Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, e konsideroi nënshkrimin e marrëveshjes për disbursimin e kredisë prej 330.9 milionë eurosh nga FMN-ja për qeverinë shqiptare si shenjë besimi në politikat dhe reformat që janë ndërmarrë.
“Miratimi i marrëveshjes me FMN është fillimi i pranverës ekonomike për Shqipërinë. Marrëveshja parashikon mbështetje ekonomike përmes angazhimit të 330.9 milionë eurove. I hap rrugë mbështetjes financiare dhe institucionale për ekonominë shqiptare, për qeverinë shqiptare dhe për sipërmarrjen shqiptare dhe ndërkohë garanton mbështetjen e mëtejshme të ekonomisë edhe nga Banka Botërore dhe Komisioni Europian”, deklaroi ministri Ahmetaj. Kreu i MEI-t, theksoi se miratimi i marrëveshjes është sprova e parë e vlerësimit nga partnerët ndërkombëtarë për modelin e ri ekonomik që qeveria shqiptare është duke i zgjedhur vendit.
Sipas tij, vendosmëria dhe serioziteti i kësaj qeverie në bërjen e reformave, lufta pa kompromis kundër korrupsionit, të krimit të organizuar më në fund zhbllokoi ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë ndaj Shqipërisë, qeverisë dhe sipërmarrjes shqiptare e qytetarit. ‘Ka filluar rilindja ekonomike e Shqipërisë. Marrëveshja është shprehje e drejtpërdrejtë e besimit të partnerëve dhe institucioneve ndërkombëtare financiare”, tha Ahmetaj.
Ecuria ekonomike e vendit, e Shqipërisë, citon ministri Ahmetaj deklaratën e FMN-së një ditë më parë, pritet të përmirësohet në 2014-ën, e mbëshetur nga ulja e planifikuar e rreziqeve themelore fiskale, shlyerja e detyrimeve të prapambetura, adresimi i nivelit të lartë të kredive të këqija dhe nisja e reformave të thella strukturore. “Është vetëm fillimi i punës. Është hapi i parë i ndryshimit që jemi angazhuar të sjellim, hapi i parë i ndryshimit që premtuam para zgjedhjeve dhe jemi duke e bërë realitet me punën tonë të përditshme. Ne do të vazhdojmë punën për tërheqjen e investimeve të huaja dhe përmirësimin e klimës së biznesit për të tërhequr akoma më shumë investitorë’, theksoi ndër të tjera Ahmetaj.
Programi me FMN-në, vijoi ai, është hap i rëndësishëm përpara dhe do të ndiqet nga të gjitha masat e nevojshme, të cilat i kemi premtuar, për t’i kthyer rritjen ekonomike vendit dhe për t’i kthyer besimin sipërmarrjes shqiptare.
Me këtë program të qeverisë dhe besimin në rritje të tregjeve ndërkombëtare ndaj ekonomisë së Shqipërisë, nënvizoi ministri Ahmetaj, ka nisur kthesa thelbësore ekonomike drejt realizimit të potencialeve ekonomike të vendit. Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) miratoi mbrëmë marrëveshjen 36-mujore prej 295.42 milionë SDR (rreth 330.9 milion euro, ose 457.1 milion dollarë; 492.4 përqind e kuotës së vendit në Fond) Instrumenti i Zgjeruar i Fondit (Extended Fund Facility – EFF) me Shqipërinë për të mbështetur programin e reformave të autoriteteve. Miratimi mundëson disbursimin e menjëhershëm të 23.55 milionë SDR (rreth 26.4 milionë euro, ose rreth 36.4 milionë dollarë). Banka Botërore dhe Bashkimi Europian ka gjithashtu mundësi që të ofrojnë asistencë për programin e reformave të autoriteteve. Në vijim të diskutimeve të Bordit Ekzekutiv për Shqipërinë, David Lipton, zëvendës-drejtor i parë dhe kryetari në detyrë, tha se “ecuria ekonomike e Shqipërisë pritet të përmirësohet në 2014 e mbështetur nga ulja e planifikuar e rreziqeve themelore në fushën fiskale, shlyerja e detyrimeve të prapambetura, adresimi i nivelit të lartë të kredive nën standart dhe nisja e reformave strukturore.
Ahmetaj, firmosja e kredisë nga FMN-ja, shenjë besimi te politikat e qeverisë
Njerëz të armatosur kanë marrë kontrollet e dy aeroporteve në Krime
NASA : Zbulohen planete të reja
Grupi i studimeve të planeteve, beri te ditur se teleskopi KEPLER numëron 246 deri 961 planete. Teleskopit, te krijuar në vitin 2009 , ju deshen katër vjet për të fotografuar 160 mijë yje , të cilat mendoheshin të ishin planete .Së bashku, me rezultatet e teleskopëve të tjerë , si jashtë sistemit diellor , apo eksoplanetëve , tani numërohen gati 1,700 planete.
Astronomi, Douglas Hudgins , kreu i Eksplorimit të Eksoplaneteve në selinë e NASA-s në Uashington , u tha gazetarëve se numri i planeteve të zbuluara pothuajse është dyfishuar . Zbulimi i tyre , u realizua nëpërmjet një teknike të re të verifikimit , e cila analizon planetet e mundshme në një kohë reale të shpejtë. Metoda u zhvillua kur shkencëtarët kuptuan se shumica e planeteve , përfshirë ato të sistemit diellor , rrotullohen rreth një ylli të përbashkët i quajtur “prind “.Planetet e sapo gjetur, përforcojnë idenë se planetet e vogla , dy apo tre herë më të mëdha se përmasa e Tokës , janë të zakonshme në të gjithë Galaktikën. ” Kudo që teleskopi ( KEPLER ) drejtohet , mund t’i gjej këto planete – ” tha astronomja Sara Seager, e Institutit të Teknologjisë në Masaçusets. ” Kjo është arsyeja pse ne kemi besim se do të ketë planetë të tjera të ngjashme me Tokën “. Tetë planetet e sistemit diellor , përfshirë Plutonin dhe planete të tjera të quajtura ” planetet xhuxh , ” të eksoplaneteve reja të gjetura i përkasin një familje . Planetet e sistemit diellor , ndodhen rreth 150 herë më larg nga dielli se nga Toka. Shumica e planeteve fluturojnë më afër yjeve të tyre “prindër” se sa Orbitës diellore të Venusit , një distancë prej 67 milion milje ( 108 milion km . ) NASA dhe agjenci të tjera hapsinore janë duke projektuar një teleskop ku do të mund të shihen ” zonat e banueshme ” përreth yjeve të tyre “prindër”, ku temperaturat do të jenë të përshtatshme me sipërfaqen ujore . Dy imazhet e kapura nga teleskopi Kepler do të shfaqen këto ditë në revistën ”The Astrophysical “.
Stanishev: Të ndihmojmë Ukrainën të mbetet e bashkuar
Duhet të japim një sinjal të qartë, të ndihmojmë Ukrainën të mbetet e bashkuar, demokratike dhe pranë Evropës, deklaroi sot presidenti i socialistëve evropianë (PSE) Sergei Stanishev, gjatë fjalimit në Kongresin e PSE-së që po zhvillohet në Romë. ”Bashkimi Evropian duhet t’i mbajë dyert të hapura për këdo që lufton për demokraci, paqe dhe drejtësi”, theksoi Stanishev, ish-kryeministër i Bullgarisë. ”Edhe pse ministrat e Jashtëm gjerman, Steinmeier dhe ai francez, Fabius kanë arritur një marrëveshje për tranzicionin, situata mbetet shumë e nderë”, shtoi ai.
Jahjaga: Dialogu Kosovë-Serbi, mënyra e vetme për marrëdhënie të barabarta
Dialogu Kosovë-Serbi, i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA, është mënyra e vetme për marrëdhënie si palë të barabarta, ka thënë presidentja kosovare, Atifete Jahjaga, para shoqatës debatuese Oxford Union.
“Marrëdhëniet mes vendeve te Ballkanit vazhdojnë të mbesin të brishta, të rënda dhe plot mosbesim. Ne akoma nuk kemi arritur të ndërtojmë ura mes nesh, pavarësisht disa hapave të rëndësishëm, të cilat i kemi ndërmarrë gjatë dekadës së fundit për të ndryshuar pikëpamjet e gabuara ndaj njëri- tjetrit”, u shpreh dje Jahjaga.
Presidentja Jahjaga theksoi se “ajo që ishte e paimagjinueshme vetëm një vit më parë, dialogu në mes të Serbisë dhe Kosovës u bë suksesi më i madh, sepse ideja e integrimit evropian – ide e bashkëpunimit dhe marrëveshjes, mbizotëroi”.
“Të dy shtetet, të cilat aspirojnë anëtarësimin në BE, e kanë kuptuar në mënyrë të duhur faktin se përmes dialogut mund të arrijnë zgjidhje për të gjitha çështjet, duke hequr dorë nga idetë e hegjemonizmit dhe duke mësuar të dëgjojnë, të kuptojnë dhe të gjejnë fusha që i bashkojnë. Ne kërkuam një rrugëdalje nga rruga pa krye ku ishim, që të hapim rrugët tona respektive drejt anëtarësimit në BE”, ka thënë presidentja kosovare.
Ne, ka vijuar ajo, duhej të gjenim forcë dhe kurajo për të adresuar atë që ishte gjëja më e vështirë e dekadës së kaluar, hapjen e kapitullit të pajtimit politik me Serbinë dhe akomodimin e komunitetit serb, i cili jeton në pjesën veriore të Kosovës, i mbajtur peng nga hezitimi i Serbisë për të pranuar realitetin e Kosovës së pavarur.
“Ishte kjo bindja me të cilën ne iu qasëm dialogut me Serbinë. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA është mënyra e vetme për të rifilluar marrëdhënien tonë si palë të barabarta”, nënvizoi Jahjaga, duke shtuar se dialogu ka për qëllim që të sigurojë stabilitet dhe të ulë tensionet në rajon nëpërmes zgjidhjeve të bazuara në standardet dhe praktikat më të mira evropiane.
Presidentja Jahjaga tha se “ne i kemi hyrë procesit të dialogut të bindur se vetëm nëpërmes dialogut mund të arrijmë stabilitetin e nevojshëm për konsolidimin e vendeve tona, ringjalljen e ekonomive tona dhe ndërtimin e marrëdhënieve fqinjësore, të cilat do të na sigurojnë të ardhmen evropiane”.
Në këtë proces, ka vijuar ajo, ne kemi kërkuar përfshirje politike dhe shoqërore. “Dialogu ishte investim madhor, i cili tejkalon kufijtë ideologjikë dhe politikat ditore. Unë besoj fuqimisht se ai i përcakton rrugët tona dhe prek jetën e secilit qytetar”, tha Jahjaga.
Kosova dhe Serbia në procesin e dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE-ja e mbështetur nga SHBA, në nivel të lartë mes kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç kanë zhvilluar 22 raunde të takimeve në Bruksel.
Thaçi dhe Daçiç zhvilluan takimin e parë në 19 tetor të vitit 2012, ndërsa të 22-in në 12 shkurt 2014.
Që nga fillimi, procesin e ndërmjetëson dhe e udhëheq Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Baronesha Catherine Ashton, e cila, sipas medias në Prishtinë, ka kontaktuar këto ditë kabinetin e kryeministrit të Kosovës, Thaçi, si dhe atë të kryeministrit të Serbisë, Daçiç, në lidhje me organizimin e takimit të radhës në Bruksel. Sipas njoftimeve ende jozyrtare, Ashton kishte propozuar që takimi i radhës të mbahej në 5 mars.
Ndërsa, në 6 shkurt 2013 është mbajtur në Bruksel edhe i pari takim i presidentëve të Kosovës shtet dhe Serbisë – takimi i përbashkët me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, i Presidentes kosovare Atifetje Jahjaga dhe Presidentin serb, Tomislav Nikoliç, pas takimeve të ndara që ka zhvilluar Baronesha me dy presidentët. “Takim për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore, paqen e stabilitetin në rajon dhe drejt integrimeve evropiane”, e ka vlerësuar presidentja kosovare.
Konkurrencë mes palësh, i digjet makina tregtarit
Policia e Mirditës ka konfirmuar se nga konkurrenca që kanë tregtarët e këtij qyteti mes palësh, bën që në mënyrë të ripërsëritur të sjellë konflikte alarmante në marrëdhëniet e tyre.
Jo më larg se dje, gjatë orëve të vona të mbrëmjes është raportuar një shpërthim i një automjeti që mësohet të ketë qenë në pronësi të shtetasit Preng Markaj, i cili aktualisht punon si shitës në një dyqan ushqimor.
Ky i fundit ka lajmëruar policinë, por kjo e fundit nuk është gjendur në mënyrë të menjëhershme në vendin e ngjarjes. Ndërkohë që dyshohet se ngjarja ka ardhur si pasojë e konkurrencës që kanë palët mes tyre.
FMN firmos kredinë 330.9 milionë euro për Shqipërinë
Bordi Ekzekutiv i FMN-së miratoi dje këstin e parë të kredisë për Shqipërinë në vlerën 330. 9 milionë euro. Paratë vijnë për Shqipërinë, për programin e reformave të autoriteteve. Pas diskutimeve të Bordit Ekzekutiv për Shqipërinë, David Lipton, Zëvendësdrejtoresha e Parë Administrative dhe Kryetarja e Përkohshme, firmosi kontratën dhe analizoi treguesit ekonomikë në vendin tonë. “Perspektiva ekonomike e Shqipërisë pritet të përmirësohet në vitin 2014, nxitur nga reduktimi i planifikuar i rreziqeve themelore në fushën fiskale, pastrimin e borxheve, trajtimin e kredive me probleme të larta, të kredive me probleme, dhe nisjen e reformave strukturore.
Do të ndihmojmë Shqipërinë për të përmbushur nevojat e financimit të jashtëm, duke i siguruar mbështetjen e nevojshme për të forcuar financimin publik e fiskal dhe qëndrueshmërinë e borxhit, dhe të vënë ekonominë në një rrugë të qëndrueshme të rritjes afat-mesëm. Borxhi i lartë publik i Shqipërisë kërkon konsolidimin fiskal që ka për qëllim të ulë raportin e borxhit publik nën 60 për qind të PBB-së në afat të mesëm. Kjo do të kërkojë masa të politikave të taksave dhe shpenzimeve të mëdha, të mbështetura nga menaxhimi i financave publike dhe rritja e të ardhurave nga administrata tatimore si dhe një reformë të gjerë në këtë sektor. Lehtësimi i mëtejshëm i moderuar i politikës monetare mund të ndihmojë për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike. Pritjet e parashikuara të inflacionit dhe stabiliteti financiar mbeten të ankoruara mirë.
Megjithatë, kjo do të duhet të jetë e balancuar me kujdes nga rreziqet që vijnë nga ekspozimi i madh , i pambrojtur në valutë të huaj. Ruajtja e stabilitetit financiar duke promovuar qasje në kredi është e nevojshme për të lehtësuar një rimëkëmbje të qëndrueshme. Ulja e kredive me probleme do të ruajë stabilitetin financiar dhe mund të ndihmojë lirimin e kufizimeve të furnizimit të kredisë duke ulur rrezikun bankar. Zbatimi i rekomandimeve të fundit të Programit për Vlerësimin e Sektorit Financiar, duke përfshirë ato që lidhen me uljen e rreziqeve në sektorin financiar jobankar, do të jetë e rëndësishme. Planet e autoriteteve për të reformuar pensionet, energjinë, financat e pushtetit vendor, administratën publike dhe mjedisin e biznesit, janë të mirëseardhura. Nëse zbatohen siç duhet, këto reforma duhet të forcojnë aftësinë e Shqipërisë për të tërhequr investime, për të përmirësuar perspektivat për rritje të qëndrueshme afat-mesme dhe për të zvogëluar rreziqet fiskale” , tha Lipton pasi nënshkroi marrëveshjen me përfaqësuesit e shtetit shqiptar.
Qytetarët pro heqjes së furgonëve
Furgon, apo autobus për transport udhëtarësh? Ata që udhëtojnë nuk kanë më dilema, pasi autobusi është më i sigurt dhe më komod në udhëtim. Në Durrës ka një stacion qendror për ndalimin dhe nisjen e autobusëve në gjithë destinacionet ndërsa ka edhe një orar të përcaktuar për nisjen e tyre. Kjo zonjë ka ardhur këto ditë nga jashtë shtetit dhe preferon më shumë udhëtimin drejt Tiranës me autobus sesa me furgona. Në fakt, pothuajse të gjithë personat e pyetur thonë se autobusi është mjeti më i sigurtë dhe komod për të udhëtuar nga Durrësi drejt Tiranës apo dhe qyteteve të tjera.
Një udhëtim nga Durrësi në Tiranë me autobus kushton 130 lekë ndërsa me furgonë 150 lekë, ndërkohë diferenca e kohës së udhëtimit është jo më shumë se 7-10 minuta. Autobusët e linjës Durrës-Tiranë nisen çdo 30 minuta dhe orari i nisjes së tyre respektohet me saktësi. Drejtuesi i një autobusi shprehet, se nuk ka ndalesa të shpeshta në udhëtimin nga Durrësi drejt Tiranës.
Stacioni i qëndrimit të autobusëve në Durrës gjendet pranë Stacionit të Trenit dhe para dy vitesh, ai i është nënshtruar një rikonstruksioni total, në sajë të një investimi të bashkisë. Nga ky vend nisen të gjithë autobusët drejt qyteteve të ndryshme të vendit, sipas një grafiku të hartuar nga personat përgjegjës për mirëmbajtjen e transportit të pasagjerëve.
Shqiptari vret tunizianin: U hakmora se u tall me vajzën time
Shakaja me një vajzë shqiptare i ka kushtuar jetën një 44-vjeçari nga Afrika e Veriut. Ngjarja ka ndodhur në Itali, ku 51-vjeçari, Edmond Koçiu ka qëlluar për vdekje me thikë një shtetas tunizian.
Lassad Gouma, emigrant i parregullt dhe me precedent penal, u vra me një goditje të vetme nga pas shpine. Krimi ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Perugia në një qendër strehimi.
Sipas të dhënave, rreth orës 21:50, tuniziani po përgatiste një filxhan çaj në korridor, kur shqiptari ka marrë një thikë të madhe në kuzhinë dhe e ka goditur pas shpine.
Dy punonjës të qendrës me kot janë përpjekur t’i vijnë në ndihmë 44-vjeçarit pasi ai ka ndërruar jetë në vend.
Në më pak se një orë pas ngjarjes, policia ka arrestuar pranë stacionit të trenit në Fontivegge shqiptarin që po përpiqej të largohej nga Perugia.
Policia thotë se, 51-vjeçari nga Shqipëria ishte i pastrehë por kishte leje qëndrimi në Itali. Autoritetet italiane gjithashtu bëjnë të ditur se Koçiu prej shumë kohësh kishte probleme me alkoolin.
Në polici, Koçiu ka pranuar vrasjen dhe ka deklaruar se ka ndërmarrë një veprim të tillë pasi tuniziani kishte vënë në lojë vajzën e tij. “Më duhej të hakmerresha për atë që i ka bërë familjes sime… tuniziani është tallur me vajzën time”.
Basha: Ne nuk mund ta lemë qeverinë të ushtrojë pushtetin pa kufij
Menjëherë pas mbarimit të protestës së drejtuesve të furgonëve, protestë e cila u mbështet edhe nga deputetët e Partisë Demokratike, Ridvan Bode, Luçiano Boçi, dhe Flamur Noka, ka reaguar kreu i PD-së, Lulzim Basha. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, Basha akuzon qeverinë se po përdor pushtetin për të traumatizuar vendin, dhe se po u merr shqiptarëve bukën e gojës.
Më tej lideri i demokratëve thotë se opozita nuk do ta lërë qeverinë që të finalizojë marrëzinë e saj.
“Kur mijëra bashkëqytetarë kërcënohen në bukën e gojës, ne nuk mund të rrimë indiferentë. Ne nuk mund ta lemë qeverinë të ushtrojë pushtetin pa kufij, të gjunjëzojë shqiptarët, t’ju marrë baballarëve bukën e fëmijëve të tyre. Kur qeveria nuk mbështet punësimin por është shkaku i papunësisë, ajo nuk është zgjidhja por problemi, nuk është zgjidhja por e keqja vetë.
Nuk ka gjë më të pamoralshme në politikë se të përdorësh pushtetin për të traumatizuar vendin, për ta kthyer depresionin tënd në depresion kombëtar. Ky vend nuk qeveriset me arrogancë dhe ekstremizëm, por me dashuri dhe mençuri. Një qeveri që shpall kundërshtarë qytetarët e saj, që mendon vetëm si t’ju shkatërrojë punën, pasurinë dhe të ardhmen nuk mundet dhe nuk duhet lënë të finalizojë marrëzinë e saj”, -shkruan Basha







