Gjenevë, gjashtë të mëdhenjtë “nënshtrojnë” Iranin

63

European Union foreign policy chief Catherine Ashton delivers a statement during a ceremony at the United Nations in GenevaPërfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe sigurinë, Catherine Ashton, deklaroi se në bisedimet e Gjenevës është arritur marrëveshja ndërmjet fuqive udhëheqëse botërore dhe Iranit, lidhur me programin e kontestuar atomik të këtij vendi.

Nuk janë publikuar detaje të marrëveshjes, e cila është arritur sot herët në mëngjes në Gjenevë të Zvicrës.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, e ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes në rrjetin social “Twitter”.

“Po, kemi arritur një marrëveshje”, -shkruan në Twitter, kryediplomati iranian.

Grupi “P5+1”, i përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Rusia, Kina dhe Gjermania, i kanë ofruar Iranit zbutje të kufizuar të sanksioneve ndërkombëtare, në këmbim pezullimin e disa aspekteve të programit të tij bërthamor.

Bisedimet në Gjenevë, që kanë filluar para 5 ditësh, kishin ngecur për shkak të këmbënguljes së Iranit, se çfarëdo marrëveshje që arrihet duhet ta njohë të “drejtën” e këtij vendi për pasurimin e uraniumit.

Nga ana tjetër, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, ka deklaruar se nëse Irani nuk i përmbahet angazhimeve të tij brenda gjashtë muajve, Kombet e Bashkuara do ta tërheqin paktën e lehtësimeve dhe do të rrisin presionin.

“Reuters” ka bërë publike deklaratën e një diplomati perëndimor, i cili ka preferuar të mbetet anonim, që thotë se Irani ka mundësi të fitojë 4,2 miliardë dollarë pas ndalesës së programit nuklear.