Sipas trupit gjykues, ish-kreu i gardës vrau nga pakujdesia protestuesin Faik Myrtaj, kurse ish-gardisti llupo vrau nga pakujdesia, protestuesin Ziver Veizi.
Gjykata e Apelit vendosi keshtu për dy gardistët e akuzuar për vrasjen e 3 protestuesve në 21 Janar 2011.
Asnjëri prej 2 të pandehurve nuk ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit përvec, Margarit Kumes.
Avokati Gjokutaj
“Vendimi i Apelit ndryshoi vendimin e Gjykatës së Tiranës, por është i pabazuar në ligj. Ne do të ndjekim hapat e ankimit, do të jetë gjykata Supreme që do të thonë përfundimisht fjalën e tyre”- tha avokati mbrojtës i Prendit, Gjokutaj.
Gjokutaj theksoi se do të ndjekë shkallët e gjyqësorit deri në nxjerrjen e pafajshëm të Ndrea Prendit.
“Do të ndjekim hapat e ankimit, do jetë gjykata Supreme dhe shkallët e gjyqësorit që do thonë fjalën e tyre”.
Prokurori
Dje në Gjykatën e Apelit, Prokuroria kërkoi të prishet dënimi i Gjykatës së Tiranës dhe të dënohen me burg dy gardistët që akuzohen për vrasjen e protestuesve.
Procesi gjyqësor që konsiderohet si ‘patatja e nxehtë’ e drejtësisë shqiptare nisi me kërkesën e prokurorisë ndaj gardistëve Ndrea Prendit dhe Agim Llupos.
Prokurori Shkëlqim Hajdari kërkoi që të prishet vendimi i Gjykatës së Tiranës, ndërsa kërkoi të njëjtin dënim dhe në Gjykatën e Tiranës.
“Ndrea Prendi të dënohet me 23 vite burg, Agim llupo të dënohet me 25 vite burg”,- tha prokurori Hajdari.
Prokurori u shpreh se gjykimi i çështjes në Shkallën e Parë të gjykatës ka qenë i paplotë dhe nuk janë marrë parasysh provat. Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë i nxori të pafajshëm gardistët për ngjarjen e 21 janarit të vitit 2011.
Gjyqi për 21 Janarin cilësohet si një proces gjyqësor që ka futur në kontradiktë politikën shqiptare si dhe ka ngjallur një diskutim juridik.
Më 21 Janar, viti 2011 u vranë gjatë një proteste të së majtës atë kohë në opozitë, protestuesit Hekuran Deda, Aleks Nikaj, Faik Myrtaj dhe Ziver Veizi.