Në arrati për 7 vite, arrestohet i dënuari për vrasje

75

Arrestohet Lush Pjollaj 42 vjeç, i shpallur në kërkim prej vitit 2012 për vrasjen me armë zjarri të shtetasit Marash Tonaj 56 vjeç për motive të gjakmarrjes.

Arrestimi i tij u bë një banesë në fshatin Vuksanaj të Dukagjinit, ku ai fshihej.

“Në kushte të vështira të terrenit dhe të motit, Policia ka bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim Lush Pjollaj 42 vjeç, i cili fshihej në një banesë në fshatin Vuksanaj të Dukagjinit” njofton policia.

Ky shtetas është dënuar në vitin 2013 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër me 23 vjet burgim për veprën penale “Vrasja me paramendim”, pasi me datën 12.09.2012 në lagjen Pjollaj të fshatit Vuksanaj, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Marash Tonaj 56 vjeç për motive të gjakmarrjes.

Marash Tonaj u vra me 12 shtator 2012 pranë shtëpisë në fshatin Vuksanaj si pasojë e gjakmarrjes, pasi në vitin 2003, vëllai i tij Nik Tonaj, vrau bashkëshortët Nikë e Lula Pjolli, pas një konflikti për vijën e ujit.

Një ditë pas ngjarjes, në polici u vetëdorëzua aso kohe 32 vjeçarja Lena Pjolli, nënë e dy fëmijëve, duke marrë përsipër autorësinë e krimit ku mbeti i vrarë Marash Tonaj. “Unë e vrava. Mora hakun e prindërve të vrarë”.

Vëllai i viktimës, Nikë Tonaj, 9 vjet më parë kishte vrarë me armë zjarri pas një grindjeje për një vijë uji bashkëfshatarët e tij, Nikë dhe Lula Pjolla, burrë e grua, prindër të 6 fëmijëve. Autori Nikë Tonaj ishte dënuar për krimin në mungesë pasi policia nuk arriti ta kapë.

Por ekspertiza ka rrëzuar pretendimet e 32-vjeçares, duke zbuluar se krimi është kryer nga i vëllai.