kompaninë daneze Bluefish Technologies, që është e njohur si prodhuese kartash SIM në mbarë botën.

I përshtatshëm edhe për celularët e lirë

Funksione të veçanta në celularë për myslimanët besimtarë nuk janë në thelb ndonjë ide e re – por zakonisht ato janë për përdoruesit e smartphonëve modernë. “Tipari unik i Islamic SIM është se ai mund të përdoret edhe për telefonat celularë të vjetër. Ky është një avantazh ndaj kartave të tjera SIM ose Appseve,” thotë islamologia Elif Elma nga firma Islamic Consulting në Mannheim. Ajo mendon se kjo kartë SIM do të përhapet tek myslimanët në tërë botën. Sidomos për shkak të karakteristikave të tilla si kalimi automatik në statusin e heshtjes kur është koha e faljeve: “Kjo cilësi do të pëlqehet shumë prej imamëve, sepse ata shpesh ankohen se gjatë lutjeve tingëllojnë telefonat celularë”, thotë Elif Elma.

0,,17223733_403,00Ndoshta do të duhen vite derisa rrjeti i nevojshme për smartphone do të zgjerohet në të gjitha vendet me popullatë shumicë myslimane, thotë Yannis Hatzopoulos. Dhe deri atëherë kërkesat për modele të vjetra celularësh do të jenë ende të larta.

Ideja për kartën SIM islame i kishte lindur në vitin 2009, kur ishte në Kongresin Botëror të Celularëve në Barcelonë, kujton inxhinier grek. Në atë kohë, kompania LG prezantoi një telefon celular me karakteristika të veçanta për myslimanët.

Sugjerime për funksione të tjera

Mujtaba Ahmed, i cili punon në Dubai si një inxhinier shitjesh, lexoi për herë të parë në internet për “Islamic SIM” të inxhinierit grek. Produkti e bindi: “Ka aty-këtu karta SIM me funksione të dobishme për muslimanët , por në Indi apo Dubai nuk ka asnjë të krahasueshme me “Islamic SIM”, thotë ai në bisedë DW. Mujtaba Ahmed është mysliman praktikues nga Indisa dhe ka edhe propozime për zgjerimin e funksioneve ekzistuese: “Gjatë Ramazanit, telefoni celular mund t’i informojë përdoruesit në lidhje me fillimin dhe mbarimin e kohës së agjërimit”.

Projekti tjetër i Yannis Hatzopoulos është që t’i lidhë funksionet kryesore të “Islamic-SIM” me rrjetin social Facebook “për të arritur edhe myslimanë të rinj.”/dw/

Vajza që u përfol se u vra bashkë me Olldashin, reagon në FB

armindaIsh-zëdhënësja e Sokol Olldashit, Arminda Qylafku, ka reaguar në rrjetin social “Facebook”, ku ka konfirmuar se ajo është gjallë, pas sot disa media bënë me dije se ajo kishte humbur jetën dje bashkë me deputetin e PD-së.

Qylafku është një nga emrat më të përfolur orët e fundit si personi i dytë në makinë me Sokol Olldashin. Ajo ka reaguar në “Facebook”, duke ngushëlluar familjen dhe miqtë për këtë humbjet të rëndë.

“Miku im i dashur, nuk e besoj që ti nuk je më mes nesh. U prefsh ne paqe!”, shkruan ajo.

Qylafku ka punuar si zëdhënëse pranë Olldashit në kohën kur ishte ministër, ndërkohë që ka qenë bashkëpunëtorja e tij gjatë periudhës kur Olldashi garoi për kreun e Partisë Demokratike.

Qylafku ka vendosur një shenjë zie në faqen e saj në “Facebook”. E kontaktuar me telefon, ajo thotë se ka qenë në mbrëmje në morgun e Tiranës bashkë me ekipin e ministrisë dhe se ka qenë në shtëpinë e saj gjatë kohës kur ndodhi ngjarja e rëndë.

Ana e panjohur e Sokol Olldashit

sokol olldashi1Ish-studenti i juridikut do të zgjidhte gazetarinë, për disa vite rresht pranë ATN1-it dhe ATSH-së, ndërsa për shkaqe të “angazhimit emocional”, vendosi në vitin 2000 ti futej pak e nga pak politikës, si gazetar, e paralelisht si nënkryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Sipas Sokolit gazetar, “i paanshëm nuk kishte qenë kurrë, ndërsa i pavarur po”. U luhat kështu një copë herë, midis artikujve dhe ndjenjave, ndërsa ngeli përfundimisht në politikë, dhe si dihet deri kur…

Kush ka qenë kumbari dhe pse pikërisht një emër shqiptar…Sokol?!

Vëllai im i madh, Ardiani, i cili duke qenë se kur linda unë ka qenë vetëm katër vjeç, por nuk besoj se ka menduar kaq thellë sa pyesni ju. E vetmja gjë që mund të them është se mua më pëlqen ky emër. Më pëlqejnë emrat shqiptarë, dhe të tillë u kam vënë edhe djemve të mij. I madhi quhet Glauk dhe i dyti Kleit, të dy emra me prejardhje ilire.

Shumë njerëz thonë për ju që nuk para qeshni!

Është perceptim i gabuar. Kushdo që më njeh sadopak, e di që unë vetëm “i sertë” nuk jam. Aq më pak përpiqem të tregohem autoritar me njerëzit. Nuk besoj se autoriteti buron nga të qenit harbut. Unë natyrisht që qesh, por kur ka diçka për të qeshur. Nuk qesh dot kot, dhe as nuk shtirem dot sikur qesh. Nëse ky është faj…

Një ditë me fëmijët në familjen e “babi Sokolit”?

Përpiqem që me fëmijët e mi të kem marrëdhënie shokësh, veçanërisht me djalin e madh, Glaukun. Shfrytëzoj sadopak kohë për të luajtur me ta. Nuk i gënjej kurrë dhe kjo më kushton kohë, sepse herë pas here ata arrijnë të më shkëpusin premtime që më pas, më duhet t’i mbaj. Pra, i ndjek cdo ditë ata. Lexoj cdo ditë fletoren e komunikimit që ne kemi vendosur me mësuesen e djalit të madh Glauk, që është në klasë të parë, dhe dëgjoj çdo ditë “relacionin” e djalit të vogël, Kleit, për ato çka ka mësuar në kopsht.

A i keni bërë pyetje (apo e keni kuptuar) fillimisht gruas tuaj, Enkelejdës, se çfarë bindje politike kishte ajo?

Nuk ka qenë e vështirë të kuptoj bindjet e saj, por gjëja që kam vlerësuar më shumë është se ajo është një njeri i drejtë dhe me principe të forta. Kam vlerësuar gjithnjë edhe mirëkuptimin e saj për jetën time, që është gjithnjë shumë e ngarkuar.

A merrni shpesh herë reagime nga kundërshtarët apo admiruesit, të panjohurit në rrugë, apo qoftë edhe në lagjen tuaj?…

Unë jam njeri që lëviz shpesh i pashoqëruar dhe kjo më bën që të kem kontakte të shpeshta në rrugë edhe me njerëz që nuk i njoh. Kanë opinione të ndryshme, mendime të ndryshme. Ndodh që kanë edhe vërejtje. Në të gjitha rastet i dëgjoj me vëmendje dhe përpiqem të shpjegoj pozicionet. Është gjithnjë një eksperiencë e këndshme. Madje, edhe në rastet kur është e lodhshme…

Mos vallë suksesi tuaj në Ministrinë e Brendshme ishte tepër i madh, ndërsa nuk u mjaftuat me këtë por vijuat me një sfidë tjetër, – atë të Bashkisë së Tiranës? Jeni një person që nuk kënaqet kurrë dhe kërkon “vetëm perfekten”?

Unë nuk kërkoj perfeksion dhe as mendoj se jam i tillë. Jam njeri si të tjerët, me cilësitë e mia, por edhe me veset e mia. Besoj tek e mundshmja dhe kjo më bën njeri optimist. Për sa i përket detyrës së Ministrit të Brendshëm, është e vërtetë që pata rezultate mjaft të mira, por jo surprizë. Kam besuar se ishin rezultate të arritshme, që ditën e parë që z. Berisha më ofroi atë funksion në kabinetin e tij. Në të njëjtën mënyrë, besoj se Tirana është një qytet me të ardhme, që është një qendër që pavarësisht dëmeve që i janë bërë, mund të përmirësohet, për t’u bërë një shtëpi harmonike për të gjithë banorët e saj.

A e ndiqni sportin dhe kush ekip ju pëlqen!? A ju bashkohet ndonjë politikan tjetër?

Ndjek sa herë kam mundësi ndeshjet e futbollit. Jam tifoz me Italinë dhe me Juven. Ndeshjet e botërorit i ndoqa në shtëpinë e zëvendës-ambasadorit Italian, ndërsa ndeshjet e Juves i shoh gjithnjë vetëm. Shkoj ndonjëherë në stadium të shoh Tiranën me Bamir Topin, që është edhe presidenti i Tiranës.

Keni urrejtje dhe pëlqime në këtë jetë?

Nuk ka asgjë që urrej, kurse lista e gjërave që më pëlqejnë është aq e madhe sa do të më duheshin ditë t’i shkruaja. Për shembull, më pëlqejnë jashtëzakonisht udhëtimet me makinë. Tri vitet e fundit pushimet e mia janë një udhëtim i gjatë me familjen, pa asnjë plan dhe pa asnjë prenotim. Ndalojmë aty ku lodhemi, hamë aty ku na merr uria dhe flemë aty ku na zë nata. Është metodë shumë e mirë për të parë ato pjesë që rutina e përditshme nuk të lë t’i shijosh. Urrej avionët dhe të gjendurit në lartësi.

I ruan ende lidhjet me shokët e fëmijërisë…apo tashmë politika nuk ua lejon qoftë edhe një kafe miqësore me ta? A janë bërë disa prej tyre politikanë, ashtu si edhe ju?!

I ruaj lidhjet me të gjithë shokët e mi të fëmijërisë, ndonëse disa prej tyre jetojnë që nga viti 1991 jashtë Shqipërisë. Komunikoj rregullisht në telefon apo e-mail me ta. Përsa i përket atyre që gjenden këtu, takohem rregullisht dhe këshillohem rregullisht. Asnjë prej tyre nuk merret me politikë, kështu që unë përfitoj nga ky fakt që të këshillohem nga ata, si njerëz që e shohin politikën nga larg.

Në qoftë se nuk do të përfshiheshit në politikë, në çfarë pozicioni social do të ishit sot? Mos ndoshta do të zgjidhnit midis gazetarit apo avokatit? 

Besoj se do të vazhdoja të isha gazetar. Është një profesion që më pëlqen. Për më tepër diferenca mes gazetarisë politike dhe vetë politikës, nuk është shumë e madhe. /Marrë nga ATSH/

Rama: Keqardhje therëse për këtë ikje tragjike

rama-te olldashi

Kreu i qeverisë Edi Rama ka postuar në faqen e tij zyrtare në FB një mesazh ngushëllimi për deputetin Sokol Olldashi.

Mesazhi i Kryeministrit Rama:

“U PREHTE NE PAQE

S’kam pasur rastin ta takoj asnjëherë dhe pse dy herë e kam pasur përballë, drejtëpërdrejtë si kundërshtar. Një herë si hetues parlamentar dhe një herë si kandidat për Tiranën. Në distancë i çmoja shumë qysh në krye të herës hazërxhevapin prej mistreci brilant. Akull dhe shpuzë. Ndër të paktat debate televizive që ndiqja me dëshirë qenë ato kur në anën tjetër përballë të mive, ishte Sokol Olldashi. Në një ditë si kjo është zakon të thuhen me tepri fjalë të mira, por unë kam veç këto pak fjalë të ndjera në respekt të kujtimit të tij siç e kam. Ashtu siç kam brenda meje qysh mbrëmë, një keqardhje therëse për ikjen e tij kaq tragjikisht nga jeta dhe nga skena e luftës politike – ku mesa duket la një boshllëk të rëndësishëm për aq shumë njerëz sa u vunë sot në radhë, pa dallim, për t’i thënë me dhimbje sinqerisht lamtumirë.”