KLSH kallëzim penal dy ish-kryeinspektorëve të INUK-ut

41

klshklshKontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës për dy ish-kryeinspektorë të INUK-ut, pasi akuzohen për shpërdorim detyre. Gjatë auditimit të realizuar tek INUK, KLSH ka konstatuar një sërë shkeljesh tek dy ish-kryeinspektorët  të cilët kanë drejtuar këtë institucion në vitet 2010-2012.

Si pasojë, KLSH ka kallëzuar në prokurori dy ish-kryeinspektorët me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi kanë penguar prishjen e ndërtimeve pa leje.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 562/1, datë 24.06.2013 të ushtruar në Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar,Tiranë, për periudhën 2010-2012, ka konstatuar një sërë shkeljesh si pasojë e të cilave ka çuar në prokurorinë e rrethit Tiranë për kallëzim penal, dy ish-kryeinspektorë të këtij institucioni, që e kanë drejtuar atë në vitet 2010 deri në 2012-ën, me akuzën e shpërdorimit të detyrës për:

Moszbatim të ligjit në evidentimin, pengimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, si dhe mosadministrimin e vlerave materiale (automjetet e karburant) sipas kërkesave ligjore.

Moszbatim të afateve ligjore në procedurat për vjeljen e gjobave me vlerë 99,653 mijë lekë, në kundërshtim me ligjin nr. 10279, datë 20.05.2010 “Për kundërvajtjet administrative”, ligjin nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për inspektimin e ndërtimit” i ndryshuar dhe VKM nr. 862, datë 5.12.2007 “Për unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit nga inspektorati ndërtimor urbanistik kombëtar e ai vendor” .

Mosevidentim me procesverbale ekzekutimi të vendimeve të prishjes së objekteve pa leje ndërtimi dhe për mos evidentimin e shpenzimeve për prishjen e objekteve në ngarkim të subjektit kundërvajtës në 136 raste, në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për inspektimin e ndërtimit”, i ndryshuar, me ligjin nr. 10323 datë 23.9.2010, neni 5, germa “ë” dhe VKM nr. 862, datë 5.12.2007 “Për unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit nga inspektorati ndërtimor e urbanistik kombëtar e ai vendor”, pika 14.

Veprime dhe mosveprime e kryera në kundërshtim me ligjin nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për Inspektimin e Ndërtimit” i ndryshuar dhe akteve nënligjore në zbatim të tij për 11 raste të ankesave nga qytetarë të ndryshëm.

Mosndjekjen e procedurave ligjore në rastet e sekuestrimit të mjeteve dhe makinerive të subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë e shfrytëzimit të materialeve inerte lumore, vendime sekuestrimi dhe nuk ka dokumentuar me procesverbal ose me fletë dalje dorëzimin e këtyre mjeteve, subjektit që i janë sekuestruar.

Mosndjekjen e procedurave ligjore pas marrjes së vendimeve për masën e “Pezullimit të punimeve ndërtimore” ndaj subjekteve të konstatuara me shkelje ligjore në 26 raste, në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për inspektimin e ndërtimit” i ndryshuar, si dhe VKM nr. 862 “Për unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit nga inspektorati ndërtimor e urbanistik kombëtar e ai vendor” .

Sekuestrimi i mjeteve, nuk është shoqëruar me masa të tjera administrative si heqje e licencës profesionale e personale të shoqërisë pranë organit përkatës, në kundërshtim me ligjin nr. 10279, datë 20.05.2010 “Për kundërvajtjet administrative” dhe ligjin nr. 8093, datë 21.03.1996 “Për rezervat ujore” i ndryshuar.

Konsumim të karburantit më tepër se normativat e konsumit për 8065 litra karburant me vlerë 1,346,855 lekë dëm ekonomik dhe nuk ka asnjë dokumentacion ekonomiko financiar mbi përdorimin e tij.

Dhënien e autorizimeve për daljet e karburantit nga magazina për punonjës që nuk kanë pasur në përdorim mjetet e institucionit, si dhe mosndjekjen e konsumit të karburantit për distancat ndërmjet qyteteve, në kundërshtim urdhrin e MPPTT nr. 125, datë 26.12.2011 të “Për distancat ndërmjet qyteteve”.”- bëhet me dije nga KLSH.

Gjithashtu, i është kërkuar kryeinspektorit të INUK-ut fillimi i procedurave administrative e ligjore për dhënien e masave disiplinore largim nga detyra për 7 punonjës të këtij institucioni.

KLSH i ka kërkuar kryeinspektorit të INUK-ut që të fillojë procedurat administrative dhe ligjore. Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar INUK-ut që të merren masa disiplinore edhe për 7 punonjës si dhe masa për largim nga puna për 7 punonjës të tjerë të INUK. Ndërkohë KLSH ka bërë kallëzim penal edhe për drejtorët e ALUIZNI-t në Vlorë dhe Lezhë.