Vrasja e këngëtarit, “Agimi i Artë” mund të dalë jashtë ligjit

51

agimi_506529234Vrasja e këngëtarit grek me prirje të majta, antifashist dhe antiracist, ka risjellë në vëmendje skenarët për nxjerrjen jashtë ligjit të partisë “Agimi i Artë”, edhe pse Kushtetuta greke nuk parashikon shpërbërjen e partive.

Qeveria greke është duke shqyrtuar propozimet për klasifikimin e partisë neonaziste “Agimi i Artë” si një organizatë kriminale, gjë që do t’i hapte rrugë ndalimit të veprimtarisë së saj.

Kryeministri grek Antonis Samaras dhe zv.kryeministri Evangelos Venizelos zhvilluan dje një takim urgjent për situatën, ku shqyrtuan dhe mbështetën propozimin e ministrit të i Rendit, Nikos Dendias që kjo parti të klasifikohet si “organizatë kriminale” dhe të shtrëngohet legjislacioni për grupet kriminale dhe të armatosura.

Pas shpërthimit të dhunës dje pasdite, ministri i Rendit anuloi udhëtimet e planifikuara jashtë vendit dhe deklaroi se qeveria do të konsiderojë legjislacionin emergjent për nxjerrjen jashtë ligjit të partisë “Agimi i Artë”.

Greqia ka presione edhe nga ndërkombëtarët për qëndrimin që duhet të mbajë me partinë neonaziste. Kreu i grupit të deputetëve socialistë në Parlamentin Europian, Hannes Svoboda paralajmëron Greqinë për presidencën e BE. “Nëse qeveria greke dështon për t’i dhënë fund sjelljes së urryer të “Agimit të Artë”, presidenca greke është e papranueshme”, është shprehur ai. Svoboda e cilësoi vrasjen e të riut, shokuese dhe të papranueshme për çdo vend të BE. Ai kërkoi nga qeveria e Parlamenti grek të marrin në konsideratë ndalimin e partisë “Agimi i Artë”.

Presidenti grek Karolos Papulias ka bërë thirrje për ndërgjegjësim politik. “Duhet vigjilencë institucionale dhe zgjim social për të luftuar një dukuri të neveritshme”, ka deklaruar presidenti.

Partia “Agimi i Artë” është aktualisht forca e tretë parlamentare, me 18 vende në parlamentin me 300 deputetë, e votuar nga afro 1 milionë grekë dhe duket se po forcon pozitat e saj për shkak të zemërimit popullor ndaj vështirësive ekonomike.

Gazeta “The Guardian” thotë se “në këto kushte ekziston një shqetësim serioz, pasi udhëheqja e “Agimit të Artë” mund të humbasë kontrollin mbi përkrahësit e partisë, të cilët e shohin veten si ushtarë në një luftë të armatosur, me qëllim përmbysjen e një sistemi politik që fajësohet për sëmundjet e vendit”.

Vrasja e këngëtarit 34 vjeçar Pavlos Fissas nga një person që ka lidhje me “Agimin e Artë”, shkaktoi zemërim dhe protesta, të cilat degjeneruan në përleshje mes protestuesve dhe policisë dhe në dhunë. Frika është se ngjarja do të shfrytëzohet për përshkallëzimin e reagimit popullor mbi gjendjen ekonomike, në të cilën është zhytur vendi. Policia është në gatishmëri për përballimin e situatës.

Këngëtari i repit u vra natën e kaluar duke dalë nga një klub, pasi u përball i vetëm me një grup njerëzish të veshur me rroba të zeza, derisa njëri prej tyre, një 45 vjeçar (në foto) e qëlloi për vdekje. Këngëtari vdiq pas 20 minutash, dhe deri atëherë arriti t’i tregojë policisë se cili ishte personi që e qëlloi me thikë në zemër, gjë që çoi në arrestimin e tij të menjëhershëm.