Krishtlindjet, Nishani pranë Ramës

rama-nishaniKrerët më të lartë të shtetit dhe të politikës  në vend kanë përcjellë sot urimet për festën e Krishtlindjeve. Festat janë të vetmet momente, ku politikanët tanë bashkohet. Ashtu ka ndodhur edhe sot, ku Krishtlindjet kanë bashkuar Nishanin dhe Ramën, Metën dhe Bashën.

Në urimet e përcjella gjatë ditës së sotme, në Katedralen e Kishës Katolike në Tiranë por dhe në Katedralen e Kishës Ortodokse, presidenti Nishani është ulur pranë kryeministrit Rama dhe kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit tek qytetarët shqiptarë. Të dy krerët e shtetit kanë shtrënguar edhe duart me njëri-tjetrin, në këtë ditë të rëndësishme për mijëra besimtarë të krishterë. Gjithashtu edhe kryetari i LSI-së Ilir Meta, pak më herët gjatë ditës së sotme ka shtrënguar duart me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.

“Besoj se do të gjeja dakordësinë të mbyllim dhe këtë traditë, që në ditë kaq të jashtëzakonshme dhe të largëta nga politika si këto ditë, të mos i jepej më mikrofoni njerëzve të politikës që të bëjnë urimet e tyre, a thua se janë Zoti në tokë. Ne nuk jemi Zoti në tokë, përkundrazi duhet të jemi dhe do të bëjmë çmos të jemi shërbëtorët e njerëzve të zakonshëm”- u tha Rama gazetarëve, pas takimit me Imzot Rrok Mirditën.

Urimi i Nishanit 

“Gëzuar Krishtlindjen për të gjithë besimtarët e krishterë. Urojmë për më shumë qetësi për më shumë begati”,- tha Nishani.

Urimi i Ramës 

“Uroj të gjithë qytetarët e të gjitha besimeve fetare në vendin tonë. Nënvizoj, kënaqësinë se në këtë ditë kur fryma e solidaritetit me më të dobëtin, ata në nevojë, ata që kërkojnë rrugë shprese, kulmon. Jemi optimist që viti që vjen, do të jetë pikërisht një vit nën këtë frymë dhe nën këtë shenjë”, -u shpreh Rama.

Kim Jong Un-i, i dehur kur urdhëroi ekzekutimet

kim jongLideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un-i ishte i dehur kur urdhëroi ekzekutimet e fundit, përfshirë edhe burrin e hallës, Jang Siong Thaek-in.

Këtë e ka konfirmuar një burim anonim për gazetën japoneze “Yomiuri Shimbun”. Sipas këtij burimi, thuhet se dy funksionarë të lartë të ekzekutuar tashmë, vunë në dyshim një urdhër të diktatorit për një çështje ushtarake.

Kim Jong Un-i u zemërua keq, kur dyshja tha se duhet të konsultohej me një drejtues tjetër, përpara se të ekzekutonte urdhrin e tij.

Burri i hallës i liderit koreanoverior, i cili u zhvesh nga pushteti dhe u ekzekutua disa javë më parë, ishte kreu i departamentit administrativ të Partisë së Punës, e cila ka pushtetin në Korenë e Veriut.

Dy bashkëpunëtorët e tij, Ri Ryong Ha dhe Jang Su Gil, ishin dy nga figurat e larta që u ekzekutuan në fundin e muajit nëntor nga regjimi diktatorial.

Sipas gazetës, Kim-i ishte i dehur kur urdhëroi ekzekutimin e dy funksionarëve të lartë. Ishin pikërisht këto dy ekzekutimet e para, ato që e shtynë Kim Jong Un-in që të ekzekutonte edhe burrin e hallës, pasi ata të dy ishin bashkëpunëtorë të afërt të tij.

 

Shoqërohet në komisariat prefekti i Vlorës

besnik dervishiPolicia ka shoqëruar në komisariat prefektin e Vlorës, Besnik Dervishi, pasi është përfshirë në një konflikt me Shefin e Qarkullimit Rrugor të kryeqytetit, Dritan Bonaj.

Mësohet se shkak për këtë ngjarje është bërë një parkim i gabuar i automjetit nga ana e Besnik Dervishit, në Rrugën e Elbasanit në kryeqytet, ndërsa Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka nisur hetimet e thelluara për të zbardhur ngjarjen.

Patrullat e policisë rrugore i kanë kërkuar të lëviz automjetin, ndërsa kjo kërkesë është refuzuar nga Dervishi e më pas është përfshirë në konflit verbal me shefin e rrugores. Pas këtij incidenti Bonaj ka bërë kallëzim penal në komisariatin numër 1, ndërsa i kontaktuar nga “A1report” Dervishi ka mohuar ngjarjen duke deklaruar se është, duke festuar Krishtlindjet me familjen. Pak ditë më parë prefekti i Vlorës i shpëtoi një atentati me eksploziv ku një sasi tritoli C4 ishte montuar në automjetin e tij, ndërsa u pikas teksa po futje për tu parkuar në oborrin e këshillit të ministrave.

Komisionet parlamentare diskutojnë projektbuxhetin

kom_ekoNjë ditë më parë (24 dhjetor) Kuvendi miratoi pas një seance maratonë që zgjati rreth 25 orë në parim Pr/buxhetin si dhe paketën fiskale. Më pas Kuvendi në një seancë të posaçme të shtunën me 28 dhjetor do të miratojë nen për nen dy ligjet. Në pr/buxhetin për vitin 2014 të ardhurat llogariten 363. 966 milionë lekë; shpenzimet 455. 566 milionë lekë; ndërsa deficiti 91 600 milionë lekë.

Relatori i pr/buxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2014, Anastas Angjeli, u shpreh se buxheti i këtij viti shënon një kthesë në realizimin e paraqitjes së situatës ekonomike dhe financiare në vend.

Të ardhurat e përgjithshme të buxhetit për vitin 2014, parashikohen të arrijnë nivelin 26.3 % të PBB-së, nga 23.8 % në vitin aktual , duke u rritur me 42 miliardë lekë. Sipas tij rreth 71.6 % e të ardhurave parashikohet të mblidhen nga administratat tatimore e doganore. Këto të ardhura, tha z. Angjeli, parashikohet të zënë 18.8 % të PBB, nga 16.2 % e PBB-së që janë aktualisht , duke u rritur me 40.5 miliardë lekë.

Ndryshohet norma e fitimit mbi të ardhurat personale nga punësimi, duke kaluar nga taksa e sheshtë prej 10 % për pagat mbi 30 mijë lekë në taksën progresive. 41 % e të punësuarve me pagë nga 30 – 130 mijë lekë do të paguajnë 13 % tatim, por do të subvencionohen nga shteti në një shumë totale prej 1.5 miliardë lekë.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri, z. Edi Rama theksoi se njerëzve u duhet një qeveri që punon ditë natë për të bërë zgjedhjet e duhura jo për pushtetin e vet, por për popullin. ” Vendi ka nevojë për një drejtim të ri, për një plan të ri, punësi, liri e konkurrence të ndershme, shërbime sipas nevojës, jo sipas xhepit, zhvillim rural jo braktisje e fshatit, mjedis i pastër, jo shkatërrim e ndotje. “Ky buxhet është më i madhi, me investime direkte dhe indirekte në ekonomi. Buxheti është akt kuptimplotë që e nxjerr qeverinë në dritën e përgjegjësive. Miratimi i këtij buxheti hap rrugën e re, është fundi i rrugës së vjetër dhe fillimi i rrugës së rimëkëmbjes,”  tha Rama.

Ndërkohë, në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ish ministri i financave, Ridvan Bode deklaroi se me paketën e re fiskale qytetarët do të paguajnë më shumë, do të taksohen më shumë. Karburanti do të taksohet më shumë për 84 milionë dollarë.

Basha bën analizë vjetore: 12 mijë të punësuar gjatë 2013-ës

Lulzim-BashaKryebashkiaku  Lulzim Basha ka prezantuar sot analizën vjetore të Bashkisë së Tiranës.

Në fjalën  e tij, Basha e cilësoi pozitiv punën e bërë nga Bashkia e Tiranës duke theksuar se  gjatë këtij viti është rritur numri i të punësuarve.

“Statistikat tregojnë se në bashkinë e Tiranës u mbyllën 1845 biznese dhe janë hapur 4284 të tjera dhe ky është një bilanc është pozitiv dhe afro 12 mijë të punësuar. Bilanci pozitiv në këtë pjesë të rëndësishme janë mes të tjerave edhe si resultat i vazhdimit të politikave miqësore për biznesin nga Bashkia e Tiranës dhe vënies në eficencë të plotë të qendrës së licensave dhe lejeve ku tani bizneseve u shërbet me një ndalesë të vetme. Nëpërmjet instrumentave të tjera të bashkisë janë punësuar 55 persona, kryesisht nga komuniteti rom, nga kontraktorët e pastrimit të qytetit të Tiranës dhe afro 100 gra, gjysma e të cilave kryefamiljare kryesisht nga sektori i fasonëve” tha Basha.

Sipas kryebashkiakut Basha një tjetër arritje është edhe miratimi pas 23 vitesh i planit urbanistik i Tiranës i cili përveç efekteve të drejtëpërdrejta në industrinë e ndërtimit dhe planifikimit urban sjell edhe një grad më të rritur sa i përket investimeve.

“Miratimi i planit urbanistik pas 23 vitesh i shërben vizionit tonë për një tiranë moderne dhe europiane të shekullit të 21 po i shërben po kështu edhe ngushtimit të hapësirave për abuzivizëm,korrupsion dhe pranisë së sekserëve të përfolur për kaq shumë vitesh në industrinë e ndërtimit. Kështu plani urbanistik i shërben të gjithë qytetarëve të Tiranës dhe jo një klientele të caktuar. Nëpërmjet hartimit të planeve urbanistike vendore i është hapur rruga kalimit të ngërçit i cili kishte penguar industrinë e ndërtimit në vendin tonë dhe njëkohësisht është bërë i mundur një kordinim më i mirë me investimet publike si lokale ashtu edhe qëndrore sic është edhe Unaza e Madhe” tha Basha.

Papa Françesku feston Krishtlindjen e parë

papa francescoPapa Françesku ka mbajtur meshën e parë të Krishtlindjeve në Vatikan, duke u bërë thirrje të krishterëve që të hapin zemrat e tyre.

“Nëse ne duam Zotin dhe vëllezërit e motrat tona, ne ecim në dritë. Por, nëse zemra jonë është e mbyllur, nëse dominohemi nga krenaria, mashtrimi, egoizmi, atëherë errësira bie brenda nesh dhe rreth nesh”, ka thënë Papa.

Papa Françesku e mbajti vëmendjen e tij te të varfrit, të dobëtit dhe të përjashtuarit nga shoqëria edhe në meshën më të rëndësishme të vitit për komunitetin katolik

Për Papa Françeskun I kjo ishte Krishtlindja e tij e parë në krye të Kishës Katolike. Ajo kurorëzoi nëntë muaj udhëtim nëpër sfidat e detyrës së re, në të cilat ai u përqendrua në mënyrë të veçantë te të vobektit dhe të harruarit.

Në meshën e natës në Bazilikën e famshme të Shën Pjetrit, Papa Françesku I, në mënyrë kuptimplote, u kujtoi besimtarëve se, “Jezusi nuk lindi në një familje të pasur. Ai u erdhi si dhuratë një çifti barinjsh, që ishin në atë shoqëri, ndër më të fundit në radhë, ndër më të përjashtuarit”.

Para një jave, Ati i Shenjtë i katolikëve në gjithë botën mbushi 77 vjeç, por kishte energjinë dhe pasionin e një të riu gjatë meshës më të rëndësishme të vitit. Në vend që t’ia linte një ndihmësi që të mbante statujën e Krishtit fëmijë, ai e bëri vetë atë punë dhe puthi gjurin dhe të skulpturës së Jezusit të porsalindur.

Duke përmendur një pasazh nga Bibla, ai recitoi: “Populli që ecte nëpër errësirë, ka parë një dritë të madhe”.

“Ky është realiteti i thellë i asaj që jemi: një popull në ecje dhe rreth nesh e madje edhe brenda nesh, ka errësirë dhe dritë”, komentoi Papa Françesku. “Edhe historitë tona personale kalojnë nga moment drite në moment errësire. Nëse duam Zotin dhe vëllezërit tanë atëherë ecim në dritë, por nëse zemra jonë mbyllet, nëse mbizotërojnë  krenaria, gënjeshtra, ndjekja e interesit personal, atëherë bie errësira brenda nesh dhe përreth nesh”.

“Jezusi erdhi në historinë tonë dhe na u bashkua në udhëtimin tonë. Erdhi për të na çliruar nga errësira e për të na dhuruar dritën”, tha Papa Faençesku I.

Në përfundim të meshës, Papa doli nga kisha duke lënë të ecin përpara tij dhjetë fëmijë me lule në duar. Fëmijët ishin zgjedhur të përfaqësonin të gjithë botën: ata ishin nga Italia, Filipinet, Libani, Argjentina dhe Kongo.

Ish-ambasadori Tepshi para gjykatës, fshehu pasurinë

tepshiIsh-ambasadori ynë në Çeki Qazim Tepshi, është dorëzuar nga prokuroria si i pandehur në gjykatën e Tiranës, e cila e akuzon për “Refuzim të deklarimit, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurisë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve civile”. Sipas prokurorisë së Tiranës e cila ka kryer hetimet, Qazim Tepshi akuzohet se ka fshehur shumën financiare prej 178 mijë euro dhe një automjet tip “Benz” “Rexhina”.

Ky konkluzion është nxjerrë nga hetuesit e Prokurorisë së Tiranës ku pas hetimeve të kryera specialistet e njësisë Task-Forcë thanë se kanë mundur të faktojnë fshehjen e pasurisë së kryediplomatit shqiptar në Çeki Qazim Tepshi, i cili gjatë viteve 2006-2008 s’ka bërë deklarimin real të pasurisë së tij. Ky i fundit është marë i pandehur pasi rezulton të ketë fshehur të ardhurat që ai ka përfituar nga shitja e një apartamenti në zonën Komuna e Parisit dhe disa llogari bankare që administrohen nga familjarët e tij. Pretendimet e prokurorëve Tepshi i ka hedhur poshtë duke deklaruar se nuk kam gjykuar ta deklaroj këtë shumë se nuk janë krijuar në ambasadë. /Shqiptarja.com/

Arvizu shqiptarëve: Faleminderit që na bëtë pjesë të jetëve tuaja

arvizu1Ambasadori i SHBA-ve në vendin tonë, Aleksandër Arvizu, i ka dërguar një mesazh urimi të gjithë qytetarëve shqiptarë. Në këtë urim ambasadori shpreh mirënjohjen për miqësinë dhe mbështetjen që ka gjetur te shqiptarët.  “Nga familja ime, tek ju dhe familjet tuaja,  Jemi shumë mirënjohës për miqësinë dhe mbështetjen tuaj – faleminderit që na bëtë pjesë të jetëve tuaja gjatë vitit 2013. Ju urojmë gjithë të mirat për vitin e ardhshëm.  Sinqerisht, Alex, Anne dhe Yukiko”, përfundon mesazhi i Arvizu duke postuar dhe një kartolinë.

Mbipopullohen kishat nga besimtarët 

Besimtarët e krishterë, ortodokse e katolikë kanë festuar sot Krishtlindjet.  Besimtarët katolikë e kremtuan lindjen e Krishtit me meshën e madhe mbajtur në mesnatë në katedralen e “Shën Palit” në Tiranë.

Imzot Rrok Mirdita u ka bërë thirrje besimtarëve të udhëhiqen nga mirësia dhe drejtësia. “Kjo festë na kujton të gjithëve sa e nevojshme është falja, pajtimi dhe mëshira”-tha ai.

“Forca e vërtet dhe e shenjtë është forca e dashurisë. Ajo që na bën të bëhemi të vegjël e të dobët, ajo që na shtyn të zëmë vendin e fundit dhe të zbulojmë bukurinë e shërbimit. Në këto Krishtlindje duhet të kërkojmë hyjin e fort te njerëzit që, sipas logjikës së botës, janë të dobëtit, të sëmurët, të miturit, të pambrojturit, të burgosurit, të përjashtuarit nga shoqëria dhe të mënjanuarit nga ne”, tha në mesazhin e tij të urimit Imzot Rrok Mirdita.

“Krishti është princi i paqes”,- theksoi ai, “është paqja e besimit në dashurinë shpëtimtare të hyjit”.

Edhe Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Hirësia e tij Anastas, uron përmes një mesazhi të gjithë besimtarët ortodoksë për festën e Krishtlindjes.

“Në epokën tonë flitet shumë për dinjitetin e njeriut, por ngjarja që tregon me forcë unikale vlerën e jetës njerëzore është ajo që mbizotëron në Krishtlindje. Se biri i Perëndisë u bë njeri. Gjithashtu, Krishtlindja na zbulon se Krishti erdhi të na transmetojë një jetë më të lartë, që shtrihet në përjetësi. Brenda atmosferës festive të Krishtlindjes, na jepet rasti të mendojmë më thellë për vlerën esenciale të kësaj dhurate, që na e ka falur Perëndia, të cilën jemi duke e shijuar dhe, gjithashtu, të rrisim respektin për çdo qenie njerëzore anekënd botës”, thuhet në mesazhin e Kryepeshkopit Anastas.

Katedralja e “Shën Palit” në Tiranë u mbipopullua nga besimtarët. Jashtë saj, ata kanë pritur në radhë për të bërë ritualin për këtë ditë, atë të lutjes, ndezjes së qiririt dhe faljes. Krishtlindja është festa, ku të krishterët urojnë më shumë paqe e dashuri në mbarë botën.

Basha dhuron 100 mijë euro për ndërtimin e Mitrovicës

mitrovica_bashaBashkia e Tiranës i është bashkuar nismës së komunës së Mitrovicës “Ndihmo dhe Ti”, e cila ka për qëllim mbledhjen e fondeve për meremetimin e shtëpive të dëmtuara gjatë luftës në veri të Mitrovicës dhe kthimin në pronat e tyre, të të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësie etnike.

Kryebashkiaku Basha i ka akorduar 100 mijë euro komunës së Mitrovicës, për meremetimin e këtyre shtëpive. Kjo ndihmë e kryebashkiakut Basha është përshëndetur menjëherë nga kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, nëpërmjet një letre drejtuar kryebashkiakut të Tiranës.

“Kam kënaqësinë e veçantë që nëpërmjet të kësaj letre të shpreh falënderimin më të thellë për kontributin tuaj në aksionin humanitar “Ndihmo edhe Ti”, për rindërtimin e shtëpive të djegura nga lufta në pjesën veriore të Kosovës. Ju jeni bërë pjesë e rikthimit të jetës së banorëve shqiptarë në pjesën e atdheut tonë, të cilët u ndoqën gjatë dhe pas luftës nga trojet e tyre stërgjyshore, nën dhunën e falangave serbe, për çka u jemi mirënjohës për jetë të jetëve” thuhet në mesazhin e  falënderimit, kryetari i komunës së Mitrovicës.

Gruaja e Mziut: Në shtëpinë time nuk kishte asnjë vulë

xheli 1Bashkëshortja e kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu, në një intervistë për gazetën “Panorama” hedh poshtë të gjitha akuzat e bëra këto ditë në ngarkim të saj. Vjollca Mziu, drejtoreshë e filialit të një banke të nivelit të dytë në Kamzë, shprehet se asgjë që është thënë deri tani rreth saj nuk është e vërtetë.

xheli 1Ajo tregon se ajo nuk është shoqëruar në polici, as natën e arrestimit të të shoqit dhe as gjatë këtyre ditëve. Sipas saj, historia e vulës së një KZAZ-je të gjetur në shtëpi dhe e argjendarisë që flitej se ishte në pronësi të saj, është krejtësisht e pavërtetë.

“Procesverbalin e këqyrjes së banesës nga Policia e kam firmosur vetë dhe aty nuk ishte shënuar asnjë objekt i jashtëligjshëm, aq më pak një vulë KZAZ-je. Ndërsa historia e argjendarisë është e sajuar, unë nuk kam argjendari në pronësi, por jam drejtoreshë e një filiali banke, sipër të cilës ndodhej një dyqan i tillë”, u shpreh dje Vjollca Mziu.