Ruçi: deputetë, përballoni debatin!

54

largea_gramoz-ruci1346667848Përgatituni për diskutime jashtë rendit të ditës. Kjo ishte porosia që kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi u përcolli dje deputetëve gjatë mbledhjes së përjavshme.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura ku u diskutua axhenda e seancës plenare të ditës së enjte, Ruçi ka sjellë në vëmendje seancat e fundit ku debati është zhvendosur krejtësisht nga rendi i ditës. Duke i paraprirë një situate të ngjashme ai u kërkoi deputetëve që të përgatiten për një situatë të tillë.

Përplasjet 

Porosia e Ruçit është në vijim të kërkesës së bërë nga Kryeministri Edi Rama pak javë më parë në mbledhje grupi. Dhe kryeministri porositi ligjvënësit që akuzat e opozitës për çdo çështje të marrin përgjigje të argumentuar,jo vetëm nga ministrat e kabinetit qeveritar, por dhe nga deputetët e mazhorancës. Seanca e fundit plenare u kthye në një arenë debati mes palëve lidhur me vendimin e Kuvendit për të shkarkuar kryeispektoren e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Zana Xhuka.

Opozita duke mbrojtur emërimin e bërë prej saj kundërshtoi argumentet e mazhorancës për shkarkimin e kreut të ILDKP-së. Argumentet e kreut të deputetëve të PDsë, Edi Paloka, morën përgjigje nga kreu i deputetëve socialistë, Gramoz Ruçi, por dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

Përplasja vijoi mes kryeministrit Edi Rama, ish-kryeministrit Sali Berisha, ligjvënësve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për një sërë çështjesh të aktualitetit politik. Kjo situatë është përsëritur në disa seanca me radhë çka çon në një tejzgjatje të seancave plenare.

 Axhenda 

Në seancën plenare të ditës së enjte në rend dite është miratimi i procesverbalit të seancës plenare, datë 20.02.2014; miratimi i projektligjit «Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Vjenës “Për të drejtën e traktateve midis shteteve dhe organizatave ndërkombëtare ose midis organizatave ndërkombëtare”, 1986”’; miratimi i projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë, për realizimin e “Programit të ndihmës së integruar për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare”; miratimi i projektligjit “Për kujdesin shëndetësor të veçantë të punonjësve të strukturave speciale operacionale të Policisë së Shtetit”; miratimi i projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore” të ndryshuar” si dhe miratimi i projektligjit “Për disa ndryshime ne ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.