Në Ditën Botërore të Shëndetit Oral, 20 mars, specialistët e shëndetit publik përmes aktiviteteve sensibilizuese përcjellin mesazhe veçanërisht për fëmijët për parandalimin e sëmundjeve të dhëmbëve, duke nisur nga higjiena, kontrollet dhe ushqimet, që zgjedhin për t’u konsumuar.
Dita Botërore e Shëndetit të Gojës është vendosur nga Federata Dentare Botërore, në çdo vit më datë 20 mars. Kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin, si dhe të tregojë rëndësinë e madhe që ka shëndeti oral në shëndetin e përgjithshëm dhe mirëqënien. Sipas Shoqatës së Stomatologëve Shqiptarë, sëmundjet e gojës janë më të përhapurat dhe prekin rreth 90% të popullsisë. Ato kanë një impakt domethënës në shëndetin e përgjithshëm të çdo individi. “Sëmundjet e gojës ndikojnë në cilësinë e jetës së njeriut.
Sipas specialistëve, larja e dhëmbëve duhet të fillojë menjëherë pas daljes së dhëmbit të parë të qumështit”, shprehen specialistët e shëndetit publik.
Sëmundja kryesore që prek dhëmbët është kariesi i cili është një infeksion që shkaktohet nga mikrobet që gjenden në hapësirën e gojës. Sipas stomatologëve, disa nga faktorët që ndikojnë në sëmundjet e dhëmbëve janë mungesa e kujdesit, konsumimi i duhanit dhe ëmbëlsirave, kequshqyerja, etj.
Federata Shqiptare e Stomatologëve rekomandon shtim të kujdesit ndaj higjienës së gojës për të evituar prekjen nga këto sëmundje. Mënyra më e mirë për mirëmbajtjen e higjienës së gojës është larja e dhëmbëve çdo ditë pas vakteve kryesore të ushqimit ose të paktën 2 herë në ditë, në mëngjes dhe në darkë më furcë dhe pastë dhëmbësh, ndërrimi i shpeshtë i furcës së dhëmbëve, si dhe kontrolli çdo 6 muaj te dentisti.