Dhunohet kambisti, i grabiten 20 mijë $ dhe 20 mln lekë

policia-e-tiranesNjë kambist ka rënë pre e grabitësve mbrëmjen e sotme në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur si “Kodra e Diellit”, rreth orës 17:30, ku shtetasi Gazmir Goga pretendon se i janë vjedhur 20 mijë dollarë dhe 20 milionë lekë. Ende nuk është konfirmuar nëse i është vjedhur vërtet kjo shumë, por deri më tani ky është pretendimi i kambistit Goga. Ai është dhunuar fizikisht, nga dy persona, në hyrje të pallatit të tij, i njohur si pallati “Vapor”. Forcat e policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe po hetojnë. Po punohet për identifikimin e dy grabitësve si dhe për arrestimin e tyre.

KLSH kallëzim penal dy ish-kryeinspektorëve të INUK-ut

klshklshKontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës për dy ish-kryeinspektorë të INUK-ut, pasi akuzohen për shpërdorim detyre. Gjatë auditimit të realizuar tek INUK, KLSH ka konstatuar një sërë shkeljesh tek dy ish-kryeinspektorët  të cilët kanë drejtuar këtë institucion në vitet 2010-2012.

Si pasojë, KLSH ka kallëzuar në prokurori dy ish-kryeinspektorët me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi kanë penguar prishjen e ndërtimeve pa leje.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 562/1, datë 24.06.2013 të ushtruar në Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar,Tiranë, për periudhën 2010-2012, ka konstatuar një sërë shkeljesh si pasojë e të cilave ka çuar në prokurorinë e rrethit Tiranë për kallëzim penal, dy ish-kryeinspektorë të këtij institucioni, që e kanë drejtuar atë në vitet 2010 deri në 2012-ën, me akuzën e shpërdorimit të detyrës për:

Moszbatim të ligjit në evidentimin, pengimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, si dhe mosadministrimin e vlerave materiale (automjetet e karburant) sipas kërkesave ligjore.

Moszbatim të afateve ligjore në procedurat për vjeljen e gjobave me vlerë 99,653 mijë lekë, në kundërshtim me ligjin nr. 10279, datë 20.05.2010 “Për kundërvajtjet administrative”, ligjin nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për inspektimin e ndërtimit” i ndryshuar dhe VKM nr. 862, datë 5.12.2007 “Për unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit nga inspektorati ndërtimor urbanistik kombëtar e ai vendor” .

Mosevidentim me procesverbale ekzekutimi të vendimeve të prishjes së objekteve pa leje ndërtimi dhe për mos evidentimin e shpenzimeve për prishjen e objekteve në ngarkim të subjektit kundërvajtës në 136 raste, në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për inspektimin e ndërtimit”, i ndryshuar, me ligjin nr. 10323 datë 23.9.2010, neni 5, germa “ë” dhe VKM nr. 862, datë 5.12.2007 “Për unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit nga inspektorati ndërtimor e urbanistik kombëtar e ai vendor”, pika 14.

Veprime dhe mosveprime e kryera në kundërshtim me ligjin nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për Inspektimin e Ndërtimit” i ndryshuar dhe akteve nënligjore në zbatim të tij për 11 raste të ankesave nga qytetarë të ndryshëm.

Mosndjekjen e procedurave ligjore në rastet e sekuestrimit të mjeteve dhe makinerive të subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë e shfrytëzimit të materialeve inerte lumore, vendime sekuestrimi dhe nuk ka dokumentuar me procesverbal ose me fletë dalje dorëzimin e këtyre mjeteve, subjektit që i janë sekuestruar.

Mosndjekjen e procedurave ligjore pas marrjes së vendimeve për masën e “Pezullimit të punimeve ndërtimore” ndaj subjekteve të konstatuara me shkelje ligjore në 26 raste, në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për inspektimin e ndërtimit” i ndryshuar, si dhe VKM nr. 862 “Për unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit nga inspektorati ndërtimor e urbanistik kombëtar e ai vendor” .

Sekuestrimi i mjeteve, nuk është shoqëruar me masa të tjera administrative si heqje e licencës profesionale e personale të shoqërisë pranë organit përkatës, në kundërshtim me ligjin nr. 10279, datë 20.05.2010 “Për kundërvajtjet administrative” dhe ligjin nr. 8093, datë 21.03.1996 “Për rezervat ujore” i ndryshuar.

Konsumim të karburantit më tepër se normativat e konsumit për 8065 litra karburant me vlerë 1,346,855 lekë dëm ekonomik dhe nuk ka asnjë dokumentacion ekonomiko financiar mbi përdorimin e tij.

Dhënien e autorizimeve për daljet e karburantit nga magazina për punonjës që nuk kanë pasur në përdorim mjetet e institucionit, si dhe mosndjekjen e konsumit të karburantit për distancat ndërmjet qyteteve, në kundërshtim urdhrin e MPPTT nr. 125, datë 26.12.2011 të “Për distancat ndërmjet qyteteve”.”- bëhet me dije nga KLSH.

Gjithashtu, i është kërkuar kryeinspektorit të INUK-ut fillimi i procedurave administrative e ligjore për dhënien e masave disiplinore largim nga detyra për 7 punonjës të këtij institucioni.

KLSH i ka kërkuar kryeinspektorit të INUK-ut që të fillojë procedurat administrative dhe ligjore. Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar INUK-ut që të merren masa disiplinore edhe për 7 punonjës si dhe masa për largim nga puna për 7 punonjës të tjerë të INUK. Ndërkohë KLSH ka bërë kallëzim penal edhe për drejtorët e ALUIZNI-t në Vlorë dhe Lezhë.

Shalsi: Imami hapi rrugën

shalsiHapi i parë i qeverisë për të çuar në prokurori abuzimet e paraardhësve të tyre duke nisur me ish-ministrin e Mbrojtjes, Arben imami do të pasohet edhe me kallëzime të tjera.

Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, personi që denoncoi në vitin 2012, të gjitha shkeljet e dikasterit të Mbrojtjes me spotet publicitare, thotë në një intervistë për “A1 Report”, se ky është vetëm fillimi.

 “Transparenca e plotë mbi atë që ka ndodhur në atë ministri, por jo vetëm, është një përgjegjësi e jona dhe ne na takon që tashmë të materializojmë të gjitha denoncimet që i kemi bërë në të kaluarën;  edhe historia e karburantit është një histori që deputetët e PS-së kanë ngritur gjatë fushatës. Sigurisht, në prokurori do të shkojnë të gjithë ato akuza që do të kenë material të saktë për këto do të qëndroni në kontakt me qeverinë. Historia do të vazhdojë”

Deputeti i PS-së i cilëson si dëshpëruese të gjitha deklaratat e deritanishme të eksponentëve të PD-së përfshirë protagonistin kryesor, ish-ministrin Imami.

“Arrogant në qeverisje, fatkeqësisht arrogant edhe në opozitë sepse zoti Imami kishte mundësi në të kaluarën ka mundësi dhe tani të tregojë me fakte e shifra nëse qëndrojnë apo jo denoncimet tona. Fatkeqësisht opozita e sotme është katandisur në disa zëra që në fakt duhej të ishin llogaridhënës para shqiptarëve. Këto imazhe e fundosin PD-në- thotë Shalsi.

 Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Mbrojtjes depozitoi në prokurori kallëzimin penal për ish ministrin imami, për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe pabarazisë në tenderë. Në dosje u bashkëngjitën vendimet e komisionit për dhënien e 1.2 milionë dollar për spote televizive një kompanie të dyshimtë sipas akuzës, fonde të cilat më pas në masën 70% i kanë kaluar vetëm një grupi mediatik. Vetë Imami, e ka quajtur hakmarrje politike kallëzimin e penal duke hedhur poshtë shkeljet për të cilat akuzohet.

Gallatasaraji i prish ëndrrën Juventusit

Galatasaray_sGallatasaraji i ka dhënë fund ëndrrës së Juventusit për të fituar Champions League-n. Ekipit turk i kanë mjaftuar më pak se 60 minuta për të shënuar një gol që i siguron kualifikimin për në fazën 1/16.

Ndeshja e parashikuar për t’u luajtur mbrëmë u ndërpre në minutën e 32’ për shkak të reshjeve të dendura të dëborës që bëri të pa mundur vazhdimin e lojës. Pjesa e mbetur e minutave u luajt sot në orën 14:00.

Goli vendimtar i ndeshjes u shënua nga Shnajder, pesë minuta nga fundi i takimit. Ekipi i Roberto Mançinit dominojë takimit edhe pse ishte parashikuar një mision gati i pamundur kualifikimi i tyre për më tej në Champions.

Pas përfundimit të kësaj ndeshjeje, që ishte e fundit për Grupin B, Gallatasaraji ka zënë vendin e dytë me 7 pikë, pas Real Madrid me 16 pikë. Ndërsa Juventus mbeti me 6 pikë, kurse grupi mbyllet me Kopenhagenin me 4 pikë.

Uruguai i thotë po marijuanës

mariuana1Uruguai është bërë vendi i parë në botë, i cili ka legalizuar kultivimin, shitjen dhe konsumin e marijuanës. Ligji i lejon qytetarët që mund ta shesin dhe ta konsumojnë marijhuanën .

Senati pas 12 orë debati votoi në favor të legjislacionit të qeverisë, që paraqet një eksperiment fillestar, i cili do të ndiqet nga afër edhe nga shtetet e tjera në kuadër të debatit për legalizimin.

Ligji e përckton qartë se, konsumatorët mund të blejnë maksimumi 40 gramë marijuhanë çdo muaj nga farmacitë e licencuara, nëse ata janë shtetas të Uruguait dhe janë të regjistruar në listën e qeverisë, e cila e vëzhgon porosinë mujore. Kur, marrëveshja të implementohet brenda 120 ditëve, banorët në Uruguai do të mund të kultivojnë sasi të caktuar të marijhuanës në shtëpitë e tyre.

Qeveria shpreson në këtë mënyrë të luftojë kartelat e drogës. Gjatë prezantimit të projekt-ligjit, Roberto Conde, tha se ky vendim ishte i pashmangshëm, vendi ka dështuar në luftën kundër drogës.

Por shumë senatorë, gjithashtu u shprehën kundër këtij projekt-ligji, i cili u miratua me 16 vota pro dhe 13 kundër ditën e djeshme.

Anëtari i opozitës, Alfredo Solari, tha se qeveria e Uruguait nuk duhet të eksperimentojë me popullin e tij.  Por tashmë ligji u miratua dhe përdoruesit marijhuanës do të duhet të regjistrohen për të blerë drogë.

Vëllezërit Çollaku u masakruan para vrasjes

djemt“Plumbat i kishin marrë pas trupit. Ishin vrarë pas shpine. Dy policët grekë duhet të merren në pyetje lidhur me këtë ngjarje. Djemtë shkuan të gjuanin peshk për të nxjerrë bukën e gojës, dhe për të mbajtur frymën gjallë se jemi 8 veta në një dhomë. Jam infermiere dhe kam punuar tërë jetën me ndershmëri. Erdhën këta të policisë dhe më kontrolluan shtëpinë. Ata më kontrollonin shtëpinë dhe unë nuk e dija që ata kanë vdekur. Ku i ke djemtë?- më thanë, dhe kontrollonin shtëpinë. Po çfarë trafikantësh? Djemtë e mi peshk gjuanin, dhe nëse ata kryenin gjueti të paligjshme të futeshin në burg, por jo të mi sillnin të vrarë. Të paktën do dilnin gjallë prej andej”. Ky është rrëfimi tronditës i nënës së Melsi dhe Klevis Çollakut të cilët u vranë në mënyrë misterioze nga policia greke. E ndërsa familja dhe të afërm nuk pranojnë të varrosin viktimat gjersa një grup ekspertësh tanë të kryejnë autopsinë, Policia e Shtetit nuk jep asnjë detaj në lidhje me atë çfarë vërtet ka ndodhur në mesnatën e së shtunës në afërsi të Liqenit të Prespës. Një ekspertë mjeko- ligjor, një ekspert kriminalist dhe dy oficerë të policisë gjyqësore kanë mbërritur në familjen Çollaku paraditen e djeshme dhe kanë kryer autopsinë, ndërsa ndaj policisë familjarët e viktimave kanë lëshuar akuza të forta publike, po aq sa edhe për policinë greke që sipas tyre i kanë masakruar dhe më pas i kanë vrarë dy vëllezërit. Autopsia brenda ambienteve të shtëpisë ka zgjatur për rreth një orë e gjysmë, ndërsa me trupat e pa jetë, të lënë lakuriq dhe të masakruar në arkivole, daja i dy djemve mësohet se ka tërhequr edhe raportin mjeko-ligjor të ekspertëve grekë. Ky i fundit do të shërbejë për të kryer edhe krahasimet mes autopsive, ndërsa pas varrimit, fshati ka bllokuar në shenjë proteste për heshtjen e shtetit edhe rrugën nacionale.

Reagimet për vrasjen

“Kërkojmë urgjent të zbardhet e vërteta. Shteti të mos heshtë. Djemtë nuk ishin trafikantë, u vranë pabesisht nga policia greke. Njeri ka 5 plumba, tjetri ka 3 dhe trupat ishin të goditur e të masakruar. I sollën lakuriq me gjak e plagë të hapura. Djalin e madh e ka goditur me qytën e automatikut në gjoks, i kanë thyer brinjët, krahun e ka të thyer. Poshtë i kanë bërë pleh, i kanë torturuar. Pastaj i kanë qëlluar me plumba dhe i kanë vrarë. Plagët i kanë nga pas shpine, që do të thotë se janë vrarë nga pas”. Kështu është shprehur një prej personave që ka asistuar në tërheqjen e trupave të dy vëllezërve, duke hedhur edhe idenë se djemtë ishin ekzekutuar pasi ishin masakruar. Madje të afërm të familjes së viktimave kanë shkuar edhe më tej kur kanë akuzuar policinë greke se edhe punonjësi i policisë greke është vrarë prej tyre ndërsa ata mohojnë në mënyrë kategorike që djemtë të kishin patur armë me vete. Gjithashtu familjarët dyshojnë se edhe skena në të cilën është vendosur ndodhia e asaj mesnate është sajuar nga policët grekë. Kështu pas autopsisë nga ana e ekspertëve tanë dy djemve të familjes Çollaku iu është dhënë lamtumira, ndërkohë që burimet nga policia dhe prokuroria e Korçës nuk bëjnë të ditur asnjë lloj detaji në lidhje me konstatimin e vdekjes së dy vëllezërve nga fshati Lyec, trupat e pajetë të të cilëve u tërhoqën mëngjesin e së hënës në Kapshticë. Ndonëse për vrasjen e tyre ende nuk ka një qëndrim zyrtar nga ana e autoriteteve tona, vrasja e punonjësit të policisë greke ka sjellë në Follorinë ministrin e Brendshëm grek, ndërsa ekspertë të hetimit janë rikthyer në vendin e ngjarjes, pasi media vendase ka hedhur hije dyshimi në lidhje me armën që policia pretendon që kanë patur dy shqiptarët.

 

Studimi francez: Në Shqipëri lindin më shumë djem

bebeNë vendin tonë vitet e fundit lindin më shumë djem sesa vajza. Këto rezultate i ka nxjerrë një studim në Francë, i cili ka konstatuar një ndryshim të konsiderueshëm në numrin e vajzave dhe djemve të lindur në Kaukaz dhe Ballkan. Raporti thekson se në disa pjesë të këtyre rajoneve evidentohen raste të shumta të aborteve selektive.

Sipas studimit të Institutit Kombëtar për Studime Demografike në Francë, abortet selektive të gjinisë janë shtuar në Kaukaz dhe Ballkan, prej fillimit të viteve ’90.

Sipas studimit, shkalla e gjinisë në vendet e Kaukazit Jugor, në Armeni, Azerbajxhan dhe Gjeorgji, dhe në pjesë të Ballkanit, e veçanërisht në Shqipëri, është rritur ndërmjet 110 – 117 djem në 100 vajza.

Në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi, kjo shkallë është më pak e theksuar, pasi ajo ka arritur nivelin 110-111 djem në 100 vajza.

“Këmbëngulja në vlerat patriarkale tradicionale mbetet në zemër të preferencës për lindje të meshkujve në këto rajone”, – thuhet në studimin e institutit francez.

Vritet roja i pikës valutore, grabitësit e ekzekutuan për 45 mijë lekë

policia...Tentativa për të mbrojtur objektin të cilin e kishte në përgjegjësi për ta ruajtur i ka kushtuar jetën një 50-vjeçari në Fier. Shtetasi Petrit Saliaj, roje në një pikë të këmbimit valutor, u gjet sot i vdekur nga forca të policisë në qendër të qytetit, pranë xhamisë.

Sipas policisë së Fierit, 50-vjeçari është vrarë me mjete të forta nga disa grabitës, të cilët kanë grabitur gjatë natës dhe pikën valutore të cilën ai e ruante. Dyshohet se roja i ka ndjekur grabitësit deri në qendër të qytetit, ku ata e kanë masakruar me mjete të forta dhe thika.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e identitetit dhe kapjen e autorëve të vrasjes së Saliaj, njëkohësisht dhe të grabitjes së pikës së këmbimit valutor.

Ndërkohë, ekspertët e policisë kanë gjetur dy thika në një kosh mbeturinash pranë vendit ku u gjet trupi i 50-vjeçarit, të cilat dyshohet se mund të jenë përdorur për vrasjen e tij.

OSBE: Transparencë me ligjet, konsultim dhe gjithëpërfshirje para votimit në Kuvend

wiltonOSBE këkron më shumë vendosmëri nga Kuvendi për përfshirjen e qytetarëve, organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve të pavarura në diskutimin e projektligjeve para se ato të kalojnë për votim. Zevendesambasadori i OSBE-së, Wilton gjatë tryezës së sotme ne prani te nënkryetarit te Kuvendit Dule, ministrit te Shtetit Ilirjan Celibashi dhe te tjereve te ftuar tha se adresimi i këtyre çështjeve do të mundësonte një konsultim më transparent dhe gjithëpërfshirës, duke e përfshirë shoqërinë civile dhe partnerët sociale, duke rritur besimin e publikut në hartimin e legjislacionit.

“Jemi mirënjohës për përkushtimin e Kuvendit për forcimin e marrëdhënieve me OSBE. Jam mirënjohës që kemi sot këtu si shenjë të përkushtimit të qeverisë së re, zotin Ilirjan Celibashi, është një shenjë e fortë që kemi një Ministër për marrëdhëniet me parlamentin. Gëzohem që keni këtë përkushtim ndaj institucioneve. Projekti jonë për forcimin e marrëdhënieve të parlamentit dhe shoqërisë civile është financuar nga Ambasada gjermane në Tiranë. Gjermania mbështet fuqimisht Shqipërinë dhe OSBE. Projekti adreson marrëdhënien e thjeshtë në zëmrën e demokracisë, marrëdhënien mes votuesve dhe përfaqësuesit për të cilin hedhin votën. Në shekuj njerëzit kanë vuajtur për të krijuar këtë lidhje, kjo është një vlerë thelbësore e OSBE dhe mbetemi të vendosur që ta ndihmojmë atë këtu në mënyrë të plotë dhe të qëndrueshme.Ne jemi të vendosur të ndihmojmë Shqipërinë, projekti urë është pjesë e marrëdhenies sonë afatgjatë me Kuvendin e Shqipërisë. Qeveria dhe Kuvendi po zgjasin duart drejt njëri tjetrit, po nuk kanë arritur aq sa duhet, ne jemi të vendosur që të dy anët të krijojnë një urë lidhëse. Nuk ka rregulla shumë të qartë të konsultimit publik, projektligjet jo gjithmonë janë debatuar, s’ka pasur konsultime te mjaftueshme publike, apo kohën e duhur për shqyrtimin nga deputetet”- tha ai.

Në cilësinë e nënkryetarit të Kuvendit, Vangjel Dule, tha se përfshirja e shoqërisë civile në proçesin legjislativ sidomos në periudhën e diskutimit të projektligjeve përbën snjë obligim madhor për Kuvendin, i cili ka marrë përsipër që ta përmbushë sipas standardeve të kërkuara bashkëkohore.

“Përfshirja e shoqërisë civile në proçesin legjislativ sidomos në periudhën e diskutimit të projektligjeve përbën sot një obligim madhor për Kuvendin, i cili ka marrë përsipër që ta përmbushë sipas standardeve të kërkuara bashkëkohore. Pavarësisht se siç përmendet edhe në studimin e paraqitur nga grupi i punës nevojiten proçedura të qarta për të orintuar jo vetëm publikun por dhe vetë deputetët dhe stafin e Kuvendit. Më lejoni të vlerësoj mbështetjen e OSBE në funksion të përmirësimit të pjesmarrjes së publikut në veprimtaritë e Kuvendit të Shqipërisë. Aplikimi dhe vënia në efiçensë e teknologjisë së informacionit dhe komunikimi në Kuvend do të përmirësonte proçesin legjislativ dhe do lehtësonte aksesin në këtë proçes, duke rritur tranparencën dhe efektivitetin në çdo fazë të këtij proçesi. Po kështu do përmirësonte komunikimin e Kuvendit me median, duke ia lehtësuar kësaj të fundit aksesin me median, po kështu do të ishte i rëndësishëm edhe në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe europian me marrjen e ekspertizës” tha Dule.

Ndërkaq përfaqësuesi i qeverisë,Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi, tha se Qeveria është e angazhuar të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë faktorët politikë dhe socialë në proçesin e ligjbërjes. Qëlllimi final, theksoi Celibashi, është që duke reflektuar kontributin e shoqërisë civile dhe institucioneve të pavarura në proçesin ligjbërës të ndërtojmë një legjislacion profesional të shëndetshëm juridikisht dhe mbi të gjitha jetëgjatë.

“Me caktimin e një Ministri shteti për të kuruar marrëdhëniet me parlamentin, qeveria ka treguar një vullnet për të pasur cilësisht ndryshe raportin që pushteti ekzekutiv do të duhet dhe ka nga pikëpamja kushtetuese por dhe më gjerë me pushtetin legjislativ. Sikurse përmendet dhe në raport-progresin e fundit të BE, veprimtaria e e Kuvendit ka ardhur duke u përmirësuar dhe kam bindjen se do vazhdojë edhe në të ardhmen. Vërehet gjithashtu përparim lidhur me organizimin e proçedimeve të parlamentit, përmirësim në konsultimet publike në proçesin legjislativ si dhe fuqizimin e kapaciteteve administrative të këtij proçesi. Caktimi i një Ministri shteti të posaçëm për marrëdhëniet me Kuvendin nga qeveria merr vlerë edhe më shumë nëse marrim në konsideratë edhe një nga konkluzionet e raport-progresit që aktivitetit administrativ i Kuvendit mbetet akoma për tu përmirësuar, sidomos në kuadër të përfshirjes së diskutimit të projektligjeve me grupet e interesit dhe shoqërinë civile. Qeveria është e angazhuar të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë faktorët politikë dhe socialë në proçosin e ligjbërjes. Kemi reflektuar kundrejt çdo kërkesë të bërë nga deputetët e Kuvendit për informacion nga Ministri të ndryshme, gjithashtu kemi nxitur pjemarrjen e menjëhershme të Ministrave në dëgjesat në komisione të ndryshme. Nja fakt tjetër është dhe përcaktimi dhe vënia në afatet minimale të mundshme kohore të proçedurave të intepelancave, dëgjesave, thirrjeve që kanë të bëjnë me Ministrat përfshirë dhe Kryeministrin. Ne duam të sjellim një standard të ri. Nuk mund të lë pa përmendur angazhimin e qeverisë për bashkëpunim me institucionet e pavarura dhe ato kushtetuese. Jam personalisht i angazhuar që ky raport të mos shihet vetëm si mekanizëm për të reaklizuar inciativa legjislative , por një raport bashkëpunimi për një ndarje dhe balancim real të pushteteve. Qëlllimi ynë final është që duke reflektuar kontributin e shoqërisë civile dhe institucioneve të pavarura në proçesin ligjbërës do arrijmë të ndërtojmë një legjislacion profesional të shëndetshëm juridikisht dhe mbi të gjitha jetëgjatë” deklaroi Celibashi.

Shqipëria anëtare e Europol-it, firmoset marrëveshja në Hagë

tahiriNënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit strategjik dhe operacional midis Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës së Policisë Europiane (Europol). Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi kanë zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Selinë e Europolit, në Hagë të Holandës, ku me këtë rast është firmosur edhe marrëveshja e bashkëpunimit.

Me këtë marrëveshje marrëdhëniet e bashkëpunimit ndërmjet Europolit dhe Republikës së Shqipërisë do të ngrihen në një nivel të rëndësishëm duke mbështetur Shtetet Anëtare të Bashkimit Europian në përballjen e tyre me format më të rënda të krimit të organizuar, si dhe duke u radhitur në krah të Vendeve Anëtare të Bashkimit Europian drejt rrugës së integrimit të plotë e të sigurtë.Marrëveshja me Europol e afron edhe më shumë Shqipërinë me vendet e BE.

Marrëveshja e nënshkruar sot parashikon një sërë zhvillimesh pozitive për Policinë e Shtetit, por edhe agjencitë e tjera ligjzbatuese në vend. Kështu:

• Për nga mënyra dhe përmbajtja e këtij bashkëpunimi, Republika e Shqipërisë afrohet më tepër me Europolin, vendet e Bashkimit Europian dhe vetë Bashkimin Europian, duke bashkëpunuar sipas standardeve evropiane të BE-së.
• Rritet besueshmëria e punës së agjencive ligjzbatuese përkatëse.
• Bashkëpunimi dhe kontributi i Republikës së Shqipërisë me vendet e Bashkimit Europian dhe me agjencitë ligjzbatuese të Bashkimit Europian do të forcojë më tej luftën kundër krimit të organizuar duke garantuar rendin publik dhe në respektimin e të drejtave themelore të qytetarëve në fushën e lirisë, sigurisë dhe të drejtësisë.

Qëllimi i kësaj Marrëveshje bazohet në platformën dhe në vullnetin e përbashkët të palëve për të luftuar format e rënda të krimit të organizuar siç janë ato që kanë të bëjnë me:

• Trafikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike;
• Aktivitetet e paligjshme të pastrimit të parave;
• Trafikimin e qenieve njerëzore;
• Trafikimin e mjeteve motorike;
• Tregtimin e paligjshëm të organeve dhe indeve njerëzore;
• Trafikimin e paligjshëm në vlerat kulturore, duke përfshirë veprat antike dhe veprat e artit;
• Shantazhin dhe shfrytëzimin;
• Falsifikimin e parave dhe të mënyrave të pagesave;
• Krimin kompjuterik;
si dhe me forma të tjera të krimit, të përmendura në marrëveshje.

Gjatë takimeve zyrtare që ka zhvilluar në Hagë, Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ka garantuar zyrtarët e lartë të Europol për angazhimin dhe përkushtimin maksimal të Qeverisë Shqiptare dhe Policisë së Shtetit në luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe terrorizmit.

Sipas tij rezultatet e dy muajve të fundit janë një tregues i qartë i këtij angazhimi si dhe vlerësimit që u ka bërë Qeveria Shqiptare çështjeve të shtetit ligjor në përputhje me standardet e vendeve të Bashkimit Europian.

Drejtori i Europolit, Rob Wainwright, theksoi përparimin në drejtim të bashkëpunimit midis autoriteteve shqiptare dhe policisë së BE-së.

“Përmes nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ne konfirmojmë angazhimin tonë të përbashkët dhe solidaritet në luftën kundër krimit të organizuar dhe të gjitha format e veprimtarisë terroriste , ” tha Wainwright.