Qytetarët pro heqjes së furgonëve

46

autobusFurgon, apo autobus për transport udhëtarësh? Ata që udhëtojnë nuk kanë më dilema, pasi autobusi është më i sigurt dhe më komod në udhëtim. Në Durrës ka një stacion qendror për ndalimin dhe nisjen e autobusëve në gjithë destinacionet ndërsa ka edhe një orar të përcaktuar për nisjen e tyre. Kjo zonjë ka ardhur këto ditë nga jashtë shtetit dhe preferon më shumë udhëtimin drejt Tiranës me autobus sesa me furgona. Në fakt, pothuajse të gjithë personat e pyetur thonë se autobusi është mjeti më i sigurtë dhe komod për të udhëtuar nga Durrësi drejt Tiranës apo dhe qyteteve të tjera.

Një udhëtim nga Durrësi në Tiranë me autobus kushton 130 lekë ndërsa me furgonë 150 lekë, ndërkohë diferenca e kohës së udhëtimit është jo më shumë se 7-10 minuta. Autobusët e linjës Durrës-Tiranë nisen çdo 30 minuta dhe orari i nisjes së tyre respektohet me saktësi. Drejtuesi i një autobusi shprehet, se nuk ka ndalesa të shpeshta në udhëtimin nga Durrësi drejt Tiranës.

Stacioni i qëndrimit të autobusëve në Durrës gjendet pranë Stacionit të Trenit dhe para dy vitesh, ai i është nënshtruar një rikonstruksioni total, në sajë të një investimi të bashkisë. Nga ky vend nisen të gjithë autobusët drejt qyteteve të ndryshme të vendit, sipas një grafiku të hartuar nga personat përgjegjës për mirëmbajtjen e transportit të pasagjerëve.