BE-ja shtyn nënshkrimin e një marrëveshjeje asocimi me Kievin

58

ueBashkimi Evropian shtyu sot mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje afrimi me Ukrainën kundrejt kushtit të formimit të një qeverie të re të dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 25 majit dhe kujtoi se çdo ndihmë financiare kushtëzohej me reforma ekonomike. “Marrëveshja tregtare dhe e investimeve që kemi propozuar vazhdon të jetë e vlefshme”, kujtoi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Olivier Bailly, në një deklaratë shtypi. Ai nuk e përdori termin “marrëveshje asocimi” të përdorur nga liderët evropianë deri tani. Ai përjashtoi nënshkrimin e çdo marrëveshjeje përpara formimit të një qeverie të re të zgjedhur në Ukrainë.     Mosnënshkrimi nga presidenti i përmbysur Viktor Janukoviç i një marrëveshjeje të tillë në nëntor e çoi vendin në krizë. “Fillimisht duhet të presim përfundimin e periudhës së tranzicionit politik të filluar të shtunën në Kiev me shkarkimin e Janukoviçit, përpara se të diskutojmë për zgjedhjet e parakohshme të 25 majit pasi të jetë formuar qeveria e re”, theksoi ai. “Kjo nuk do të thotë se qeveria aktuale nuk është e ligjshme, por një qeveri e zgjedhur është garanti i një zgjedhjeje krejtësisht sovrane”, u shpreh ai. Bailly tha gjithashtu se një mbështetje financiare dhe ekonomike e Evropës për Ukrainën kushtëzohej me vënien në zbatim nga ky vend të reformave ekonomike që FMN-ja është gati t’i diktojë. “Jemi gati t’i ndihmojmë me kusht që të ketë reforma ekonomike në Ukrainë”, këmbënguli ai, ndërkohë që autoritetet e reja i kanë kërkuar komunitetit ndërkombëtar 35 miliardë dollarë ndihmë financiare për të shmangur falimentimin.