Mogherini: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë detyrat dhe presin nga Europa

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, theksoi edhe njëherë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë përbushur të gjitha detyrat e lëna nga BE dhe është radha e kësaj të fundit të njohë arritjet.

Deklaratën e bëri në një konferencë të përbashkët me komisionerin Hahn pas prezantimit të paketës së zgjerimit nga Komisioni Europian.

Mogherini: Në Shqipëri theksoj zbatimin mbresëlënës të reformës në drejtësi. KE rekomandon për herë të dytë çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Një rekomandim i bazuar në një vlerësim solid. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë pjesën e tyre të punës dhe tani është radha e BE për të përmbushur dhe bërë pjesën e vet, remkomandimi ynë do të shkojë në Këshill, topi ynë do të kalojë te Këshilli.

Në mbyllje të mandatit të Komisionit aktual, Mogherini theksoi rëndësinë që BE të mbajë angazhimet e veta dhe të japë ato merita ku ato ekzistojnë.

Mogherini: Ne themi që procesi i zgjerimit është proces i bazuar te merita. Kur vlerësojmë meritat në mënyrë objektive ato duhen njohur. Duke mos njohur këtë lloj progresi objektiv do të dëmtohet besueshmëria e BE në rajon dhe më tej. Mosnjohja e këtyre reformave dhe arritjeve që janë bërë do të minojnë stabilitetin dhe do të shkurajonin reformat e mëtejshme dhe në veçanti do të sillnin dhe një element desiluzioni në rajon dhe BE. Gjatë 5 viteve të fundit kemi parë rezulate në Ballkanin Perëndimor të cilat ndoshta janë dukur krehtësisht të pamunduara kur ka filluar mandatin ky Komision.Ndryshimet duhet të jenë të pakthyeshme për të mirën jo vetëm të rajonit por edhe BE.

Rekomandim pa kushte për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Ashtu siç pritej komisioneri i BE-së për zgjerimin, Johannes Hahn, rekomandoi çeljen e negociatave pa kushte për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjatë prezantimit të pakos së zgjerimit, Hahn theksoi se pavarësisht vështirësive në Ballkan, vendet kandidate kanës shënuar përparime thelbësore.

Pakoja e zgjerimit e Komisionit Europian u prezantua së pari në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian.

Komisioneri Johannes Hahn, duke rekomanduar çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, theksoi se pavarësisht vështirësive në Ballkan, vendet kandidate kanës shënuar përparime thelbësore.

Mbetet shumë për të bërë, tha Hahn, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, por Bashkimi Europian duhet të mbajë pretimet e bëra ndaj vendeve kandidate.

Hahn: Shqipëria po ecën me reformat, mund të përmendim reformën në drejtësi dhe procesin e patjetërsueshëm të vettingut. Gjithshtu Maqedonia e Veriut ka vijuar me reformat duke arritur dhe një marrëveshje historike me Greqinë për zgjidhjen e çështjes së emrit. Ka arritur dhe një marrëveshje me Bullgarinë që siguron marrëdhënie të mira fqinjësore. Është shembull i shëndritshëm për të gjitha shtetet e tjera. Të dy vendet kanë dhënë rezultate mbi reformat dhe ato që u kemi caktuar në 2018.

Me këtë bazë ne rekomandojmë hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjithësesi ato duhet të qëndrojnë të besueshmë dhe të ecin pozitivisht në çështjet e zbatimit të reformave. Duhet të vazhdojnë të implementojnë reformat mbi sundimin e ligjit, ky është kushti më i veçantë për ta që të ecin përpara në rrugën europiane.

Gjatë takimit me eurodeputetët u theksua se Brukseli duhet të konfirmojë arritjet e të dy vendet pasi kjo lidhet me besueshmërinë e BE-së.

Komisioneri Hahn theksoi gjithashtu se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të luftojnë me urgjencë papunësinë, pasi ky fenomen ka nxitur migracionin si dhe normë të ulët lindshmërie.

Nga pikëpamja gjeostrategjike, komisoneri nënvizoi ndërhyrjen e Kinës me investime në Ballkan që nuk merr parasysh gjendjen ekonomike e financiare të vendeve ku investon.

Hahn: Kemi arritje historike, ka shumë sfida që mbeten. Duhet ti japim merita vendeve, por sigurisht do të dueht të japin sërish rezultate. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë ecur pozitivisht me rejkomandimet për hapjen e negociatave, duhet të ecet më tej me çështjet problematike, duhet të ketë rezultate më të qëndrueshme për çështjet kryesore, fillimisht për sundimin e ligjit. Paketa jonë kërkon vazhdimin e eksportimit të stabilitetit, nuk mund të importojmë në BE problemet mes fqinjëve. Është urgjente për vendet e Ballkanit Perëndimor që të shënojmë progres në çështjet e pajtimit, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Një çështje tjetër është ekonomia, ekonomia në Ballkanin Perëndimor ka ende shumë dobësi për të marrë avantazh të plotë mbi avantazhet që ne u japim. Duhet të luftojnë papunësinë, zhvillimi ekonomik është i rëndësishëm për të forcuar stabilitetin demokratik.

Problem është niveli i lartë i emigracionit dhe shkalla e ulët e lindshmërisë.Në kushtet që BE mbetet partneri më i madh tregtar i Ballkanit Perëndimor ne duhet të kemi një farë konkurence me bizneset kineze, prania e të cilave mbetet ende e madhe në Ballkanin Perëndimor. Duhet të rrisim qasjen e këtyre vendeve në tregun e BE-së dhe të luftojmë palët e treta që interferojnë në marrëdhënien tonë.

Në lidhje me dialogun Prishtinë-Beograd, komisioneri theksoi nevojën për arritjen e një marrëveshje të detyrueshme ligjore për të dy vendet si dhe nënvizoi se vendosja e tarifave nga ana e Kosovës ndaj mallrave serbe e ka dëmtuar dialogun.

Në lidhje me Serbinë gjatë paraqitjes së pakos së zgjerimit u theksua nevoja për të reformuar gjyqësorin dhe u nënvizuan problemet me lirinë e medias.

Nga të dhënat e deritanishme, Franca, Holanda dhe Belgjika vazhdojnë të kundërshtojnë fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore në qershor. Edhe pse nuk përjashtohet mundësia që qëndrimet e tyre do të zbuten.

Nëse parlamenti gjerman do të arrijë të miratojë negociatat me të vendet në fillim të qershorit, atëherë çështja mund të vendoset në axhendën e ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg në 18 qershor, ku sërish nuk përjashtohet debat i ashpër midis shteteve anëtare si vitin e kaluar.

Vendimet e shteteve anëtare gjithsesi do të udhëhiqen nga konkluzionet e raporteve të Komisionit Europian.

– Të adoptohen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Eurodeputeti i Bosnjë Hercegovinës: “Nëse nuk ecim përpara në procesin e zgjerimit do jetë shumë e vështirë për vendet e Ballkanit që të mbajnë rrugën e tyre. Por edhe besueshmëria e BE mund të bjerë nëse nuk shkojmë në rrugën e deritanishme. Është e rëndësishme që negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të adoptohen në parim nga të gjitha vendet anëtare. Ne konfirmojmë kualitetin e punës që këto dy vende kanë bërë.”

Në arrati për 7 vite, arrestohet i dënuari për vrasje

Arrestohet Lush Pjollaj 42 vjeç, i shpallur në kërkim prej vitit 2012 për vrasjen me armë zjarri të shtetasit Marash Tonaj 56 vjeç për motive të gjakmarrjes.

Arrestimi i tij u bë një banesë në fshatin Vuksanaj të Dukagjinit, ku ai fshihej.

“Në kushte të vështira të terrenit dhe të motit, Policia ka bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim Lush Pjollaj 42 vjeç, i cili fshihej në një banesë në fshatin Vuksanaj të Dukagjinit” njofton policia.

Ky shtetas është dënuar në vitin 2013 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër me 23 vjet burgim për veprën penale “Vrasja me paramendim”, pasi me datën 12.09.2012 në lagjen Pjollaj të fshatit Vuksanaj, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Marash Tonaj 56 vjeç për motive të gjakmarrjes.

Marash Tonaj u vra me 12 shtator 2012 pranë shtëpisë në fshatin Vuksanaj si pasojë e gjakmarrjes, pasi në vitin 2003, vëllai i tij Nik Tonaj, vrau bashkëshortët Nikë e Lula Pjolli, pas një konflikti për vijën e ujit.

Një ditë pas ngjarjes, në polici u vetëdorëzua aso kohe 32 vjeçarja Lena Pjolli, nënë e dy fëmijëve, duke marrë përsipër autorësinë e krimit ku mbeti i vrarë Marash Tonaj. “Unë e vrava. Mora hakun e prindërve të vrarë”.

Vëllai i viktimës, Nikë Tonaj, 9 vjet më parë kishte vrarë me armë zjarri pas një grindjeje për një vijë uji bashkëfshatarët e tij, Nikë dhe Lula Pjolla, burrë e grua, prindër të 6 fëmijëve. Autori Nikë Tonaj ishte dënuar për krimin në mungesë pasi policia nuk arriti ta kapë.

Por ekspertiza ka rrëzuar pretendimet e 32-vjeçares, duke zbuluar se krimi është kryer nga i vëllai.

OSBE: Turbulencat politike zgjidhen me dialog

OSBE bën thirrje për dialog mes palëve politike për zgjidhjen e krizës.

Gjatë një takimi me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, përfaqësuesi special i OSBE-së, Andreas Nothelle, u shpreh se “turbulencat politike zgjidhen me dialog dhe pa dhunë”.

Ruçi u shpreh se Kuvendi do të jetë një mbështetje e fuqishme për Presidencën e OSBE.

Nga ana e tij, Nothelle u shpreh se Shqipëria është një vend i vogël, por një lidership i madh në OSBE.

Sot progres-raporti për Shqipërinë

Komisioni Evropian i paraqet sot Parlamentit Evropian raportet e progresit për shtetet në procesin e zgjerimit, ku përfshihen shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia.

Në raporte nuk pritet të ketë befasi dhe duket se Komisioni Evropian do të rekomandojë edhe kësaj radhe çeljen e negociatave për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në Bruksel kjo ngjarje që vitet e mëparshme është shoqëruar me shumë aktivitete këtë herë ndodhet nën hijen e Samitit të Jashtëzakonshëm të vendeve anëtare, të cilat duhet të vendosin për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të ri të Komisionit të BE-së.

Këto raporte rekomandojnë shumë veprime, të cilat zbatohen në bazë të vendimeve në strukturat e tjera të BE-së të udhëhequra nga zyrtarë të zgjedhur të vendeve anëtare. Vendimi për çeljen e negociatave bëhet nga Këshilli Evropian ku marrin pjesë krerët e vendeve anëtare.

Raporti në tërësi do të përmbajë vlerësime për ecurinë e reformave në vendet e Ballkanit duke përfshirë edhe ato të cilat janë kyçe për Shqipërinë si funksionimi i institucioneve, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit. Sa i përket Shqipërisë dhe Kosovës si pika kyçe do të mbeten lufta kundër korrupsionit dhe funksionimi i drejtë i gjykatave.

Përmbajtja e raportit do të përdoret nga vendet anëtare dhe nga vendet që pretendojnë anëtarësimin si mjete lobimi për marrjen e vendimeve.

Sa i përket çeljes së negociatave për Shqipërinë situata nuk ka ndryshuar me Francën si një kundërshtare me peshë e çeljes së negociatave, e përkrahur nga vende si Holanda dhe Belgjika.

Më herët është spekuluar se qëndrimi negativ i Francës për zgjerimin ka qenë i lidhur me zgjedhjet për Parlamentin e BE-së dhe ndikimin që një vendim i tillë mund ta ketë në këto zgjedhje. Rezultatet e zgjedhjeve nuk përmbushën frikën e forcimit tw së djathtës në nivel evropian, por pozita e Presidentit Makron është goditur, pasi partia e tij humbi kundrejt ekstremit të djathtë të udhëhequr nga Marine Le Pen në Francë. Mbetet të shihet se si ky rezultat do të ndikojë në qëndrimin francez./DW

Konfirmohet në detyrë gjyqtari Dhimitër Lara

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmon në detyrë gjyqtarin Dhimitër Lara, gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda në Tiranë.

Në seancën dëgjimore, gjyqtari i Apelit të Krimeve të Rënda, Dhimitër Lara u përball me probleme të vogla me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ku u vlerësua për të tre kriteret e vetingut.

Megjithatë, seanca dëgjimore e tij u shenjua nga një denoncim i dy të akuzuarve si anëtarë të “Hakmarrjes për Drejtësi”, Orik dhe Laert Shyti, të cilët KPK i quajti “viktima” dhe e pyeti gjyqtarin Lara nëse kishte shkelur të drejtat e tyre.

Denoncimi i pashoqëruar me prova i Orik dhe Laert Shytit ngrinte akuza se vendimi i dënimit të tyre nga trupa ku bënte pjesë gjyqtari Dhimitër Lara ishte dhënë nën “korruptim politik”.

Lara preferoi të mos i përgjigjej kësaj pyetjeje, por në fund të seancës ai theksoi se do të vepronte në të njëjtën mënyrë për gjithçka, nëse do të kthehej prapa në kohë.

Gjyqtari Dhimitër Lara mori një relacion pozitiv nga Inspektoriati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, sipas së cilit ai kishte kryer deklarim të saktë dhe nuk kishte fshehje të pasurisë apo konflikt interesi.

Në lidhje me aftësitë profesionale, ka rezultuar se gjyqtari është vlerësuar pozitivisht nga KLD, edhe nga verifikimi i KPK, nuk kanë rezultuar problematika në pesë dosjet e shortuara dhe në ato tre të përgjedhura nga vetë subjekti i rivlerësimit.

Katër policë të lënduar gjatë operacionit në veri të Kosovës

Drejtori i spitalit rajonal të Mitrovicës Zahir Musa në një prononcim për RTV Dukagjini tha se gjatë aksionit në Mitrovicë janë plagosur 4 policë, njëri prej tyre ka marrë plagë shpuese në kokë.

“Kanë ardhur katër policë tre me plagë më të lehta, tjetri me plagë shpuese. Polici është plagosur në kokë por plumbi nuk ka prekur trurin. Për momentin polici i plagosur në kokë është shtrirë në repartin e kirurgjiksë dhe do të transpotohet në Gjakovë pasi jeton atje. Ndërkohë tre policët e tjerë pasi të marrin mjekimin do të largohen nga spitali”

Policia e Kosovës po zhvillon një operacion në veri dhe jug të Mitrovicës, i cili, deri më tani, ka rezultuar me ndalimin e disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve

Flutura Açka: Sikur Arba të ishte në Shqipëri, do e kishim “shqyer”

Nga Flutura Açka

Shqiptarët e thjeshtë kanë gjithë të drejtën të krenohen për bijën e tyre, Arba Kokalarin. Por entuziazmi i tepruar, nuk na shkon aq shumë, veçmas po të shqyrtosh hollë sikur kjo vajzë fantastike të ishte mes nesh. T’i themi gjërat siç janë, miqtë e mi, ne do ta kishim “shqyer” Arbën, do ta kishim cunguar, do ta kishim asfiksuar. Po të ishte ekonomiste, edhe sikur këshilltare e ekonomisë të qe, ne do ta kishim hedhur në një cep, do ta kishim bërë një zyrtare të rëndomtë, sepse për këshillat e saj cili ministër do të qe duke pritur?

Po të ishte mësuese, një drejtor idiot shkolle do ta thërriste një ditë në zyrën e tij me suva të rënë dhe do ta pyeste se cilën parti simpatizonte? Kur ajo t’i thoshte se nuk simpatizonte asnjërën dhe nuk mbante anë, ai do të këmbëngulte se ajo duhet me patjetër të mbante anë, ç’ishte kjo mësuese pa anë kështu, do të habitej drejtori partiak. Po të ishte mjeke, Arba jonë e dashur do të skuqej nga turpi kur t’i afrohej pacientit të saj dhe t’i thoshte se në farmacinë e spitalit mungonte aksh medikament, dhe se, edhe pse veshjet e tij i rrëfenin se sa i varfër qe, ajo prapë do të këmbëngulte se ai duhet ta blente diku jashtë, mu te farmacia përballë, që një Zot e dinte se si e kishte atë medikament që i mungonte spitaleve shqiptare.

Sikur Arba të qe politikane, aq e hijshme që është, siç janë gratë shqiptare në përgjithësi, qeniet më të emancipuara të kësaj shoqërie, gjëja e parë që do të ndeshte ishte “të lypurit” e paturp, ose të rafinuar, e më pas të shihte fotot e saj nëpër tabloide se si ishte veshur atë ditë enjte kur të hynte në parlament (ditë feste kombëtare tani), a thua se Arba ishte në ndonjë pasarelë. Askush nuk do të merrej me mendjen brilante të Arbës, me idetë e saj politike, që mund të ndikonin në fatin e këtij populli, të cilit mendja vetëm i ikën dhe i ikën përditë nga sytë këmbët. Tani ka filluar t’i ikë edhe trupi. E vetmja gjë që po i mbet janë “të paturpshmit” dhe ngrehinat e fshatrat me mure të lartë e derë të mbyllur, ku fshehin luksin më së shumti hajdutët me pushtet (që u bënë të mbipasur për tridhjetë vjet), fshatra që nuk i gjen kund në Europë (edhe pse atje ka të pasur në mbi treqind vjet). Sikur Arba të qe këtu, do të kërkonte së pari një gjë fare të thjeshtë: një ndjesë të thellë për kalvarin e Musine Kokalarit, por nuk do ta merrte kurrë.

Sikur Arba të qe këtu, do ta shihte se si hapen çdo ditë faqet e para të gazetave me intervista të eksponentëve të diktaturës, se si krekoset dhe trash zërin ish-ministri i diktaturës si folës parlamenti, se si përfaqësuesi më i lartë i popullit i sheh ditën për diell hajdutët që i rriti vetë me frymën e tij puniste se si e rrjepin popullin, dhe i duartroket dhe i mbron dhe i voton dhe i promovon me qejfin e madh se i kanë derdhur edhe atij ca nga rinia e tyre. Sikur Arba të shihte se si është katandisur shteti, se si u hidhet gaz qytetarëve nëpër shtëpira dhe fëmijët helmohen në pikë të mëngjesit dhe një zonjëzë e quajtur Avokate e Popullit as e di që i është hemuar populli, dhe as ka hapur ndonjë çështje për këtë çështje. E të shihte pastaj se si nuk ka as gjykatë, as institucione, një ministri rendi që i bien ministrat si rrënjë kanabisi në fund zezoni, se çfarë shteti gargarel është, ku një pjesë e Opozitës është edhe Presidencë, edhe “pak” qeveri, edhe Opozitë. Se si Opozita shan përditë me të drejtë Kryeministrin, por nuk thotë asnjë fjalë për kryeministrat në tentativë, që e kanë bërë kryeqytetin shqiptar dhe gjithë Shqipërinë të pajetueshme.

Sikur Arba ta shihte se në teatër nuk shkon dot, se e kanë kyçur, se në kinema nuk shkon dot se ka vetëm filma aksion, që të shiten kartat dhe dekoderat e miqve, sikur të shihte katandinë e Televizionit Publik Shqiptar se si ha si lubi paratë e shqiparëve dhe jep vetëm programe mediokre, që të mund të shiten programet e privatëve, apo të kërkonte ta nxirrte fëmijën poshtë pallatit, nuk do të mundte dot, sepse çdo shesh të vogël e të madh e ka zënë një pallat i ri që ua zë zytë përditë shqiptarëve, dhe sikur të gjendej në trafikun e Tiranës do t’i dilte shpirti duke u vërtitur pafund nëpër të, nëpër trafik që askush, por askush deri tani, nuk e ka llogaritur se sa kohë, energji, para, humbim çdo ditë shqiptarët, vetëm prej kapriçiove të krerëve të krekosur rajonalë. Le pastaj të dilte te sheshi që na bën aq krenar me çmimet ndërkombëtare, që nuk ka asnjë dritë të vetme natën dhe asnjë hije ditën nën diellin mesdhetar. Kur Arba të vijë në Shqipëri, do të bëjë mirë t’i shmangë sa më shumë politkanët shqiptarë, të cilët prej saj do të duan vetëm një foto, të mbjellë një pemë, a të pranojë një dekoratë, për arsye se ajo na e kanë ndritur emrin e Shqipërisë (pavarësisht se jo prej ndihmës sonë bujare), kur Arba të ulet në Parlamentit Europian, të mendojë për shqiptarin e thjeshtë, i cili është shumë, por shumë më shumë europian se politika e tij. Shembulli është Arba vetë.
Dritë të pastë emri, edhe mbiemri, Arba!

Marku, Vetingu ndikoi negativisht tek prokurorët

Vetingu ka pasur ndikim negativ në punën e prokurorëve. E pranon vetë Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku e cila sot raporton në një seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve të drejtuar nga Ulsi Manja.

“Ka qenë një vit jo i zakonshëm për të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët. Ka nisur procesi i vetingut. Shumë prokurorë kanë qenë gjtë gjithë kohës në korrespondencë me KPK. Janë bërë shumë shkarkime prokurorësh , kjo do të thotë që prokurorët kanë qenë pak apatikë, pasi në mënyrë të pashmangshme ky proces ka ndikur negativisht mbi ta, duke i bërë edhe të pasigurtë. Pavarësisht se të gjithë këtu kemi rënë dakord që reforma duhej dhe vetingu është i pashmangshëm pasojat janë këto.”

Vihet re dhe një ulje e numrit të materialeve që janë trajtuar nga prokuroria në krahasim me vitin 2017 por zonja Marku tha se nuk është tregues i rënës së punës së prokurorisë.

“Ka një ulje të lehtë të numrit total të materialeve që janë trajtuar nga prokuroria por nuk mund të tregohet në asnjë mënyrë si rënie e treguesve të punës së prokurorisë. Porkuroria është institucion që nuk punon vetëm dhe vetëm një numër i ulët mund të jenë regjistruar me iniciativën e saj pjesët tjetër janë referime nga policia dhe institucione të ndryshme.”

Numrin më të madh të procedimeve e ka regjistruar prokuroria në Tiranë me 31%.

Arba Kokalari është eurodeputetja e parë shqiptare në PE

Në Parlamentin Europian do të ketë edhe një deputete me origjinë shqiptare. Arba Kokalari garoi në emër të Partisë së Moderuar të Suedisë, e cila fitoi 17.6 për qind të votave, duke marrë gjithsej katër eurodeputetë. Gjatë fushatës Kokalari premtoi të jetë një zë i fortë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Arba Kokalari bëhet deputetja e parë me origjinë shqiptare që fiton një mandat në Parlamentin Europian.

Ajo e kërkoi besimin e votuesve në emër të Partisë së Moderuar të Suedisë, e cila fitoi 17.6 për qind të votave, duke marrë gjithsej katër eurodeputetë.

Kjo parti bën pjesë në grupin parlamentar të Partive Popullore, një prej grupeve që u tkurr gjatë zgjedhjeve të fundit për Parlamentin Europian.

Gjatë fushatës Kokalari premtoi të jetë një zë i fortë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Me këtë moto, ajo kërkoi votën e shqiptarëve që jetojnë në Suedi.

Zonja Kokalari ka lindur në Tiranë më 27 nëntor të vitit 1986, ajo ka mbajtur postin e sekretares ndërkombëtare të Forumit Rinor të Partisë së Moderuar të Suedisë, ndërsa përfshirjen në politikë e ka nisur që në moshën 16-vjeçare.

Ajo ka studiuar në fushën e të drejtës ndërkombëtare dhe politikë europiane në Universitetin e Stokholmit.

Shqiptaro-suedezja me origjinë nga Gjirokastra emigroi në Suedi në vitin 1992, kohë kur babai i saj u emërua ambasador i Shqipërisë në vendet nordike dhe baltike. Ajo është gjithashtu stërmbesa e Musine Kokalarit.

Në zgjedhjet për Parlamentin Europian këtë vit pati mjaft kandidatë shqiptarë. Ata garuan në vende si Greqia, Italia, Belgjika dhe Suedia.