Aksident tragjik në Levan-Tepelenë, 2 të vdekur, 5 të plagosur

44

aksidentNjë nënë dhe fëmija i saj vetëm dy vjeç kanë humbur jetën dhe pesë persona të tjerë janë plagosur si pasojë e një aksidenti rrugor.

Aksidenti tragjik ka ndodhur rreth orës 20:20 në aksin Levan-Tepelenë, në vendin e quajtur Kafaraj, ku një makinë tip ‘Fuouristradë’ me targë AA 089 CG, është përplasur me një zetor.

Për pasojë ka humbur jetën bashkëshortja e drejtuesit të “Fuoristradës” Adelina Mucaj, dhe djali i saj 2-vjeçar Donald Muçaj, ndërsa janë plagosur rëndë vetë drejtuesi Jetnor Mucaj dhe vajza e çiftit Megi Muçaj.

Ndërkohë mësohet se janë plagosur rëndë edhe tre personat e tjerë që udhëtonin me zetor, Krenar dhe Enver Troka si dhe Aleksandër Banaj. Të plagosurit janë transportuar menjëherë në spital, prej ku mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën.

Fillimisht u raportua se viktima e vetme e aksidentit ishte Adelina Mucaj, por pak më vonë policia gjeti në kanal edhe djalin e saj 2-vjeçar, i cili kishte dalë nga dritarja e makinës, si pasojë e përplasjes së fortë.

Ekspertë të policisë po punojnë për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Paraprakisht dyshohet se zetori i ka prerë rrugën makinës, në vendin e quajtur Kafaraj.