Basha: Shqiptarët nuk mund të harrojnë, se Rama bllokoi integrimin

20

basha2-1024x694Në një deklaratë për mediat Kryetari i Partisë Demokratike, Lulëzim Basha ka deklaruar se Rama duhet të kuptojë se opozita nuk duhet urryer. Ndonëse vjen paksa ironike kjo këshillë se, si duhet të trajtohet opozita dhe kjo pikërisht nga ish Ministri i Brendshëm në detyre, kur opozitarët u vranë nga selia e Kryeministrise në mes të bulevardit.

Më poshtë keni deklaratën e plotë të Lulëzim Bashës:

“Kryeministri Rama mori në Bruksel, mesazhin e qartë për të bashkëpunuar ngushtë me opozitën e vendit të tij.

Në emër të Partisë Demokratike dua të falënderoj miqtë dhe partnerët e Shqipërisë në Bashkimin Europian për këtë mesazh kuptimplotë dhe për vendosmërinë e tyre konstante në mbështetje të aspiratave europiane të popullit shqiptar.

Me këtë rast dua të siguroj përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Europian në Bruksel, sikurse kemi siguruar qytetarët dhe Kuvendin e Shqipërisë këto ditë, se opozita e re shqiptare nuk do të jetë në asnjë moment pengesa dhe problemi i integrimit të vendit në BE, se do të jemi promotorë, siç kemi qenë në qeveri, se do të votojmë çdo ligj dhe akt shkon në përmbushje të kritereve të integrimit.

Ndërkaq sot, Partia Demokratike kërkon nga zoti Rama që ai ta lexojë drejt  dhe të  reflektojë pa humbur kohë  rreth  këtij mesazhi thelbësor për fatin e  integrimit të  Shqipërisë  në Europë  dhe për rolin përbashkues që duhet të luajë Tirana zyrtare në  marrëdhëniet me faktoret politikë shqiptarë në Kosovë, Maqedoni  dhe në trevat e tjera.

Ta lexojë jo si një mesazh rutinë por para së gjithash si një këshillë ndihmuese dhe qortuese për startin plot qëndrime përçarëse e konfliktuale të zotit Rama në detyrën e  tij si kryetar i këshillit të Ministrave.

Zoti Rama i shpalli luftë opozitës në daljen e tij të parë në foltoren e Kuvendit, duke provokuar largimin e  saj nga seanca.

Një ditë më pas provokoi braktisjen e Kuvendit të Kosovës nga opozita e Kosovës me qëndrimet e tij ideologjike përçarëse të stampës së vjetër ndaj figurës së ndritur të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, Presidentit Ibrahim Rugova.

Në harkun e njëzet e katër orëve provokoi braktisje nga dy opozita kombëtare, një rekord që nuk e ka asnjë kryeministër.

Në vend që të nxirrte mësime përgjatë debatit parlamentar, zoti Rama e thelloi më tej luftëshpalljen ndaj opozitës me deklaratën e tij paprecedent se opozita nuk ka parë akoma se ç’është dhuna, deklaratë nga e cila nuk është tërhequr ende.

Në vrapin e tij drejt godinës së qeverisë, akoma pa u tharë boja e firmës së betimit para Presidentit të Republikës, nxitoi të hiqte portretin e tij në shkelje flagrante dhe përçarëse të Kushtetutës, etikës, dhe bonsensit.

Kjo nuk është rruga për të shkuar në Europë.

Shqiptarët nuk harrojnë se Edi Rama bllokoi integrimin e vendit si opozitar kundër qeverisë.

Me veprimet konfliktuale dhe përçarëse që po kryen ai po rrezikon të bllokojë  përsëri, kësaj radhe si qeveritar kundër opozitës.”