Papa Françesku feston Krishtlindjen e parë

56

papa francescoPapa Françesku ka mbajtur meshën e parë të Krishtlindjeve në Vatikan, duke u bërë thirrje të krishterëve që të hapin zemrat e tyre.

“Nëse ne duam Zotin dhe vëllezërit e motrat tona, ne ecim në dritë. Por, nëse zemra jonë është e mbyllur, nëse dominohemi nga krenaria, mashtrimi, egoizmi, atëherë errësira bie brenda nesh dhe rreth nesh”, ka thënë Papa.

Papa Françesku e mbajti vëmendjen e tij te të varfrit, të dobëtit dhe të përjashtuarit nga shoqëria edhe në meshën më të rëndësishme të vitit për komunitetin katolik

Për Papa Françeskun I kjo ishte Krishtlindja e tij e parë në krye të Kishës Katolike. Ajo kurorëzoi nëntë muaj udhëtim nëpër sfidat e detyrës së re, në të cilat ai u përqendrua në mënyrë të veçantë te të vobektit dhe të harruarit.

Në meshën e natës në Bazilikën e famshme të Shën Pjetrit, Papa Françesku I, në mënyrë kuptimplote, u kujtoi besimtarëve se, “Jezusi nuk lindi në një familje të pasur. Ai u erdhi si dhuratë një çifti barinjsh, që ishin në atë shoqëri, ndër më të fundit në radhë, ndër më të përjashtuarit”.

Para një jave, Ati i Shenjtë i katolikëve në gjithë botën mbushi 77 vjeç, por kishte energjinë dhe pasionin e një të riu gjatë meshës më të rëndësishme të vitit. Në vend që t’ia linte një ndihmësi që të mbante statujën e Krishtit fëmijë, ai e bëri vetë atë punë dhe puthi gjurin dhe të skulpturës së Jezusit të porsalindur.

Duke përmendur një pasazh nga Bibla, ai recitoi: “Populli që ecte nëpër errësirë, ka parë një dritë të madhe”.

“Ky është realiteti i thellë i asaj që jemi: një popull në ecje dhe rreth nesh e madje edhe brenda nesh, ka errësirë dhe dritë”, komentoi Papa Françesku. “Edhe historitë tona personale kalojnë nga moment drite në moment errësire. Nëse duam Zotin dhe vëllezërit tanë atëherë ecim në dritë, por nëse zemra jonë mbyllet, nëse mbizotërojnë  krenaria, gënjeshtra, ndjekja e interesit personal, atëherë bie errësira brenda nesh dhe përreth nesh”.

“Jezusi erdhi në historinë tonë dhe na u bashkua në udhëtimin tonë. Erdhi për të na çliruar nga errësira e për të na dhuruar dritën”, tha Papa Faençesku I.

Në përfundim të meshës, Papa doli nga kisha duke lënë të ecin përpara tij dhjetë fëmijë me lule në duar. Fëmijët ishin zgjedhur të përfaqësonin të gjithë botën: ata ishin nga Italia, Filipinet, Libani, Argjentina dhe Kongo.