Rritje të tarifave në nivelin bachelor të Universiteteve Publike

50

fakulteti-filologjik-universiteti-i-TiranesRaporti përfundimtar për reformën në Arsimin e lartë, prezantuar një ditë më parë nga Ministria e Arsimit dhe Sportin, parashikon rritje të tarifave të studimit në Universitete.

Gjithçka përcaktohet te sugjerimet për burimet e financimit, ku institucionet e arsimit të lartë duhet të krijojnë të ardhura, krahas financimit nga buxheti i shtetit. “Deri tani këto tarifa kanë qenë minimale dhe si të tilla, nuk përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të të ardhurave të Universiteteve Publike.
Në të ardhmen, komisioni vlerëson si të pashmangshme rritjen e kontributit të tarifave të nivelit Bachelor në buxhetin e universiteteve. Shteti për këtë nivel studimi është i detyruar të vendosë një tarifë tavan, bazuar në studimet e detajuara të tregut, mbi bazën e mundësisë së çdo familjeje për të përballuar të ardhurat e arsimimit të lartë. Tarifat e studimeve në universitete publike përcaktohen prej tyre”, thuhet në raportin përfundimtar për reformimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Ndërkohë që, parashikohet të vendoset edhe një nivel maksimal i tarifave të studimeve për programet e ciklit të parë, i cili do të caktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave. Po ashtu, reforma propozon financim nga shteti edhe për universitete private. Ndërkohë që edhe sistemi part-time do të orientohet drejt formimit profesional të nivelit diplome profesionale 1-2 vjeçare, master profesional dhe ekzekutiv. Ndërsa gjuha e huaj do të çertifikohet nga ente kombetarë apo ndërkombëtarë, duke mos u mbrojtur më në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.