Ai e paraqiti integrimin evropian si një shtyllë kryesore dhe prioritet madhor të politikës së jashtme të Shqipërisë. Kryeministri theksoi se, qeveria shqiptare e merr këtë proces në radhë të parë e merr si një sfidë të brendshme, për të ndërtuar në vend, pikërisht këto vlera që Evropa përfaqëson.
“Ne jemi të vendosur të ndërmarrim të gjitha hapat e kërkuar në mënyrë që të marrim statusin e vendit kandidat. Ne do të punojmë fort, duke mbajtur gjithmonë në mendje se integrimi në BE nuk është vetëm një destinacion, por është një set vlerash dhe standardesh që ne si fillim duhet t’i ndërtojmë në vend,” – u tha Rama.
Kryeministri shqiptar e ka vlerësuar si mjaft të rëndësishëm integrimin e të gjithë shteteve të Ballkanit në BE, jo thjesht si pjesë gjeografike, por edhe si bartës i vlerave të tij. “Evropa nuk është një destinacioni jashtë nesh. Evropa duhet të jetë dhe Evropa është një destinacion brenda nesh. Arsyeja e parë dhe më e rëndësishme përse Ballkani ka nevojë për një BE të fortë dhe duhet të bëhet pjesë e saj, janë vlerat mbi të cilat u themelua Evropa dhe ajo që ato vlera përfaqësojnë sot”, – u shpreh kryeministri.
Rama gjithashtu foli edhe për përpjekjet që janë duke u bërë nga vend ynë për arritjen e standardeve evropiane dhe vendosmërinë e qeverisë për të përmbushur çdo hap të nevojshëm për t’iu bashkuar BE-së. “Kjo lidhet – theksoi ai – me vullnetin tonë për të kontribuar në suksesin e një projekti ndërkombëtar brilant, të një Bashkimi Evropian që kontribuon ndërkaq për begatinë e miliona njerëzve, që krijon shoqëri akoma më të hapura dhe që kontribuon për një botë më të barabartë”.
Kryeministri Rama e vlerësoi edhe rolin e Britanisë së Madhe dhe mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në rrugëtimin evropian. “Shpresoj që, ndërkohë që Shqipëria vazhdon këtë udhëtimin të brendshëm, progresi dhe ndryshimi në mënyrë që të arrijë integrimin në BE, Britania e Madhe të jetë me ne, duke na shtyrë në drejtimin e duhur”, – tha kryeministri.
Rama gjithashtu foli edhe për bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit, pasi ky është një faktor kyç për një integrim të suksesshëm evropian. “Unë jam shumë i vetëdijshëm se nuk mund të jemi të vetëm në këtë udhëtim. Unë e di se bashkëpunimi rajonal është një faktor kyç në procesin e integrimit dhe për të siguruar një integrim të suksesshëm dhe për të kontribuar për të ardhmen e BE-së, ne jemi të vendosur të punojmë sa më fort që të jetë e mundur me të gjithë fqinjët”, – u shpreh Kryeministri.
Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria, me brezat e saj të rinj, nuk do të jetë vetëm përfituese, por edhe kontribuuese në Bashkimin Evropian.“Ne jemi të sigurt që Shqipëria do të përfitojë nga BE-ja. Dhe mund t’ju premtoj se BE-ja do të përfitojë nga brezi i ri i shqiptarëve”.