PD: Kryeministri nxjerr në shesh administratën që ta duartrokasin

vorspiPartia Demokratike, nëpërmjet zëdhënëses Laura Vorpsi ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, për presion ndaj administratës publike. Vorpsi tha se, kryeministri i ka detyruar punonjësit e administratës të marrin pjesë në një miting që do të zhvillojë ai sot pasdite.

“Kryeministri Edi Rama ka thirrur sot një miting me administratën publike, ndërkohë që qindra e mijëra punonjës janë urdhëruar nga shefat e tyre që të  jenë prezent. Kundër vullnetit të tyre, nëpunësit do të jenë të detyruar të duartrokasin sot Kryeministrin pas orarit zyrtar të punës, sepse shefit të madh i nevojiten ovacione në krye të 100 ditëve me bilancin më të dështuar në historinë e qeverive shqiptare.  Ka qenë përbetuar Edi Rama se asnjëherë nuk do të detyronte administratën që ta ndiqte atë pas, por sot shefat e ministrive e të institucioneve të  tjera kanë bërë gati në mënyrë ushtarake listat e pjesëmarrjes, listat e  duartrokitjeve të sforcuara”, theksoi zëdhënësja e PD-së.

“Kryeministri Rama e bën këtë takim me administratën, teksa ka qenë për  më shumë se 3 muaj në krye të operacionit të spastrimit të nëpunësve civilë  e profesionistëve, e zëvendësimit të tyre me militantë të pagdhendur, si   shpërblim për fushatën elektorale.  Kryeministri Edi Rama bën takim me administratën, pasi ka larguar mijëra   specialistë, zonjë e zotërinj të përkushtuar në detyrë, dhe i ka zëvendësuar ata   me duartrokitësit e orës 5.  Sot administrata ka nevojë për ligjshmëri, për forcim të kapaciteteve, për  stabilitet. Këtë kërkon integrimi evropian dhe partnerët tanë. Mitingjet qeveritare, demagogjia për të fshehur terrorin mbi nëpunësit civil, dhe farsat e konkurseve që sjellin në drejtim të arsimit drejtuesit e partisë socialiste, janë e kundërta e nevojave të vendit”, tha Vorpsi.

Thaçi dhe Daçiç, takimi i 20-të në Bruksel nën praninë e Ashton

thaçi daçiç- ashtonBrukseli ka mbledhur sërish dy Kryeministrat Thaçi dhe Daçiç në prezencën e Shefes së Diplomacisë Europiane Ketrin Ashton, në kuadrin e dialogut mbi Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Ky do të jetë po ashtu takimi i fundit për këtë vit, por cilësohet nga më të rëndësishmit, sidomos për Serbinë, meqë nga rrjedha e tij do të varet vendimi që do të marrë Këshilli i Evropës rreth datës së fillimit të negociatave për asocimin e saj në Bashkimin Europian.

Siç është paralajmëruar, temë e këtij takimi do të jetë gjyqësori, çështja e fundit e pazgjidhur, siç cilësohet në Bruksel –për zbatimin e Marrëveshjes mbi normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, e arritur para gati tetë muajsh në Bruksel midis dy kryeministrave, transmeton Koha njoftimet.

Të enjten e shkuar midis Thaçit e Daçiç në Bruksel u harmonizuan pikëpamjet rreth policisë, por mbeti gjyqësori.

Zëdhënësja e Ketrin Ashton, Maja Kocijançiç, njoftoi se temë bisede në këtë takim do të jetë gjyqësori, ndërsa qëllimi është përparimi sa më i madh në prag të raportit të përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Ketrin Ashton para Këshillit të Ministrave që vendosin për datën e fillimit të negociatave për asocimin e Serbisë  në  Bashkimin Evropian. Do të bisedohet për të gjitha çështjet e hapura që lidhen me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, një ndër të cilat është gjyqësori”, është shprehur Kocijançiç.

Ndërsa Prishtina është shprehur e vendosur që selia e gjykatës të jetën në pjesën jugore të Mitrovicës me degët në komunat në pjesën veriore,  Beogradi kërkon që selia të jetë në veri dhe e veçantë nga gjykata në jug, siç e cilëson edhe Beogradi – të qytetit të ndarë.

Nga rrjedha e këtij takimi do të varet në fakt nëse hapen negociatat për asocimin e Serbisë në dhjetor, apo në janar, siç kërkojnë Britania e Madhe e Gjermania, duke e lidhur shtyrjen me marrëveshjen rreth gjyqësorit.

Ekzekutohet xhaxhai i udhëheqësit koreano-verior Kim

xhaxhai i KimKoreja e Veriut ka ekzekutuar Jang Song Thaek, xhaxhain e udhëheqësit Kim Jong Un, i cili deri kohët e fundit ishte personi numër dy në këtë vend komunist dhe konsiderohej si një ndër këshilltarët kryesorë të zotit Kim.

Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve – burimi zyrtar i lajmeve në Korenë e Veriut,  thotë se Jang u ekzekutua dje pasi u shpall fajtor nga një gjykatë speciale ushtarake. Po sipas njoftimit të agjencisë, Jang, i cili u arrestua të dielën, akuzohej për korrupsion, imoralitet, alkoolizëm dhe marrje droge.

Artikulli i agjencisë së lajmeve e cilëson si “tradhtar i kombit, i cili infiltroi fraksione anti-parti, anti-revolucionare në përpjekje për të rrëzuar nga pushteti udhëheqjen e partisë dhe shtetit”. Po ashtu artikulli i referohet atij me termin “fundërrinë njerëzore” dhe “më i ulët se një qen”.

Jang u mënjanua nga poste me influencë vite më parë, kur për një periudhë të gjatë u zhduk nga skena politike, por më pas u kthye në një post të rëndësishëm para tranzicionit të pushtetit.

Nuk ka njoftime mbi fatin e bashkëshortes së tij, Kim Kyong Hui,  e cila është halla e diktatorit Kim Jong Un dhe motra e vogël e ish-udhëheqësit Kim Jong Il.  Ajo shihej si person shumë me influencë mbi nipin e saj, pas vdekjes së të vëllait dy vjet më parë.

Departamenti i Shtetit tha se ishte e pamundur të konfirmohej njoftimi për ekzekutimin e zotit Jang. Por zëdhënësja Marie Harf shtoi se nuk ka arsye të vihet në dyshim njoftimi dhe nëse vërtetohet, ky është një shembull tjetër i “brutalitetit ekstrem” të regjimit koreano-verior.

Eksploziv automjetit të Perfektit të Vlorës para Kryeministrisë

kryeministria

(Perditësuar) Ministria e Brendshme ka njoftuar se sot, më datë 13.12.2013, rreth orës 09:30 automjeti tip “Peugeot” me targa “TR 5066 N”, në pronësi të shtetasit Besnik Dervishi, me detyrë prefekt i Vlorës, është drejtuar për të hyrë në mjediset e selisë së Kryeministrisë. Nga kontrolli i specializuar i ushtruar nga efektivat e Gardës në hyrje të zonës së brendshme të Kryeministrisë, është konstatuar se në pjesën e poshtme të automjetit ishte vendosur një objekt i dyshuar si sasi eksplozivi.

Oficerët e Gardës së Republikës i kërkuan drejtuesit dhe pasagjerit të automjetit, të largoheshin nga mjeti si dhe bënë bllokimin e lëvizjes së mjeteve në hyrje të Kryeministrisë. Menjëherë janë njoftuar shërbimet e specializuara të Policisë së Shtetit dhe Njësia Antieksploziv e repartit RENEA si dhe Prokuroria për Krimet e Rënda. Policia ka urdhëruar dhe ka marrë masa të menjëhershme për evakuimin e të gjithë personave rreth vendit të ngjarjes duke siguruar edhe perimetrin e nevojshëm për kryerjen e veprimeve nga ana e ekspertëve antieksploziv.

Nga veprimet e kryera nga njësia antieksploziv dhe nga këqyrja e detajuar e automjetit është vërtetuar se në mjet ishte vendosur një sasi prej më shumë se 200 gram eksploziv C4, me të cilën ishin lidhur dy kapsolla detonatore dhe një celular. Njësia antieksploziv në Policinë e Shtetit ka marrë të gjitha masat, duke bërë neutralizimin e sasisë së eksplozivit.

Grupit hetimor po vazhdon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarje.

 

 

PE miraton rezolutën për Shqipërinë

PE / fotoalbaniaplusParlamenti Europian votoi rezolutën për Shqipërinë, në të cilën thuhet se “Këshilli duhet ta bëjë Shqipërinë zyrtarisht kandidate për anëtarësimin në BE, pa vonesë”.

“Po dërgojmë një mesazh unanim ndaj Këshillit: Shqipëria meriton t’i jepet statusi kandidat. Avancoi axhendën e reformave dhe ka arritur një nivel të ri të pjekurisë politike përmes kalimit të duhur të pushtetit në paqe pas zgjedhjeve të qershorit”, shprehet menjëherë pas votimit në një njoftim për shtyp raportuesi Nikola Vuljaniç.

Rezoluta e Parlamentit Europian vlerëson se partitë politike dhe shoqëria shqiptare duhet të përmirësojnë frymën e dialogut dhe kompromisit. Në të vërehet se korrupsioni dhe pandëshkueshmëria janë mbizotëruese dhe nënvizohet nevoja për refomat e sundimit të ligjit, luftës ndaj krimit të organizuar, korrupsionit të të gjitha niveleve, trafikut të drogës, armëve dhe qënieve njerëzore.
“Një sistem drejtësie plotësisht i pavarur, efiçent, i drejtë dhe më shumë i parashikueshëm do të mund të kthente besimin e qytetarëve dhe biznesit ndaj gjyqësorit”, sipas eurodeputetëve. Në rezolutë kërkohet ndaj autoriteteve shqiptare që të merren me zbatimin e varfër të ligjit dhe ekonominë e gjerë informale, me politikat sociale dhe punësimin dhe të krijojnë një administratë të fortë publike. /tch/

Kodheli-Imamit: Hipe në tank të rrëzosh Berishën dhe zbrite për t’iu gjunjëzuar atij

mimi-kodheliSeanca parlamentare e ditës së sotme u hap me debate të shkaktuara nga akuzat penale, mbi ish Ministrin e Mbrojtjes Arben Imami. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, tha sot në seancën parlamentare se padia e ngritur ndaj paraardhësit të saj nuk ka asgjë personale, por është ngritur mbi abuzimet e konstatuara në institucionin që Imami ka drejtuar katër vitet e fundit. Kodheli u shpreh se gropa financiare në Ministrinë e Mbrojtjes është shumë herë më e madhe se mendohej. Kodheli tha se Imami reflekton frikë në deklaratat e tij, për shkak të abuzimeve.

“Zotëria merret me mua apo me Edi Ramën, duke marrë rolin e një njeriu që sulmohet si kundërshtar politik. Ai thotë se e ka bërë për sulme personale, zotëria as nuk e imagjinon dot se marrëdhënia ime me kryeministrin nuk ka qenë as është një marrëdhënie pronar-qira, siç e ka në partinë e tij. Edhe mua, edhe Edi Ramën na urdhëron ligji. Ne vendimet i marrim në unitet dhe mbi bazën e vlerave dhe parimeve që nuk bën vaki të shkelen. Nuk ka nevojë të jesh psikolog për të parë frikën e ish-ministrit në çdo rresht të deklaratave të tij, sepse më mirë se kushdo ai e di se çfarë zullumi apo zullumesh mund të ketë bërë. Një fjalë të fundit ish-ministrit: Ju garantoj se nuk është personale. Ju mund të merreni seriozisht për atë që keni bërë në Ministrinë e Mbrojtjes. Sa për politikën e keni humbur shansin për t’u marrë me të qëkur hipët mbi tank për të rrëzuar Berishën, pastaj zbritët prej atje për t’u gjunjëzuar para tij”, tha Kodheli.

Ndërsa Imami në replikën e tij tha se nuk mund t’i besohet ekspertimit të kryer ndaj tij. Ai ripërsëriti akuzat për sulme personale ndaj tij, madje nuk i kurseu edhe fyerjet në drejtim të ministres.

“Zonja i ka bërë këto kontrolle me një grup ekspertësh, i cili nuk dihet se çfarë grupi është. Zbuloni çfarëdo që mund të zbuloni. Ajo që është e pafalshme është sulmi ndaj personit. Qëllimi i këtij sulmi është sulmi ndaj reputacionit dhe personalitetit të njeriut. Ju po veproni gabim. Ti ke ikur për 24 orë në vitin 1992 nga Postat Shqiptare për të mos u ballafaquar me drejtësinë. Sa për marrëdhëniet e tua me ish-kryetarin e Bashkisë, i dimë të gjithë, ku ai bërtiste nga PS: Mimi më mbaroi letra higjienike”, tha Imami.

Në debat u përfshi edhe ish-kryeministri Berisha, i cili akuzoi ministren se flet si zëdhënësja e kryeministrit. Berisha u shpreh se maxhoranca aktuale është më e dobëta në historinë e pluralizmit. “Nëse zëdhënësat e kryeministrit vijnë për të folur për veten e tyre, kjo është e rëndë. Për të folur për veten e tyre, ata i kanë të gjitha mundësitë, por të mblidhet parlamenti për ligjin dhe të dalë zëdhënësja e Edvin Ramës këtu e të flasë për veten e vet, ky është një turp. Kjo qeveri nuk e ka sensin e ligjit, se i ka zëvendësuar ato me mashtrime. Nuk jeni të zotët të bëni ligje. Jeni ekipi më i dobët në historinë e pluralizmit shqiptar. Kemi 4 muaj që vijmë këtu dhe nuk na vjen një ligj. Se keni qenë ministra e kryeministra, keni 25 vjet në parlament”, tha ai.

 

Bushati në Luksemburg, konfirmohet mbështetja për statusin

bushati Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, zhvilloi një vizitë pune në Luksemburg, në kuadër të vizitave që po zhvillon në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Kryediplomati shqiptar zhvilloi disa takime në Komisionin e Çështjeve Evropiane të Parlamentit, si dhe u prit nga Ministri i Punëve të Jashtme të Luksemburgut, Jean Asselborn.

Bushati uroi homologun e tij për Qeverinë e Re të Luksemburgut dhe shprehu vlerësimin për marrëdhëniet e mira dypalëshe dhe mbështetjen që ky vend ka dhënë për Shqipërinë në rrugëtimin evropian.

Nga ana tjetër, Asselborn theksoi mbështetjen e Luksemburgut, si vend themelues i BE, për procesin e integrimit të Shqipërisë, në kuadër të vendimmarrjes mbi dhënien e statusit të vendit kandidat gjatë javës që vjen.

 

Meta takim me homologun Maqedonas, Veljanoski: Faktori shqiptar urë solide bashkëpunimi

meta homologu maqedonasKryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Trajko Veljanoski ka mbërritur në Tiranë në kuadrin e vizitës dy ditore me ftesë të Kreut të Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta.

Gjatë fjalës së tij, Meta,  theksoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, mbështetje për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit dhe respektim të të drejtave të pakicave maqedonase në vendin tonë.

“Faktori shqiptar atje është një urë solide bashkëpunimi mes nesh, mbështesim sovranitetin, integritetin e Maqedonisë dhe e vlerësojmë atë një vend shumë të rëndësishëm. Mbështesim dhe duam përshpejtimin e proceseve integruese të Maqedonisë, duam ta shohim anëtare të NATO-s dhe shumë shpejt të jemi së bashku anëtare në BE. Projekte të përbashkëta ekonomike dhe infrastrukturore si korridori 8, por edhe për prioritetet e axhendës evropiane sidomos në luftën kundër krimit”- tha Meta, duke theksuar mbështetje të plotë të zbatimit të plotë dhe efektiv të marrëveshjes së Ohrit.

Sipas Metës në qendër të vëmendjes do të jetë edhe respektimi i të drejtave të pakicave maqedonase tek ne, duke premtuar së shpejti edhe një vizitë në Pusnec.

Lobimi pro statusit, Gjosha në Danimarkë

gjosha2Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha në kuadrin e lobimit për marrjen e statusit të Shqipërisë si vend kandidat i Bashkimit Evropian, po zhvillon në Kopenhagen të Danimarkëq takime me zyrtarë të lartë të këtij shteti.

“Shefja e Integrimit pritet të ulet në bisedime me Ministrin e Ekonomisë Evropiane, z. Hekkrup. Në zyrën e kryeministrit, znj. Gjosha do të pritet nga Nënsekretari i Shtetit njëherësh Këshilltar për Politikat e Bashkimit Evropian, z.Carsten Grënbech-Jensen, si dhe në vijim të ditës, znj. Gjosha do të takohet me titullaren e Komitetit të Çështjeve Evropiane Daneze, znj. Eva Kjer”- njofton zyra per shtyp e ministrise se Integrimit.

Sipas ministrisë, kjo vizitë vjen pas përfundimit me sukses, të vizitës të saj, pjesë e delegacionit qeveritar, në Hagë, Hollandë ku u raportua për arritjet e deritshme të Shqipërisë në çuarjen përpara të proçesit të integrimit.

Meta-Gigou: Statusi për Shqipërinë, kontribut pozitiv për gjithë rajonin

ilir_meta_elisabeth_gigou_parisKryetari i Kuvendit Ilir Meta u takua ne përfundim të vizitës së tij zyrtare ne Paris me Kryetaren e Komisionit te Jashtëm znj. Elisabeth Gigou dhe me Kryetaren e Komisionit te Çështjeve Evropiane znj. Danielle Auroi ne Asamblenë Kombëtare te Francës. Gjate takimeve u nda bindja për marrëdhëniet e shkëlqyera politike qe ekzistojnë midis Francës dhe Shqipërisë dhe u shpreh vullneti i përbashkët për intensifikimin e shkëmbimeve ndër-parlamentare.

Kryetari i Kuvendit  Meta u shpreh se Shqipëria po kalon momente pozitive pas zgjedhjeve demokratike të qershorit, duke evidentuar përmirësimin e klimës se bashkëpunimit politik mes palëve, konsensusin e klasës politike për axhenden evropiane te vendit  dhe përfshirjen aktive të opozitës.

“Progresi i dukshëm i Shqipërisë, është reflektuar edhe ne Progres Raportin e fundit te Komisionit Evropian, i cili ka rekomanduar miratimin e statusit te vendit kandidat per Shqiperine”.
Kryetarja e Komisionit te Jashtëm znj. Elisabeth Gigou u shpreh se marrëdhëniet mes Francës dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera dhe se Shqipëria ka bërë progres të dukshëm, duke theksuar njëkohësisht se vendet anetare i marrin nen konsiderate rekomandimet e Komisionit Evropian. Ne këtë drejtim, znj. Gigou u shpreh se Franca i kushton vëmendje te veçantë përparimit të Shqipërisë në fushat e të drejtave të njeriut, forcimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si pika kyçe në përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Evropiane znj. Danielle Auroi, u shpreh se Franca e vlerëson largimin e Shqipërisë nga konfliktet politike te se kaluarës dhe krijimin e nje klime te re reformash dhe stabiliteti politik ne Parlament. Znj. Auroi shprehu mbështetjen e Francës për Dialogun e Nivelit te Larte mes Komisionit Evropian dhe Qeverise se Shqipërisë, duke nënvizuar se përmbushja e rekomandimeve te Komisionit, do te jete përcaktuese për fazat e ardhshme te procesit te integrimit evropian te Shqipërisë.

Gjate te dy takimeve, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta u shpreh se statusi i vendit kandidat për Shqipërinë do te jete nje kontribut pozitiv për te gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe ne këtë drejtim, Shqipëria e çmon shume përkrahjen e Francës dhe veçanërisht vëmendjen e Komisionit te Jashtëm dhe Komisionit te Çështjeve Evropiane ne Asamblenë Kombëtare, ne mbështetje te aspiratave evropiane te Shqipërisë dhe rajonit.