Arba Kokalari është eurodeputetja e parë shqiptare në PE

11

Në Parlamentin Europian do të ketë edhe një deputete me origjinë shqiptare. Arba Kokalari garoi në emër të Partisë së Moderuar të Suedisë, e cila fitoi 17.6 për qind të votave, duke marrë gjithsej katër eurodeputetë. Gjatë fushatës Kokalari premtoi të jetë një zë i fortë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Arba Kokalari bëhet deputetja e parë me origjinë shqiptare që fiton një mandat në Parlamentin Europian.

Ajo e kërkoi besimin e votuesve në emër të Partisë së Moderuar të Suedisë, e cila fitoi 17.6 për qind të votave, duke marrë gjithsej katër eurodeputetë.

Kjo parti bën pjesë në grupin parlamentar të Partive Popullore, një prej grupeve që u tkurr gjatë zgjedhjeve të fundit për Parlamentin Europian.

Gjatë fushatës Kokalari premtoi të jetë një zë i fortë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Me këtë moto, ajo kërkoi votën e shqiptarëve që jetojnë në Suedi.

Zonja Kokalari ka lindur në Tiranë më 27 nëntor të vitit 1986, ajo ka mbajtur postin e sekretares ndërkombëtare të Forumit Rinor të Partisë së Moderuar të Suedisë, ndërsa përfshirjen në politikë e ka nisur që në moshën 16-vjeçare.

Ajo ka studiuar në fushën e të drejtës ndërkombëtare dhe politikë europiane në Universitetin e Stokholmit.

Shqiptaro-suedezja me origjinë nga Gjirokastra emigroi në Suedi në vitin 1992, kohë kur babai i saj u emërua ambasador i Shqipërisë në vendet nordike dhe baltike. Ajo është gjithashtu stërmbesa e Musine Kokalarit.

Në zgjedhjet për Parlamentin Europian këtë vit pati mjaft kandidatë shqiptarë. Ata garuan në vende si Greqia, Italia, Belgjika dhe Suedia.