Alketa Selimaj, vlonjatja që synon majat e politikës belge

132

E ka lënë Shqipërinë 18 vite më parë për të përfunduar në Bruksel, ndërsa sot ambiciet e saj synojnë të arrijnë majat e politikës belge. Personazhi i sotëm i Albania Plus, është 30-vjeçarja vlonjate Alketa Selimaj, kandidate e “Lëvizjes Qytetare”, në komunën brukseluaze të Koekelbergut.

Në një vetëprezantim të shkurtër, Selimaj tregon se ashtu sikurse shumë shqiptarë të tjerë ka lënë qytetin e saj të lindjes, Vlorën dhe së bashku me familjen ka udhëtuar drejt Belgjikës ku edhe është vendosur përfundimisht. Atëherë Selimaj ishte vetëm 12 vjeç, por asgjë nuk e ndali derisa mbaroi studimet me rezultate të shkëlqyera. Drejtësi dhe studime europiane do të ishin dy degët që 30-vjeçarja vlonjate i përfundoi me sukses të plotë dhe falë këmbënguljes, egos dhe punës së palodhur, pas 12 vjetësh nga momenti i mbërritjes në Belgjikë, dhe pikërisht në vitin 2012 do të shpërblehej duke filluar një punë të kënaqshme.

”Në gusht të vitit 2012, fillova punë si këshilltare politike për Presidenten e Parlamentit frakofon të Brukselit. Aktualisht punoj me ish-kryeministren dhe ministren e brendeshme të Belgjikës. Plus punes time si këshilltare jam e angazhuar me partinë, në të cilën jam sekretare ndërkombëtare e të rinjve”, pohon vetë Selimaj. Jo vetëm CV-ja e pasur, por edhe rezultatet e larta në punën e saj, kanë ‘detyruar’ drejtuesit e partisë t’i besonin 30 vjeçares vlonjate numrin 3 në listën e “Alternativës Humaniste” të komunës Koekelberg, për zgjedhjet e 14 tetorit.

Puna e saj nuk ka spikatur vetëm në politikën belge, por ajo njihet si një nga aktivistet më në zë të çështjeve të ndryshme të komunitetit shqiptar të Belgjikës. Përgjatë viteve ajo ka pasur një numër të konsiderueshëm angazhimesh në organizata dhe shoqata të ndryshme shqiptarësh që funksionojnë në Bruksel. Vlen të përmendim kështu, “Albelget”, e cila është e para shoqatë për femrat Shqiptare në Bruksel, ndërsa Selimaj është njëra prej themelueseve të saj. Por, krahas kësaj, zgjedhjet e 14 tetorit e prezantojnë 30 vjeçaren vlonjate si një nga kandidatet favorite, kjo falë emrit të mirë dhe përkushtimit të saj të palodhur.

Pikat më të forta të programit të saj elektoral janë problematika siciale e qytetit të Brukselit, parë kjo në këndvështrimin e kryeqytetit të Europës, si dhe padyshim funksionimi i i mirë i demokracisë dhe të drejtave të barabarta. “Siguria, pjesëmarrja e qytetarëve, të drejtat e grave, kultura dhe mobiliteti do të jenë në qendër të angazhimit tim”, thotë Selimaj në prezantimin e kandidaturës së saj, ndërsa duke kërkuar votat e komunitetit tonë në komunën Koekelberg vazhdon: “Jam e lumtur që bëj pjesë në një ekip të motivuar dhe të angazhuar, me të cilin pres që të zbatojmë projektet tona në të ardhmen, në mënyrë që së bashku të jemi krenarë për komunitetin tonë”. Selimaj është modeli i të rinjve shqiptarë të integruar më së miri në shoqërinë belge. Falë punës, përkushtimit dhe orëve të gjatë të studimeve ajo ka arritur të jetë një faktor i rëndësishëm në një nga partitë e mirëpërfaqësuara në politikën federale belge, duke i shtuar dëshirën për të arritur në majat e saj. E pse jo?! Ne i urojmë suksese!