Rama: Shpresojmë që Britania të jetë me ne

ramalo2Kryeministri Edi Rama është shprehur se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk është thjesht një destinacion që duhet të arrihet, por një sfidë e brendshme, për të ndërtuar një vend me vlera europiane. Rama këto deklarata i ka bërë gjatë fjalës së tij që mbajti para një auditori studentësh të Universitetit të  Oksfordit, kushtuar zhvillimeve në Ballkan dhe perspektivës së këtij rajoni në Bashkimin Evropian.

Ai e paraqiti integrimin evropian si një shtyllë kryesore dhe prioritet madhor të politikës së jashtme të Shqipërisë. Kryeministri theksoi se, qeveria shqiptare e merr këtë proces në radhë të parë e merr si një sfidë të brendshme, për të ndërtuar në vend, pikërisht këto vlera që Evropa përfaqëson.

“Ne jemi të vendosur të ndërmarrim të gjitha hapat e kërkuar në mënyrë që të marrim statusin e vendit kandidat. Ne do të punojmë fort, duke mbajtur gjithmonë në mendje se integrimi në BE nuk është vetëm një destinacion, por është një set vlerash dhe standardesh që ne si fillim duhet t’i ndërtojmë në vend,” – u tha Rama.

Kryeministri shqiptar e ka vlerësuar si mjaft të rëndësishëm integrimin e të gjithë shteteve të Ballkanit në BE, jo thjesht si pjesë gjeografike, por edhe si bartës i vlerave të tij.  “Evropa nuk është një destinacioni jashtë nesh. Evropa duhet të jetë dhe Evropa është një destinacion brenda nesh. Arsyeja e parë dhe më e rëndësishme përse Ballkani ka nevojë për një BE të fortë dhe duhet të bëhet pjesë e saj, janë vlerat mbi të cilat u themelua Evropa dhe ajo që ato vlera përfaqësojnë sot”, – u shpreh kryeministri.

Rama gjithashtu foli edhe për përpjekjet që janë duke u bërë nga vend ynë për arritjen e standardeve evropiane dhe vendosmërinë e qeverisë  për të përmbushur çdo hap të nevojshëm për t’iu bashkuar BE-së. “Kjo lidhet – theksoi ai – me vullnetin tonë për të kontribuar në suksesin e një projekti ndërkombëtar brilant, të një Bashkimi Evropian që kontribuon ndërkaq për begatinë e miliona njerëzve, që krijon shoqëri akoma më të hapura dhe që kontribuon për një botë më të barabartë”.

Kryeministri Rama e vlerësoi edhe rolin e Britanisë së Madhe dhe mbështetjen që i ka dhënë  Shqipërisë në rrugëtimin evropian. “Shpresoj që, ndërkohë që Shqipëria vazhdon këtë udhëtimin të brendshëm, progresi dhe ndryshimi në mënyrë që të arrijë integrimin në BE, Britania e Madhe të jetë me ne, duke na shtyrë në drejtimin e duhur”, – tha kryeministri.

Rama gjithashtu foli edhe për bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit, pasi ky është një faktor kyç për një integrim të suksesshëm evropian.  “Unë jam shumë i vetëdijshëm se nuk mund të jemi të vetëm në këtë udhëtim. Unë e di se bashkëpunimi rajonal është një faktor kyç në procesin e integrimit dhe për të siguruar një integrim të suksesshëm dhe për të kontribuar për të ardhmen e BE-së, ne jemi të vendosur të punojmë sa më fort që të jetë e mundur me të gjithë fqinjët”, – u shpreh Kryeministri.

Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria, me brezat e saj të rinj, nuk do të jetë vetëm përfituese, por edhe kontribuuese në Bashkimin Evropian.“Ne jemi të sigurt që Shqipëria do të përfitojë nga BE-ja. Dhe mund t’ju premtoj se BE-ja do të përfitojë nga brezi i ri i shqiptarëve”.

 

Prezantuesja e BBC-së u vra nga sigurimi serb

jill-dando_2223357aNjë skuadër e agjentëve të sigurimit serb janë marrë në pyetje për faktet e reja të vrasjeve politike gjatë kohës së Milosevicit, e që ndërlidhen edhe me vrasjen e gazetares Jill Dando. Vrasja e gazetares Jill Dando, e cila u vra pas shpine me një plumb në kokë, besohet se është kryer nga një burrë serb që punonte për diktatorin Slobodan Milosevic, ka aluduar e veja e gazetarit serb Slavko Curivija, e cila e ka aktualizuar vrasjen gjatë ditës së djeshme. Përderisa katër janë të njohur më emër e mbiemër, Branka Prpa ka thënë: Besoj që ata e kanë vrarë edhe Jillin.

Agjentët sekret janë lidhur me vrasjen e Jill Dando, dhe të gjithë kishin pozita të larta gjatë regjimit brutal serb të Milosevicit. Lideri i dhunshëm thuhet se ka qenë në armiqësi kundër prezantueses së BBC-së pasi që ajo kishte paraqitur suksesshëm të zhvendosur kosovarë dhe pastrimin brutal etnik në programin e saj që e ka bërë gjatë viteve ’90. Përderisa tre burra ishin në atë mbrëmje në pyetje ata janë marrë për lidhjet e tyre me vrasjet politike në Serbi dhe mandat ndërkombëtarë për arrest që është lëshuar për katër persona, e veja e njërit prej të cilëve pretendon që viktima e tyre mund të jetë prapa vrasjes së Jill në prill të vitit 1999.

Branka Prpa ka thënë se burri i saj, gazetari Slavko Curuvija, ishte goditur për vdekje 15 ditë para se ylli i “Crimewatch” të vritet para shtëpisë së saj në moshën 37-vjeçare. Ajo thotë se vrasja e Jill tregon se ajo ishte një vepër e bërë nga një mafia e policisë sekrete serbe. Katër burra të pamaskuar për herë të parë janë paraqitur nga gazeta “Mirror” e Anglisë – një ndërlidhet edhe me vrasjen e Slavkos. Njëri quhet Radomir Markovic    dhe momentalisht është në burg ku akuzohet për vrasjen e ish-presidentit serb Ivan Stambolic. Tjerët janë Milan Radonjic, Ratko Romic dhe Miroslav Kurak.

Slavko ishte qëlluar për vdekje prapa kokës përderisa ishte duke shkuar në shtëpi – ashtu sikurse Jill e cila u qëllua në shtëpinë e saj në Fulham, Londrën jugperëndimore. “Duke marrë në konsideratë faktin që është absolutisht e qartë që vrasjen e burrit tim e kanë kryer komiteti i sigurisë së lartë, besoj që këta janë njerëzit që janë të involvuar edhe në vrasjen e Jill Dando. Është detyrë e autoriteteve që të hulumtojnë këtë rast vazhdimisht dhe në fund të dihet kush e ka kryer këtë krim të tmerrshëm. Shkrimi më dorë është i njëjta, metodologjia e ekzekutimit më armë është ë njëjtë. Është shumë e mundshëm dhe është jo realiste të themi se kjo nuk është vepër e të njëjtëve njerëzve”, ka thënë Branka.

Një historian i respektuar ka thënë se ajo beson që arrestimi i ish-agjentëve të sigurisë do të rezultojë në marrjen në pyetje për vrasjen e Jillit. E pyetur nëse ajo beson që skuadra serbe qëndron prapa   vrasjes ajo përgjigjet: Natyrisht, shërbimet e sigurisë kanë bërë edhe operacione jashtë shtetit, pse mos ta bënin këtë? “Nëse do të ishte vrasje e natyrës politike, përgjegjës për të janë ata të cilët janë burim për politikën po ashtu”. “Kush tjetër do ta vriste një gazetare të BBC-së nëse nuk do të kishte një arsye personale? Arsyet janë politike. Kush mund të ishte burim i një dëshire politike? Regjimi i Milosevicit, natyrisht. Kush tjetër mund të merrej me aktivitete të këtilla në Serbi në atë kohë, veç Serbisë”, ka thënë vëllai i Jill Nigel Dando mbrëmë. “Ne po përcjellim zhvillimet me interes”. I dyshuari kryesor është Markovic, ish shef i Shërbimit të Sigurisë Kombëtare Serbe, i njohur si DB. Ai është dënuar më 2005 për vrasjen e Stambolic, i cili u zhduk në gusht të vitit 2000 gjatë regjimit të MIlosevicit.

Ai ka qenë president nga viti 1982 – 1983. Radonjic dhe Romic, të dy ish shefa të DB, janë arrestuar muajin e kaluar në lidhje me vrasjen e Slavkos. Kurak po ashtu është agjent i DB-së. Ai është larguar nga Serbia para një dekade dhe besohet se udhëheq një firmë gjuetie në Tanzani, Afrikën Lindore. Zyrtarët janë në proces të lëshimit të urdhërarrestit për të me anë të Interpolit. Burimet thonë se vrasësit e mundshëm tashmë janë intervistuar për Slavkon dhe në të janë edhe një “numër i vrasjeve të pazgjidhura”. Slavko, ashtu si Jill duket se e ka mërzitur Milosevicin. Prokurori special për krimin e organizuar, Miljko Radisavljevic tha se dëshmitarë kyç janë duke u marrë në pyetje për vrasjen e gazetarit e që është ish-shefi i njësisë për operacione speciale Milorad Ulemek. Ai është dënuar me 40 vjet burg për vrasjen e kryeministrit Zoran Dindic më 2003. Ai po ashtu është në burg për dy vrasje të tjera politike. (Marrë nga gazeta Express

Tritol në brez, arrestohet 50-vjeçari

tritol-2Policia e Tiranës ka arrestuar një 50-vjeçar, i cili u kap me disa kallëpe tritoli në brez. 50-vjeçari është identifikuar si shtetasi Gëzim Allushi, dhe mësohet se kishte udhëtuar nga Burreli deri në Kamëz, me tritolin në brez. Arrestimi i tij është bërë në Kamëz nga forcat e Komisariatit numër 5, dhe aktualisht ndodhet në ambientet e këtij të fundit, ku po merret në pyetje.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, arrestimi i Allushit është bërë në një nga lokalet në qendër të Kamzës, ku dhe po qëndronte 50-vjeçari.

“Më datë 25 Shkurt 2014 nga Komisariati i Policisë Nr.5 Tiranë, në Kamëz,  u bë e mundur kapja e shtetasit Gëzim Allushi, 50 vjeç, banues në Kamëz Tiranë. Kapja e tij u bë pas marrjes në kohë të një informacioni të strukturave të policisë mbi vendodhjen e tij dhe posedimit të lëndëve plasëse. Pas kontrollit të imtësishëm të ushtruar në ambjentet e një lokali ku po qëndronte,  shtetasi i lartëpërmendur, iu gjetën të fshehura në trup disa kallëpe lëndë plasëse (dinamit)“, -thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.

Policia dyshon se 50-vjeçari mund ta kishte përdorur tritolin për ndonjë atentat, ndërkohë që po pritet që dëshmia e tij. Paraprakisht mësohet t’u ketë thënë policëve se tritolin e kishte që nga viti 1997, koha e trazirave në vend, por nuk dihet se për çfarë qëllimi e kishte sot me vete, për më tepër të fshehur në trup, poshtë rrobave.

Balla: E garantoj dhëndrin e ish-kryeministrit se drejtësia do të vendoset shumë shpejt

balla1Sot në Gjykatën e Apelit në Tiranë ishte programuar seanca gjyqësore për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeminstrit Berisha, dhe kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Ballës. Por kjo seancë nuk është zhvilluar, pasi mungonte Balla, pasi siç sqaron ai, ndodhej në një një mbledhje të Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare.

Por bashkëshorti i Argita Berishës, vajzës së Sali Berishës, akuzon Ballën se po i fshihet drejtësisë. Nëpërmjet një njoftimi për mediat, Malltezi thotë se Taulant Balla po mashtron gjykatën.

“Pas shpifjeve ndaj qytetarëve, tani, Taulant Balla po mashtron gjykatën. Pasi ishte ankuar kundër vendimit të shkallës së parë të gjykatës së Tiranës që e shpalli shpifës ndaj meje, Balla iu fsheh sot përballjes në seancën e caktuar nga Gjykata e Apelit në Tiranë dhe kërkoi shtyrjen e gjykimit me pretendimin se ishte në një mbledhje të Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare. Ndërkaq mësojmë se ky komision ka 3 javë që nuk mblidhet!!!”, -thuhet në njoftimin për shtyp që Jamarbër Malltezi u ka dërguar medieve.

Por Malltezi shkon edhe më larg kur e cilëson deputetin socialist si frikacak dhe mashtrues, me pretendimin se Balla shpif për qytetarët dhe mashtron gjykatën.

“Shpreh keqardhje që në parlamentin shqiptar kemi deputetë që përveçse shpifin për qytetarët sipas qejfit dhe interesit, shkojnë deri dhe mashtrojnë gjykatën. Kjo është shpërfillje dhe tallje me gjykatën e një bande që nuk njohin shtet, ligj dhe moral. Është trishtuese të shohësh që përfaqësohemi nga frikacakë si Balla që nga një anë përbetohen për respektim të ligjeve të vendit, e nga ana tjetër shpifin për qytetarët dhe mashtrojnë gjykatat. Shpresoj që të gjejë forca dhe të mos i përvidhet përballjes me shpifjet e tij në Gjykatën e Apelit në seancën e ardhshme”, -përfundon njoftimi për shtyp i Malltezit.

Balla: E garantoj dhëndrin e babit ish-kryeministër, familjen klanore në tërësi, se drejtësia do të vendoset shumë shpejt. Edhe për ju!

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Ballës, i cili nëpërmjet një njoftimi për mediat, sqaron arsyet se pse nuk u paraqit sot në sancën gjyqësore. Balla thotë se është kërkuar shtyrja nga avokati, për shkak të angazhimeve të shumta që ai ka si nënkryetar i Grupit Parlamentar Socialist, si kryetar i Delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në Parlamentin Evropian, si nënkryetar i Komisionit të Integrimit Evropian dhe si anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare.

Deputeti Balla deklaron ka kërkuar shtyrjen e seancës gjyqësore, pasi ai do të jetë i pranishëm për të shprehur qëndrimet e tij kundër klanit familjar të Sali Berishës.

Balla nuk lë pa përmendur akuzat ndaj Malletzit, që sipas tij vodhi klubin e futbollit “Partizani” me vendimet, siç i quan ai, të vjehrrit, babi Saliut.

Në fund Balla shprehet: “E garantoj dhëndrin e babit ish-kryeministër, familjen klanore në tërësi, se drejtësia do të vendoset shumë shpejt. Edhe për ju! Sa për frikacak, Jamarbëri bën mirë të pyesë Sali Berishën, se ky më njeh mirë”.

Fjala e plotë e Ballës:

Të dashur miq,

Sot në Gjykatën e Apelit ishte programuar zhvillimi i seancës gjyqësore me dhëndrin e babit ish-kryeministër Sali Berisha. Pas një vendimi qesharak në Gjykatën e Shkallës së Parë, ku dhëndri i Sali Berishës nuk u paraqit në asnjë seancë gjyqësore për të dhënë shpjegime, sot dëgjova se dhëndri qenka ankuar për një shtyrje normale dhe ligjore të seancës.

Është kërkuar shtyrja nga avokati, për shkak të angazhimeve të shumta që unë kam si nënkryetar i Grupit Parlamentar Socialist, si kryetar i Delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në Parlamentin Evropian, si nënkryetar i Komisionit të Integrimit Evropian dhe si anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare.

Është kërkuar shtyrja sepse edhe në këtë seancë gjyqësore në apel unë dua të jem përsëri aty personalisht, për të rishprehur qëndrimet e mija kundër klanit familjar të Sali Berishës, që sot është rrëzuar nga pushteti, në pritje të drejtësisë.

Të gjithë shqiptarët e dinë se dhëndri i Sali Berishës vodhi klubin e futbollit Partizani, me vendimet e vjehrrit, babi Saliut.

Shqiptarët duan transparencë dhe procesi sapo ka filluar. Hetimi i pasurive të politikanëve dhe familjarëve të tyre është pjesë e këtij procesi transparence. Procesi i reformës në drejtësi është në hapat e parë, por e sigurt është që kjo mazhorancë do bëjë gjithçka për vendosjen e drejtësisë në binarët dhe standardet e duhura.

E garantoj dhëndrin e babit ish-kryeministër, familjen klanore në tërësi, se drejtësia do të vendoset shumë shpejt. Edhe për ju! Sa për frikacak, Jamarbëri bën mirë të pyesë Sali Berishën, se ky më njeh mirë.

Ruçi: deputetë, përballoni debatin!

largea_gramoz-ruci1346667848Përgatituni për diskutime jashtë rendit të ditës. Kjo ishte porosia që kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi u përcolli dje deputetëve gjatë mbledhjes së përjavshme.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura ku u diskutua axhenda e seancës plenare të ditës së enjte, Ruçi ka sjellë në vëmendje seancat e fundit ku debati është zhvendosur krejtësisht nga rendi i ditës. Duke i paraprirë një situate të ngjashme ai u kërkoi deputetëve që të përgatiten për një situatë të tillë.

Përplasjet 

Porosia e Ruçit është në vijim të kërkesës së bërë nga Kryeministri Edi Rama pak javë më parë në mbledhje grupi. Dhe kryeministri porositi ligjvënësit që akuzat e opozitës për çdo çështje të marrin përgjigje të argumentuar,jo vetëm nga ministrat e kabinetit qeveritar, por dhe nga deputetët e mazhorancës. Seanca e fundit plenare u kthye në një arenë debati mes palëve lidhur me vendimin e Kuvendit për të shkarkuar kryeispektoren e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Zana Xhuka.

Opozita duke mbrojtur emërimin e bërë prej saj kundërshtoi argumentet e mazhorancës për shkarkimin e kreut të ILDKP-së. Argumentet e kreut të deputetëve të PDsë, Edi Paloka, morën përgjigje nga kreu i deputetëve socialistë, Gramoz Ruçi, por dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

Përplasja vijoi mes kryeministrit Edi Rama, ish-kryeministrit Sali Berisha, ligjvënësve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për një sërë çështjesh të aktualitetit politik. Kjo situatë është përsëritur në disa seanca me radhë çka çon në një tejzgjatje të seancave plenare.

 Axhenda 

Në seancën plenare të ditës së enjte në rend dite është miratimi i procesverbalit të seancës plenare, datë 20.02.2014; miratimi i projektligjit «Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Vjenës “Për të drejtën e traktateve midis shteteve dhe organizatave ndërkombëtare ose midis organizatave ndërkombëtare”, 1986”’; miratimi i projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë, për realizimin e “Programit të ndihmës së integruar për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare”; miratimi i projektligjit “Për kujdesin shëndetësor të veçantë të punonjësve të strukturave speciale operacionale të Policisë së Shtetit”; miratimi i projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore” të ndryshuar” si dhe miratimi i projektligjit “Për disa ndryshime ne ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.

Basha: Do të kushtëzojmë marrëdhëniet me Kuvendin

Lulzim_Basha_mDemokratët paralajmërojnë rishikimin e marrëdhënieve me Parlamentin. Qëndrimi u theksua dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të selisë blu, nga kreu i kësaj partie, Lulzim Basha. Në diskutimin me dyer të mbyllura, Basha ka ritheksuar rishikimin e qëndrimit në Kuvend. Ai ka pohuar më tej se do të vijojnë protestat në gjithë vendin si dhe do të mbështetet protesta e nisur tashmë për rreth 20 ditësh nga shoferët e furgonave 8+1. Më herët Basha u ka bërë thirrje publikisht deputetëve PD-së të dalin në terren të informojnë elektoratin për vendimet si dhe për vazhdën e protestave që opozita do të ndërmarrë në varësi të keqqeverisjes.

“Me ngjarjet e fundit në Kuvend, ku ligji dhe Kushtetuta u ekzekutuan përsëri me urdhrin politik të Ramës dhe Metës, ne do të rishikojmë marrëdhëniet tona me Kuvendin, në funksion të misionit tonë për mbrojtjen e ligjit, Kushtetutës dhe demokracisë. Ne nuk do të pranojmë t’i japim legjitimitet Parlamentit të një shumice që ka zgjedhur të bëhet gijotina e ligjit dhe Kushtetutës. Kjo, le të jetë java e intensifikimit të kontakteve të secilit prej jush me zgjedhësit tanë, me qytetarët anembanë vendit për të informuar mbi rrezikun vdekjeprurës   për shtetin, demokracinë dhe liritë, të veprimeve të fundit të shumicës Rama-Meta dhe për të marrë mendimet e tyre në funksion të vendimeve tona”, – tha ai. Kryetari i PD-së deklaroi se protestat e reja varen nga keqqeverisja.

“Populli sovran do të marrë në dorë fatin e tij, gabohen rendë ata që mendojnë se me dinjitetin e qytetarëve mund të luhet. Shqipëria në protestë është puna jonë si opozitë. Do të rishikojmë marrëdhëniet tona me Kuvendin, në funksion të mbrojtjes së ligjit, Kushtetutës dhe demokracisë”,- u shpreh Basha. Kryetari i opozitës akuzoi qeverinë për krijimin e monopoleve, rritjen e pasigurisë, kontrabandës dhe korrupsionit në vend. “Monopole kontrabandë e korrupsion evident.

E njëjta gjë po ndodh në fushën e rendit, vrasjet dhe pasiguria vetëm rriten. Trafiku i drogës ka kapur nivelin e maunes. Në protestë bashkohet mbrojtja e demokracisë dhe mbrojtja e bukës së gojës”,- theksoi lideri i opozitës. Më pas, me propozim të ish-kryeministrit Berisha, grupi parlamentar i PD-së mbajti një minutë heshtje në nderim të viktimave në Ukrainë. “Të mbajmë një minutë heshtje për demokratët e Ukrainës, të cilët u flijuan për liritë, vokacionin perëndimor të kombit dhe dheut të tyre,”- u shpreh Berisha.

Disa zona të Tiranës nesër pa energji elektrike

cezh-shperndarje“CEZ Shpërndarje” ka lajmëruar sot të gjithë qytetarët e Tiranës se ditën e nesërme do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike në disa lagje të Tiranës. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp CEZ njofton se ditën e nesërme, nga ora 00:30 deri në orën 05:30 nuk do të ketë energji elektrike në këto zona: Rruga e Durrësit,  Rr. “Ded Gjoluli”, Rr. “Mihal Duri”, Rr. “Pjetër Bogdani”, Rr. “Vëllezërit Manastirlliu”, dhe Rr. “Naim Frashëri”. Ky stakim i energjisë vjen për shkak të punimeve që do të kryhen.

Njoftimi i plotë i “CEZ Shpërndarje”: 

CEZ Shpërndarje ka aprovuar kërkesën e OST-së për punime remonti. Për arsye sigurie është kërkuar stakimi i përkohshëm i energjisë elektrike në objektet ku do të kryhen punimet.

Në dt. 26/02/2014 nga ora 00:30 deri në orën 05:30 do të stakohet  linja 110 kV Tirana 1 – Qendër.

Drejtoria Rajonale Tiranë në këtë interval kohor do të marrë masa për t’i furnizuar fidrat e N/Stacionit Qendër nga fidrat e N/Stacioneve Selitë dhe Traktora.

Fidri që ngelet pa energji është Fidri  L-5  për dt. 26/02/2014 nga ora 00:30 deri në orën 05:30. Shkëputje të përkohshme të furnizimit me energji elektrike gjatë këtyre orëve do të kenë zonat: Rruga e Durrësit,  Rr. “Ded Gjoluli”, Rr. “Mihal Duri”, Rr. “Pjetër Bogdani”, Rr. “Vëllezërit Manastirlliu”, Rr. “Naim Frashëri”.

Presidenti Nishani shpall listën e kandidatëve për një vend në Gjykatën e Lartë

NishaniPresidenti i Republikës shpalli sot listën e konkurruesve, të cilët plotësojnë kushtet ligjore si kandidatë për një vend vakant në Gjykatën e Lartë.

“Në përfundim të afatit për shqyrtimin e dokumentacionit të çdo konkurruesi për anëtar të Gjykatës së Lartë,  Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në zbatim të ligjit nr. 151/2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8588, datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, shpall kandidatët të cilët plotësojnë kushtet ligjore të përcaktuara në ligjin e lartpërmendur”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Procesi përzgjedhës do të vijojë me bashkëpunimin midis Presidentit të Republikës dhe kryetarëve të grupeve parlamentare  të Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim përcaktimin e kritereve konkrete, bazuar në listën e kandidatëve, në përputhje me kërkesën kushtetuese për kualifikim të lartë të anëtarit, duke siguruar kështu përbërjen cilësore dhe të nevojshme për Gjykatën e Lartë.

Lista e konkurruesve që plotësojnë kushtet ligjore si kandidatë për anëtarë të Gjykatës së Lartë, për kandidatët që vijnë nga radhët e gjyqësorit është: Alaudin Malaj, Astrit Kalaja ,Entela Prifti, Fatos Qato, Luan Dervishi, Sokol Ngresi.

Ndërsa lista për kandidatët që vijnë nga radhët e juristëve është; Adnor Shameti, Ermir Dobjani, Genti Shala, Gjet Kola, Ilir Panda, Luan Daci, Pranvera Strakosha, Prel Martini, Rexhep Bekteshi, Sokol Sadushi, Shpëtime Pitaku.

BE-ja shtyn nënshkrimin e një marrëveshjeje asocimi me Kievin

ueBashkimi Evropian shtyu sot mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje afrimi me Ukrainën kundrejt kushtit të formimit të një qeverie të re të dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 25 majit dhe kujtoi se çdo ndihmë financiare kushtëzohej me reforma ekonomike. “Marrëveshja tregtare dhe e investimeve që kemi propozuar vazhdon të jetë e vlefshme”, kujtoi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Olivier Bailly, në një deklaratë shtypi. Ai nuk e përdori termin “marrëveshje asocimi” të përdorur nga liderët evropianë deri tani. Ai përjashtoi nënshkrimin e çdo marrëveshjeje përpara formimit të një qeverie të re të zgjedhur në Ukrainë.     Mosnënshkrimi nga presidenti i përmbysur Viktor Janukoviç i një marrëveshjeje të tillë në nëntor e çoi vendin në krizë. “Fillimisht duhet të presim përfundimin e periudhës së tranzicionit politik të filluar të shtunën në Kiev me shkarkimin e Janukoviçit, përpara se të diskutojmë për zgjedhjet e parakohshme të 25 majit pasi të jetë formuar qeveria e re”, theksoi ai. “Kjo nuk do të thotë se qeveria aktuale nuk është e ligjshme, por një qeveri e zgjedhur është garanti i një zgjedhjeje krejtësisht sovrane”, u shpreh ai. Bailly tha gjithashtu se një mbështetje financiare dhe ekonomike e Evropës për Ukrainën kushtëzohej me vënien në zbatim nga ky vend të reformave ekonomike që FMN-ja është gati t’i diktojë. “Jemi gati t’i ndihmojmë me kusht që të ketë reforma ekonomike në Ukrainë”, këmbënguli ai, ndërkohë që autoritetet e reja i kanë kërkuar komunitetit ndërkombëtar 35 miliardë dollarë ndihmë financiare për të shmangur falimentimin.

KLD, rrëzohet kërkesa e ish-kryeprokurores Ina Rama

Ministria-e-drejtesiseKëshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD), në mbledhjen e zhvilluar sot, ka rrëzuar kërkesën e ish- Prokurores së Përgjithshme,  Ina Rama për tu emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Burime të KLD-së bënë të ditur për ATSH-në,   se kërkesa e znj. Ramës u rrëzua me shumicë votash ne mbledhjen e Këshillit, me argumentimin se,  gjykata ku ajo ka punuar para se të emërohej si Prokurore e Përgithshme,  ishte Gjykata e Apelit për Krimeve të Rënda dhe jo Gjykata e Apelit,  Tiranë.

Për tu emëruar në Gjyjkatën e Apelit Tiranë, vijon argumentimi i vendimit të KLD,  znj.Rama duhet t’i nënshtrohet konkurimit me pretendentët e tjerë.  Mbledhja e KLD, u zhvillua me dyer të mbyllura