Ato citojnë gazetën serbe me pikëpamje ekstremiste nacionaliste, “Vjesti”, që botohet në Frankfurt, sipas të cilës Lubonja i ka konfirmuar asaj se, “elita ka mbyllur sytë para krimeve të UÇK-së për shkak të retorikës nacionaliste, përvetësimit të legjitimitetit dhe të kontekstit të arsyetimit të krimeve të UÇK-së kundruall krimeve serbe”. Po ashtu Lubonja citohet të ketë thënë se, kjo ka ndodhur edhe si efekt i glorifikimit të udhëheqësve, popullariteti dhe pushteti i të cilëve është ngritur mbi luftën. “Në kombinim me frikën prej tyre, çështja e krimeve të UÇK-së jo vetëm ndaj serbëve e romëve, por edhe ndaj vetë shqiptarëve, është temë tabu”, citohet Lubonja.
Shkrimi në fjalë është shndërruar në një objekt polemike, ku vetë publicisti Lubonja mbron idenë e tij, se glorifikimi i heronjve nuk është me vend, nëse ato akuzohen për krime lufte, ndërkohë që ka pasur reagime dhe nga pala kosovare, ku përgjigja më e spikatur ka qenë përgjigja e bërë publike nga Ramush Haradinaj.
Haradinaj vlerëson se, në lidhje me akuzat, ai ka një vendim nga Gjykata e Hagës, ku jo vetëm nuk akuzohet për krime, por saktësohet se në raste kritike, ai ka mbrojtur civilët nga kërcënimet e ndryshme. Haradinaj ka deklaruar gjithashtu, se si greku edhe serbi kanë pasur përherë ‘zagarët’ e tyre ndër shqiptarë dhe se do preferonte hedhjen në gjyq të autorit në fjalë.