Ahmetaj, firmosja e kredisë nga FMN-ja, shenjë besimi te politikat e qeverisë

64

arben-ahmetajMinistri i Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, e konsideroi nënshkrimin e marrëveshjes për disbursimin e kredisë prej 330.9 milionë eurosh nga FMN-ja për qeverinë shqiptare si shenjë besimi në politikat dhe reformat që janë ndërmarrë.
“Miratimi i marrëveshjes me FMN është fillimi i pranverës ekonomike për Shqipërinë. Marrëveshja parashikon mbështetje ekonomike përmes angazhimit të 330.9 milionë eurove. I hap rrugë mbështetjes financiare dhe institucionale për ekonominë shqiptare, për qeverinë shqiptare dhe për sipërmarrjen shqiptare dhe ndërkohë garanton mbështetjen e mëtejshme të ekonomisë edhe nga Banka Botërore dhe Komisioni Europian”, deklaroi ministri Ahmetaj. Kreu i MEI-t, theksoi se miratimi i marrëveshjes është sprova e parë e vlerësimit nga partnerët ndërkombëtarë për modelin e ri ekonomik që qeveria shqiptare është duke i zgjedhur vendit.
Sipas tij, vendosmëria dhe serioziteti i kësaj qeverie në bërjen e reformave, lufta pa kompromis kundër korrupsionit, të krimit të organizuar më në fund zhbllokoi ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë ndaj Shqipërisë, qeverisë dhe sipërmarrjes shqiptare e qytetarit. ‘Ka filluar rilindja ekonomike e Shqipërisë. Marrëveshja është shprehje e drejtpërdrejtë e besimit të partnerëve dhe institucioneve ndërkombëtare financiare”, tha Ahmetaj.
Ecuria ekonomike e vendit, e Shqipërisë, citon ministri Ahmetaj deklaratën e FMN-së një ditë më parë, pritet të përmirësohet në 2014-ën, e mbëshetur nga ulja e planifikuar e rreziqeve themelore fiskale, shlyerja e detyrimeve të prapambetura, adresimi i nivelit të lartë të kredive të këqija dhe nisja e reformave të thella strukturore. “Është vetëm fillimi i punës. Është hapi i parë i ndryshimit që jemi angazhuar të sjellim, hapi i parë i ndryshimit që premtuam para zgjedhjeve dhe jemi duke e bërë realitet me punën tonë të përditshme. Ne do të vazhdojmë punën për tërheqjen e investimeve të huaja dhe përmirësimin e klimës së biznesit për të tërhequr akoma më shumë investitorë’, theksoi ndër të tjera Ahmetaj.
Programi me FMN-në, vijoi ai, është hap i rëndësishëm përpara dhe do të ndiqet nga të gjitha masat e nevojshme, të cilat i kemi premtuar, për t’i kthyer rritjen ekonomike vendit dhe për t’i kthyer besimin sipërmarrjes shqiptare.
Me këtë program të qeverisë dhe besimin në rritje të tregjeve ndërkombëtare ndaj ekonomisë së Shqipërisë, nënvizoi ministri Ahmetaj, ka nisur kthesa thelbësore ekonomike drejt realizimit të potencialeve ekonomike të vendit. Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) miratoi mbrëmë marrëveshjen 36-mujore prej 295.42 milionë SDR (rreth 330.9 milion euro, ose 457.1 milion dollarë; 492.4 përqind e kuotës së vendit në Fond) Instrumenti i Zgjeruar i Fondit (Extended Fund Facility – EFF) me Shqipërinë për të mbështetur programin e reformave të autoriteteve. Miratimi mundëson disbursimin e menjëhershëm të 23.55 milionë SDR (rreth 26.4 milionë euro, ose rreth 36.4 milionë dollarë). Banka Botërore dhe Bashkimi Europian ka gjithashtu mundësi që të ofrojnë asistencë për programin e reformave të autoriteteve. Në vijim të diskutimeve të Bordit Ekzekutiv për Shqipërinë, David Lipton, zëvendës-drejtor i parë dhe kryetari në detyrë, tha se “ecuria ekonomike e Shqipërisë pritet të përmirësohet në 2014 e mbështetur nga ulja e planifikuar e rreziqeve themelore në fushën fiskale, shlyerja e detyrimeve të prapambetura, adresimi i nivelit të lartë të kredive nën standart dhe nisja e reformave strukturore.