Komisionet parlamentare diskutojnë projektbuxhetin

54

kom_ekoNjë ditë më parë (24 dhjetor) Kuvendi miratoi pas një seance maratonë që zgjati rreth 25 orë në parim Pr/buxhetin si dhe paketën fiskale. Më pas Kuvendi në një seancë të posaçme të shtunën me 28 dhjetor do të miratojë nen për nen dy ligjet. Në pr/buxhetin për vitin 2014 të ardhurat llogariten 363. 966 milionë lekë; shpenzimet 455. 566 milionë lekë; ndërsa deficiti 91 600 milionë lekë.

Relatori i pr/buxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2014, Anastas Angjeli, u shpreh se buxheti i këtij viti shënon një kthesë në realizimin e paraqitjes së situatës ekonomike dhe financiare në vend.

Të ardhurat e përgjithshme të buxhetit për vitin 2014, parashikohen të arrijnë nivelin 26.3 % të PBB-së, nga 23.8 % në vitin aktual , duke u rritur me 42 miliardë lekë. Sipas tij rreth 71.6 % e të ardhurave parashikohet të mblidhen nga administratat tatimore e doganore. Këto të ardhura, tha z. Angjeli, parashikohet të zënë 18.8 % të PBB, nga 16.2 % e PBB-së që janë aktualisht , duke u rritur me 40.5 miliardë lekë.

Ndryshohet norma e fitimit mbi të ardhurat personale nga punësimi, duke kaluar nga taksa e sheshtë prej 10 % për pagat mbi 30 mijë lekë në taksën progresive. 41 % e të punësuarve me pagë nga 30 – 130 mijë lekë do të paguajnë 13 % tatim, por do të subvencionohen nga shteti në një shumë totale prej 1.5 miliardë lekë.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri, z. Edi Rama theksoi se njerëzve u duhet një qeveri që punon ditë natë për të bërë zgjedhjet e duhura jo për pushtetin e vet, por për popullin. ” Vendi ka nevojë për një drejtim të ri, për një plan të ri, punësi, liri e konkurrence të ndershme, shërbime sipas nevojës, jo sipas xhepit, zhvillim rural jo braktisje e fshatit, mjedis i pastër, jo shkatërrim e ndotje. “Ky buxhet është më i madhi, me investime direkte dhe indirekte në ekonomi. Buxheti është akt kuptimplotë që e nxjerr qeverinë në dritën e përgjegjësive. Miratimi i këtij buxheti hap rrugën e re, është fundi i rrugës së vjetër dhe fillimi i rrugës së rimëkëmbjes,”  tha Rama.

Ndërkohë, në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ish ministri i financave, Ridvan Bode deklaroi se me paketën e re fiskale qytetarët do të paguajnë më shumë, do të taksohen më shumë. Karburanti do të taksohet më shumë për 84 milionë dollarë.