KLSH, kallzim penal për 7 punonjës të ZVRPP Korçë

klshKontrolli i Lartë i Shtetit  kallëzuar penalisht 7 nëpunës të Zyrës Vendore të Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Korçë, përfshirë këtu edhe ish-Rregjistruesin me iniciale K.B., me akuzën “shpërdorim detyre”.

Kjo padi vjen pas auditimit të KLSH të ushtruar në këtë institucion, për periudhën e veprimtarisë 2011-2012. Kallëzimi është bërë në Prokurorinë e Korçës dhe sipas KLSH, këta persona në kundërshtim të plotë me legjislacionin për rregjistrimin e pasurive të paluajtshme dhe aktet e tjera nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, kanë kryer një sërë shkeljesh në drejtim të rregjistrimit të pasurive të paluajtshme, me pasojë përfitime të paligjshme të titujve të pronësisë nga subjekte private në dëm të pasurisë shtetërore.    Këta nëpunës kanë kryer regjistrime të pasurive të paluajtshme dhe kanë lëshuar certifikata të pronësisë në zonën rurale-urbane, për një sërë subjektesh private, të cilat nuk kanë patur asnjë titull pronësie. Në 11 raste këta persona kishin regjistruar më tepër një sipërfaqe prej 4400 m2 të llojit arë, truall dhe arë+truall, ku në veçanti, vetëm për zonën turistike të Voskopojës, janë dhënë në kundërshtim me ligjin 1960 m2. Kjo sipërfaqe e tepërt, e rregjistruar nga këta punonjës në favor të subjekteve përfitues dhe në tejkalim të normës ligjore të përcaktuar në Aktet e Marrjes në Pronësi të Tokës (AMTP), bie në kundërshtim me ligjin Nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, i ndryshuar, ligjin Nr. 7843, datë 13.7.1994 “Për rregjistrimin e pasurive të paluajtshme”, i ndryshuar, UKM Nr. 2, datë 08.04.2009, UKM nr. 1, datë 31.01.2007 “Për Procedurat e Rregjistrimit në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, rregulloren e ZQRPP-së, VKM nr. 1025, datë 09.07.2008, si dhe Urdhrin e K/Rregjistruesit Nr. 1400, datë 25.10.2010.

Kodheli: Reforma për lartësimin e figurës dhe integritetit të ushtarakut

Mimi-KodheliMinistrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka prezantuar sot objektivat e dikasterit që ajo drejton për vitin 2014. Kodheli deklaroi se, synohet që në qendër të këtyre reformave të jetë lartësimi i figurës dhe integritetit të ushtarakut nëpërmjet nje politike disa planëshe.

“Si asnjëherë më parë në qendër të këtyre reformave do të jetë lartësimi i figurës dhe integriteti i ushtarakut nëpërmjet politikave të nevojshme në fushën e personelit, legjislacionit, promovimit në karrierë, rritjen e transparencës, llogaridhënien dhe eliminimin e korrupsionit në forcat tona të armatosura. Gjithashtu duhet të bëhet rishikimi i strukturës së forcave tona të armatosura, me synim ndërtimin e një strukture organizative sa më efektive, më funksionale, të aftë për të zbatuar detyrat themelore të mbrojtjes së vendit në kuadër të mbrojtjes kolektive dhe në mbështetje të popullsisë civile dhe emergjenca; reforma ligjore ku në themel të së cilës do të jetë rishikimi i të gjitha akteve që rregullojnë veprimtarinë e forcave të armatosura; reforma e personelit, e cila në përputhje me rekomandimet e dokumentit të rishikimit strategjik të mbrojtjes të ketë parasysh të gjithë ciklin jetësor të personelit. Prioritet të jetë promovimi i personelit me kualifikimin dhe eksperiencën e duhur, integritet të plotë, dinjitet dhe përkushtim në kryerjen e detyrave të caktuara”, tha Kodheli.

Vulin: Gjakovarët nuk janë njerëz

Aleksandar-VulinMinistri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin pas dështimit për të hyrë në Kishën Ortodokse në Gjakovë, është revoltuar duke kaluar në fyerje ndaj qytetarëve të cilët protestuan para kishës.

Ai ka thënë se “gjakovarët nuk janë njerëz”. “Ndoshta kanë qenë shqiptarë, nuk e di, por njerëz ju siguroj se nuk kanë qenë”, – ka thënë Vulin për Radio Televizionin e Serbisë.

Vulin po ashtu ka bërë thirrje te komuniteti ndërkombëtar që të punojnë më shumë për sigurimin e të drejtave të serbëve në Kosovë.

Maqedoni, arresohet shqiptarja për trafik lëndësh narkotike

policia-maqedonePolicia Maqedonase ka mundur të sekuestrojnë sot 2 kilogramë drogë heroinë, e cila iu gjet një shtetaseje shqiptare.

Shqiptarja me inicialet A.K nga Tirana është kapur në pikën e kalimit kufitar Bogorodicë mes Maqedonisë dhe Greqisë. Autoritetet doganore të Maqedonisë bënë të ditur se janë gjetur 2 kilogramë drogë, heroinë e cilësisë së lartë, në autobusin e linjës Stamboll – Shkup, i cili po hynte në Maqedoni sot rreth orës 05:30 të mëngjesit.

Autoritetet doganore theksuan se droga u gjet në trupin e një shtetaseje shqiptare, e cila disa pako të mbushura me drogën i kishte lidhur për rreth trupit të saj. Siç bëhet e ditur, shtetasja shqiptare ka pranuar gjatë bisedës informative se kishte arritur marrëveshje për transportin e drogës për vetëm 300 euro me një shtetas të panjohur turk. Ajo gjithashtu ka thënë se për t`i hyrë këtij biznesi ilegal të transportit të lëndës narkotike ishte kontaktuar nga një shtetas shqiptar.

Arjan Çanit i hiqet patenta, kalon semaforin e kuq dhe fyen policinë

caniDrejtuesit të emisionit “Zonë e Lirë”, Arian Çani, i është pezulluar për gjashtë muaj leja e qarkullimit. Lajmi bëhet me dije nga “A1 Report”.

Shkak për këtë është bërë fakti se Çani ka kaluar me një shpejtësi të madhe në semafor, kur ai ishte në të kuqen.

Jo vetëm kaq, por gazetari ka fyer punonjësit e policisë, pasi këta të fundit e kanë ndaluar.

Çani ka komunikuar edhe me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për t’i shpëtuar ndëshkimit, por ky i fundit i ka thënë se nuk mund të bëjë gjë.

Megjithatë, pavarësisht se i është pezulluar patenta për gjashtë muaj, Çani vazhdon që të qarkullojë nëpër Tiranë me automjetin e vet

Durrës, grabiten dhe plagosen dy kambistë

policia-rrugoreNjë grabitje me pasojë plagosjen e dy personave ka ndodhur mëngjesin e sotëm në qytetin e Durrësit.

Burimet policore saktësojnë se dy persona, që udhëtonin me një makinë tip Fouristradë ‘Land Rover’ me targa angleze, kanë ndaluar në zonën ku kryejnë aktivitetin e tyre kambistët dhe nën kërcënimin e armëve u kanë marrë atyre paratë.

Gjatë rezistencës që kambistët kanë bërë, për të mos dorëzuar paratë tek grabitësit, janë plagosur në kokë, pasi dy grabitësit i kanë qëlluar me qytën e kallashnikovit, që mbanin në duar. Pas dërgimit me urgjencë në spital, të dy kambistët ndodhen jashtë rrezikut për jetën

Policia ka filluar hetimet për zbardhjen e plotë të çështjes dhe të dy autorëve të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes me sirena policie.

Rumani, ish Kryeministri Nastase dënohet me katër vite burg për korrupsion

Rumani ish kryeministriGjykata Supreme e Rumanisë ka dënuar ish Kryeministrin Adrian Nastase me katër vite burgim, për marrje ryshfeti dhe për shantazh. Ish Kryeministri riarrestohet sërish, vetëm 10 muaj pas lirimit të tij për një tjetër vepër penale.

Akuzat ndaj tij, kanë të bëjnë me korrupsion në shifrat e 630.000 mijë euro, nën formën e mallrave të importuara nga Kina dhe të punimeve të parimbursuara në të dy pronat e tij, nga një shoqëri ndërtimi, pronari i të cilës është vënë më pas në krye të Seksionit të Inspektimit të Punimeve Publike.

Ai akuzohet gjithashtu për shantazh ndaj një ish Konsulli rumun në Hong-Kong. Ai i ka dërguar ish konsullit shumën prej 700.000 dollarësh për t’u marrë me blerjet e ndryshme të çiftit kryeministror. I frikësuar se ish Konsulli mund të bashkëpunonte me drejtësinë, ish Kryeministri ka filluar të hedhë akuza shantazhi ndaj tij, duke e akuzuar atë për agjenturë.

Bashkëshortja e tij Daniela është dënuar gjithashtu me tre vite burg, për falsifikim dokumentesh. Me dhjetëra kondinierë të mbushur me mallra për çiftin kryeministror janë dërguar në Rumani, me fatura të falsifikuara.

Më 2012 ish Kryeministri është dënuar me 2 vite burg për financim të paligjshëm të fushatës së tij elektorale në shumën 1.5 milion euro.

Pas një tentative vetëvrasje, ish Kryeministri rumun përfiton nga një ulje e kohës së dënimit, duke dalë përpara afatit përfundimtar të kryerjes së dënimit.

Ish Kryeministri insiston, se këto janë akuza të montuara politikisht dhe bëhen në kuadrin e një hakmarrje personale ndaj tij.

 

 

 

Genc Tafili: Pas plagosjes në Suedi fshihet Prelë Pjetrushi, ish zyrtari i lartë i policisë

Sans titre-1
Genc Tafili dhe Prele Pjetrushi

Plagosja e djalit 12 vjeçar në Suedi, konfirmohet të jetë nipi dhe jo djali i Admir Tafilit. Genc Tafili, i cili vuan dënimin me 25 vjet burg për vrasjen e Arben Zylyftarit, në një lidhje telefonike me A1 Report konfirmoi se 12-vjeçari i plagosur është djali i Luan Tafilit, vëllait të tretë të tyre. Familjet e tre vëllezërve Tafili jetonin në një manastir, i cili ishte shumë afër metrosë së qytetit ku ndodhi plagosja.

“Kam qenë shumë i tronditur. Kam që në Vitin e Ri pa u dëgjuar me familjen. E kam djalin e vëllait, i vëllait tjetër, jo djali i Admirit.”- tha Genc Tafili. Për Gencin ka një emër që ndodhet pas kësaj ngjarjeje, në vazhdën e atyre që i ka ndodhur familjes së tij. Ai është Prelë Pjetrushi, ish-zyrtar i lartë i policisë. “Ka qenë 12 vjeç dhe i bëj thirrje mos të merret me gra dhe me fëmijë. I bëj thirrje Pjetrushit, atij që është mësuar të merret me gra dhe me fëmijë. Dhe drejtësia nuk është bërë asnjëherë nga ana jonë. Nusja e vëllait është me zemër. Ka jetuar atje edhe familja ime, tani i ka marrë shteti suedez dhe i ka hequr prej andej, nuk e di se ku i ka çuar“- thotë ai në bisedën telefonike nga kabinat e telefonit të burgut të Peqinit.

Genc Tafili është akuzuar për vrasjen e Komisar Arben Zylyftarit në Shkodër. Një akuzë e dyshimtë, ku mbrapa saj qëndronin krerët e lartë të policisë së asaj kohe në Shkodër, konkretisht Prelë Pjetrushi, i cili dyshohet të ketë qenë pas vrasjes së Komisar Zylyftarit. Rrethanat e vrasjes së Komisar Zylyftarit, sipas procesit të zhvilluar në atë kohë, ishin të dyshimta dhe implikonin një ekzekutim nga mbrapa shpine dhe jo përballë nga ku po zhvillohej përplasja me armë. Një proces gjyqësor gjithashtu i dyshimtë, i zhvilluar nga kryegjyqtari Sandër Simoni, dënon Genc Tafilin me 25 vite burg. Vetëm pak kohë më vonë në mënyrë pak të habitshme, gjyqtari kryesor i kësaj dosje Sandër Simoni, emërohet në krye të Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë.

Tahiri : Ftoj opozitën të lërë retorikën që synon ngjalljen e panikut tek qytetarët

saimir-tahiri-565x421Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka reaguar në lidhje me deklaratat e fundit të krahut opozitar si edhe atë të ish Kryeministrit Berisha. Tahiri tha se opozita duhet të lërë retorikën ndaj jetës së qytetarit dhe pronës së tij. Kjo retorikë vetëm ngjall panik dhe pasiguri në jetën e tyre.

“Ministria e Punëve të Brendshme rikonfirmon edhe një herë vullnetin e plotë për transparencë maksimale ndaj publikut, duke e konsideruar vetë transparencën si element themelor për garantimin e bashkëpunimit intensiv ndërmjet publikut dhe Policisë së Shtetit, në luftën e përbashkët kundër kriminalitetit dhe përpjekjen e përbashkët për më shumë siguri për jetën dhe pronën e qytetarëve shqiptarë.

Në këtë kuadër, Ministria e Punëve të Brendshme ka qenë dhe do të jetë e hapur për çdo qytetar, institucion, apo parti politike, duke vënë në dispozicion të gjitha statistikat e punës dhe rezultateve të Policisë së Shtetit.

MPB konfirmon edhe një herë se gjatë muajit dhjetor 2013:

1.    Vrasjet – Janë ulur me 55% krahasuar me dhjetorin 2012;
2.    Persona në kërkim- Janë kapur 29% më tepër se në dhjetor 2012;
3.    Lufta kundër drogës– Ka 55% më shume procedime penale, 60% më shumë autorë të proceduar.
4.    Trafiqet– Janë regjistruar 167% më shumë procedime penale dhe 168% më shumë autorë të proceduar.
5.    Krimi ekonomik dhe korrupsioni- 142% më shume procedime penale dhe 116% më shume autorë të proceduar.
6.    Qarkullimi rrugor- Janë ulur me 38% aksidentet me pasojë vdekjen. Janë ulur me 13% aksidentet në total. Janë ulur me 20% aksidentet me pasojë plagosje të rënda dhe janë ulur me 8% aksidentet me plagosje të lehta. Është rritur me 193% numri i masave administrative.
7.    Dhuna në familje -Treguesit janë 45% më të lartë sa u përket veprave penale dhe 46% më ta lartë sa u përket autorëve të proceduar.
8.    Ndërtimet pa leje -Treguesit janë rreth 27 herë më të lartë sa u përket veprave penale dhe rreth 20 herë më të lartë sa i përket autorëve të proceduar.
9.    Prerja e paligjshme e pyjeve – Treguesit janë rreth 38 herë më të lartë sa i përket veprave penale dhe rreth 42 herë më të lartë sa u përket autorëve të proceduar.

Ministria e Punëve të Brendshme, fton Partinë Demokratike të lërë mënjanë retorikën politike me rendin, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve. Drejtuesit e opozitës, për më tepër çdo deputet, është i ftuar të konsultojë të dhënat dhe statistikat e Policisë së Shtetit, në qoftë se vërtetë kanë dëshirë e vullnet për të gjetur të vërtetën.

Gjithashtu, MPB e fton opozitën të përdorë çdo instrument parlamentar për të shuar dyshime e paranoja lidhur me shifrat e kriminalitetit, duke i garantuar se suksesin për uljen e kriminalitetit dhe rritjen e sigurisë në vend, nuk do e konsiderojë produkt ekskluziv të MPB dhe Qeverisë, por të mirë publike për qytetarët dhe sipërmarrësit në vend. Dezinformimi publik me synim ngjalljen e panikut te qytetarët nuk i shërben as sigurisë publike, as reformimit dhe forcimit të mëtejshëm të Policisë së Shtetit e aq më pak shëndoshjes politike të kujtdo partie politike”, thuhet më tej në reagim.

 

Berisha, pas shpërthimit në Pogradec: Rama-Meta lidhje me krimin e organizuar

berisha-fbIsh Kryeministri Berisha ka reaguar pas shpërthimit me granatë në derën e kreut të PD-së Pogradec, Luan Lipo. Berisha akuzon qeverinë Rama-Meta për lidhje me krimin e organizuar dhe deklaroi se kjo klimë terroriste ndaj opozitës inkurajohet nga pushteti.

“Të dashur miq, mbrëmë natën vonë, një dorë e zezë terroriste vendosi një granatë të fuqishme në pragun e derës së shtëpisë të kryetarit të PD të Pogradecit.

Shpërthimi i fuqishëm i granatës shkaktoi tronditje shokuese te fëmijët dhe bashkëshortja e z. Luan Lipo dhe banorët perreth. Ky shpërthim shokues i stampës terroriste ndodh në klimën e urrejtjes që mbjell çdo orë dhe çdo ditë ndaj opozitës dhe drejtuesve të saj kryekreu Edi Rama. Ai dëshmon lidhjet e fuqishme të Rames dhe qeverisë Rama-Meta me krimin, lidhje që qëndrojnë në themel të degradimit me shpejtësi të rendit publik dhe sigurisë në vend, rritjes marramendëse të kriminalitetit dhe trafiqeve kriminale.

Duke shprehur solidaritetin tim të plotë me kryetarin e PD, Luan Lipo, fëmijët dhe familjen e tij dhe me të gjithë demokratet e Pogradecit dhe dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë akt terrorist, bëj thirrje organeve të drejtësisë të bëjnë çdo gjë për hetim të paanshëm dhe vendosjen para ligjit të autorëve dhe organizatorëve të ketij akti tejet të rendë”, shkruan Berisha.