Kim Jong Un-i, i dehur kur urdhëroi ekzekutimet

52

kim jongLideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un-i ishte i dehur kur urdhëroi ekzekutimet e fundit, përfshirë edhe burrin e hallës, Jang Siong Thaek-in.

Këtë e ka konfirmuar një burim anonim për gazetën japoneze “Yomiuri Shimbun”. Sipas këtij burimi, thuhet se dy funksionarë të lartë të ekzekutuar tashmë, vunë në dyshim një urdhër të diktatorit për një çështje ushtarake.

Kim Jong Un-i u zemërua keq, kur dyshja tha se duhet të konsultohej me një drejtues tjetër, përpara se të ekzekutonte urdhrin e tij.

Burri i hallës i liderit koreanoverior, i cili u zhvesh nga pushteti dhe u ekzekutua disa javë më parë, ishte kreu i departamentit administrativ të Partisë së Punës, e cila ka pushtetin në Korenë e Veriut.

Dy bashkëpunëtorët e tij, Ri Ryong Ha dhe Jang Su Gil, ishin dy nga figurat e larta që u ekzekutuan në fundin e muajit nëntor nga regjimi diktatorial.

Sipas gazetës, Kim-i ishte i dehur kur urdhëroi ekzekutimin e dy funksionarëve të lartë. Ishin pikërisht këto dy ekzekutimet e para, ato që e shtynë Kim Jong Un-in që të ekzekutonte edhe burrin e hallës, pasi ata të dy ishin bashkëpunëtorë të afërt të tij.