Berisha inauguron terminalin e doganës së re të Tiranës, në Vorë

54

May-14-16-19-375Kryeministri Berisha inauguroi sot paradite terminalit e doganës së re të Tiranës, në Vorë – Rinas. Dogana e re, investim me vlerë 25 milionë dollarë, shtrihet në një sipërfaqe prej 75.500 m², në të hapen si fillim 400 vende të reja pune, me perspektivë shtese rreth 120 persona në vit.

Kapaciteti përpunues ditor i saj është 420 kamionë, 120 furgonë dhe aktualisht përpunohen rreth 200 kamionë në ditë. Në mjediset e saj, krahas të gjithë ambienteve sociale, janë akomoduar 44 agjenci doganore, si dhe banka, shoqëri sigurimesh, shërbime postare, shërbime të kontrollit sanitar, kimik, etj. Terminali është siguruar 100 përqind me kamera kontrolli dhe magazina doganore me sipërfaqe 10.000 m².

Avantazhet e këtij investimi janë se rrit besueshmërinë e biznesit ndaj administratës doganore dhe përmirëson ndjeshëm imazhin e saj; minimizon shfaqjet korruptive dhe rrit efektivitetin e luftës kundër kontrabandës; ulet koha e qëndrimit të subjekteve në doganë, pasi terminali i ri siguron 13 kontrolle fizike njëherësh; mundëson mbrojtjen e markës dhe patentës, shëndetit publik dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Vendosja e terminalit jashtë qytetit të Tiranës, gjithashtu, lehtëson dhe përmirëson  ndjeshëm qarkullim e mjeteve në hyrje të Tiranës.