Publikuar Ne: 27 Korrik 2014
216 shikime
AKTUALITET / Lajmet e fundit / OPINION | By albaniaplus

Pse 4 vjet për të zbuluar vjedhjen në BSH?!

Leket_shqiptareFatos Mahmutaj

Vjedhja e rreth 4.3 milion eurove në Bankën e Shqipërisë nga ana e punonjësve të saj nuk është skandali i vetëm në këtë institucion. Prej vitesh, ose me saktë që në fillim te viteve ’90 janë publikuar herë pas here fragmente lajmesh për vjedhje dhe abuzime me thesarin e shtetit shqiptar, direkt në kasafortë. Padyshim, që njëra pas tjetrës shumat e përfunduara në xhepat e hajdutëve kanë njohur vetëm rritje. Nuk po flasim këtu për vjedhjet ‘me letra’, por vetëm ato ordineret, njëlloj si rasti i këtij tipit të fundit që mbushte xhepat me kartëmonedha dhe dilte i qetë. Një tjetër vjedhje, në përmasa më të mëdha por që u mbyll paq nga drejtësia shqiptare ishte vjedhja e thesarit në Kërrabë. Themi paq, pasi mbi 350 kg monedha ari, shekullore, me vlerë të numizmatike u llogaritën sikur të ishin kallëp metali. Pra, llogaritur sipas bursës së arit në vitin 2001, ato u vlerësuan në vetëm 2.7 milionë euro. Në bazë të kësaj shifre procedoi më tej edhe drejtësia shqiptare, kur dënoi një ish-ushtarak për ‘shpërdorim detyre’ dhe tre hamejtë që u tërhoqën zvarrë me qeset e floririt nëpër labirintet e malit të Kërrabës. Përfundimisht drejtësia në verdiktin për këtë çështje arsyetoi se ushtaraku që u dënua me 20 muaj burg, nuk kishte përfituar asgjë nga shuma e vjedhur, por kishte shpërdoruar detyrën duke mos i bërë verifikimin floririt në tunel. Ndërsa ky nga ana e vet, duke pretenduar pafajësinë argumentoi se ishte vetëm një prej katër përgjegjësve dhe se zotëronte veç një nga katër çelësat që nevojiteshin për të hapur derën e tunelit ku ruhej thesari. Qëllimisht kjo derë ishte lënë pa hapur për më tepër se katër vite, me pretekstin se brava ishte ndryshkur. Vetëm pak kohë pas përfundimit të gjyqit, dhe vuajtjes së dënimit, ky vdiq në mënyrë misterioze, (u fol për kancer), ndërsa nuk arriti dot të shpjegohej para shkallëve të larta të gjyqësorit apo edhe komisioneve parlamentare të ngritura për këtë punë. Kjo për faktin e thjeshtë se askush nuk pati interes ta dëgjonte. Vendimi i togave të zeza ishte një garniturë perfekte për të justifikuar politikanët përpara shqiptarëve me shprehjen: ‘Kur flet drejtësia, të tjerët heshtin’. Kurse tre barinjtë nga Kërraba e Vogël, që u përdorën thjesht si hamej dhe u shpërblyen me dy qese të plota floriri dhe një tjetër përgjysmë (kjo e fundit u gris gjatë rrugës nëpër zgavrat midis malit dhe pjesës së betonuar), nuk folën kurrë, as para hetuesve, as para gjykatës, as gjatë vuajtjes së dënimit dhe afërmendsh, për më tepër, as tani që jetojnë me familjet e tyre në Pezë dhe Kërrabë.

Tani, 15 vjet më vonë, përsëritet e njëjta histori. Gjendet një hajdut i rëndomtë që për rreth 4 vjet paska vjedhur thesarin e shtetit dhe nuk i ka hyrë gjemb në këmbë. Shefja e vet, mjaftohej që kg në kasafortë nuk kishin ndryshuar, edhe pse ishin letra dhe jo para. Instinktivisht me lindin pyetjet: Pse të mos hapej kasaforta dhe përgjegjësit të numëronin tufat e parave?! Fundja, a nuk ishte kjo detyra e tyre, të paktën për të justifikuar super pagat që firmosin çdo muaj?! Katër vjet ka vazhduar vjedhja, pra d.m.th inventari i fundit duhet të jetë bërë më parë se kaq, ose ndoshta nuk është bërë kurrë?! Ajo që nuk arrij të kuptoj janë këto katër vite: Pse u dashkan çdo herë katër vjet për të zbuluar vjedhjen në kasafortat e Bankës së Shqipërisë?! Mos vallë për të fshehur hajdutët e vërtetë dhe për t’ua lënë fajin ordinerëve me vese? Tashmë nuk mbetet gjë tjetër veçse të presim të shohim se cili do të jetë naivi torollak që do të vdesë ‘nga kanceri’ në këtë dosje…

217 shikime 1 sote

About the Author

albaniaplus -

Komentoni

XHTML: Mund te perdorni keto html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

We use cookies to ensure that we give you the best experience on our website.
Ok