Kryetari i Kuvendit, Ilr Meta, ftoi të sot Partinë Demokratike të kontribuojë për fuqizimin e rolit mbikeqërës të Parlamentit. Gjatë seancës plenare, ku vijoi për dy ore debati mes maxhorancës dhe opozitës për shkarkimin e ish-Kryeinspektores Zana Xhuka, kreu i Kuvendit, Meta, tha se Partia Demokratike injoron një fakt mesa duket me qëllim. “Është absurde që përfaqësuesja e një institucioni nuk dënjonte të komunikonte me Kuvendin dhe komisionin e Ligjeve. Ajo nuk paraqitej edhe pse përveç se detyrim kushtetues e kishte edhe detyrim etik, moral e ligjor, sepse çdo person që zgjidhet nga Kuvendi e ka për detyrë të respektojë Kushtetutën, ligjet dhe Kuvendin. Shqipëria është Republikë Parlamentare dhe nuk mund të ketë asnjë institucion mbi Kuvendin. Ftoj PD-në të kontribuojë për fuqizmin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit”, deklaroi Meta.
Meta: Ftoj PD-në të kontribuojë për fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit
Berisha: Ua rrëzoj qeverinë me 5 mijë protestues
Kryeministri, Sali Berisha i ka bërë thirrje qeverisë që të tërhiqet nga vendimet “antikushtetuese” dhe vendimet “e padrejta”. Berisha vuri theksin tek vendimi për heqjen e licencave për transportin e qytetarëve për furgonët. Ai akuzoi qeverinë se po lë pa të ardhura “20 mijë familje”, me synimin për të vënë kompani monopol që kanë lidhje me qeverinë.
Ish-kryeministri u bëri thirrje drejtuesve të koalicionit qeveritar që të tregohen të kujdesshëm me pushtetin që morën nga zgjedhjet e 23 qershorit të vitit të kaluar sepse sovrani mund t’ua marrë sërish atë që ua dha me votë.
“A e dini ju mor zotërinj, ai sovran që është aty, ai sovran që po proteston aty (para Kuvendit), ai që ishte në protestë më 20 shkurt, e bën pluhur brenda pesë minutash. Dëgjojeni mirë këtë që u them unë.”
I frymëzuar nga protestat në Ukrainë që sollën rrëzimin e pushtetit të Viktor Janukoviçit, Berisha kërcënoi në sallën e Kuvendit me trazira popullore.
“U dëgjova të bënin komente se ishin 5 mijë dhe jo 150 mijë. Por, a e dini ju se 5 mijë nuk ka polici në botë që t’i përballojë. Po ju jeni naivë. A e dini ju se me 5 mijë nuk matet dot asnjë polici”, u shpreh Berisha.
“Ne u themi këtu se këto veprime kanë një potencial të jashtëzakonshëm destabilizimi për vendin. Ne i themi këtu atij të cilit votat nuk i mori si energji pozitive për veten e tij, por si shuplakë ndaj nesh. I themi se kjo politikë është antikombëtarë, antiqytetare, antiintegrim. Por ju nuk keni interes integrimi por vetëm interesa pasurimi. Atëherë çfarë mbetet çfarë na lidh ne me ju. Ne nuk bllokojmë dot vendimet tuaja. Në rast të kundër do na detyroni të shkojmë aty ku nuk kemi dashur”, përfundoi ish-kryeministri.
Cana: Shqiptarët kanë vetëm një kombëtare
“Unë jam kosovar, por shqiptarët kanë vetëm një kombëtare”, -kështu shprehet Lorik Cana, kur pyetet për ftesën që ka marrë nga kombëtarja e Kosovës, për të luajtur në ndeshjen miqësore me Haitin. Sipas Canës është e kuptueshme që ai do të ftohej për të luajtur në atë ndeshje, pasi ai është kosovar, por për mesfushorin e Lacios Shqipëria ka vetëm një kombëtare.
Ndërsa për sa i përket Kampionatit Evropian të 2016-ës, Etrit Berisha shprehet se do të jetë një rrugë e vështirë, por duke marrë parasysh që në grup janë vetëm pesë skuadra, ka më tepër mundësi për të kaluar në fazën finale, raporton “La Lazio Siamo Noi”.
“Mua dhe skuadrës sime na intereson vetëm të fitojmë. Edhe ndeshja kundër Serbisë do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme, një nga më domethënëset të karrierës sime profesionale, kështu që do të mundohemi të japim maksimumin tonë”, -shprehet Berisha.
Për Berishën nuk mungojnë as mundësitë për një kualifikim në Kampionatin Evropian të 2016-ës. “Do të përpiqemi të marrim sa më shumë pikë që të jetë e mundur, nuk do të mendojmë për kualifikimin, por duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje dhe në fund të shohim se çfarë do të arrijmë”, -thotë Berisha.
Në shorteun e hedhur pak ditë më parë nga FIFA, Shqipëria do të jetë në grup me Serbinë, Danimarkën, Armeninë dhe Portugalinë.
Topalli i drejtohet Ramës: “Mos fol pa leje”
Ish-kryetarja e Kuvendit për tetë vitet e fundit ka drejtuar akuza ndaj mazhorancës së majtë. Jozefina Topalli gjatë fjalës në Kuvend ka sulmuar ashpër kryeministrin, Edi Rama dhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta.
“Ti je kryeministri më i pafytyrë që mund të ekzistojë. Dil dhe fol përballë, bëhu trim dhe mos belbëzo aty mbrapa duke fyer dhe duke belbëzuar”, iu drejtua Topalli Ramës.
“Ke shkel çdo ligj, çdo rregullore, ke shkel kushtetutën ke bërë atë që kurrë një kryetar Kuvendit në 24 vite nuk ka guxuar ta bëjë”, iu drejtua Topalli kreut të Kuvendit duke iu referuar shkarkimit të kryetares së ILDKP-së.
Më tej, ndërsa Topalli po vazhdonte fjalën e saj me akuza të tjera ndaj Metës, ajo reagoi ndaj fjalës nga vendi të kryeministrit Rama me fjalët: “Mos fol pa leje”. Ndërsa Topalli po sulmonte Ramën, nga salla deputetë të mazhorancës thërrisnin: “Kape për zhelesh”.
“Je kryeministri më qesharak që ky parlament ka parë ndonjëherë. Ti mos z. kryeministër mund t’i flasësh me gjuhën që ti njeh secilit ministër, por harroje se mund të kërcënosh opozitën”, u shpreh Topalli.
SIRI – OPCW: Një ngarkesë me gaz mustardë evakuoet nga vendi
Një ngarkesë me gaz mustardë u largua sot nga Siria për t’u shkatërruar në bazë të një marrëveshjeje me regjimin e Damaskut, njoftoi misioni i përbashkët OKB-Organizata për ndalimin e armëve kimike (OPCW).
“Një ngarkesë me gaz mustard është larguar nga territori sirian”, deklaroi shefja e misionit të mbikëqyrjes së shkatërrimit të arsenalit kimik sirian, Sigrid Kaag.
“Përshëndes dërgimin e kësaj ngarkese që përbën një hap të rëndësishëm në asgjësimin nga Siria të programit të saj të armëve kimike”, shtoi ajo.
”Misioni i përbashkët pret me padurim që Siria të përfundojë tërheqjen e pjesës tjetër të materialit kimik në mënyrë të sigurt dhe brenda afatit të parashikuar, dhe që përshpejton transportin e elementëve kimikë në sasi të mëdha dhe në mënyrë të rregullt dhe sistematike”, vazhdoi ajo.
Kjo është ngarkesa e katërt me materiale armësh kimike. E fundit është nisur më 10 shkurt me një anije norvegjeze.
Siria i ka bërë të ditur së fundmi OPCW-së se do ta përfundonte evakuimin e 1 200 tonëve lëndë kimike të kategorive të para dhe të dyta deri në fund të majit.
Rama: Lehtësim për çdo sipërmarrje të biznesit turk në Shqipëri
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot, në takimin me përfaqësues të biznesnesit turk në Shqipëri për lehtësim të procedurave dhe të gjithë infrastrukturës së nevojshme, duke shmangur të gjithë burokracitë.
Gjatë takimit që Kryeministri Rama zhvilloi pasditen e së mërkurës në Tiranë me biznesmenë turq, duke vlerësuar praninëe tyre në këtë takim, i cilësoi ata si ambasadorë dhe promovues të imazhit të duhur për vendin tonë, në sytë e sipërmarrjes turke në Shqipëri. Rama siguroi se të gjithë sipërmarrësit turq do të kenë mundësi që të realizojnë në Shqipëri investimet e tyre në mënyrë të informalizuar,do të kenë mundësi të adresojnë cdo problem dhe cdo sugjerim në interes për ligjvënësit shqiptarë, në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të klimës së biznesit turk në vendin tonë dhe lehtësimit të vazhdueshëm të cdo sipërmarrjeje nga barra e burokracisë, apo zvarritjeve të pajustifikuara, që, sipas kreut të Ekzekutivit, janë një pengesë që duhet ta kapërcejmë të gjithë bashkë.
“Prania juaj në takimin e sotëm ka një domethënie të dyfishtë. Së pari, domethënien e një force që ne duam ta bëjmë maksimalisht në të mirë të zhvillimit të vendit dhe nga ana tjetër, domethënien e pranisë suaj në Shqipëri si një mesazh për botën e sipërmarrjes turke, si një mesazh kuptimplotë për mundësinë e investimit në Shqipëri, mundësinë e realizimit të një historie suksesi në Shqipëri. Ne ju konsiderojmë të gjithëve ju ambasadorë të vendit tonë dhe promovues të imazhit të duhur për vendin tonë në sytë e sipërmarrjes turke në tërësi”, tha Rama.
Ai vlerësoi se marrëdhëniet me Turqinë janë historike jo vetëm për shkak të afërsisë gjeografike dhe kulturore mes dy vendeve, por është një marrëdhënie e shtrirë në shumë vite, një marrëdhënie mes dy vendeve, të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e njëri- tjetrit.
Rama u shpreh i bindur se “pavarësisht se marrëdhënia me Turqinë ka qenë gjithnjë e mirë, kjo marrëdhënie ka nevojë për një masë të re të mirëstrukturuar dhe strategjike të saj dhe për këtë ne jemi investuar dhe vazhdojmë të investohemi fuqimisht përmes jush, përmes të gjitha kanaleve të komunikimit mes dy vendeve, në mënyrë që historia e rimëkëmbjes ekonomike e Turqisë dhe shndërrimi i saj në një nga fuqitë e mëdha ekonomike të botës brenda një periudhe të shkurtër përbën jo vetëm një shembull për t’u ndjekur nga larg, por një shembull për t’u marrë dhe jetësuar në realitetin e vendit tonë. Dhe me këtë bindje ne kemi bërë shumë në këtë periudhë për t’i vlerësuar dhe thelluar në mënyrën e duhur këto marrëdhënie”.
Rama tha se ekziston mundësia e një sërë hapësirash dhe predispozitash që bashkëpunimi mes nesh të marrë një përmasë të re të panjohur më parë dhe ju jeni pionerët e këtij bashkëpunimi. Sipërmarrjet tuaja janë gurët e themelit të vendosura në kohë për të vazhduar të ndërtojmë një urë sa më të fortë dhe sa më të gjerë, për të bërë të mundur që ky bashkëpunim të sjellë sa më shumë përfitime reciprok.
“ Ju i keni paraprirë në kohë të tjera edhe të vështira një lidhjeje logjike mes dy vendeve tona, që kanë shumë ngjashmëri, që sot, në këtë moment të caktuar të historisë sonë të zhvillimit ekonomik, e bëjnë shumë të rëndësishme historinë e Turqisë si pikë referimi për ne, sepse në shumë aspekte, në shkallën modeste të madhësisë dhe problermatikës së vendit tonë, ekonomia jonë ngjan me ekonominë e Turqisë në startin e rimëkëmbjes së vet spektakolare. Struktura e ekonomisë sonë , struktura e organizimit tonë institucional për qeverisjen ekonomike të vendit jo vetëm ngjan, por i bën lehtësisht të kuptueshme masat e marra më parë vendin tuaj për t’i hapur rrugë atij zhvillimi që u bë i admirueshëm për gjithë botën”, tha Kryeministri Rama.
Ambasadori Gaiani: Do të mbështesim Shqipërinë në rrugën e integrimit evropian
I gjendur në qytetin e Shkodrës për ceremoninë përuruese të Konsullatës Italiane të Nderit, Ambasadori Italian, Massimo Gaiani, duke iu pergjigjur pozitivisht interesimit të mediave në lidhje proceset e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, bëri të ditur se Italia do të bëjë të pamundurën për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e integrimit europian. Abasadori Gaiani tha gjithashtu se angazhimi është i fortë dhe vjen i monitoruar nga Komisioni Europian. “Qeveria shqiptare do të prezantojë një raport të punës që po bën dhe shperesojmë që kjo të vlerësohet pozitivisht nga Komisioni Europian, i cili është organi teknik që bën këto verifikime”, theksoi ai. Duke shprehur mendimin e tij rreth këtij procesi, Gaiani, tha se “e kam thënë edhe më parë, të gjitha reformat që kërkon Evropa, janë reforma që kërkon Fondi Monetar Ndërkombëtar, apo organizma të tjerë dhe janë në favor të zhvillimit të vendit, në favor të të gjithë shqiptarëve”.
Duke e krahasuar edhe me vendin e tij, diplomati italian theksoi se këto gjëra i ka eksperimentuar edhe Italia në rrugën e saj zhvilluese. “Dhe gjëja e fundit që mund të them, është të vazhdohet në rrugën e reformave, pavarësisht nga një po, apo jo, gjashtë muaj para, apo gjashtë muaj pas. Është një rëndësi relative, e rëndësishme është që Shqipëria të vazhdojë këtë rrugë, pasi është një rrugëtim konstant që sjell rezultate, ashtu siç i ka sjellë. Reformat janë të nevojshme, pasi favorizojnë Shqipërinë”, përfundoi prononcimin e tij për mediat ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani.
I dënuari nga burgu: Më lironi jam i pafajshëm
I akuzuari kryesor për vrasjen e një të moshuare në fshatin Poloskë të krahinës së Devollit (Bilisht), ka telefonuar nga kabina e burgut të Drenovës duke u bërë apel publik gjykatësve përkatës, por edhe organit të akuzës.
Sipas 21-vjeçarit vendimi për të është dhënë në mënyrë të padrejtë, sepse për të ky vendim është i papranueshëm dhe jo faktik.
I burgosuri ka apeluar për rihapjen e dosjeve, sepse vetëm në këtë mënyrë do të bëhet një hetim i drejtë rreth kësaj vepre penale, për të cilin ky i fundit është akuzuar e për pasojë po vuan dënimin e ‘merituar’ në burg e Drenovës në Korçë.
“Kanë ushtruar 24 orë dhunë pa pushim, derisa e pranuam. Nuk ka pasur gjurma gishtash e shenja të tjera për mua, as për dy shokët e tjerë”, – u shpreh 21-vjeçari.
I riu hedh dyshime se autor i vrasjes është një tjetër person, dhe për këtë ai i kërkon drejtësisë të zbardhë të vërtetën.
“Ai ka ardhur këtu para një jave, mos gabohem, dhe unë i thashë ti e ke vrarë plakën ndërsa unë po bëj burgun tënd. E ofendova rëndë, keq fare, ndërsa ai u inatos shumë dhe më thotë mirë e bëra do të vras dhe ty.
“Unë dhe një muaj burg kam dhe do iki më tha, kurse ti do bësh burgun tim. Ai ndodhet në burg se ka bërë një vepër tjetër penale, vjedhje më duket nuk e di mirë. Quhet Festim Skerma. Unë kërkoj drejtësi nga shteti se jam i pafajshëm vërtet”, – deklaroi i riu në një lidhje telefonike.
Edhe prindërit e 21-vjeçarit kundërshtojnë me forcë vendimet e gjykatave, duke mohuar se djali i tyre është autor i ngjarjes.
“Kërkoj që kjo çështje të rihapet edhe njëherë. Të gjendet autori i vërtetë i atij krimi që ka ndodhur. Të zhvarroset edhe trupi i asaj, të gjendet dhuna, shenjat e dhunës”,- shprehet nëna e Ergysit.
Në prokurori 10 ish-drejtues të ALUIZNI-t
Janë vënë në akuzë për shkelje në dosjet e legalizimit 10 ish-drejtues të ALUIZNI-t në Elbasan. Dëmi ekonomik që i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit llogaritet të jetë në rreth 4 milionë dollarë. Shkeljet janë zbardhur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit që ka ushtruar auditim në Drejtorinë Rajonale të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit, Integrimit të Zonave/ Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), Elbasan 1, për periudhën e veprimtarisë Janar 2011-Shtator 2013. Nga auditimi i kryer, u konstatuan një sërë shkeljesh në drejtim të zbatimit të procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, shqyrtimin dhe miratimin e kërkesave për objektet informale dhe në përgatitjen dhe dërgimin e dokumentacionit për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga Shteti tek poseduesi i ndërtimit pa leje.
Në mënyrë të përmbledhur, shkeljet kryesore janë: në 167 dosje legalizimi, është konstatuar një diferencë e madhe e sipërfaqes për legalizim me sipërfaqen e legalizuar, e cila përbën një të ardhur të munguar në Buxhetin e Shtetin për Fonnë din e Kompensimit të Ish-Pronarëve, në vlerë 412,442,529 lekë (ose mbi 4 milionë dollarë), veprim ky në kundërshtim me nenet 17, 19 dhe 20 të ligjit nr. 9482 mbi Legalizimin e Zonave Informale. Sipas KLSh-së, disa dosje legalizimi janë dhënë jashtë kondicioneve urbane, pranë rrugëve dhe linjave të hekurudhave, në kundërshtim me legjislacionin ne fuqi, ndërsa në disa raste të tjera legalizimet janë dhënë brenda Studimit Urbanistik të Qendrës së qytetit.
Gjithashtu, grupi i Auditimit i KLSH-së ka rekomanduar një sërë masash organizative, ndër të cilat, kërkesa që Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit të fillojë procedurat për shfuqizimin e lejeve të legalizimit, për objektet e pajisura me leje legalizimi, si dhe për ato që kanë lidhur kontratat, në kundërshtim me ligjin. Sipas njoftimit të KLSh-së, mësohet se ky institucion ka kërkuar të saktësohet, kontabilizohet dhe të kërkohet në rrugë ligjore sa më shpejt që të jetë e mundur, arkëtimi i vlerës 412,633,988 lekë, duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe procedurat e tjera ligjore në të gjitha shkallët e gjykimit.
Rama: Nuk vuajmë për ligje, por për zbatimin e tyre
“Shqipëria nuk ka vuajtur asnjëherë për strategji, por për jetësimin e tyre. Problemi ynë kryesor nuk ka qenë mungesa e legjislacionit, përshtatja me legjislacionin e BE-së apo mungesa e planeve, por mënyra e zbatimit të tyre”. Kështu u shpreh sot kryeministri Edi Rama, përgjatë prezantimit të “Strategjisë Kombëtare për Punësim e Aftësi 2014-2020”, të ndërmarrë nga Ministria e Mirëqenies Sociale.
Kreu i qeverisë theksoi se reforma kryesore e qeverisë mbetet ajo territoriale, për të cilën qeveria është angazhuar në mënyrë të veçantë për zbatimin e saj.
Më tej duke folur për strategjinë e punësimit, Rama tha së ajo është mjet dhe jo qëllim në vetvete.
“Ajo që dua të theksoj sot është se jemi në kushtet kur një ministri e rëndësishme për kohën që jetojmë prezanton një strategji që është mjet dhe jo qëllim. Është një fillim dhe jo fundi i një rruge të parashikuar për t’u përshkuar si një stafetë me arritje konkrete, në lidhje me qëllimin që është madhor, rritja e punësimit. Besoj se kjo strategji është mjet dhe jo qëllim, ndaj bën edhe diferencën në një kohë kur është mbyllur një kapitull i historisë sonë, të rritjes ekonomike pa punësimin, kur më shumë se asnjëherë tjetër kemi një ekonomi prodhuese që rigjeneron vende pune, kur shifrat e rritjes nuk mbeten kode të pakuptueshme për ata të cilët kërkojnë një vend pune. Hapja e vendeve të punës mbetet prioriteti ynë më i madh”, -deklaroi kryeministri Rama.
Ndërsa Ministri Erjon Veliaj ka theksuar se qëllimi i kësaj strategjie është nxitja e vendeve të punës cilësore, rritja e cilësisë së shkollave profesionale, përfshirja e grupeve në nevojë në strategjinë e punësimit, si dhe transformimi i shërbimeve dhe programeve të zhvillimit.
“Ne jemi të ndërgjegjshëm që kemi një fuqi punëtore të pakualifikuar dhe kualifikimi i tyre nuk i përgjigjet nevojave dhe kërkesave të kohës. Ajo që gjetëm është se kishim zyra pune për të cilat duhej mik vetëm për ta gjetur zyrën e punës, dhe jo për të marrë shërbime dhe ndërmjetësime në punë. Sistemi i punësimit që menaxhonte një fond për nxitje të punësimit nuk ishte i tillë, dhe çdo biznes i rrinte larg, sepse kuptonte se ky fond ishte gjithçka por jo i ndershëm. Qendrat e arsimit profesional janë industria e vanitetit”, -tha Veliaj.







