Vëllezërit Çollaku u masakruan para vrasjes

59

djemt“Plumbat i kishin marrë pas trupit. Ishin vrarë pas shpine. Dy policët grekë duhet të merren në pyetje lidhur me këtë ngjarje. Djemtë shkuan të gjuanin peshk për të nxjerrë bukën e gojës, dhe për të mbajtur frymën gjallë se jemi 8 veta në një dhomë. Jam infermiere dhe kam punuar tërë jetën me ndershmëri. Erdhën këta të policisë dhe më kontrolluan shtëpinë. Ata më kontrollonin shtëpinë dhe unë nuk e dija që ata kanë vdekur. Ku i ke djemtë?- më thanë, dhe kontrollonin shtëpinë. Po çfarë trafikantësh? Djemtë e mi peshk gjuanin, dhe nëse ata kryenin gjueti të paligjshme të futeshin në burg, por jo të mi sillnin të vrarë. Të paktën do dilnin gjallë prej andej”. Ky është rrëfimi tronditës i nënës së Melsi dhe Klevis Çollakut të cilët u vranë në mënyrë misterioze nga policia greke. E ndërsa familja dhe të afërm nuk pranojnë të varrosin viktimat gjersa një grup ekspertësh tanë të kryejnë autopsinë, Policia e Shtetit nuk jep asnjë detaj në lidhje me atë çfarë vërtet ka ndodhur në mesnatën e së shtunës në afërsi të Liqenit të Prespës. Një ekspertë mjeko- ligjor, një ekspert kriminalist dhe dy oficerë të policisë gjyqësore kanë mbërritur në familjen Çollaku paraditen e djeshme dhe kanë kryer autopsinë, ndërsa ndaj policisë familjarët e viktimave kanë lëshuar akuza të forta publike, po aq sa edhe për policinë greke që sipas tyre i kanë masakruar dhe më pas i kanë vrarë dy vëllezërit. Autopsia brenda ambienteve të shtëpisë ka zgjatur për rreth një orë e gjysmë, ndërsa me trupat e pa jetë, të lënë lakuriq dhe të masakruar në arkivole, daja i dy djemve mësohet se ka tërhequr edhe raportin mjeko-ligjor të ekspertëve grekë. Ky i fundit do të shërbejë për të kryer edhe krahasimet mes autopsive, ndërsa pas varrimit, fshati ka bllokuar në shenjë proteste për heshtjen e shtetit edhe rrugën nacionale.

Reagimet për vrasjen

“Kërkojmë urgjent të zbardhet e vërteta. Shteti të mos heshtë. Djemtë nuk ishin trafikantë, u vranë pabesisht nga policia greke. Njeri ka 5 plumba, tjetri ka 3 dhe trupat ishin të goditur e të masakruar. I sollën lakuriq me gjak e plagë të hapura. Djalin e madh e ka goditur me qytën e automatikut në gjoks, i kanë thyer brinjët, krahun e ka të thyer. Poshtë i kanë bërë pleh, i kanë torturuar. Pastaj i kanë qëlluar me plumba dhe i kanë vrarë. Plagët i kanë nga pas shpine, që do të thotë se janë vrarë nga pas”. Kështu është shprehur një prej personave që ka asistuar në tërheqjen e trupave të dy vëllezërve, duke hedhur edhe idenë se djemtë ishin ekzekutuar pasi ishin masakruar. Madje të afërm të familjes së viktimave kanë shkuar edhe më tej kur kanë akuzuar policinë greke se edhe punonjësi i policisë greke është vrarë prej tyre ndërsa ata mohojnë në mënyrë kategorike që djemtë të kishin patur armë me vete. Gjithashtu familjarët dyshojnë se edhe skena në të cilën është vendosur ndodhia e asaj mesnate është sajuar nga policët grekë. Kështu pas autopsisë nga ana e ekspertëve tanë dy djemve të familjes Çollaku iu është dhënë lamtumira, ndërkohë që burimet nga policia dhe prokuroria e Korçës nuk bëjnë të ditur asnjë lloj detaji në lidhje me konstatimin e vdekjes së dy vëllezërve nga fshati Lyec, trupat e pajetë të të cilëve u tërhoqën mëngjesin e së hënës në Kapshticë. Ndonëse për vrasjen e tyre ende nuk ka një qëndrim zyrtar nga ana e autoriteteve tona, vrasja e punonjësit të policisë greke ka sjellë në Follorinë ministrin e Brendshëm grek, ndërsa ekspertë të hetimit janë rikthyer në vendin e ngjarjes, pasi media vendase ka hedhur hije dyshimi në lidhje me armën që policia pretendon që kanë patur dy shqiptarët.