Arvizu shqiptarëve: Faleminderit që na bëtë pjesë të jetëve tuaja

45

arvizu1Ambasadori i SHBA-ve në vendin tonë, Aleksandër Arvizu, i ka dërguar një mesazh urimi të gjithë qytetarëve shqiptarë. Në këtë urim ambasadori shpreh mirënjohjen për miqësinë dhe mbështetjen që ka gjetur te shqiptarët.  “Nga familja ime, tek ju dhe familjet tuaja,  Jemi shumë mirënjohës për miqësinë dhe mbështetjen tuaj – faleminderit që na bëtë pjesë të jetëve tuaja gjatë vitit 2013. Ju urojmë gjithë të mirat për vitin e ardhshëm.  Sinqerisht, Alex, Anne dhe Yukiko”, përfundon mesazhi i Arvizu duke postuar dhe një kartolinë.

Mbipopullohen kishat nga besimtarët 

Besimtarët e krishterë, ortodokse e katolikë kanë festuar sot Krishtlindjet.  Besimtarët katolikë e kremtuan lindjen e Krishtit me meshën e madhe mbajtur në mesnatë në katedralen e “Shën Palit” në Tiranë.

Imzot Rrok Mirdita u ka bërë thirrje besimtarëve të udhëhiqen nga mirësia dhe drejtësia. “Kjo festë na kujton të gjithëve sa e nevojshme është falja, pajtimi dhe mëshira”-tha ai.

“Forca e vërtet dhe e shenjtë është forca e dashurisë. Ajo që na bën të bëhemi të vegjël e të dobët, ajo që na shtyn të zëmë vendin e fundit dhe të zbulojmë bukurinë e shërbimit. Në këto Krishtlindje duhet të kërkojmë hyjin e fort te njerëzit që, sipas logjikës së botës, janë të dobëtit, të sëmurët, të miturit, të pambrojturit, të burgosurit, të përjashtuarit nga shoqëria dhe të mënjanuarit nga ne”, tha në mesazhin e tij të urimit Imzot Rrok Mirdita.

“Krishti është princi i paqes”,- theksoi ai, “është paqja e besimit në dashurinë shpëtimtare të hyjit”.

Edhe Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Hirësia e tij Anastas, uron përmes një mesazhi të gjithë besimtarët ortodoksë për festën e Krishtlindjes.

“Në epokën tonë flitet shumë për dinjitetin e njeriut, por ngjarja që tregon me forcë unikale vlerën e jetës njerëzore është ajo që mbizotëron në Krishtlindje. Se biri i Perëndisë u bë njeri. Gjithashtu, Krishtlindja na zbulon se Krishti erdhi të na transmetojë një jetë më të lartë, që shtrihet në përjetësi. Brenda atmosferës festive të Krishtlindjes, na jepet rasti të mendojmë më thellë për vlerën esenciale të kësaj dhurate, që na e ka falur Perëndia, të cilën jemi duke e shijuar dhe, gjithashtu, të rrisim respektin për çdo qenie njerëzore anekënd botës”, thuhet në mesazhin e Kryepeshkopit Anastas.

Katedralja e “Shën Palit” në Tiranë u mbipopullua nga besimtarët. Jashtë saj, ata kanë pritur në radhë për të bërë ritualin për këtë ditë, atë të lutjes, ndezjes së qiririt dhe faljes. Krishtlindja është festa, ku të krishterët urojnë më shumë paqe e dashuri në mbarë botën.