Të humburit…

53

reldar-dedaj-620x330Nga Reldar DEDAJ

U kthyem përsëri tek humbja. Dhe kjo është e kuptueshme, për humbjen ke përherë dëshirë të flasësh. Si është e mundur? Jo, s’është e mundur… Janë piskamat e para, kundërshtimi i parë që shoqëron çdo humbje, të çdo natyre qoftë. E kush e mendoi se bash në kohën e suksesit të madh, të kulmit të ekstazës, në pikun e shpërndarjes së medaljeve, ndodhi ajo, e mosqofta, gjëma. Askush nuk do ta mendonte se pikërisht në kohën kur njeriu u bë i ndërgjegjshëm se s’kishte të bënte me trille të paqena mediatike, nga ato që ishin shkruajtur e luajtur me qindra herë në të gjitha ekranet e televizioneve, pra, kur të gjithë qenë të sigurtë se kishin të bënin me një aksion policor prej vërteti, çuditërisht, nisi dhe humbja e tyre.

Tashmë, nuk ka se si të ndodhë ndryshe, çështja po vazhdon e të bëhet edhe më e ndërlikuar kur censurës zyrtare i shtohen edhe kërkesat e spektatorëve. Ne ishim aty, e pamë rrokullsijen spektakolare të policisë së shtetit, i pamë të gjitha aksionet e saj në Lazarat, nuk munguam të shohim edhe festimet, paradat, selfiet, policet seksi, pak a shumë u bëmë dëshmitarë të mësymjes dhe fitores së tyre, sigurisht, të përkohëshme. Po e nënvizojmë të tillë, me një fjalë, të përkohëshme, sepse mjaftoi vetëm një akt, brutal, i dhunshëm sa s’ka ku të vejë më tepër, dhe të shembë gjithçka që u ndërtua, a thua të ishte vallë, veçse një kala prej rëre. Asgjë më shumë se kaq. Asgjë!

Koha, natyrisht, e donte suksesin, përderisa e polli atë, por, ndërkaq, ajo kishte rezervat e saj, që i shfaqi në mënyrat më të ndryshme. Mendimi i parë për tragjedinë do të ishte pak a shumë i kësaj natyre: ndodhi ç’ndodhi vrasja u realizua brenda planetit tonë, Shqipëri. Ajo është tepër e vogël për këtë humbje. Sido që të ndodhë, do të qëmtohet çdo kënd i saj, do të përmbysen kompjutera, arkiva e dokumente. Në fund të fundit, jemi të bindur se vrasja u bë këtu, në Shqipëri, në kërthizë të saj, e ndoshta pikërisht nga kjo, nga fakti se humbja ndodhi mes nesh, fajtori nuk ka se ku të jetë ndryshe përveçse diku në ndonjë cep të saj.

E, megjithatë, shpresa ka mundësi të jetë e kotë. Nga su kërkuan fajtorët për gjatë gjithë natës, u thirren dhjetra të dyshuar, hulumtuan në miq e armiq të tij, e në fund asgjë, asgjë nuk e lidh vrasësin me policinë. Gjithçka humbi. Dështim? Mirëpo, kjo nuk është asgjë tjetër veçse një pjesë e historisë. Pjesa e munguar ajo që zor e ka të dalë në sipërfaqe, ka mundësi të jetë ajo, që rri strukur, në errësirë, një sistem paralel i shtetit, që kontrollohet nga fantazmat, nga ato të tilla që edhe fatkeqi Santo ndoshta prej kohësh i mbartte me vete.

Me siguri, Artan Santo nuk ishte nga ata biznesmenë që pasurinë e tij ta kishte ndërtuar mbi kurriz të trafiqeve, drogës apo lidhjeve të dyshimta më mafien, ndoshta, duhet të ketë qenë një individ i thjeshtë që asnjëherë nuk i ka pasur idhuj të fortët e Tiranës, edhe pse fati i kishte rënë të ishte një çun Tirone. Por që u tradhtua nga Tirana.

Në zemër të saj ai dha shpirt, pa miq, pa askënd, e ndoshta pikërisht atë ditë, kur dikush për të vetmen herë në jetë do t’i duhej, bash në atë çast, askush nuk ishte me të. Ata avulluan sikur kishin ardhur nga një planet tjetër, që nuk i njihnin ligjet dhe rregullat e këtij vendi, na dëshmuan përpara syve, se gjithçka është fallso, e pabesueshme dhe në këtë vend asgjë nuk është e nevojshme të merret seriozisht, qoftë ajo edhe vetë vdekja. Në fund të fundit, ka raste, që ajo të jetë më e drejta…