Gjiknuri: Synojmë të sigurojmë energji me çmim të pranueshëm

gjinkuriMinistri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri u shpreh të martën, se qeveria po punon për ta kthyer sektorin e energjitikës në faktor zhvillimi dhe për të siguruar energji me çmim të pranueshëm për konksumatorët. I pranishëm në “Tryezën e donatorëve 2014, për sektorin e energjisë në Shqipëri”, që po zhvillon punimet në Tiranë, me pjesëmarrjen e ekspertëve të fushës së energjitikës dhe donatorëve të ndryshëm,

Ministri Gjiknuri tha se, “energjia është faktorë kryesor për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, por sot energjitika ka performancë të dobë dhe aktualisht kostot e energjisë po i përballon buxheti i shtetit”. Duke e vlerësuar këtë sektor si të një rëndësie të veçanë, ministri tha se ne po punojmë për hartimin e krijimit të hartave të reja ku duhet ndërhyrë me investime konkrete.Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri ne tryezen me donatoret per sektorin energjetik Foto Florian Abazaj ….

Gjatë fjalës së tij, Gjiknuri bëri të ditur se se ka nisur investimi në pjesën e trasmesionit që është i rëndësishme për furnizimin me energji. “Këtë vit do të fillojmë investimet me rrjetin e trasmesionit të Kosovës dhe shpresojmë që vitin e ardhshëm të nisim me Maqedoninë”- tha ministri Gjiknuri.

Kreu i energjitikës nënvizoi se, në prioritet të dikasterit që ai drejton është futja e KESH-it, në efiçensë të plotë, ndërsa ka nisur puna për të gjetur mundësinë më të mirë të mundshme për një kosto të energjisë në nivele optimale.

Ministri tha se priroritet është ndalimi i abuzimit me energjinë dhe për këtë nënvizoi ai, po merren masa administrative dhe ligjore kundër abuzimit. Ministri Gjiknuri theksoi se, rëndësi të vecante po kushtohet edhe hartimit të ligjit për energjinë e rinovueshme. “Për hartimin e këtij ligji po punohet edhe me donatorët si BB dhe PNUD, ndërsa roli investime te huaj në ketë sektorë është i pazevendësueshëm “-tha Ministri Gjiknuri.

Elbasan, gjenden predha dhe acide në vendgrumbullimin e plehrave

plehra1Një sasi e konsiderueshme predhash u gjetën nga Policia të hënën në vendin e grumbullimit të mbetjeve urbane të komunës Bradashesh, rreth 5 kilometra larg Elbasanit.

Sipas burimeve të Policisë, kanë qenë personat që zakonisht kërkojnë materiale metali nëpër pikat e grumbullimit të mbetjeve, që lajmëruan policinë.

Në të njëjtin vend janë gjetur gjithashtu edhe një sasi e madhe shishesh, të cilat mendohet se mbajnë acide të llojeve të ndryshme. Qytetarët që i kanë gjetur ato deklaruan në Polici se predhat janë hedhur nga personat që grumbullojnë skrap. Policia ka nisur hetimet në lidhje me prejardhjen e tyre dhe identifikimin e autorëve. Pika e grumbullimit të mbetjeve urbane në komunën Bradashesh është shumë pranë shtëpive të banuara dhe një ngjarje e tillë fatmirësisht nuk ka shkaktuar asnjë incident. Gjithashtu, në këtë vend digjen mbeturinat dhe flakët e zjarrit mund të kishin shkaktuar ndonjë tragjedi.

Nis të martën proçesi i plotësimit të vakancës në AMA

amaKomisioni parlamentar i Medias pas një mbledhje disaorëshe arriti pasditen e së hënës të miratojë me konsensus kalendarin e punës për ditët në vazhdim.

Sipas këtj kalendari, nesër (e martë) komisioni do të nisë shqyrtimin e çështjes së vendeve vakante në Autoritetin e Mediave Audiovizive(AMA), enti që rregullon veprimtarinë e mediave audiovizive dhe shërbimeve mbështetëse të tyre në territorin shqiptar.

Kjo çështje javët e fundit është shoqëruar me debate të forta mes palëve në komisionin e Medias, pasi opozita e djathtë pretendon se në këtë institucion janë vetëm tre vende vakante, ndërsa kryetarja e AMA-s, Endira Bushati ka një mandat pesëvjeçar, që i përfundon në vitin 2016.

Ndërsa, mazhoranca mbështetur në memon e fundit të Shërbimit të Monitorimit të Institucioneve të Pavarura pranë Kuvendit, pretendon për katër vende vakante, ku këtu përfshin dhe vendin e kryetares Bushati. Memoja e hartuar nga parlamenti konstaton se që nga viti 2012 Endira Bushati e drejton AMA-n me një mandat të paligjshëm.

Hetimi për lëvizjet në Policinë e Shtetit – Seancë dëgjimore me Hysni Burgajn

hysni-burgajKomisioni parlamentar hetimor për emërimet dhe shkarkimet në Policinë e Shtetit është mbledhur të hënën pasdite për të zhvilluar seanca dëgjimore me drejtues dhe ish-drejtues të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit.
Pas debateve që shoqëruan fillimin e mbledhjes mes kryetarit të komisionit Arben Ristani dhe nënkryetarit socialist Taulant Balla, për praninë ose jo të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, ishte i pari nga zyrtarët e lartë, që u pyet nga deputetët për lëvizjet në strukturat policore.
I pyetur nga anëtarët e opozitës në komision, nëse emërimet në Polici janë bërë konform ligjit, Burgaj u përgjigj se në rastet e shkarkimit të Drejtorëve ai është konsultuar me Ministrinë e Brendshme, ndërsa lëvizjet theksoi ai, janë bërë sipas gradave.
“Vendimet i kam marrë unë dhe për këtë mbaj përgjegjësi po unë. Ndërsa ripranimet janë bërë në përshtatje me ligjin, një pjesë e tyre kanë qenë në proçes ripranimi. Unë kam bërë gjithsej 15 largime dhe ripranime në zbatim të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, u përgjigj ish-drejtori i Policisë së Shtetit.
Komisioni hetimor po vijon mbledhjen me seancat dëgjimore me Xhevahir Karaj, drejtor i personelit në Policinë e Shtetit, me Artan Didin, Drejtor i përgjithshëm i Policisë, e me radhë me Altin Qaton, zëvendësdrejtor i përgjithshëm, etj.

Sa frikë kanë nga Aliu?

ali kelcyraBledi Mane

Shkova privatisht thjesht në shenjë nderimi. Nuk isha aty as si përfaqësues i institucionit ku punoj, as si gazetar, as si i njohuri i Hana Këlcyrës, nuk mora as djeta e as shpërblime por si patriot që e kam, si njeri që kam lexuar majtas e djathtas dhe në fund vendos me logjikë të ftohtë pa emocione e ndjeva obligim të shkoja. Ditën e shtunë isha në Këlcyrë të Përmetit në ceremoninë modeste të rivarimit të eshtrave të patriotit, intelektualit dhe shqiptarit vanitoz Ali Bej Këlcyra. Mes një grushti njerzish të pranishëm ( me përjashtim të gazetarëve Baze,Qafoku dhe deputetit Kosta) aty vura re mungesë të theksuar politikanësh dhe njerzve të medias shqiptare. Fytyra që i shikoj edhe nëpër shfaqje operash e baletesh, fytyra që nuk mungojnë as në ditëlindje e martesa ekstravagante (hipokrite natyrisht) i munguan përcjelljes së Ali Këlcyrës. I dënuar me vdekje nga ish- Mbreti Zog për shkak të Revolucionit të Qershorit 1924, më pas i dënuar dhe internuar nga italianët, kundërshtar i vendosjes së autoritetit gjerman në Shqipëri, dhe i dënuar në mungesë nga diktatura komuniste, ai mbeti një nga shembujt e rrallë të politikanit idealist në Shqipëri. Kjo frikë e përcjellë qysh nga koha e monizmit ngase vetë shoku Enver e kishte shpallur armik vazhdon edhe sot. Nuk pashë në rivarim asnjë përfaqësues nga presidenca, parlamenti, qeveria edhe pse Ali Këlcyra ishte një prej deputetëve të zgjedhur me votë pa vjedhje. Këta kodoshë frikacakë që na qeverisin dhe opozitarojnë sot nuk patën kurrë shansin ta njohin nga afër dhe kurrë nuk u prekën dhe u dëmtuan nga Ali Këlcyra fizikisht dhe politikisht, shkojnë pa pikën e turpit dhe nderojnë ish deputetë të kohëve moderne si Gazidede me ceremoni zyrtare në hollin e parlamentit. Orientali dhe fondamentalisti Gazidede që ua nxiu 1997-n dhe i persekutoi qenërisht respektohet prej tyre me flamur në gjysëm shtizë, ndërsa Ali Këlcyra euriditi oksidental pse ishte idealist e paqësor ende i tremb. Shoqëri kafshërore kjo e jona, shoqëri me instikte të djallëzuara. Ndaj Ali Bej Këlcyra bëre gabimin që erdhe prej varezave të Romës së Italisë dhe vendose të prehesh përjetësisht në varezat e Këlcyrës së Shqipërisë…

Në qershor Shqipëria të marrë statusin, negative politika përçarëse

komisioni-evropianZyrtarë nga Komisioni Europian konfirmojnë për A1REPORT se, do rekomandojnë përsëri në qershor që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian.

Burime nga Komisioni Europian, thanë për gazetarin Arbër Hitaj se Shqipëria ka bërë  mjaftueshëm për të marrë statusin kandidat. Problem, sipas tyre, mbetet klima politike tejet përçarëse.

Ata shprehen se Shqipëria duhet të ndjekë modelin e disa shteteve, që të veçojë axhendën e integrimit nga ajo e brendshme, ndërsa theksojnë se për një sërë reformash duhet konsensus politik.

“Opozita duhet të njohë meritat e qeverisë. Dhe kjo duhet të ndodhë me gjithë opozitat”, thonë zyrtarët e Komisionir Europian për A1 REPORT.

Por, ndër sfidat e vendit sipas tij, vijon të mbetet sistemi gjyqësor. Ata theksojnë se duhet depolitizim i këtij sistemi duke vepruar edhe ndaj korrupsionit të gjyqtarëve, ku sipas tyre, në disa raste nuk është vepruar. Zyrtarët thanë se, rekrutimi i gjyqtarëve shumë problematik dhe duhet të bazohet në merita.

Ata bëjnë apel për vazhdimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke evidentuar njëherësh hapat pozitivë në këto drejtime.

 

“Reforma  në sistemin e drejtësisë është  e rëndësishme. Por edhe situata ekonomike do të jetë pjesë e monitorimin tonë në të ardhmen. Duam që qytetarët shqiptarë ta ndjejnë praninë e BE-së nëpërmjet programeve të ndryshme të projektit IPA”, – thanë nga Brukseli zyrtarët e Komisionit Europian.

Takim për rishikimin e menaxhimit të ndihmës amerikane në fushën e sigurisë

minis-e-mbrotjes1Rishikimi i menaxhimit të ndihmës amerikane në fushën e sigurisë, ishte aktiviteti i organizuar sot në kuadër të planit të bashkëpunimit ushtarak dypalësh ndërmjet Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në këtë aktivitet, që do të zhvillohet përgjatë tre ditëve ishte i pranishëm zv.ministri i Mbrojtjes, z. Dritan Hila, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, drejtorë dhe ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe Forcave të Armatosura. Gjithashtu mori pjesë shefi i Zyrës së ODC, major Kristopher S. Mitchell dhe përfaqësues të tjerë amerikanë të Zyrës së Bashkëpunimit Ushtarak (ODC).
Zv.ministri i Mbrojtjes, Dritan Hila, në fjalën e tij theksoi se ky takim është një mundësi e mirë për të rishikuar proceset, objektivat dhe qëllimet, për t’i vlerësuar ato dhe për të parë cilat prej tyre janë përmbushur ose jo. Gjithashtu, ne mund të shikojmë kush prej tyre nuk ka ecur sipas planit dhe të ndërmarrim veprimet e duhura për të përmirësuar procedurat në të ardhmen”.
“Ministria e Mbrojtjes ka një marrëdhënie të gjatë dhe të frytshme me Zyrën e Bashkëpunimit Ushtarak në shitjet dhe financimin e huaj ushtarak, i cili daton qysh nga viti 1994. Kjo është një periudhë e gjatë, gjatë së cilës Ministria e Mbrojtjes ka përfituar shumë, duke përmendur këtu trajnimet dhe programin IMET”, nënvizoi ai duek shtuar se Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm duhet të bëjnë më shumë në drejtim të zhvillimit të një liste gjithëpërfshirëse dhe të detajuar të nevojave tona në të ardhmen, që sigurisht duhet të bazohen në prioritetet tona kryesore.ministri e mbrojtjes 1
Gjatë këtij takimi do të prezantohen organizatat kryesore që merren me këto programe, politikat që ndiqen, procedurat, si dhe do të diskutohet në lidhje me programet që janë në proces ndërmjet dy vendeve tona, çfarë është bërë dhe çfarë duhet të bëhet në të ardhmen.
Takimi për Rishikimin e Menaxhimit të Ndihmës Amerikane në Fushën e Sigurisë do të përfundojë më datë 9 prill ./

Putini i kërkon FSB-së të demaskojë OJQ-të “shkatërruese”

putinPresidenti Vladimir Putin i kërkoi sot shërbimeve ruse të sigurisë (FSB) të veprojë kundër organizatave joqeveritare të përdorura për qëllime shkatërruese kundrejt pushtetit, me qëllim që të mënjanohet në Rusi skenari që solli rrëzimin e presidentit ukrainas.
“Legjislacioni rus i ka të gjitha kushtet e nevojshme që OJQ-të të kryejnë aktivitetet e tyre në mënyrë transparente dhe të lirë. Ne nuk do të lejojmë kurrë që ato të përdoren për qëllime shkatërruese, sikurse ishte rasti i Ukrainës”, deklaroi ai gjatë një mbledhjeje të FSB-së.
Sipas tij, “disa struktura neonaziste, nacionaliste dhe luftëtarësh, janë shndërruar në forcën kryesore goditëse për një grusht shteti antikushtetues, janë financuar gjerësisht nga nga jashtë vendit nëpërmjet OJQ-ve në Ukrainë”.
Rusia akuzon vazhdimisht perëndimorët se kanë mbështetur një grusht shteti në Ukrainë, duke sjellë rrëzimin e presidentit Viktor Janukoviç, dhe nxitjen e lëvizjeve të ekstremistëve ultranacionalistë në Kiev.

Kontrolli teknik i mjeteve nuk do të kryhet pa kontratën e sigurimit

haxhinastoDrejtuesit që nuk janë të pajisur me kontratën e sigurimit të mjetit nuk do të mund kryejnë shërbimin e kontrollit teknik vjetor të mjetit.

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, në funksion të zbatueshmërisë së legjislacionit të sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit, ka përgatitur një projektudhëzim për pajisen e kontratës së sigurimit të mjetit motorik përpara kontrollit teknik vjetor të mjetit.

Në nenin 1, pas pikës 5, shtohet pika 6 me këtë përmbajtje: drejtuesit e mjeteve rrugore duhet të dorëzojnë tek subjekti i liçensuar për kryerjen e shërbimit të kontrollit teknik vjetor KTV kontratën e sigurimit të mjetit. Në të kundërt ky shërbim nuk kryhet.

Në nenin 5, në fund të pikës 4, shtohet një fjali me këtë përmbajtje: në çertifikatën e kontrollit teknik do të shënohet numri i serisë së kontratës së sigurimit të mjetit dhe emri i kompanisë që e ka lëshuar”.  Ky udhëzim hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në fletoren zyrtare.

Rama: Industria fason përbën një potencial të madh punësimi

rama ne pejeKryeministri Edi Rama gjatë vizitës në Vlorë, vizitoi sot një tjetër biznes fason në Nartë, fabrikën e “Alba Shoes”, një linjë e prodhimit të këpucëve.

Nga drejtuesit e saj, Kryeministri u informua se pas investimeve të kryera, “Alba shoes”, që aktualisht vetëm në qytetin e Vlorës ka të punësuar 700 vetë, është një fabrikë me linjë me cikël të mbyllur prodhimi dhe pas rinovimit të teknologjisë, në nëntor të vitit të kaluar, ajo ofron ambiente dhe kushte moderne pune.

Ai u njoh edhe me ambiciet e sipërmarrësit për ta zgjeruar aktivitetin me hapjen e një linje të re po në Vlorë dhe një tjetër në Çorovodë.

Me investimet e reja, ata planifikojnë hapjen e 500 vende pune të reja brenda këtij viti në Vlorë dhe Çorovodë. Kryeministri vlerësoi se edhe nga kjo vizitë konstatohet se industria fason përbën një potencial të madh punësimi dhe se në Shqipëri, ajo ofron avantazhe konkurruese, të cilat qeveria, nënvizoi Kryeministri, synon t’i forcojë edhe me paketën e re prej 42 masash mbështetëse për këtë industri.

“Këtë muaj do të bëjmë edhe takimin me ju, që jeni në këtë industri për të shpallur paketën  e masave që e kemi gati”, u shpreh kreu i Ekzekutivit.

Në dy muajt e fundit, Kryeministri ka vizituar disa biznese fason, me qëllim prezantimin e paketës së re të masave fiskale dhe administrative, e cila adreson shqetësimet e këtij biznesi dhe reflekton kërkesat e tij. Biznesi fason vlerësohet një sektor me potencial të madh për rritjen e punësimit.