Berisha ikën të hënën, por mbetet në detyrë deri në betimin e Ramës

40

Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetari i PS, Edi Rama, duke hyre ne dreken e shtruar per nder te kryeministrit italian, Romano Prodi, ne Pallatin e Brigadave.Kryeministri Sali Berisha dorëhiqet nga ky post ditën e hënë, por do ta ushtrojë detyrën deri në momentin që pasardhësi Edi Rama do të betohet para Presidentit të Republikës. Mësohet se vetëm pak orë para fillimit të seancës së parë të legjislaturës së re, kryeministri në detyrë Sali Berisha pritet t’i dorëzojë presidentit dorëheqjen nga posti që mban prej 8 vitesh.

Ai paralajmëroi në mbledhjen e fundit të qeverisë se do të qëndrojë në detyrë deri në momentin e fundit, pavarësisht dorëheqjes që pritet të miratojë kreu i shtetit. “Unë, në përputhje me detyrimet e mia, në momentin që do ta gjykoj më oportun dhe të afërt do t’i paraqes Presidentit të Republikës dorëheqjen e këtij kabineti dhe do të qëndrojmë si qeveri në detyrë deri në momentin që qeveria tjetër, në përputhje me Kushtetutën, të betohet te Presidenti i Republikës”, – u shpreh Berisha.

Nga ana e tij, kreu i shtetit ka afat 10 ditor për të dekretuar qeverinë e re “Rama”. Kreu i shtetit, Bujar Nishani, u shpreh para pak ditësh në “Opinion” se “me të ardhur propozimi brenda datës 10 shtator mund të dekretohet kryeministri i ri”.

Nga ana tjetër, ditën e hënë më 9 shtator mblidhet Kuvendi i parë i Shqipërisë, i cili pas verifikimit të mandatit të deputetëve duhet të zgjedhë drejtuesit e këtij institucioni ligjbërës. Kushtetuta bën të qartë rrugët dhe afatet ligjore brenda së cilës duhet të bëhet rotacioni politik nga PD-ja tek PS-ja, konkretisht si formohet qeveria e re. Në kapitullin e pestë të Kushtetutës është përcaktuar mënyra se si formohet Këshilli i Ministrave. Neni 95 i ligjit themeltar të shtetit shqiptar përcakton se “Këshilli i Ministrave përbëhet nga kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat. Këshilli i Ministrave ushtron çdo funksion shtetëror, i cili nuk u është dhënë organeve të pushteteve të tjera shtetërore ose të qeverisjes vendore”.

Në një nen më poshtë përcakton procedurën e formimit të qeverisë së re. “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i kryeministrit mbetet vakant, emëron kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”, – thuhet në nenin 96 të Kushtetutës. Mbi bazën e kësaj prerogative, partia ose koalicioni fitues duhet t’i propozojë kreut të shtetit emrin e kryeministrit të ri, tashmë të përcaktuar, Edi Rama. Pra, Partia Socialiste, si kryesuese e koalicionit të majtë, do t’i propozojë emrin e Ramës për kryeministër. Pas këtij veprimi, emri i kryeministrit duhet të kalojë provën në Kuvend, së bashku me programin politik dhe votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për emrat e ministrave, që pritet të ndodhë në seancën e ditës së enjte në 12 shtator. “Kryeministri i emëruar sipas nenit 96, nenit 104 ose 105, i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij”, – thuhet në nenin 97 të Kushtetutës.