Berisha akuzon Fulen për kurth: Diplomat i shkollës ruse dhe serbofil

berisha-fbIsh-kryeministri, Sali Berisha në një opinion të publikuar në faqen e tij në Facebook ka akuzuar rëndë Komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fule. Sulmi vjen në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian (në fund të mandatit të Fules) si dhe kur na ndajnë pak muaj nga vendimi për statusin kandidat për Shqipërinë.

Berisha thotë se në qershor “rrezikojnë JO-në e tretë” dhe ngre disa pikëpyetje për refuzimin e statusit në tetor. Ish-kryeministri thekson se, “kushti i tre ligjeve” për statusin ishte “një kurth i Stefan Fules, (një diplomat çek i shkollës ruse dhe serbofil, por i papërmbajtur, dhe majtist i thekur), për të bllokuar me Edi Ramën Shqipërinë në procesin e integrimit”.

Berisha e mbështet një gjë të tillë në fakt se asnjë vend tjetër nuk ka pasur kushte për marrjen e statusit kandidat dhe se legjislacioni shqiptar nuk kishte boshllëk në tre ligjet e kërkuara.

Më tej në analizën e tij Berisha flet për një kurth tjetër që zv/shefja e kabinetit të Fules i ngri Oerd Bylykbashit, (atëkohë këshilltar ligjor i Kryeministrit) pas darkës së famshme tek restorant “Krokodili”. Berisha akuzon Fulen se përdori takimin me Bylykashin për t’u thënë qeverive të BE-së se qeveria ishte përgjegjëse për dëshmin e dialogut.

“Komisioneri Fule është i papërmbajtur në serbofilinë e tij. Unë personalisht vlerësoj se filitë ndaj një kombi apo vendi janë të dobishme kurse fobitë janë të dëmshme. Por, kur filia është e papërmbajtur dhe përdoret në dëm të një vendi apo kombi tjetër, filia bëhet e dëmshme sa vet fobia. Pikërisht ky është rasti me z. Stefan Fule”, shkruan Berisha.

“Gjatë një vizite në Beograd ai, duke ditur se Presidenti i Serbise, Nikolic ishte ankuar në Bruksel se “për mua nuk është problem Hashim Thaci por Sali Berisha”, Stefan Fule i lejoi vetes te lexoj në krah të Presidentit Nikoliç, një akt-akuzë, kundër nacionalizmit të rrezikshëm shqiptar të Sali Berishës të cilën, ose ia diktoi fjalë për fjalë Nikoliçi ose Komisioneri ngatërroi “pa dashje” letrat dhe lexoi komunikatën e këtij të fundit kundra meje”, nënvizon ish-kryeministri.

Shkrimi i plotë i Berishës:

Një JO e plotë për të dytën herë, ishte kartolina e fundvitit që kaloi e Brukselit për Shqipërinë, për statusin e vendit kandidat për anëtar të BE. Ky refuzim i përsëritur, përbën problemin më madhor sot për ne shqiptarët.

Çfarë po ndodh me ne? Ku po shkojmë? Janë pyetjet që shtron për përgjigje çdo qytetar i këtij vendi.

Shqipëria, pasi ka firmosur me BE dhe ratifikuar me vendet anëtare të tij Marrëveshjen e Stabilizm Asociimit, ka dorëzuar në prill të vitit 2009 dhe i është pranuar kërkesa për anëtarësim në BE, ka marrë Pyetësorin me mijëra pyetje e nënpyetje dhe janë pranuar përgjigjet e saj, meritoi heqjen e vizave dhe rekomandimin e Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat në 100-vjetorin e Pavarësisë por që, me një akt të paprecedent në historinë e integrimit europian, këtë rekomandim e bllokoi Edi Rama, duke refuzuar votimin e tre ligjeve në Parlament.

Në tetorin që shkoi Shqipëria, mori përsëri dhe pa asnjë kusht, rekomandimin e Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat. Me gjithë këtë, Këshilli i Ministrave të BE refuzoi, në fund të dhjetorit që kaloi, këtë rekomandim. Ky refuzim ndodhi edhe pse zgjedhjet e qershorit u vlerësuan pozitivisht dhe rotacioni i pushtetit ishte normal, ndonëse këto nuk ishin kushte për statusin e vendit kandidat, padyshim ishin dëshmi thelbësore të funksionimit të shtetit ligjor. Statusi na u refuzua për së dyti, edhe pse tetë Ministra të Jashtëm të vendeve anëtare të BE, firmosën një letër në të cilën mbështesnin dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë.

Po kështu, statusi u refuzua edhe pse Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule, me datë 26 Nëntor u drejtoi një letër Ministrave të Jashtëm të BE, në mbështetje të rekomandimit të Komisionit Europian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Theksoj këtu se, letra e tij bazohej pjesërisht në të vërteta të pamohueshme, por kishte dhe paragrafe të tërë gjysmë dhe të pavërtetë, sikur të ishin shkruajtur në zyrën e Edi Ramës, duke injoruar faktin e thjeshtë se pjesa dërrmuese e vendeve anëtare të BE kanë përfaqësi diplomatike në Tiranë, që informojnë online qeveritë e tyre mbi zhvillimet në Shqipëri.

Statusi u refuzua përsëri dhjetorin që kaloi, edhe pse për herë të parë pas katër vitesh, opozita shqiptare, tani PD, nuk kundërshtonte por mbështeste fuqishëm dhënien e tij dhe po kështu, po për herë të parë pas katër vitesh, tetorin që kaloi u arrit të miratohet deklarata e përbashkët e delegacionit të Parlamentit shqiptar dhe Parlamentit Europian. Statusi i vendit kandidat iu refuzua për së dyti Shqipërisë edhe pse Parlamenti Europian me dt. 5 dhjetor 2013 miratoi rezolutën, me të cilën kërkonte dhe mbështeste dhënien e statusit kandidat vendit tonë.

Kjo që ka ndodhur me ne shqiptarët, nuk ka ndodhur me asnjë komb apo vend tjetër në Europë dhe përbën një spirale të rrezikshme për vendin dhe të ardhmen e tij europiane. Por, më e keqja është se, ne nuk kemi ende vetëdijen e plotë të shkaqeve të vërteta dhe pasojave serioze të këtyre zhvillimeve.

Në këtë moment të veçantë, të kësaj tronditje vërtetë madhore, nga refuzimi i përsëritur i statusit të vendit kandidat, është jetike të bëjmë një analizë tërësore të udhëtimit tonë drejt Europës, dhe mbi të gjitha, është koha të jemi shumë seriozë ndaj këtij projekti, të mos ndëshkojmë më tej veten.

Kjo analizë, që sot PD është në opozitë dhe PS në pushtet, nuk vlen për akuza politike. PS, pavarësisht nga qëndrimet e saj, është votëbesuar nga shqiptarët, kurse PD, në opozitë, është zotuar të mbështesë pa kushte procesin e integrimit. Por, analiza është jetike për çdo qytetar shqiptar, për të patur të qartë kushtet, vështirësitë, pengesat në rrugën e integrimit, në mënyrë që ai ose ajo të luajnë rolin që iu takon dhe të japin kontributin e tyre në realizimin e projektit tonë më të rëndësishëm.

Çdo qytetar, politikan, intelektual, i ri apo dhe i moshuar që konsideron projektin e integrimit europian vendimtar për të ardhmen e tij e të fëmijëve dhe të vendit të tij, duhet të ndalet sot dhe të shtrojë pyetjet:

-Pse ne shqiptarët, si askush tjetër, e humbëm trenin e statusit të vendit kandidat, jo vetëm për të parën, por edhe për të dytën herë?

-Pse nuk u caktuan zgjedhjet si një kërkesë për akordimin e statusit, me gjithë zhurmën e Edi Ramës për zgjedhjet e vitit 2009?

-Pse zgjedhjet dhe rotacioni normal i pushtetit të vitit 2013, megjithëse u lavdëruan dhe rritën kredencialet e demokracisë shqiptare, nuk bënë të mundur marrjen e statusit?

-Pse statusi iu refuzua Shqipërisë, me gjithë letrën mbështetëse të Ministrave të Punëve të Jashtme të tetë vendeve anëtare të BE-së dhe rezolutën e Parlamentit Europian?

-Pse njëra forcë politike, PD, ia doli në tetë vite të garantojë një poces integrimi europian të pandërprerë, që nga firmosja e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit deri tek meritimi për dy vite me radhë i rekomandimit të statusit të vendit kandidat?

-Përse forca tjetër politike, PS, në tetë vite të saj në pushtet, arriti vetëm pas kompromisit në vitin 2001, të zgjedhjes së Presidentit konsensual, hapjen por jo mbylljen e negociatave të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit?

-Pse PS, në opozitë, nuk njohu zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009, të cilat përmbushën standardet ndërkombëtare dhe protestoi e bëri gjithçka për bllokimin e vizave, nuk votoi tre ligjet dhe bllokoi dy vite me rradhë statusin?

-Pse për Shqipërinë, pasi nuk iu dha statusi në dhjetor, kësaj radhe nuk u la një rishqyrtim për këtë vendim në mars, nga Ministrat e Jashtëm të BE, siç u la në vitin 2012, por u caktua qershori dhe u kërkua raport i ri për zhvillimet në vend?

Për t’iu përgjigjur drejt këtyre pyetjeve le t’iu referohemi fakteve, më së pari lidhur me qëndrimin e dy forcave kryesore politike ndaj procesit të integrimit. Latini thotë; “Facta sunt servanda”.

Në 8 vite të shkuara PD dhe aleatët e saj në pushtet, ia dolën që me reforma të thella e të gjithanshme, të garantojnë ecuri të pandalshme të proçesit të integrimit, gjë që bëri të mundur ftesën dhe anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO, firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në BE, ratifikimin e kësaj Marrëveshjeje me 27 vëndet anëtare të BE, pranimin në Prill të vitit 2009 nga Presidenca Çeke, pas ujdisë me vendet anëtare, të kërkesës së Shqipërisë për hapjen e proçesit për anëtarësim të plotë në BE. Në vjeshtën e vitit 2009, me vendim të Këshillit të Ministrave të BE, Shqipërisë iu dorëzua pyetësori me 2284 pyetje dhe 2000 nënpyetje dhe, pa vonesë, u plotësuan përgjigjet, të cilat u vlerësuan të suksesshme. Në vitin 2010 u hapën negociatat për heqjen e vizave dhe pasi plotësuam mbi 120 kërkesa të udhërrëfyesit për heqjen e vizave, merituam heqjen e tyre. Në vitin 2012 u plotësuan të 12 kushtet që vendosi një vit më pare Komisioni Evropian dhe, në 100-vjetorin e Pavarësisë, morëm rekomandimin, për statusin e vendit kandidat, me kusht që të votoheshin në Parlament tre ligjet, për të cilat ishte arritur konsensusi i plotë në çdo nen të tyre që në janar të vitit 2012. Komisioni Europian, në tetor të vitit 2013, përsëriti sërish, por kësaj rradhe pa asnjë kusht, rekomandimin për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.

PD, në opozitë, shpalli se do të mbante një qëndrim të kundërt me qëndrimin që kishte mbajtur PS ndaj procesit të integrimit. PD, në dallim të plotë nga PS që bllokoi procesin e statusit, deklaroi që në fillim se, mbështet pa kushte procesin e integrimit të Shqipërisë dhe gjatë vjeshtës loboi politikisht për statusin e vendit kandidat madje, shprehu gadishmërinë për të lobuar së bashku me mazhorancën në Bruksel dhe vënde anëtare të BE. Por, ky propozim, jo pa qëllim, nuk u përfill nga mazhoranca. Ne ofruam lobimin së bashku sepse kjo ishte rruga më e sigurtë për të bindur vendet anëtare që një ndër kushtet më kryesore për vendimin e tyre pozitiv, kanë bashkëpunimin pozitë-opozitë. PD në opozitë, paraqiti ne nentor në Parlamentin tonë rezolutën për statusin e vendit kandidat. Ajo bëri të mundur, për herë të parë pas katër vitesh, miratimin vjeshtën që kaloi të deklaratës së përbashkët të delegacioneve të Parlamentit shqiptar dhe Parlamentit Europian per dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë.

Natyrisht, si opozitë e vertet PD ka denoncuar çdo ditë haptas dhe publikisht, në media, Parlament e kudo, dhunimin e Kushtetutës, ligjeve, vendimeve të gjykatave, lirive dhe të drejtave njerëzore të qytetarëve, standarteve europiane me vendime të qeverisë Rama-Meta, kryekreut dhe ministrave të saj. Ajo, si parti e vlerave dhe parimeve të qendrës së djathtë, vokacionit perendimor të shqiptarëve, nuk ka pranuar dhe kurrë nuk do pranojë, sugjerimet e ndonje miku te Edi Rames apo dëshmitarëve të rremë për të mbyllur një apo të dy sytë, para revanshit të egër dhe të papërmbajtur ndaj shtetit ligjor të Edvin Kristaq Ramës, Ilir Metës dhe pushtetit të tyre. Unë besoj se, miqtë e vërtetë të shqiptarëve janë ata që, në interesin më të madh të qytetarëve shqiptarë, insistojnë publikisht e jopublikisht, për respektimin e shtetit ligjor, Kushtetutës, ligjeve të vendit, insistojnë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por theksoj këtu se, duke denoncuar publikisht revanshin e qeverisë Rama-Meta, opozita nuk është penguar dhe nuk pengohet për të mbështetur, lobuar për statusin e vendit kandidat.

PD ishte dhe është e bindur se rekomandimi i Komisionit Europian, dy vite me rradhë, ishte i drejtë dhe se Shqipëria e meritonte dhe e meriton statusin e vendit kandidat.

Po, cili ka qenë qëndrimi politik i PS ndaj procesit të integrimit në vite? Përsëri le t’u referohemi fakteve.

Në të gjithë procesin e integrimit europian, PS në pushtet dhe opozitë, regjistron vetëm hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në vitin 2002  dhe kjo u be e mundur vetem pas kompromisit per zgjedhjen e Presidentit konsensual të diktuar nga dhunimi i zgjedhjeve te pergjithshme te vitit 2001 nga qeveria socialiste. Keto negociata u bllokuan për shkak të dhunimit nga PS të zgjedhjeve të vitit 2003. Më pas në vazhdimesi PS ka mbajtur qëndrime të hapura, si asnjë parti tjetër në Europë, kundër çdo hapi në drejtim të procesit të integrimit.

Në Shqipëri ka ndodhur, dhe jo në ndonjë vend tjetër, që në pranverë të vitit 2006, kur Presidenca Austriake dhe Qeveria Shqiptare po lobonin fuqishëm për firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE, për të bllokuar këtë marrëveshje, firmosjen e saj, Edi Rama, PS, pa asnjë shkak, urdhëroi deputetët e tij të futeshin në Parlament me daulle, borie dhe bilbila, vetëm e vetëm për t’iu provuar europianëve se, Shqipëria nuk është e denjë për firmosjen e kontratës historike të saj me BE.

Pas firmosjes së kësaj marrëveshjeje, në 10 qershor të vitit 2006, duhej ratifikimi i saj në 27 parlamente të vendeve anëtare të BE. Edi Rama dhe delegacionet e shumta të PS lobuan me të gjitha partitë e ekstremit të majtë, për të bllokuar ratifikimin e Marrëveshjes me Shqipërinë nga vendet anëtare. Marrëveshja, u ratifikua në kohe nga parlamentet e 27 vendeve.

Në prill të vitit 2009, Presidenca Çeke, natyrisht në ujdi me vendet anëtare, pranoi kërkesën e Shqipërisë për të hapur procesin për anëtarësim të plotë në BE. Edi Rama dhe PS e denoncoi publikisht këtë akt, si një akt elektoral.

Pas zgjedhjeve të vitit 2009, të cilat u vlerësuan nga misionet e vezhgueseve te huaj si zgjedhje që plotësuan standartet kryesore të OSBE/ODHIR dhe të cilat nuk patën numërim të parregullt as dhe manipulim rezultati, Edi Rama, me qëllim bllokimin e procesit të integrimit, bojkotoi parlamentin, nisi protestat për rinumërimin e votave, pasi kolegji elektoral zgjedhor kishte hedhur poshtë këtë kërkesë. Por me gjithë këto, Ministrat e Jashtëm të BE-së, autorizuan Komisionin Europian për t’i dhënë pyetësorin Shqipërisë, me të cilin provohej nëse administrata, institucionet shqiptare ishin të aftë, kishin kapacitetet e duhura për t’u angazhuar në procesin e integrimit.

Në maj të vitit 2010, Parlamenti dhe Komisioni Europian, vendosën për hapjen e procesit të negociatave për heqjen e vizave me Shqipërinë. Edi Rama dhe PS për t’i bllokuar këto vendime, zhvilloi grevën 3-javore të urisë para Kryeministrisë dhe bashkepunoi ngushte me deputetët racist antishqiptar të ekstremit të majtë në PE, për të bllokuar procesin, sikundër ndërmorri serinë e protestave në mbarë vendin, nën moton: “hap kutitë, të çlirosh vizat!”.

PS dhe Edi Rama në opozitë bllokuan, për katër vite me rradhë, deklaratën e përbashkët të delegacionit të Parlamentit tonë dhe të PE, për procesin e integrimit të Shqipërisë.

Në tetor të vitit 2012, pra në 100-vjetorin e Pavarësisë së vendit kur, Komisioni Europian konstatoi se Shqipëria ka plotësuar kushtet për të marrë statusin e vendit kandidat dhe la edhe një afat 40 ditor për t’ia nisur Këshillit këtë rekomandim, gjatë të cilit Parlamenti shqiptar duhet të miratonte tre ligjet për të cilat PD dhe PS kishin rënë dakord që në janar të vitit 2012, me ndërmjetësim të vet Komisionit Europian, Partia Socialiste dhe Edi Rama nuk i votoi ato dhe bllokoi në jubileun e shekullit, statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Bllokimi i statusit të vendit kandidat, në 100-vjetorin e Pavarësisë, ishte vendimi politik dhe akti më antishqiptar me antikombëtar i Edvin Kristaq Ramës.

Në dhjetor të vitit 2012, Këshilli i Ministrave të BE-së vendosi me dashamirësi marsin e viti 2013, si një afat tjetër për votimin e ligjeve dhe rishqyrtimin e statusit për Shqipërinë. Por sërish, Edi Rama bllokoi dhe këtë mundësi me mos votimin e tre ligjeve. Ai i votoi këto ligje vetëm me 31 maj të vitit 2013.

Personalisht kam qenë i dyzuar në vlerësimin tim ndaj kushtit të tre ligjeve. Nuk dua ta fsheh. Dhe tani, pasi e kam denoncuar haptas në samite të EPP por edhe në takime bilaterale me drejtues kryesorë të BE, dua t’i informoj shqiptarët se, ndonëse unë nuk besoj në teorinë konspirative, kushtin e tre ligjeve e kam konsideruar një kurth të Stefan Fules, Komisioner i Zgjerimit, (një diplomat çek i shkollës ruse dhe serbofil, por i papërmbajtur, dhe majtist i thekur), për të bllokuar me Edi Ramën Shqipërinë në proçesin e integrimit. Madje edhe sot mendoj se kjo mundësi nuk përjashtohet. Dyshimet e mia tek ky kurth nuk ishin pa baza. Kjo sepse, ky ishte një kusht që nuk i ishte vendosur kujt ndonjëherë, dhe në legjislacionin tonë nuk kishte boshllëk ligjor për këto tre ligje.

Jo për të humbur kohë me memorie por për të ndriçuar të vërtetën, dua të rikujtoj këtu se, pas bojkotit në vjeshtën e vitit 2009 nga Edi Rama të Parlamentit shqiptar, Parlamenti Europian në maj të vitit 2010, mori nismën e ndërmjetësimit midis PD dhe PS, dhe organizoi darkën në restorant “Krokodil” në Strasburg dhe në një seri takimesh të tjera në Tiranë e Bruksel midis përfaqësuesve të PD dhe PS. Në të gjitha takimet, ishin të pranishëm përfaqësuesit e dy grupeve të mëdha parlamentare të PE, pra grupit të Partisë Popullore dhe Partisë Socialiste Europiane dhe si vëzhgues e përfaqsues të Komisionit Europian. Në këto takime të gjitha palët ia kishin bërë të qartë Edi Ramës se kutitë nuk mund të hapeshin dhe se oferta e qeverisë per te pranuar edhe jashte afatit kohor hetimin nga Prokuroria per cdo faktqe do te paraqiste PS është e drejtë dhe duhet pranuar. Një pohim të tillë bëri në Dubrovik, në korrik të vitit 2010, në prani të Ilir Metës edhe Kryetari aktual i socialistëve në Parlamentin Europian, J. Sëoboda që erdhi në Shqipëri muajin e kaluar për të përsëritur sulmet bajate të dyshes Rama-Meta ndaj Mbretërise së Hollandes, paçka se sebashku me qeverine hollandeze statusin e refuzuan edhe qeverite socialiste te Frances dhe Danimarkes.

Në vjeshtën e vitit 2010, u organizua një takim midis palëve ku merrnin pjesë Oerd Bylykbashi dhe përfaqësuesi i PS, Arben Ahmetaj. Pas përfundimit pa sukses të takimit pesë orësh, në të cilin PS refuzoi të gjitha propozimet, zv/shefja e kabinetit të Fules, së bashku me një tjetër, ftuan në zyrën e tyre Oerdin me pretekstin për të bërë një përmbledhje të bisedimeve të paradites. Por, në fakt Oerdit, në zyrat e Fules, i kishin përgatitur një kurth të denjë vetëm për zyrat e shërbimeve të vjetra. Që në fillim, vartësit e Fules, nuk thanë asgjë për bisedimet e paradites, por nisën të parashtrojnë si të tyret, propozimet e Edi Ramës, të hedhura poshtë në të gjitha takimet, përfshi takimin e asaj paraditeje, nga ne dhe përfaqësuesit e grupeve kryesore të Parlamentit Europian. I gjetur para një stisje të tillë banale, Oerdi pasi u thotë se ju këtu më keni thirrur për diçka tjetër, u kërkon ndjesë dhe largohet nga takimi. Kurse z. Fule shfrytëzoi këtë takim për të formuluar dhe dërguar një qarkore qeverive të vendeve anëtare të BE. Në këtë qarkore dizinformoi këto qeveri, duke shkruajtur se perfaqesuesit e qeverise shqiptare refuzuan propozimet konstruktive të opozitës për zgjidhjen e ngërçit politik. Kështu, sipas z. Fule, qeveria ishte përgjegjëse për dështimin e dialogut, ndërkohë që e kundërta ishte e vërtetë. Ky ishte një mashtrim. Dialogu qeveri-opozitë në çdo takim ishte zhvilluar me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të të dy grupeve më të mëdha

parlamentare të PE. Në të gjitha takimet, me unanimitet, ishte hedhur poshtë nga të gjitha palët, përvec PS-së, kërkesa për hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave.

Pas kësaj, Fule mashtrimin e tij, e futi në raportin e Komisionit të botuar në tetor të vitit 2010 për Shqipërinë, ku shkruan: “Qeveria nga ana e saj nuk ka treguar vullnet për të bërë kompromis me propozimet e PS për kapërcimin e ngërçit politik”. Para botimit të raportit, ne u informuam për këtë paragraf, këtë akuzë, dhe dërguam çështjen tek Presidenti Barroso. Në një bisedë të shkurtër që pata me Barroson per kete çeshtje ai më tha se e kishin korrigjuar paragrafin. Padyshim që kjo kishte qenë porosia e tij. Në të vërtetë z Fule, paragrafin nuk e korrigjoi. Pas këtij akti, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Popllore, J. Daul, hodhi poshtë dhe denoncoi publikisht, në një konferencë shtypi të përbashkët me mua në Bruksel, raportin e z.Fule për Shqipërinë, duke deklaruar se ky raport nuk është fotografia e vërtetë e realitetit të Shqipërisë dhe qëndrimit të qeverisë shqiptare.

Mirepo z. Fule dhe Rama, qëllimin e realizuan dhe, me miratimin ose jo të Komisionerit të Zgjerimit, Edi Rama përdori këtë raport, krahas videos për Ilir Metën, për të organizuar puçin e 21 Janarit.

Më sipër theksova se, Komisioneri Fule është i papërmbajtur në serbofilinë e tij. Unë personalisht vlerësoj se filitë ndaj një kombi apo vendi janë të dobishme kurse fobitë janë të dëmshme. Por, kur filia është e papërmbajtur dhe përdoret në dëm të një vendi apo kombi tjetër, filia bëhet e dëmshme sa vet fobia. Pikërisht ky është rasti me z. Stefan Fule.

Kështu, gjatë një vizite në Beograd ai, duke ditur se Presidenti i Serbise, Nikolic ishte ankuar në Bruksel se “për mua nuk është problem Hashim Thaci por Sali Berisha”, Stefan Fule i lejoi vetes te lexoj në krah të Presidentit Nikoliç, një akt-akuzë, kundër nacionalizmit të rrezikshëm shqiptar të Sali Berishës të cilën, ose ia diktoi fjalë për fjalë Nikoliçi ose Komisioneri ngatërroi “pa dashje” letrat dhe lexoi komunikatën e këtij të fundit kundra meje.

Përveç këtyre, pas falimentimit të CEZ në Shqipëri, vendimit të qeverisë shqiptare për të marrë administrimin e sipërmarrjes, Komisioneri i Zgjerimit, i lidhur ngushtë me CEZ dhe në konflikt të hapur interesi, deklaroi se kjo ngjarje dëshmon për klimën jo të mirë të biznesit në Shqipëri. Kjo deklaratë, dëshmi e interesave komerciale të Komisionerit të Zgjerimit, ishte fund e krye e pavërtetë. Kompania e mirënjohur e energjisë CEZ, u largua nga Shqipëria, pasi ajo falimentoi plotësisht në menaxhimin e ndërmarrjes, rriti humbjet nga 28% në 54%, kreu akte të paimagjinueshme duke ndërprerë furnizimin me energji të ujësjellësave të qyteteve të mëdha, me qëllim destabilizimin e vendit, krijoi skema mashtrimi për të cilat ndiqet nga Prokuroria. Sot flitet se në bisedimet Rama-Fule është arritur dhe një marrëveshje për CEZ. Me të drejtë mund të shtrohet pyetja pse këto qëndrime të z. Fule ndaj Shqipërisë? Une nuk kam një përgjigje të saktë. Mundet që këto qëndrime të lidhen me majtizmin e tij të thekur, ndofta me serbofilinë e tij të zjarrtë, apo testamentin e gabuar të presidentit të nderuar Mazerick për shqiptarët, ose mundet nga shkaqe të tjera. Vetëm një gjë është e sigurtë, se ato nuk lidhen me qëndrimet gjithnjë miqësore të qeverisë çeke ndaj Shqipërisë.

Mirëpo dua të jem i hapur se megjithëse dija të gjitha keto qëndrime por dhe te tjera te Komisionerit të Zgjerimit Fule dhe i kisha denoncuar ato publikisht në EPP dhe jo vetëm aty, por dhe ia kisha shprehur atij vetë drejt e në sy, nuk mendoj se Stefan Fule është përgjegjës për mosmarrjen e statusit në vitin e 100 vjetorit të pavarësisë. Përkundrazi. Do më dukej e pandershme që këtë përgjegjësi ta projektoi tek ai, apo ta kërkoj jashtë vendit tim. Në bindjen time më të thellë, pavarësisht se ka patur apo jo një marrëveshje midis Stefan Fules dhe Edi Ramës në çështjen e tre ligjeve, caktimi i këtij kushti, më pelqen apo jo, nuk ka pse të mos konsiderohet i drejtë. Kjo sepse, tre ligjet nuk lëndonin interesat e qytetarëve shqiptarë, në të kundërtën ato vetëm sa përmirësonin standartet e ligjeve ekzistuese dhe për votimin e tyre ishte rënë dakort që në janar të vitit 2012. Tre ligjet pra ishin de facto te miratuara dhe te akuzosh tjetrin pse i vuri si kusht, nderkohe qe i yti i bllokon ato, eshte e papranueshme. Natyrisht, dënimi i një populli dhe vendi për qëndrimet e papërgjegjshme të një njeriu apo një force politike përbënin, për mua, në pamje të parë një veprim të padrejtë. Por, nga ana tjetër, procesi i integrimit europian për të qenë një proces i besueshëm dhe i qëndrueshëm për BE, por edhe për vet Shqipërinë dhe shqiptarët, nuk mund dhe nuk duhej të thellohej si një proces në të cilin, në të gjitha etapat e tij, roli i forcave kryesore politike të ishte thellësisht asimetrik. Ai mund të ecë i sigurt dhe të konsolidohet vetëm si një proces përfshirës, që ka mbështetjen e qeverisë dhe opozitës.

Kështu që, në rast se vërtet PS ishte e interesuar për integrimin, ajo duhet t’ju provonte shqiptarëve dhe europianëve këtë dhe duhej të votonte tre ligjet e kërkuara.

Këto ishin qëndrimet politike të PS dhe Edi Ramës ndaj procesit të integrimit. Ky ishte Edi Rama, politikani i vetëm në Europë që tetë vite në opozitë, bëri gjithçka kishte në dorë për bllokimin e ketij procesi. Ai me bllokimin e statusit te vendit kandidat, privoi qytetarët shqiptarë nga qindra miliona euro, por mbi të gjitha, nga një pasaportë e re dinjitoze dhe shumë e vyer në rrugën e integrimit. Edi Rama dhe kupola e PS nuk kanë interes integrimin, por vetëm axhendën personale, të pushtetit personal, hakmarrjes, urrejtjes dhe pasurimit të tyre. Në trashëgiminë e tyre ideologjike, ende janë të gjalla reflekse anti dhe mosbesimi ndaj institucioneve europiane dhe euroatlantike dhe përparësia absolute e pushtetit personal ndaj çdo gjëje tjetër.

Pikërisht për këtë qëndrim te pashembullt public negative te tij ndaj vendit, gjatë një vizite në Bruksel, një nga personalitetet më kryesore në Europë, do të më shtronte pyetjen:  Mirë se Edi Rama mban një qëndrim qartësisht antishqiptar, por si ka mundësi që deputetët socialistë, të mbështesin qëndrimin e tij kundër interesave të popullit të vet?  Pyetja ishte e vështirë, por vetëtimthi, me erdhën në mendje fjalët e Harry Fultz, që shkruante se: “në kafenetë e Tiranës gjen njerëz që diskutojnë me me mençuri, finesë dhe kompetencë për ngjarjet dhe politikën botërore se sa në kafenetë Ëashingtonit, por problemi i tyre është se ata kanë vetëm interesa personale”. Prandaj unë pa humbur kohë u pergjigja : “ata kanë vetëm interesa personale”.

Por pavarësisht nga këto, duhet pranuar se, shqiptarët, qytetarët me mbështetjen më të lartë për integrimin, më 23 qershor me votën e tyre, zgjodhën Edi Ramën dhe premtimet e tij elektorale. Ato nuk votuan për bllokimin e integrimit nga Edi Rama, por amnistuan atë dhe të gjitha qëndrimet e tij anti-integruese. Në të vertetë, zgjedhjet e 23 qershorit e amnistuan Ramën edhe në Bruksel. Natyrisht ato nuk zhdukën dhe nuk mund të zhdukin për shumë kohë nga memoria dhe arkivat e Brukselit dhe kancelarive të vendeve anëtare, qëndrimet e tij kundër integrimit. Ndaj, dhe në vizitën e tij të parë në Bruksel, ai mori mesazhe mbështetëse për projektin e integrimit të Shqipërisë në Europë, si dhe kërkesa të qarta për këtë proces. Por, siç është në natyrën e tij, harroi fill kërkesat dhe u mburr para kohe si burracak me mbështetjen.

Personalisht, për një farë kohe, pas ardhjes së tij në pushtet, duke ditur origjinën e tij si pinjoll i bllokut, admirimin e fshehur për etërit e tij shpirtëror, kam menduar se atij nuk i intereson aspak integrimi.  Ky mendim u perforcua edhe me shume nga zemerimi i tij i hapur me raportin e fundit te Komisionit Europian, ne te cilin ne cdo paragraf Shqiperia e zeze e 1 milion te papuneve, qe ai ka krijuar ne mendjen e tij te semure, nuk ekzistonte.

Mirëpo, gjatë një bisede, një mik i çmuar më faktoi, më provoi me fakte, se kjo nuk është e vërtetë. Problemi është shumë më serioz. Atij i intereson integrimi, por i bazuar në pazare dhe jo në meritë, atij i intereson integrimi, por vetëm si proces që shkon sipas interesit të pushtetit të tij personal pra si proces që, në realitet si i tillë, nuk ekziston. Dhe kjo është më e keqja, sepse në rast se atij nuk i interesonte integrimi, mund të kthente, ndryshonte mendjen, kurse në rastin e dytë, Edi Rama, për shkak të trashëgimisë së tij politike dhe të problemeve serioze të lidhura direkt me shëndetin e tij mendor, nuk mund të ketë kurrë interesa të tjera, veçse atyre personale, të cilat i konsideron si interesa supreme publike.

Prandaj dhe mund te konkludojme se, vetëm një njeri që ka një koncept të tillë për integrimin, mund të akuzojë me mosmirënjohje 5 vende kryesore të BE-së për refuzimin e statusit të vendit kandidat Shqipërisë për shkak të ekstremit të tyre të djathtë.

Ndërkohë, që ai personalisht dhe partia që ai drejton, për tetë vite me rradhë bën gjithçka me ekstremin e majtë dhe të djathtë, albanofobet, brenda dhe jashtë vendit, kundër integrimit të Shqiperise. Pra këto ishin qëndrimet e Edi Rames dhe PS ndaj integrimit, por përsëri më duhet të pohoj se bilbilat, boritë, daullet, grevat e urisë, bojkoti i Parlamentit, mosvotimi i ligjeve, ndonëse të gjitha janë qëndrime të qarta anti-integruese, problemi më madhor i shqiptarëve dhe Shqipërisë ndaj integrimit europian nuk janë ato, por është qëndrimi ndaj standarteve europiane.

Gjermani, djemtë vrasin babain dhe e fusin në valixhe

djemte vrasin babainPolicia ka zbardhur vrasjen misterioze të një 46-vjeçari, trupi i të cilit u gjet në një valixhe në Sinstort. Dy djemtë e tij janë të dyshuarit kryesor për vrasjen.

Djali i vogël 20 vjeç, Adnan Zeqiri është shoqëruar në polici, ndërsa djali i madh 26 vjeç, Fatmir Zeqiri nuk ndodhet në Gjermani.

Kjo është historia e trishtë e një familjeje shqiptare nga Maqedonia, e cila jetonte në Gjermani.

20-vjeçari gjatë marrjes në pyetje ka pranuar faktin se ka vrarë babain e tij, Hamza Zeqiri. Ai ka treguar se e ka mbytur pas një mosmarrëveshje dhe bashkë me vëllanë tjetër e kanë future në valixhe trupin e tij dhe me një taksi e kanë dërguar në Sinstorf.

Vrasja ka ndodhur më 29 tetor të vitit të kaluar. Hetuesit kishin pasur edhe më parë indikacione se vrasja mund të ishte bërë nga rrethi i të afërmve të të ndjerit.

Trupi i 46-vjeçari u gjet në një kënetë të akullt. Ai më parë ka jetuar në Hamburg, ndërsa pas divorcit ka shkuar të jetojë në Billstedt. Nga autopsia ka rezultuar se 46-vjeçari nga Maqedonia ka vdekur nga goditjet në kokë.

Makina përfundon në trotuar, pranga shoferit

MAKINA TROTUARNjë automjet tip Mini Couper ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në trotuar në rrugën e “Durrësit”, pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 4:00 në të gdhirë të së dielës dhe shkak sipas policisë për daljen e mjetit në rrugën e Durrësit, sipas policisë dyshohet të ketë qenë konsumi i alkoolit si dhe kushtet e vështira klimaterike nga shirat.

Edhe pse aksidenti nuk ka pasur pasoja në njerëz, policia ka shoqëruar në ambientet e Komisariatit numër 3, drejtuesin e mjetit dhe pritej të ekzekutonte arrestimin e tij, raporton “shqiptarja.com”.

Automjeti ka qëndruar për orë të tëra në vendngjarje pasi u kërkua vlerësimi maksimal i aksidentit edhe pse me dëme të vogla si edhe kryerja e të gjitha ekspertizave të duhura për t’ia bashkangjitur dosjes së hetimore.

Bollino: Ja të pathënat për armët kimike

bollinoNjë varg misteresh e kanë shoqëruar historinë e ardhjes së armëve kimike në Shqipëri. Është një histori e sunduar nga prapaskenat. Për 45 ditë kjo çështje përfshiu vendin e vogël në Mesdhe në qendër të opinionit kombëtar e ndërkombëtar.

Ndërkohë që jehona nuk është shuar ende, në duart e lexuesve vjen një libër me titullin intrigues “Heshtja e dyfishtë – E vërteta për armët kimike në Shqipëri”.

Në këtë libër, gazetari italian Carlo Bollino me kurajë intelektuale dhe me përgjegjësinë e një gazetari karriere bën analizën e ngjarjeve të skenës dhe prapaskenës që paraprinë dhe shoqëruan debatin e madh për demontimin e mundshëm të armëve kimike të Sirisë në territorin shqiptar.

Çështjet ngacmuese të këtij libri janë shumë. Cilat ishin kushtet që çuan në dështimin e një marrëveshje të mundshme me amerikanët për armët kimike? Çfarë propozimi bëri pala shqiptare dhe cilat janë arsyet që amerikanët do t’ia besonin Shqipërisë sekretin e impiantit të asgjësimit? A kishin një çmim negociatat mes Amerikës dhe Shqipërisë? Pse heshti kryeministri Rama, pse heshti opozita dhe presidenti, pse heshti pala ndërkombëtare?  Në ç’kushte u artikulua Jo-ja sfiduese e Edi Ramës? Çfarë i shkroi kryeministrit shqiptar në letrën e tij për armët kimike presidenti i SHBA-së dhe pse u mbajt e fshehtë përmbajtja e asaj letre?

Ndërsa ju japim përgjigje këtyre pyetjeve përmes kësaj interviste me gazetarin Carlo Bollino, bëjmë njëkohësisht edhe një rrugëtim në faqet e këtij libri intrigues, që s’duhen lënë kurrësesi pa lexuar.

Pjesa e parë e librit tuaj i kushtohet sfondit ndërkombëtar të kësaj çështjeje dhe ju i keni kushtuar një kapitull të tërë. Pse është kaq i rëndësishëm ky prezantim?
-E gjithë pjesa shqiptare e kësaj historie ka nisur në fund të tetorit, kur për herë të parë doli në skenë emri i Shqipërisë si vendi i përfshirë në operacionin e asgjësimit të armëve kimike siriane. Por realisht publiku shqiptar nuk dinte pothuajse asgjë për historinë e Sirisë dhe akoma më pak të dinte sesi diplomacia ndërkombëtare kishte arritur deri tek çarmatimi i Bashar al-Assad.

Unë mendoj se rrethanat ndërkombëtare, të cilat i kam përfshirë në fazën e negociatave mes Amerikës që kërcënonte me sulm dhe Rusisë që kërkonte ta shmangte këtë sulm, deri në arritjen e kësaj marrëveshje, unë i kam përqendruar në disa momente që janë interesante, duke përfshirë edhe prapaskenat e një “gafe” të John Kerry-t gjatë një vizite në Londër, që shkaktoi një reagim nga ana e Rusisë deri në arritjen e marrëveshjes kundër sulmit të armatosur në Siri. Kjo është një prapaskenë, jo shumë e njohur e që shërben për ta plotësuar historinë e armëve kimike në Shqipëri.

Fill pas kësaj  nisin bisedimet dhe negociatat për çarmatimin, dhe vjen momenti që në skenë shfaqet emri i Shqipërisë. Ju thoni në librin tuaj se ajo që amerikanët nënkuptuan me rënien dakord në parim nga Shqipëria, nuk ishte e njëjta gjë me atë që nënkuptonte Shqipëria. Pra, kishte një keqkuptim gjuhësor…Çfarë është një Po në parim? Ku qëndron keqkuptimi?
-Nga informacioni që kam unë, reagimi i parë i kryeministrit ishte një Po në parim. Dhe një Po në parim ne e dimë mirë që në shqip nuk është një Po përfundimtare. Është një Po pikërisht në parim, pra diskutojmë, është fillimi i diskutimeve. Ndërsa për  realitetin amerikan një Po në parim është një Po e mbyllur. Sepse  amerikanët janë më pragmatistë si natyrë, ndryshe nga shqiptarët apo italianët të cilët, si mesdhetarë që janë, një Po në parim e kanë të barabartë me një Ndoshta.

Unë mendoj se kjo ka ndikuar  përgjatë gjithë negociatave. Amerikanët kishin nënkuptuar se kjo Po në parim e kishte mbyllur marrëveshjen dhe kishin mbetur për t’u diskutuar detajet. Ndërsa ndryshe ishte kuptuar nga pala shqiptare. Ata caktuan një sërë kushtesh, nga të cilat një prej kushteve kryesore nuk është pranuar asnjëherë. Pra një kusht, të cilin unë e kam përmendur disa herë në libër çoi deri në dështimin e një marrëveshjeje të mundshme me amerikanët.

Në çfarë pozicioni ishte Edi Rama për t’i vendosur këto kushte Amerikës?   
-Ai e kishte kuptuar shumë mirë që amerikanët kishin nevojë për një marrëveshje me Shqipërinë, sepse interesat e amerikanëve ishin të drejtpërdrejta, jo kundër Shqipërisë, por si çdo propozim diplomatik ka edhe interesa të brendshme për SHBA. Nga ana tjetër Edi Rama e kishte kuptuar se kjo kishte një kosto politike. Nisur nga kjo, sigurisht para se të pranonte një kosto politike duhet të synonte edhe përfitime ekonomike dhe politike për Shqipërinë për qeverinë që ai drejton, për opinionin publik.

Kështu, ai parashtroi disa kërkesa, të cilat më vonë u kthyen në kushte. Kërkesat ishin shumë të sakta. Madje ai ia dërgoi departamentit të shtetit të shkruara këto kërkesa për të shmangur çdo keqkuptim të mëvonshëm. Më pas të gjithë negociatat janë kushtëzuar nga këto kërkesa dhe nga mungesa e një përgjigjeje për këto kërkesa.

Pse nuk mori përgjigje kryeministri Rama?
-Ky është një mister për mua. Ky është misteri i vërtetë. Pasi disa nga kërkesat ishin lehtësisht të zbatueshme. Një nga zyrtarët shqiptarë që kam intervistuar më ka thënë se: nëse amerikanët do të ishin përgjigjur disa prej atyre kërkesave marrëveshja do të ishte mbyllur shumë kohë më parë. Rama do të kishte mundësi për të hedhur në diskutim këtë çështje në parlament në qeveri e për ta bindur opinionin publik që kjo nuk ishte një marrëveshje që do të cenonte ndotjen e ambientit apo sigurinë kombëtare. Por këto kushte nuk u realizuan asnjëherë.

Negociatorët amerikanë janë vonuar jashtë mase, pavarësisht nga fakti se në anën tjetër ONAK kishte përcaktuar një limit kohor brenda të cilit duhej të përfundonte negociata. Pra, nga një anë ishte ky limit kohor e nga ana tjetër ishte vonesa e gjatë e një përgjigjeje nga ana e negociatorëve amerikanë. Kjo e ka shtrënguar shumë hapësirën për të arritur në një marrëveshje. Arsyeja pse ka ndodhur kjo është ende një mister. Por mbase e gjithë kjo ka ndodhur për të ulur çmimin e negociatave, pasi duke filluar nga ajo Po në parim mund të jetë menduar se qeveria shqiptare mund të bjerë dakord me fare pak kushte. Ndoshta, mund të jetë kjo tezë.

Në libër ju flisni për Impiantin FHDS dhe një varg sekretesh rreth tij. Çfarë është ky impiant dhe pse duhej instaluar pikërisht në Shqipëri?
-Ky është një impiant që Pentagoni e kishte porositur tek industria ushtarake amerikane dhe i ishte dorëzuar Pentagonit vetëm në muajin korrik. Ndërkohë, ne flasim për një histori që ka nisur në muajin shtator. Pra në korrik, dy muaj përpara, Pentagoni kishte marrë në dorë impiantin për asgjësimin e armëve kimike. Ishte një impiant i lëvizshëm me një vlerë të jashtëzakonshme në treg, pasi problemi më i madh në asgjësimin e armëve kimike është pamundësia e lëvizjes së tyre.

Është më mirë të lëvizet impianti sesa armët kimike. Pentagoni e kishte testuar, por nuk e kishte eksperimentuar asnjëherë dhe në asnjë vend, në asnjë operacion real. E kishte testuar në laborator por jo në terren dhe këtu kemi të bëjmë jo vetëm me sekret ushtarak, por edhe një sekret industrial, sepse është një teknologji krejt e re. Unë mendoj se amerikanët në këtë rast kishin nevojë për një vend të sigurt  nga pikëpamja e sekretit ushtarak, gjë që Shqipëria e përmbushte. Por, gjithashtu ishte e nevojshme të gjendej një vend i vogël, i cili s’do të mund ta përdorte dot vetë këtë impiant, por të linte në dorën e ekspertëve amerikanë përdorimin e impiantit.

Dhe këtë vetëm Shqipëria mund ta lejonte.  Fjala vjen Turqia, një superfuqi ushtarake do të kërkonte ta shtinte vetë në dorë impiantin. Ndërsa Shqipëria i kishte ofruar të gjithë garancitë për të ruajtur sekretin, pasi të gjithë operacionin ta përfundonin vetë ekspertët amerikanë.

Ndërkohë, pas refuzimit të Shqipërisë, amerikanët e kanë instaluar këtë pajisje në një anije amerikane ekskluzivisht nën kontrollit e tyre në mes të detit. Pra, nuk do të ketë asnjë vend tjetër që do të ketë gisht në përdorimin e këtij impianti tepër sekret.

Në librin tuaj ju botoni për herë të parë tekstin e letrës që Barack Obama i shkruan Edi Ramës për çështjen e armëve kimike. Pse u mbajt sekret kjo letër?
-Kjo letër është shkruar nga Barack Obama, menjëherë pas një bisede të gjatë midis John Kerry-t dhe Edi Ramës. Biseda mes tyre ka ndodhur më 7 nëntor, ndërsa letra është nisur më 9 nëntor. Fillimisht është nisur në formë elektronike e pastaj ka mbërritur edhe letra në dorë më 11 nëntor. Edhe kjo datë është interesante.

Nëse ne mendojmë se negociatat kanë nisur më 27 shtator dhe John Kerry ka bërë bisedën e parë me Edi Ramën vetëm më 7 nëntor kjo tregon se deri në këtë kohë Departamenti i Shtetit kishte deleguar vetëm zyrtarë amerikanë, por jo kupolën e administratës amerikane. Ky mbase ka qenë një gabim. Nëse John Kerry do të ishte përfshirë që në fillim në bisedime ato garanci që Edi Rama ka kërkuar, mbase do të ishin plotësuar e problemi do të ishte zgjidhur shumë kohë më parë.

Gjatë bisedës me John Kerry-n, Edi Rama kishte kërkuar disa garanci, mes të cilave dhe një ombrellë politike. Dhe reagimi pas kësaj bisede ka qenë letra që Obama i ka dërguar Edi Ramës, një letër ku nuk përmendet në të vërtetë asgjë më shumë sesa një përshëndetje dhe disa vlerësime, por që nuk plotësonin asnjë nga ato kushte që kishte vendosur kryeministri Rama. Ndoshta për palën amerikane kjo letër mjaftonte, por për administratën shqiptare kjo nuk mjaftonte. E mbase për këtë arsye edhe nuk është publikuar.

Një nga të intervistuarit tuaj pohon se amerikanët kishin të dhëna të detajuara për të gjithë bazat ushtarake në Shqipëri,  dhe se në seleksionimin e tyre final vetëm dy baza ishin të përshtatshme Bishtpalla dhe ishulli i Sazanit. Pse këto dy zona? 
-Pala amerikane, ajo ushtarake, kishte disa kushte për zgjedhjen e zonës ku do të instalohej impianti i asgjësimit të armëve kimike. Duhej të ishte afër detit, të ishte një bazë ushtarake, të ishte të paktën 15 kilometra larg zonave të banuara, duhej të ishte pranë rrugës dhe të kishte mundësi për sigurinë maksimale. Duke u bazuar në këto kushte, ato përzgjodhën dy baza ushtarake më të sigurtat ajo e ishullit të Sazanit dhe bazën ushtarake të Bishtpallës.

Baza e Sazanit ishte brenda rrezes 15 kilometra, dhe në fund mbeti Bishtpalla e konsideruar edhe më parë nga NATO si një bazë shumë e mirë dhe strategjike, edhe pse porti ishte në kushte mizerabël dhe ishte parashikuar thellimi i tij për të lehtësuar ankorimin. Po ashtu, kjo bazë kishte edhe një histori tjetër të lidhur me qeverinë e mëparshme të Sali Berishës, saktësisht me një vendim të ish-ministrit të mbrojtjes Arben Imami për ta kthyer këtë zonë në një port turistik, duke iu shitur kështu toka në këtë zonë njerëzve të afërt në oborrin e ish-kryeministrit Berisha. Mbase edhe ky fakt mund të ketë prishur punë, megjithëse nuk mendoj se ky është një element që do të ketë ndikuar vërtet në vendimmarrjen nga ana e amerikanëve.

Mjaft ngacmuese janë edhe ato faqe të librit ku ju trajtoni anën ligjore të këtij procesi. Pra, a ishte e ligjshme sjellja e këtij arsenali në Shqipëri? 
-I jam referuar një analize të botuar në “Shqiptarja.com” nga juristi Agron Alibali. Realisht konventa kundër armëve kimike ndalon transferimin e tyre në një vend tjetër, dhe ndalon po ashtu çdo vend të pranojë armë kimike në çdo rrethanë qoftë.

Pra, nga pikëpamja ligjore konventa e Kombeve të Bashkuara, e cila synon të transferojë në Shqipëri apo në një vend tjetër armët kimike siriane është kundër një konvente tjetër të Kombeve të Bashkuara, e cila e ndalon transferimin e armëve kimike. Ky është një element ligjor. Po ashtu, një element tjetër që nuk është marrë kurrë parasysh është përgjegjësia në rast të një aksidenti. Kush e merr përsipër në rast se në ujërat shqiptare anija që transporton kontenierë me saharin, fundoset.

Kush e merr këtë përgjegjësi, amerikanët? Jo. Kush e siguron Shqipërinë kundër një katastrofe teorikisht të mundshme. Pra, kjo anë ligjore nuk është marrë fare parasysh gjatë gjithë negociatave dhe është anashkaluar. Tani është zgjidhur kjo gjë, sepse procesi i asgjësimit do të ndodhë në mes të detit, në ujëra ndërkombëtare.

Ju keni pasqyruar gjerësisht në libër edhe atë çfarë ndodhi në parlamentin shqiptar përpara se të vinte Jo-ja nga kryeministri Rama. Pse e botuat gjithë atë procesverbal?
-Mendoj se ai është një dokument shumë i rëndësishëm, pasi ai pasqyron linjën politike që ka mbajtur opozita, e cila është totalisht e ndryshme 24 orët e fundit me atë çka kishte mbajtur edhe zoti Berisha, por edhe zoti Lulëzim Basha deri në 12 nëntor.
Pra deri me 12 nëntor qëndrimi i opozitës nuk ishte kundër armëve kimike, ishte thjesht  kundër mungesës së transparencës së këtij procesi. Ata duhet të ishin prezentë në tryezën e negociatave së bashku me amerikanët. Ky ishte qëndrimi i opozitës.

Pastaj më 12 nëntor, Sokol Olldashi ka hedhur një postim në facebook, kundër armëve kimike, me sa duket një qëndrim krejt personal. Pastaj vetëm më 13 nëntor opozita e ka mbështetur qëndrimin e Olldashit duke dalë kundër. Ndërsa data 14 nëntor është një ditë shumë e veçantë, pasi në kuvend shpërthyen debatet, Sali Berisha doli hapur kundër importimit të armëve kimike në Shqipëri. E mandej nga kuvendi ka kaluar në shesh. Ishte një skenar që më ka kujtuar shtatorin e 1998-s, kur në momentet kulmimante të një proteste u sulmua kryeministria dhe u tentua të rrëzohej qeveria. Dua të besoj se ky skenar nuk ka qenë i përgatitur të ndodhte kështu, por ishte shumë i afërt me  skenarin e 14 shtatorit të një tjetër viti shumë të trishtuar për historinë e Shqipërisë. Për fat të mirë, demonstruesit e kanë dëbuar Sali Berishën nga sheshi, nuk e kanë pranuar provokacionin e tij.

Pra, edhe opozita kishte heshtur, sikurse ju e thoni që në titull. Po ashtu heshti edhe pala e huaj. Ky është thelbi i librit tuaj, apo jo, kjo është fjala kyçe…?
-Po sepse opinioni publik e ka kritikuar, ndoshta edhe me të drejtë, pasi heshtja e kryeministrit Rama ishte e pakuptueshme për ta. Ai duhet të kishte ofruar më tepër informacion mbi këtë çështje dhe për ta informuar opinionin publik. Por nuk ishte vetëm ai protagonisti që heshti. Po ashtu kanë heshtur negociatorët amerikanë. Heshtja e tyre është demonstruar nga mungesa e një përgjigjeje.

Sepse kryeministri kishte bërë disa pyetje dhe po priste disa përgjigje duke filluar nga një marrëveshje e shkruar me palën amerikane për të gjithë procesin me detyrat dhe të drejtat e Shqipërisë ndaj këtij procesi. Ky dokument ka munguar gjithmonë. Amerikanët kanë heshtur pse nuk kanë bërë asnjë deklaratë për armët kimike dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare. Por ka heshtur edhe opozita. Sipas informacioneve dhe elementëve që unë kam botuar në libër, ka mundësi që Berisha të ketë pasur dijeni për armët kimike që nga shtatori 2013.

Pra, më shumë se 40 ditë përpara daljes publike të lajmit në mediat shqiptare. Po ashtu unë e kam argumentuar në libër që edhe presidenti Nishani mund të ketë pasur dijeni për këtë çështje që në fund të shtatorit. Natyrisht nuk kam në dorë prova që vërtetojnë 100% se këta të dy kanë qenë në dijeni, por ka elementë për të ngritur këtë hipotezë. Dhe e vërteta është se ata nuk reaguan dhe nuk folën kurrë për këtë çështje.

Dhe vijnë në fund tek Jo-ja sfiduese e Edi Ramës. Sipas jush në çfarë rrethanash e dha ai këtë përgjigje?
-Nga informacionet që kam e që i kam përfshirë në libër Jo-ja ka ardhur si rezultat i një sërë elementesh. Patjetër protesta ishte një nga elementët. Mungesa e përgjigjes apo mungesa e një marrëveshjeje të shkruar me negociatorët amerikanë, ka qenë elementi kyç sigurisht. Po ashtu një element i rëndësishëm ishte mungesa e një vendi të dytë që do të përfshihej në këtë proces, emër që amerikanët nuk e dhanë kurrë.

Por mbi të gjitha ka qenë një fakt që ka ndodhur me 13 nëntor që për mendimin tim ka qenë kthesa vendimtare.
Më rezulton se më 13 nëntor Edi Rama kishte hequr dorë përfundimisht dhe kishte vendosur ta refuzojë propozimin amerikan. Në fillim të ditës më 14 nëntor para përshkallëzimit të protestave ai iu ka komunikuar disa ministrave vendimin për ta refuzuar këtë  propozim. Po ashtu ia kishte komunikuar edhe zotit Meta. E fill pas kësaj është nisur për në Mal të Zi. Në kuvend ndodhi ajo që ndodhi, një lumë i tërë polemikash dhe vetëm të nesërmen me 15 nëntor Edi Rama doli para opinionit publik dhe komunikoi vendimin e tij.

Po më 14, menjëherë pas kthimit nga Mali i Zi ai komunikoi sërish me Departamentin e Shtetit Amerikan, me John Kerry-n, të cilit i bëri të ditur vendimin përfundimtar. Dhe pastaj, gjatë gjithë natës në vijim, ai shkroi fjalimin e famshëm që e lexoi para kamerave më 15 nëntor.
Këtu mbyllet kjo histori, por jo libri, pasi kam shkruar edhe një kapitull shtesë për të treguar se çfarë ka ndodhur pas datës 15 nëntor dhe si ka përfunduar historia e armëve kimike.

*Shekulli

Rreth 143 mijë ukrainas janë larguar për në Rusi

rusiaRreth 143 mijë persona janë larguar nga Ukraina në drejtim të Rusisë që prej ngjarjeve të fundit që po trondisin ish-republikën sovjetike, njoftuan dje përgjegjës rusë.
“Sipas të dhënave të shërbimeve të rojeve kufitare, 143 mijë persona janë larguar nga Ukraina në drejtim të Rusisë që prej fillimit të ngjarjeve në këtë vend”, deklaroi senatori Evgeni Bushmin duke theksuar se dy vendet kanë një kufi që shtrihet në rreth 2 000 kilometra.
Madje edhe një përgjegjëse e shërbimeve federale ruse të migracionit, Valentina Kazakova, paraqiti të njëjtat shifra.

LRI anëtarësohet në Internacionalen e të Rinjve Socialistë

ilir-meta-ne-jaleLëvizja Rinore për Integrim nga sot është anëtare me të drejta të plota në Internacionalen e të Rinjve Socialistë (International Union of Socialist Youth-IUSY). Në ditën e dytë të punimeve të Kongresit Ndërkombëtar të Organizatës së të rinjve socialistë që po zhvillohet në Copenhagen të Danimarkës, Lëvizja Rinore për Integrim u zgjodh anëtare me të drejta të plota në IUSY. Prej gjashtë vitesh, Lëvizja Rinore për Integrim është pjesëmarrëse në organizatën e të rinjve socialistë si anëtare me statusin e vëzhguesit. Gjatë kësaj kohe, LRI ka lidhur ura bashkë bashkëpunimi të vazhdueshme me të rinjtë në të gjithë botën.Delegacioni i LRI-së në këtë aktivitet përbëhej nga Kejdi Mehmetaj (N/kryetare e LRI-së dhe deputete e LSI-së në Parlamentin shqiptar), Eriol Braimllari (koordinatori ndërkombëtar), Ira Vejsiu (koordinatorja e strukturës së shkollave të mesme), Eriona Bixha (koordinatorja e strukturës së studenteve), Florian Gjini (përgjegjësi i rrjeteve sociale), Arbër Kaçi (koordinator i studentëve që studiojnë jashtë vendit).

Para pjesëmarrësve nga e gjithë bota, në fjalën e saj të falënderimit në Kongres, deputetja Kejdi Mehmetaj, theksoi nevojën e rritjes së bashkëpunimit midis të rinjve, me qëllim zgjidhjen e problematikave që ata i shqetësojnë, ndërsa nënvizoi dhe rëndësinë e vijimit të punës që po bëhet për të ndihmuar Shqipërinë për të përshpejtuar reformat në rrugën e integrimit europian dhe të bashkëpunimit edhe me vendet e tjera të botës. Deputetja më e re e parlamentit shqiptar, u shpreh se për Lëvizjen Rinore për Integrim, është shumë e rëndësishme që të bëhet më e mira për rininë shqiptare. “Për ne, bashkëpunimi me të rinjtë nga e gjithë bota, është shumë i rëndësishëm. Ne si LRI do të bëjmë më të mirën për rininë shqiptare, për të ndihmuar vendin të ‘ecë më shpejt drejt integrimit’ me pjesën tjetër të botës”, tha Mehmetaj.LRI

Midis të tjerave, përfaqësuesja e Lëvizjes Rinore për Integrim dhe njëkohësisht deputete e Lëvizjes Socialiste për Integrim , deklaroi se për forcën ku ajo aderon, do të mbetet një objektiv parësor mbrojtja e të drejta të të rinjve dhe përfaqësimi i të rinjve shqiptarë në organizatat ndërkombëtare ku LR merr pjesë.

“Besimi për LRI-në është besim për rininë shqiptare. LRI do të punojë gjithmonë për të mbrojtur të drejtat e të rinjve që ato të ndihen të përfaqësuar në organizatat ndërkombëtare ku LRI tashmë është anëtare me të drejtë vote”, deklaroi deputetja Kejdi Mehmetaj.Qëllimi kryesor i këtij Kongresi ka qenë bashkëpunimi midis të rinjve socialistë, për të zhvilluar 15 veprime, ku secila organizatë do të mund që të japë kontributin e saj për të eliminuar varfërinë gjatë 15 viteve të ardhshme. Në kongresin që po mbahet në Danimarkë, pritet gjithashtu që të zhvillohen edhe zgjedhjet për Presidencën e re të IUSY-it.

Objekti i punës së IUSY-t është të nxisë bashkëpunimin global të të rinjve socialiste, për të ndikuar në të ardhmen, për një botë me mundësi të barabarta, të drejtë dhe më demokratike. Përparimi i të drejtave dhe lirive individuale të njeriut në shumë vende është një shqetësim i veçantë për IUSY-in.

Varshava i kërkon BE-së të jetë solidare dhe e bashkuar

donald tuskKryeministri polak, Donald Tusk, i ka kërkuar BE-së që të jetë më solidare dhe e bashkuar përball kërcënimit të ndërhyrjes ruse në Ukrainë.

”Është shumë e rrëndësishme që Evropa të jetë solidare dhe e bashkuar në reagimet e veta”, deklaroi shefi i qeverisë Polake në një deklaratë për shtyp.
“Duhet të japim një sinjal shumë të qart se as Evropa dhe as bota nuk do i tolerojnë veprimet e agresionit ose të ndërhyrjes ushtarake”, shtoi ai.
Tusk shprehu me keqardhje se “askush në BE nuk e kupton seriozisht situatën serioze dhe rreziqet me të cilat përballet Evropa dhe në veçanti ky rajon në lindje të kontinentit”.

David Cohen, feston Karnavalet me shkodranët

ambasadori izAmbasadori i Izraelit në Tiranë, David Cohen, ishte sot në qytetin e Shkodrës, ku mori pjesë në programin festiv të Karnavaleve. Kjo është vizita e dytë që diplomati izraelit, realizon në qytetin e Shkodrës, kur vetem pak ditë më parë ishte për vizitë në Bashkinë e Shkodrës, ku gjatë takimit me kryebashkiakun Lorenc Luka, parashtroi dëshirën e një bashkëpunimi të ngushtë në mes Izraelit dhe qytetit piktoresk dhe me tradita sidomos në fushë e kulturës dhe të artit. Ndërkohë, sot, së bashku me familjen e tij, si dhe pjesëtarë të stafit të ambasadës, ai preferoi të shijonte prej së afërmi spektaklin e ofruar në qëndër të qytetit, ku nga u pa prej të gjithëve ai paraqitej mjaft i gëzuar dhe entuziast, madje në jo pak here, i befasuar nga ajo çfar po ndodhte, ai fotografonte vete me aparatin e tij, momente të ndryshme të festes.

“Në Izrael kemi një celebrim të ngjashëm, e cila bazohet në historinë e bibles. Dhe, kjo është një mundësi shumë e mirë për të treguar pjesen historike të Shkodrës, një histori që daton në shumë vite të mëparshme.”, tha diplomati izraelit, i cili krahas bashkëpunimit në fushën e biznesit, u shprehë entuziast për një bashkëpunim të ngushtë të Izraelit me Shkodrën në fushën e kulturës.

Ndërsa, për kryebashkiakun Lorenc Luka, kjo është një feste që e entuziasmon qytetin e Shkodrës, i jep një impuls të ri edhe zhvillimit të turizmit kulturor të këtij qyteti.. Më pas, ai shtoi se kjo është një feste pagane, e cila festohet më bukur se në çdo qytet tjetër të Shqipërisë, sepse këtu është tradita e kësaj feste, dhe që ne kemi mundsinë më të mirë ta vazhdojmë këtë feste. Zoti Luka, vlerësoi shumë edhe shkollat e qytetit të Shkodrës, të cilat nga ana e tyre kanë bërë një përgatitje speciale për këtë feste, që siç e kërkon edhe tradita e karnavaleve, kanë ditur të përzgjedhin për të reaguar ndaj ndonjë problemi shoqëror, ndaj ndonjë plage shoqërore, ndaj edhe i falenderoi përzemërsisht ato për mesazhin që arriten të përcjellin në publik.

Vendosmani dhe mua tritolin

tritol-2Bledi Mane
Të qartësohemi qysh në fillim. Nuk kam makinë. Lëviz zakonish më këmbë, me autobuz, dhe nëse kam lekë dhe më duhet të shkoj diku shpejt, marr taxi. Shtëpinë e kam në Tiranë të Re, punën e re diku andej nga 21 Dhjetori. Mëkate kam bërë pa fund, që nga fëmijëria e deri më sot. Kam sharë, kam vjedhur, kam gënjyer, kam plagosur, kam vrarë, jam koruptuar, kam përdhunuar…Jam munduar që armiqtë ti bëj miq por gjithësesi nuk ka funksionuar përsosmërisht. Nëse e kam tepruar me ndonjë nga ju hasmit e mi, merrni masa që C4 të mos e vendosni as te hyrja e pallatit, as te autobuzi, as te zyrat e punës. Tregohuni vrasës racionalë dhe të logjikshëm, shënjestra duhet të jem vetëm unë dhe nuk dua që për shkakun tim dikush tjetër të plagoset e të mbetet pa krahë e këmbë siç keni bërë zakonisht. Mos merrni me qera vrasës profesionistë dhe lekët që do paguani për atentatin ndaj meje përdorini për një kauzë më të hajrit. Provokoni si fillim ndonjë sherr dhe më shani, sepse edhe mua s’më rri goja. U shaj dhe unë dhe këtë përdoreni si pretekst. Llogariteni mirë kohën, sasinë e tritolit, shpërthimin dhe eleminimin. Mendoj se më bukur do ishte një kallëp dinamiti në xhepin e palltos time kur e marr nga pastrimi kimik ose nëse porosis ndonjë pizzë vendoseni brenda kutisë poshtë saj kur ma sjellin në shtëpi. Do u lutesha të ishit të suksesshëm. Do më pëlqente të tregoheshit të saktë dhe të mbaronit punë si burra, jo si frikacakë. Po u le një amanet. Më vdisni totalisht, s’dua të mbetem sakat pa kokë, pa këmbë, pa duar… Ashtu do më gjymtoni edhe jetën,ashtu do gjymtonit dhe do mundonit edhe veten tuaj. Do më shikonit për së largu në ndonjë karrocë e do të trembeshit deri në palcë. Megjithëse rrini rehat, edhe po shpëtova i gjallë nuk flas, nuk denoncoj, nuk hakmerrem, nuk do quravitem nëpër policira, prokuroria dhe gjykata sepse edhe ata kurva si ju janë. Të vrasin pas shpine zyrtarisht dhe ligjërisht. Vetëm po të jeni burra tregohuni të tillë deri në fund. Pas atentatit hapni fjalë që e bëtë për panik, për të poshtëruar jo mua, por Sajmir Tahirin. Dhe paskësaj Berisha do ulërasë në parlament: Ju jeni qeveria e tritolit, ju po vrisni edhe njerzit tuaj!!!
Link origjinal
 https://www.facebook.com/bledi.mane?fref=ts

Kosovë, situata e biznesit e përkeqësuar

kosova_flag_1Oda Ekonomike e Kosovës, me mbështetje të qeverisë gjermane përmes organizatës “GIZ”, ka prezantuar sot të dhënat mbi klimën e bizneseve për tre mujorin e katërt të 2013, ku gjendja vlerësohet të jetë përkeqësuar krahasuar me tremujorin e tretë te vitit 2013.
Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, bëri krahasimin mes tremujorëve dhe u shpreh që një indikator i tillë aplikohet nga mëse 100 vende të botës, të cilat pastaj orientojnë politikat e tyre ekonomike nga rezultatet e këtij indikatori.
“Kosovës i mungojnë të dhënat mbi trendet ekonomike, andaj qëllimi i OEK-ut është që, përmes këtij indikatori, ti ndihmojmë vendit në orientim të politikave dhe në identifikimin e problemeve të biznesit dhe aspektin e punësimit”, tha Gërxhaliu.
Përfaqësuesi i organizatës gjermane GIZ, Ekrem Hyseni, u shpreh se këtij projekti i është dhënë rëndësi e veçantë.
“Përmes këtij barometri në tremujorin e katërt të 2013, kemi mundësi të shohim se si ka qenë gjendja reale e bizneseve, vlerësimi dhe pritjet e tyre”, u shpreh ai.
Oda Ekonomike vlerësoi se është e nevojshme të bëhet financimi i bizneseve përmes projekteve të ndryshme dhe njëherësh u cilësua si nismë mjaft e mirë iniciativa për themelimin e fondit zhvillimor dhe u rekomandua që të bëhet orientimi i investimeve jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në aspektin e mbështetjes së bizneseve përmes stimujve fiskalë, përfshirë edhe “pushimet” nga taksat.