Avokati i Popullit në burgun e Rrogozhinës, inspekton situatën pas zjarrit

burgu-zjarrPas zjarrit që përfshiu institucionin e vuajtjes së dënimit në Rrogozhinë, një ekip i Avokatit të Popullit ka shkuar në burg për të monitoruar nga afër situatën.

Ekipi i Avokatit të Popullit, që përbëhet nga ekspertë të mekanizmit të parandalimit të tortures do të monitorojë situatën e të paraburgosurve dhe të të burgosurve në IEPV Rrogozhinë , sikundër do të vizitojë edhe të dënuarit që po marrin mjekim në spitalin e Kavajës, pas asfikësimit nga zjarri i mbrëmshëm.

Mbrëmë rreth orës 20:30 minuta burgu i Rrogozhinës u përfshi nga flakët, si pasojë e të cilave u asfiksuan 20 të burgosur, dy prej të cilëve në gjendje më të rëndë.

Njëri prej të dënuarve ndodhet në spitalin e Durrësit në reanimacion, ndërsa një tjetër i dënuar ndodhet në Tiranë pasi ka pësuar djegie të shkallës së tretë. Të dënuarit e tjerë që kanë shfaqur probleme për shkak të tymit ndodhen në spitalin Kavajës.

Ndërkohë paraditen e sotme rreth 100 të paraburgosur që gjendeshin në burgun e Rrogozhinës janë transferuar në burgun Peqinit për arsye sigurie.

Burime nga policia bëjnë me dije se dy vatrat e zjarrit që ranë një natë më parë në burgun e Rrogozhinës janë shuar dhe ky institucion është kthyer në normalitet.

Ndalohet autobusi me 52 pasagjerë, azil drejt Gjermanisë

autobusNjë autobus me 52 pasagjerë, të gjithë shqiptarë, është kthyer mbrapsht nga dogana e Muriqanit.

Burime nga policia kufitare bëjnë me dije se 52 shtetasit udhëtonin drejt Gjermanisë dhe dyshohet të jene pjesë e një trafiku klandestinësh, pasi të gjithë kanë ftesë nga i njëjti person gjerman dhe nuk kanë adresë të vendit ku do të qëndrojnë.

Mësohet se 52 pasagjerët janë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, kryesisht nga veriu, ndërsa mendonin se do të shkonin drejt Gjermanisë për të kërkuar azil.

PD: Ministri Tahiri fsheh viktimat e krimit, në katër muaj 51 të vrarë

flamur-nokaPartia Demokratike u është rikthyer sërish akuzave ndaj Ministrisë së Brendshme për fshehje të ngjarjeve kriminale që kanë ndodhur në vend. Ish-Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, në një deklaratë për mediat akuzoi Ministrin Tahiri për fshehje të numrit të viktimave përgjatë periudhës katërmujore të qeverisë Rama. Sipas tij kjo është një këmbanë alarmi për rënien e autoritetit të policisë, uljen e zbulueshmërisë dhe rritjen e krimit nën këtë qeverisje.

Deklarata e plote:

Ministri i Brendshëm krekoset se vrasjet me ardhjen e tij në pushtet janë vetëm 34.
Ndërkohë që Shqipëria është nën terrorin e maskave dhe tritolit, Ministri i Brendshëm ngrihet e krihet. Është skandaloze kurajoja që ka ky zyrtar i lartë i vendit për të gënjyer.
Nga shtatori e deri sot që flasim, janë 51 të vrarë. 51 viktima të krimit, që tregojnë jo vetëm pasigurinë në vend, por e nxjerrin Ministrin një gënjeshtar të paskrupullt. Tahiri thotë se në Janar, ka 11 të vrarë. Në fakt janë 17 të vrarë. Të dhënat e tregojnë këtë. Këto janë ngjarje të rënda dhe kur shoqërohen edhe më gënjeshtrat e Ministrit të Brendshëm bëhen këmbana alarmi, për rënien e autoritetit të policisë, uljen e zbulueshmërisë dhe rritjen e krimit nën këtë qeverisje. Teksa Ministri bën si polic, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë sillet si politikan. Numëruesi i parë i zgjedhjeve për Partinë Socialiste e tradhtoi veten me deklaratën që bëri kundër opozitës.

Drejtori i Policisë është në shërbim të qytetarëve dhe nuk mund t’i ndajë ata në pozitë dhe opozitë. Qëndrimet e tij politike, janë në kundërshtim me ligjin dhe një shkelje e rëndë e standardeve të drejtimit të Policisë së Shtetit. Didi e dëshmoi vetë dje se nuk është drejtori Policie, por drejtor partie. Qëndrime të tilla, kërkojnë të largojnë përgjegjësinë nga situata e rënduar kriminale, dhe nga skandali më i fundit, kur i penduari vinte vërdallë në Durrës e Tiranë, për të denoncuar bandën e tritolit, sepse në komisariate e përzinin. Arsyen pse refuzonin të penduarin, e dinë vetë ata. Partia Demokratike ka denoncuar në vijimësi gënjeshtrat e Ministrit dhe fshehjen që ai u bën ngjarjeve të rënda. Ja fakti më i fundit.
Dje në orët e para të mëngjesit, në Shkodër, një grup i armatosur dhe i maskuar, ka hyrë me forcë dhe ka marrë paratë që gjendeshin në zyrat qendrore të postës. Ngjarja nuk është bërë e ditur nga policia.Të gjitha këto manipulime të Ministrit dhe Drejtorit të Policisë, jo vetëm nuk e përmirësojnë rendin dhe sigurinë, por nxisin edhe më shumë kriminalitetin dhe i bëjnë ata palë me keqbërësit.

Dekretet, Nishani: Vendime të tilla, të mos cënohen nga interesa politike

For the story BC-EU—Albania-PresidentPresidenti i Republikës, Bujar Nishani, konsideron se vendimi i mazhorancës për të rrëzuar dekretet e tij për anëtarët e Gjykatës së Lartë, është bazuar në një gjykim të thjeshtëzuar, një arsyetim të pabazuar dhe një justifikim të sforcuar. Sipas presidentit, për përzgjedhjen e dy kandidatëve Petrit Çeno dhe Gjovalin Përnoca, është garantuar tërësia e parimeve kushtetuese.

Presidenti Nishani thekson se me dekretimin e zotërinjve Petrit Çeno dhe Gjovalin Përnoca, i ka qëndruar korrekt kritereve ligjore të: vjetërsisë në profesion; cilësisë së lartë të punës së kandidatit; ecurisë në karrierë; integritetit të lartë moral, pa anashkaluar përbërjen e trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë sipas raportit të përcaktuar nga ligjvënësi.

“Në të kundërt të kësaj, me keqardhje, Presidenti konstaton se në rastin e refuzimit të fundit, refuzuesit kanë vepruar në rend të kundërt. Kanë marrë një vendim, direktivë, ndoshta sugjerim, ndoshta urdhër, dhe në përputhje me këtë, kanë hartuar relacionin, kanë sugjeruar grupeve parlamentare të Shumicës refuzimin. Është në favor të interesit të përgjithshëm të vendit dhe qytetarëve shqiptarë, që vendimmarrje të tilla që në thelb kanë edhe parimin e luajalitetit ndërinstitucional, të mos cenohen nga interesa të grupimeve politike.”- thekson presidenti

“Bazuar në detyrimet kushtetuese dhe në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë, të Republikës së Shqipërisë”, që siç dihet është ndryshuar me miratim dhe konsensus të gjerë politik, realizuam këtë proces duke bërë njoftimin publik për fillimin e procedurave, shpallëm publikisht emrat konkretë të kandidatëve të cilët plotësonin kushtet ligjore, procedura, të cilat u bënë prezent gjatë procesit të këshillimit me përfaqësues të grupeve parlamentare. Vlerësova veçanërisht procesin e bashkëpunimit me përfaqësuesit në Kuvend dhe dakordësinë e tyre për kushtet dhe kriteret konkrete bazuar ne listën e konkurrenteve për një përbërje cilësore të Gjykatës së Lartë.”- nënvizon presidenti.

“Në një vështrim më të thellë, e shprehur në mënyrë të kondensuar, ajo që ndodhi me votimin, është një tregues më se i qartë se konsensusi politik i arritur mes palëve pas kërkesës së Bashkimit Europian për Ligjin e ri të Gjykatës së Lartë, të bind se konsensusi në fjalë nuk e kaloi provën. Çfarë vihet re fare qartë është se refuzimi u bë përmes një truku procedurial. Flitet për “Presidentin” nga njëra anë, dhe nga ana tjetër për “Shumicën Qeverisëse” qe ka përballë një palë armike politike. Çka është një qasje apo tablo thellësisht e gabuar.”- vijon më tej kreu i shtetit.

Një ditë më parë me votat e deputetëve të maxhorancës, Kuvendi rrëzoi dekretet e Presidentit të Republikës për emërimin e dy anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë.

Pas një votimi nominal, me 44 vota pro, 77 vota kundër dhe 2 abstenime kandidati i propozuar, Petrit Çeno nuk mori pëlqimin e Kuvendit për të qenë gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

Edhe kandidatit tjetër, Gjovalin Përnoca, me 39 vota pro dhe 75 vota kundër nuk mori pëlqimin e Kuvendit për të qenë pjesë e kësaj gjykate.

Gjirokastër, lihen në burg 3 autorët e sulmit ndaj autobuzit

1-autobusi-athine-tirane-u-qellua-tp-27-janar-2014-425x270Gjykata e Gjirokastrës ka lënë në burg 3 nga 4 të dyshuarit për sulmin me armë ndaj autobusit  të linjës Tiranë-Athinë.

Kështu gjykata ka dhënë masën e sigurisë “burg pa afat” për Klajdi Tringën 20 vjeç, Jurgen Lolën 22 vjeç dhe Besmir Ruçin 23 vjeç ndërsa pritet të japë masën edhe për Gentian Beqirajn 24 vjeç.

Autobusi i linjës Athinë Tiranë u sulmua nga tre të rinj në orët e para të datës 27 janar pranë fshatit Kras, vetëm 20 km larg qytetit të Tepelenës. Autorët e krimit nën efektin e narkotikëve i kanë bërë pritë autobusit dhe pasi kanë parë se autobusi ka vijuar rrugën kanë qëlluar drej tij ku si pasojë 25-vjeçar nga Elbasani Laurent Tabaku, humbi jetën, ndërsa një 19 vjeçare mbeti e plagosur.

Brenda 48 orësh policia e Gjirokastrës ka mundur të kryej identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre në pranga. Të ndihmuar nga një 29 vjeçar i cili u ka siguruar armët dhe automjetin, tre të rinjtë kanë thurur planin e grabitjes në një lokal në fshatin Vasjar.

I riu i cili ka bashkëpunuar që në fillim me policinë është dhe personi që ka drejtuar mjetin e arratisjes, ndërsa dy të tjerët kanë marrë përgjegjësinë e kryerjes së operacionit të dështuar të grabitjes. Ekspertët e kriminalistikës, bejne me dije se ne baze te dyshmive, autoret kane patur si qellim të terrorizonin udhëtarët duke shfrytëzuar errësirën. Sipas tyre në ndryshim nga rastet e zakonshme të grabitjeve nuk është ushtruar presion ndaj objektivit, ndërsa vrasja ka qenë e pamotivuar.

Basha: Situata ekonomike e përkeqësuar.Borxhi sa vjen e akumulohet

bashaKryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar se situata ekonomike në vend është përkeqësuar.

Duke folur në forumin ekonomik me temë “Ku po shkon ekonomia shqiptare?” Basha ka theksuar se punësimi mbetet ende një plagë për vendin.

“Shteti shqiptar padyshim është dhe mbetet vetëm një fraksion i fuqisë punëdhënëse t ë sektorit privat. Nga ana tjetër punësimi është sot edhe sfida edhe plaga më e rëndë e vendit prandaj nëse në një logjikë lineare ne partitë politike, parlamentarët duam të japim kontributin tonë është e domosdoshme t`i kthejmë nga biznesi. Për fat të keq të dhënat e fundit që vijnë nga Banka e Shqipërisë dhe nga ndërkombëtarët madje edhe nga vete INSTAT i vendosur nga një kontroll politik i paligjshëm tregojnë një përkeqësim të situatës ekonomike në tërësi” tha Basha.

Basha theksoi më tej senjë problem i madh mbetet edhe borxhi që sipas tij sa vjen dhe akumulohet.

“Hyrja në fuqi e paketës së re fiskale natyrisht  që është një barrë shtesë për biznesin në tërësi. Rritja me 50 përqind e tatimit mbi fitimin nga njëra anë dhe mungesa e çdo stimuli zhvillimi nga ana tjetër është ndiher nga ju nga ata që përfaqësoni dhe nga ekonomia në tërësi. 400 milionë dollarë mori qeveria borxh me aktin normativ të vitit të kaluar dhe tha se do paguaj borxhin e biznesit. Pagoi vetëm 30 milionë dollarë apo 7.5 përqind të kësaj shume. Problemi është që jo vetëm nuk janë larë borxhet por u morën 400 milionë dollarë borxh 3 muaj më parë, por borxhet vazhdojnë të akumulohen” tha Basha.

Sipas Bashës, konsumi ka rënie dhe në këtë rënie evidente pjesën e vet po e ben dhe paketa fiskale, taksa e karburantit që po shtrin efektin e saj me efekte shkatërruese.

Më pas Basha u ndal dhe tek fshirja e të dhënave në serverin e tatimeve që sipas tij përbën skandalin korruptiv më të madh të tipit mafioz.

“Megaskandali i vjedhjes së të dhënave të serverit të tatimeve, korrupsion i tipit mafioz. Të gjithë këto të dhëna të mbrojtura me ligj janë në duar të krimit, të shantazhuesve dhe në duar të klientelës. Nuk do të reshtim derisa përgjegjësit të vihen para përgjegjësisë, por djalli ka dalë nga shishja. Ky akt kriminal me përmasa të padëgjuara, do të ketë efekte mbi sigurinë fizike të sipërmarrësve dhe konkurrencën e lirë dhe në natyrën normale është detyra jonë të bëjmë çfarë është e mundur dhe të gjejmë rrugët se çfarë duhet të bëjmë së bashku për ti bërë fre këtij fenomeni kaq të rrezikshëm, si një shtet kryekëput mafioz” tha Basha.

Shakira dhe Rihanna prezantojnë video-klipin e tyre

rihana-shakira-seksiShakira dhe Rihanna kanë sjellë për publikun duetin e tyre “Can’t Remember To Forget You”.  Fansat mezi e kanë pritur këtë klip dhe këtë e tregojnë më së miri mbi 2 milionë klikime vetëm pak orë pas publikimit të projektit. Sipas komenteve në rrjetet sociale ato kanë mbetur mëse të kënaqur nga ky bashkëpunim i bukur mes dy divave.

 

 

 

 

Kosovë, hetim deputetëve të përfshirë në dhënien e tenderave

KUVENDI-KOSOVE2Disa deputetë të Kuvendit të Kosovës mund të përballen me drejtësinë për shkak të dyshimit për ndërhyrje në procesi e prokurimit të shtetit. Lajmi.net mëson se ata po hetohen nga organet e rendit për presion dhe ndikim në dhënien e tenderëve në disa ministri. Organet e drejtësisë janë duke hetuar disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët  dyshohet se kanë ndërhyrë në mënyrë sistematike në proceset e prokurimit publik, në disa ministri të ndryshme.

Burimet e lajmi.net bëjnë të ditur se këta deputetë e kanë përdorur pozitën e tyre publike për të ushtruar presion dhe për të ndikuar në vendimet që janë marrë për dhënien e tenderëve të ndryshëm, duke favorizuar kompani të caktuara.   Ditë më parë, Agjencia Kundër Korrupsionit denoncoi përmes një komunikate për shtyp presionet e vazhdueshme, siç u shpreh, nga “zyrtarë të lartë shtetëror” për rastet e inicuara nga kjo agjenci për çështje të korrupsionit. Lajmi.net mëson se ndër këto raste ka edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës të cilët kanë bërë presion mbi AKK’në dhe Drejtorin e saj, Hasan Preteni.

Arrest me burg për Marjon Mitro

eksploziv mitroGjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg” për dy anëtarët e “bandës së tritolit” N.GJ dhe Marjon Mitro.

Mitro akuzohet si porositës i disa shpërthimeve me tritol mes të cilëve edhe ai ndaj prefektit të Vlorës Besnik Drevishi. Mitro është mbrojtur në Gjykatë nga avokati i caktuar nga shteti. Ai ka deklaruar në gjyq se nuk ka lidhje me ngjarjet. Sipas avokatit Remzi Ponari, Marjon Mitro i ka deklaruar se i njeh personat e dëmtuar dhe i ka miq.

Ndërsa i pandehuri N.GJ ishte personi që i siguronte bazën materiale vrasësit me pagesë Juljan Sinanaj, i cili ka pranuar se ka kryer 27 vrasje në shtetin grek.

SHBA, Prokurorët kërkojnë dënim me vdekje për Tsarnaev

TsarnaevProkurorët amerikanë do të kërkojnë dënimin me vdekje kundër të dyshuarit për sulmin terrorist në Maratonën e Bostonit vitin e kaluar.

Prokurori i Përgjithshëm amerikan Eric Holder, njoftoi dje se qeveria do të kërkonte ekzekutimin e 20 vjeçarit Dzhokhar Tsarnaev, nëse ai shpallet fajtor. Tsarnaev akuzohet se aktivizoi dy bomba artizanale në garën vjetore, duke shkaktuar vdekjen e tre vetëve dhe plagosjen e mbi 260 të tjerëve.

Qeveria federale rrallë herë kërkon dënime me vdekje dhe vetëm 3 vetë janë ekzekutuar që nga viti 1988, kur mbaroi një moratorium mbi ekzekutimet. Zoti Holder tha se “sjellja e të pandehurit në këtë çështje dhe dëmet në njerëz si rezultat i saj” ishin motivimi për të kërkuar dënimin me vdekje.

Prokurorët argumentojnë se Tsarnaev, në atë kohë 19 vjeç, dhe i vëllai, 26-vjeçari Tamerlan Tsarnaev, të dy me origjinë çeçene dhe me banim në Shtetet e Bashkuara prej më se 10 vjetësh, prodhuan bombat dhe planifikuan sulme në vijën e finishit si hakmarrje për veprimet ushtarake amerikane në vende myslimane.

Ende nuk është caktuar data për gjyqin e Tsarnaevit, mbi të cilin rëndojnë 30 akuza, përfshirë akuzën për përdorimin e një arme të shkatërrimit në masë.

Tamerlan Tsarnaev u vra në shkëmbim zjarri me policinë, pak ditë pas shpërthimit. Pas një operacioni masiv të forcave të rendit, Dzhokhar Tsarnaev u gjet i fshehur në një varkë në oborrin e një banese private në rrethinat e Bostonit.