Belgjika dhe Franca janë kontaktuar nga SHBA-të dhe disa media po diskutojnë një shkatërrim të mundshëm të këtyre armëve, në tokën belge.
I pyetur të hënën nga radio VRT, Ministri i Mbrojtjes De Crem i Partisë Demokrate Kristiane Flamande (CD&V) theksoi se, çështja nuk është ngritur akoma zyrtarisht. Por, ai nënvizoi se, ishte pak e mundshme, një përgjigje në favor të një kërkese të tillë.
“Dëshiroj të bëj përpjekje për të kontribuar, por ta bëjmë këtë tek ne, si në një këndvështrim të tanishëm po ashtu edhe afatgjatë, nuk jam në favor”,- ka shpjeguar Ministri i Mbrojtjes De Crem.
De Crem vlerëson gjithashtu, se departamenti i tij dhe ushtria mund të ndihmojnë për të përpiluar inventarin e armëve kimike siriane dhe të propozojnë ndihmën e tyre, për t’i neutralizuar ato.
“Por, mendoj që kjo duhet të ndodhë në ambientet dhe territorin sirian. Zhvendosja e këtyre armëve, është në vetvete një mision i vështirë”, – vlerëson Ministri.
Organizata për ndalimin e armëve kimike, ka miratuar të premten e kaluar në Hagë planin e shkatërrimit të arsenalit kimik sirian deri në mesin e 2014-s, operacion që Shqipëria refuzoi ta kryente në tokën e vet po ashtu si edhe Norvegjia, raporton shtypi belg.
Armët kimike, eliminimi i të cilave gjykohet si prioritar, do të shkatërrohen jashtë Sirisë deri në prillin e vitit 2014 dhe gjithë armët e tjera kimike deri më 30 qershor 2014, sipas kalendarit të aprovuar nga ONAK.